Disa prej përvojave të mia në Kosovën e pasluftës i pata përshkruar në librin “Kosova nën lëkurën time” me parathënie nga presidenti ynë i atëhershëm Vaclav Havel, i cili, si unë, ishte mbështetës i madh i dëshirës së Kosovës për liri dhe pavarësi. Tani, si zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës çeke, isha fort i lumtur t’u premtoja partnerëve të mi kosovarë se gjatë presidencës së vet Çekia do të punonte për t’i çuar përpara negociatat për liberalizimin e vizave për Kosovën
Kisha nderin të punoja për misionin e UNMIK-ut në hyrje të mileniumit të ri dhe kështu e njoha nga afër jetën në Kosovën e shkatërruar nga lufta. Me këtë vend rashë në dashuri atëherë dhe mbetet në zemrën time sot e kësaj dite. Kam përjetuar shumë momente të mrekullueshme këtu, kur me sytë e mi mund të shihja se si Kosova po ndryshonte çdo ditë për të mirë, se si i shëronte plagët e veta të luftës dhe gradualisht i kthehej jetës normale. Megjithatë, përjetova gjithashtu edhe më shumë se një moment të trishtuar mbi jetët e shkatërruara pa nevojë, qoftë gjatë zbulimit të varrit masiv në Dubravë, qoftë përballë viktimave të pasluftës nga urrejtja e pakuptimtë.
Kam punuar me tërë qenien time që të sjell qetësi, paqe dhe prosperitet në Kosovë. Gjithashtu kam njohur njerëz të mirë, kosovarë, dhe të tjerë, që si unë, vinin nga vende të ndryshme të botës për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të pasluftës.
Disa prej përvojave të mia i kam përshkruar në librin “Kosova nën lëkurën time”, me parathënie nga presidenti ynë i atëhershëm Vaclav Havel, i cili, si unë, ishte mbështetës i madh i dëshirës së Kosovës për liri dhe pavarësi.
Falë mikut tim sllovak, shqipërues, Kamil Weiner, libri u botua në shqip me vazhdime në “Kohën Ditore”. Ndoshta falë kësaj, në vitin 2005, në komunën time të dashur të Istogut, në të cilën dikur kam punuar si administrator, vendosën që të më jepnin shtetësinë nderi si ish-administrator i komunës së tyre. Për këtë shkak, zyrtarisht jam njëri prej jush.
Pastaj erdhi periudha e gjatë kur fati më çoi në pjesë krejt të ndryshme të botës dhe Kosovën mund ta përcillja nga larg. Vetëm sivjet, pas 17 vjetëve të gjatë, më në fund isha në gjendje të kthehesha në Kosovë. Sidoqoftë, tani në rol krejt tjetër. Në fund të vitit 2021 u zgjodha zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës çeke, dhe në këtë pozitë të re, e forcuar nga fakti se shteti ynë vazhdoi Presidencën e Këshillit të BE-së nga korriku, unë isha në gjendje të përqendrohesha më intensivisht në atë që po ndodhte jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo tradicionalisht ka qenë një nga prioritetet më të larta të politikave të jashtme çeke, dhe lufta që Rusia e nisi në muajin shkurt kundër fqinjës më të vogël, Ukrainës të pavarur, sovrane dhe krenare, nuk ka ndryshuar asgjë në këtë.
Edhe
FAZ-i publikon dëshmi nga revistat serbe: Vuçiqi krenohej me pjesëmarrjen në luftën e Sarajevës
Me kthimin tim në Kosovë, vetëm mund të admiroja se sa shumë progres ka bërë ky shtet në shumë gjëra. Rrugë dhe autostrada të reja, ndërtesa të reja, pastërti në rrugë dhe sheshe, fshatra të përmirësuara etj. Ndoshta mund ta quajmë “harduer”. Sidoqoftë, gjatë bisedave me njerëz, përfaqësues të Qeverisë, opozitës, me serbët, akademikët dhe ushtarët, ndjeva skepticizëm të konsiderueshëm dhe frikë se nuk do të pasonin ndryshime të mëtejshme. E kam fjalën për trurin, marrëdhëniet mes njerëzve, respektim të demokracisë, për vlerat dhe rregullat evropiane dhe shtegun drejt familjes evropiane, pra në “softuerin” e nevojshëm.
