OpEd

Presidenca e dërrmuar e Trumpit

Gjatë gjithë javës së parë të muajit Shtëpia e Bardhë e Trumpit u përball me më shumë telashe sesa kanë pasur shumica e presidentëve amerikanë gjatë disa muajve, apo edhe më gjatë. Mesatarja industriale e “Dow Jonesit” shënoi rënie prej 1.000 pikësh dy herë, duke i përpirë të gjitha përfitimet që tregjet i shënuan për një vit rresht.... Trumpi ia përkeqësoi gjërat vetes, duke i bërë ato që paraardhësit e tij në Zyrën Ovale i shmangën mençurisht. Ai vazhdimisht ia ngarkoi vetes si meritë përfitimet në tregjet e aksioneve. Afaristi i supozuar i madh ka harruar se çdo ngritje, në fund të fundit, e ka edhe rënien

Washington – Punët kanë mbërritur deri në atë pikë sa dikush mund pothuajse të ndiejë keqardhje për Donald Trumpin. Derisa kjo “pothuajse” e reflekton boshllëkun tejet të madh që kundërshtarët e Trumpit duhet ta mbushin, mund të thuhet se shkurti, deri më tani, ka qenë i ashpër për presidentin amerikan, ndonëse ai qartazi nuk është një viktimë e pafajshme.

Gjatë gjithë javës së parë të muajit Shtëpia e Bardhë e Trumpit u përball me më shumë telashe sesa kanë pasur shumica e presidentëve amerikanë gjatë disa muajve apo edhe më gjatë. Mesatarja industriale e “Dow Jonesit” shënoi rënie prej 1.000 pikësh dy herë, duke i përpirë të gjitha përfitimet që tregjet i shënuan për një vit rresht. Askush nuk e dinte se kur do ta rimarrin veten tregjet apo nëse shkurtimet tatimore me të cilat u lavdërua Trumpi, përpos shumë politikave të tjera, do ta ushqejnë frikën e tejtkurrjes së ekonomisë dhe të normave më të larta të interesit.

Trumpi ia përkeqësoi gjërat vetes, duke i bërë ato që paraardhësit e tij në Zyrën Ovale i shmangën mençurisht. Ai vazhdimisht ia ngarkoi vetes si meritë përfitimet në tregjet e aksioneve. Afaristi i supozuar i madh ka harruar se çdo ngritje, në fund të fundit, e ka edhe rënien.

Po ashtu gjatë asaj jave Kongresi e miratoi marrëveshjen e buxhetit dyvjeçar. Zakonisht marrëveshjet afatgjate dhe dypalëshe përbëjnë lajm të mirë; mirëpo marrëveshja llogaritej ta garantonte një deficit vjetor buxhetor prej 1 trilion dollarësh. Partia Republikane, e cila prej kohësh pretendonte të jetë parti e përgjegjësisë fiskale, e humbi këtë identitet. Demokratët dhe republikanët e Kongresit ia dolën të arrinin marrëveshje duke ia siguruar secilës palë atë që dëshironte në kuadër të shpenzimeve të reja – pa shkurtime buxhetore apo rritje tatimesh për ta mënjanuar ndikimin në deficit.

Presidentët Ronald Reagan, George H.W. Bush dhe Bill Clinton u prinë rritjeve tatimore, ndërkaq politikat fiskale të Clintonit faktikisht gjeneruan një tepri buxhetore në vitet e fundit të mandatit të tij të dytë. Mirëpo pas tyre erdhi George W. Bushi, i cili argumentoi se ysti duhet t’i kthehej popullit. Dhe kështu ishte. Që atëherë e tutje rritja e taksave u shndërrua në një mallkim për republikanët, dhe, me kohë, shumica e shkurtimeve “të përkohshme” tatimore të Bushit u bënë të përhershme.

Premtimi i Trumpit për t’i shkurtuar sërish taksat shihet gjithandej si një prej arsyeve kryesore pse liderët republikanë të Kongresit – dhe, ç’është më e rëndësishmja, donatorët e mëdhenj të partisë – e mbështetën atë më 2016 dhe vazhduan ta bëjnë edhe më tutje. Por anëtarët e Kongresit nisën edhe t’i frikësohen “bazës” së Trumpit, e cila mund ta përfaqësojë vetëm rreth një të tretën e elektoratit ama është tejet e fuqishme në qarqet republikane të Kongresit dhe mund ta mbështesë një sfidues më djathtist në zgjedhjet paraprake të partisë.

Republikanët pretenduan se shkurtimet tatimore u dedikohen shtresave të mesme, ndonëse ato i ndihmuan kryesisht më të pasurit dhe bizneset. Trumpi dhe aleatët e tij kanë bërë përpjeke të shumta për ta bindur shtetin që t’i përkrahë shkurtimet tatimore që parashihen të ndodhin para zgjedhjeve të mesmandatit më 2018, në të cilat do të jenë të hapura të gjitha pozitat në Dhomën e Përfaqësuesve, një e treta e atyre në Senat dhe shumë poste guvernatorësh dhe ato të legjislaturave shtetërore. Republikanët janë në panik se mund t’i humbin si Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe Senatin, ndonëse kjo e fundit është më pak e mundur të ndodhë, duke e pasur parasysh faktin se më tepër kandidatë demokratë sesa republikanë duhet t’i mbrojnë postet e tyre. Shumëçka mund të ndodhë deri atëherë, që të ndikojë në ndryshimin e ekuacionit zgjedhor.

Sikur gjithë kjo të mos mjaftonte, Shtëpia e Bardhë e Trumpit u godit papritmas nga një dallgë e akuzave për rrahje të bashkëshorteve.

Partia Republikane tanimë ishte goxha në telashe me gratë dhe mënyra se si Trumpi dhe ndihmësit e tij po e menaxhonin situatën nuk ishte fort shpresëdhënëse. Në fillim të javës u bë e ditur se dy ish-bashkëshortet e Rob Porterit jo fort të njohur – përshkrimi i titullit të punës i të cilit, sekretar stafi, e përgënjeshtron punën që ai e kryen në të vërtetë (t’ia sigurojë presidentit dokumentet e duhura) – i kanë thënë FBI-së se Porteri ka qenë fizikisht dhe emocionalisht i dhunshëm ndaj tyre, gjatë martesave (të shkurtra) me të.

Si rezultat, Porteri kurrë nuk e mori garancinë e duhur të sigurisë që ia kërkon puna; edhe pas një viti ai e siguroi vetëm një garanci të “përkohshme”. Është goxha e pazakontë që garantimi i sigurisë për një ndihmës të lartë të Shtëpisë së Bardhë të zgjasë kaq shumë – siç ka ndodhur po ashtu me rastin e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, i cili i menaxhon çështjet e politikave të jashtme. Shqetësimi në rastet e tilla është se mund të dalin informata që rrezikojnë ta përballin zyrtarin me shantazh. Njëri prej përpiluesve të fjalimeve të Trumpit u detyrua të jepte dorëheqje, pas ankesave të tilla nga ish-bashkëshortja.

Rrëfimi mori përmasa edhe më të mëdha kur u mësua se shefi i stafit të Trumpit, John Kelly, dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, kanë qenë në dijeni për situatën e Porterit për ca kohë (McGahn ka qenë i informuar për ngjarjen për më shumë se një vit, ndërsa Kelly për të paktën disa muaj), dhe qartazi nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masash për ta penguar Porterin t’i ketë nën menaxhim informatat e klasifikuara.

Kësisoj, skandali rreth abuzimit të bashkëshorteve së shpejti u shndërrua në skandalin e lëshimeve të mundshme të sigurisë.

Presidenca e Trumpit ka pasur një mori rastesh të ndihmësve që janë detyruar të japin dorëheqje ose që janë shkarkuar për shkaqe të ndryshme. Veteranët më me përvojë të ekzekutivit nuk ishin joshur për të punuar me Trumpin, ndërsa ai dhe qarku i tij i këshilltarëve e përjashtonin nga opsioni këdo që e kishte kundërshtuar presidentin republikan gjatë zgjedhjeve të 2016-s. Kështu që, Presidenca e Trumpit nuk e startoi punën me personel të nivelit të lartë dhe stafi as sot nuk është përmirësuar.

Kjo nuk është ndonjë befasi. Trumpi njihet si një person tejet i vështirë për bashkëpunim: si njeri i vrullshëm dhe i paqëndrueshëm, ai e ka shprehi t’u bërtasë ndihmësve të vet. Njerëzit janë ngritur dhe kanë rënë në vlerësimin e tij brenda pak ditësh, ndërkohë fraksionet përbrenda Shtëpisë së Bardhë janë thelluar vazhdimisht.

Kelly, gjenerali i pensionuar i marinës, i cili në fund të korrikut të 2017-s kaloi prej postit të sekretarit të Sigurisë së Brendshme në atë të shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, ka krijuar njëfarë rendi në Shtëpinë e Bardhë. Por ka hequr dorë nga përpjekjet për t’ia ndryshuar sjelljet Trumpit – duke nisur nga postimet e tij të paparashikueshme dhe shpesh me pasoja në Twitter, deri te telefonatat personale që i bën nga këndet private (në mënyrë që Kelly të mos mund ta monitorojë apo ta dëgjojë).

Por del se Kelly ishte pothuajse aq i patakt sa edhe shefi i tij: ai tanimë ka shfaqur pandjeshmëri karshi çështjeve racore dhe kur bëhet fjalë për dhunën në familje ai ishte i painteresuar. Thoshte vetëm se Porteri po e kryente mirë punën e tij dhe ishte i nevojshëm, kështu që përfundoi duke e çuar Porterin në hava dhe duke e nxitur privatisht që ta vazhdojë detyrën. Mirëpo, me përhapjen e furisë në media Kelly ndryshoi qëndrimin dhe e udhëzoi stafin e Shtëpisë së Bardhë të gënjejë në emër të tij – të vlerësojë se ai u është përgjigjur me shpejtësi dhe negativisht lajmeve rreth ish-bashkëshorteve të Porterit.

Fati i Kellyt sot është i paqartë.

Por çfarë ndodh me Trumpin, për të cilin të paktën dhjetëra gra kanë paraqitur ankesa për avancime të padëshirueshme të bazuara në gjini (nëse jo edhe më keq)? Në fund të një jave përplot zhvillime ai e shkaktoi edhe një tjetër stuhi, duke e shprehur simpatinë e tij për Porterin dhe duke sugjeruar se grave që bëjnë ankesa të tilla jo domosdo duhet besuar.

(Elizabeth Drew është redaktore kontribuuese në “The New Republic” dhe autore e librit: “Ditari i Washingtonit: Raportimi i Watergatit dhe rënia e Richard Nixonit”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).