Prandaj isha fort i lumtur që mund t’u premtoja partnerëve të mi kosovarë se Çekia do të bënte përpjekje gjatë Presidencës së saj në realizimin e suksesshëm të negociatave për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në atë kohë, edhe para fillimit të Presidencës sonë, gjatë takimeve me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dukej e pamundur që kjo të ndodhte para fundit të vitit 2022. Ja që ndodhi!
Pas dhjetëra dhe ndoshta qindra orësh takime përgatitore, bindjesh dhe diskutimesh, qëllimi nisi të afrohej papritur dhe në fund të nëntorit të gjithë mund të festonim. Kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në BE nga viti 2024. Është kompromis që ka çuar te qëllimi i dëshiruar.
Në shtetet e Ballkanit Perëndimor disa gjëra ishin të komplikuara ose së paku avancuan ndjeshëm gjatë Presidencës çeke. Marrëveshja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut gati ishte kompletuar kur ne morën presidencën, prandaj në muajin korrik ne vetëm përfunduam punën që kishin nisur paraardhësit tanë. Gjithashtu u bë e mundur që hapësira e Schengenit të hapej për një tjetër shtet. Ne besojmë se suksesi i Kroacisë do të jetë motivim për fqinjët e saj, të cilët ende nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme. Pas disa vjetësh Bosnjë-Hercegovina më në fund mori statusin e kandidates për anëtarësim në BE. Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor gjithashtu u mbajt në Tiranë në muajin dhjetor, duke konfirmuar vendosmërinë e komunitetit evropian për përkrahje të mëtejme për shtetet dhe qytetarët e këtij rajoni drejt Evropës, vlerave dhe standardeve evropiane. Për këtë, është e dukshme që edhe lufta brutale dhe barbare që ka nisur Rusia në mënyrë të papërgjegjshme në Evropë, nuk ka dobësuar interesin tonë në Ballkanin Perëndimor ose dëshirën dhe aftësinë tonë për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejmë në këtë pjesë të komplikuar të Evropës.
Natyrisht, gjithmonë është e mundur të bëhet diçka më shumë sesa është arritur deri më tani. Kënaqshmëria në lidhje me rezultatet e arritura nuk është e duhura as sot në Kosovë. Sidoqoftë, ka hapësirë për përmirësime jo vetëm në anën e Bashkimit Evropian. Ditë më parë kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në BE te Mikuláš Bek, ministër çek për Çështjet Evropiane. Mirëpo Kosova ka përpara rrugën e gjatë dhe një numër detyrash shtëpie që duhet t’i bëjë para se të bëhet realitet ëndrra evropiane për kosovarët.
Përpjekje të konsiderueshme duhet të bëjnë në krijimin e fuqisë së vërtet funksionale të ligjit, në përmirësimin e mbrojtjes për të drejtat e njeriut për minoritetet dhe individët, në luftën kundër korrupsionit gjithnjë të pranishëm, në forcimin e performancës ekonomike të vendit, dhe së fundmi, por më e rëndësishmja, kultivimi i marrëdhënieve me fqinjën shekullore, Serbinë.
Është e qartë për të gjithë që janë përfshirë në çfarëdo mënyre në zhvillimin e situatës politike në Ballkan dhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se kjo është çështje jashtëzakonisht delikate, e ndjeshme, e cila është e mbështjellë me shumë ngjarje historike, ankesa, padrejtësi dhe fatkeqësisht dhunë dhe vrasje. Në anën tjetër, gjithashtu është e qartë se derisa nuk zgjidhet kjo nyjë e fortë nuk do të jetë e mundur që dy vendet të bëhen anëtare të plota dhe legjitime të BE-së.
Edhe Ireland’s EU Presidency – By Kosovo’s SideSivjet kam kaluar shumë kohë në Ballkan, duke bërë vazhdimisht udhëtime te secili shtet. U binda se ka edhe shumë punë, kohë, negociata, vështirësi dhe kompromise të dhimbshme para të gjithë nesh këtu. Sidoqoftë, mbetem i bindur se qëllimi ynë i përbashkët është përfshirja e Ballkanit Perëndimor në komunitetin evropian dhe transatlantik, ashtu siç duan njerëzit e kësaj pjese të botës. Shpresoj që të gjithë ne të gjejmë një mënyrë drejt këtij qëllimi.
Autori është zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke