BE-ja, e cila është jashtëzakonisht e kujdesshme në përdorimin e gjuhës në dokumente, tash ka hyrë në një luftë verbale me një kompani që prodhon vaksina rreth asaj se a janë zotimet për “të bërë përpjekje maksimale të arsyeshme” ligjërisht obliguese. BE-ja në këtë rast thotë se po. Kosova, por edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë një shembull ku BE-ja premtimet e saj, apo zotimet, nuk i ka përmbushur e as që i konsideron ligjërisht obliguese. Kosova mund të llogarisë në ndihmën e BE-së, por nuk guxon të varet nga kjo ndihmë. Kështu, ata që pritën që BE-ja t’ua sigurojë vaksinat, sepse kështu u premtua, mbetën pa to, sepse nuk bënë asgjë për t’i siguruar për vete. Obligime ndaj qytetarëve të Kosovës ka qeveria e saj, e jo BE-ja
Para shumë kohësh BE-ja ia vuri Kosovës si kusht për liberalizimin e vizave përmbylljen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. BE-ja thoshte se ky ishte kusht i përmendur në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Por nuk ishte një interpretim i drejtë.
Në fakt, kushti nuk ishte që Kosova ta përmbyllte demarkacionin, por “të bëjë gjithçka që është në mundësi” për ta përmbyllur atë. Pra, sipas një leximi të drejtë, Kosova ka mundur të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme, dhe i ka bërë, por kjo nuk ka mjaftuar për sukses. Dhe suksesi nuk ishte kusht. Kusht ishte të bëhen përpjekjet maksimale. E ndodh në jetë kur as përpjekjet maksimale nuk garantojnë sukses. Apo jo. Këtë po e mëson këto ditë BE-ja. Por edhe kur Kosova e përmbushi kushtin, BE-ja nuk e përmbushi premtimin e saj. Sepse për shkeljen e premtimeve nga BE-ja nuk ka pasoja. E as që ka nevojë dikujt t’i japë llogari. Dhe kështu, Kosova mbeti me gishta në gojë. Tashmë e harroi liberalizimin e vizave dhe kjo temë asnjëherë në dhjetë vjetët e fundit nuk është përmendur më pak në fushatë zgjedhore sesa tash.
BE-ja, e cila është jashtëzakonisht e kujdesshme në përdorimin e gjuhës në dokumente, tash ka hyrë në një luftë verbale me një kompani që prodhon vaksina rreth asaj se a janë zotimet për “të bërë përpjekje maksimale të arsyeshme” ligjërisht obliguese. BE-ja në këtë rast thotë se po. Kosova, por edhe vendet e tjera të Ballkanit janë një shembull ku BE-ja premtimet e saj, apo zotimet, nuk i ka përmbushur e as që i konsideron ligjërisht obliguese. Kosova mund të llogarisë në ndihmën e BE-së, por nuk guxon të varet nga kjo ndihmë. Kështu, ata që pritën që BE-ja t’ua sigurojë vaksinat, sepse kështu u premtua, mbetën pa to, sepse nuk bënë asgjë për t’i siguruar për vete. Obligime ndaj qytetarëve të Kosovës ka qeveria e saj, e jo BE-ja.
BE-ja nuk ka siguruar ende asnjë vaksinë të vetme për ndonjë shtet jashtë BE-së. Vaksinimi i grupeve të para në BE pati nisur para më shumë se një muaji. E premtimet ishin se “paralelisht” BE-ja do të sigurojë një dozë “të kufizuar” vaksinash edhe për grupet më të rrezikuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk mendojmë vetëm për vete, por edhe për fqinjët tanë dhe jemi duke punuar që sa më parë të japim si donacion edhe dozat e para për vendet e Ballkanit”, është diçka që nga BE-ja dëgjohet tash e dy muaj dhe vazhdon të përsëritet.
A kanë arsye në Ballkan të irritohen për këtë sjellje të BE-së dhe ta akuzojnë se po e lënë anash këtë rajon. Po dhe jo. Po, sepse BE-ja ka premtuar dhe nuk e ka pasur obligim të premtojë. Jo, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vende anëtare të BE-së dhe BE-ja nuk ka asnjë obligim ndaj tyre.
Vetëm Serbia, duke mos llogaritur që BE-ja ta bëjë punën e saj, ka siguruar për fazën e parë vaksinat për të nisur fushatën e vaksinimit. Shqipëria ka bërë një eksperiment dhe nuk dihet a i mori diku disa qindra vaksina sa për të thënë se filloi vaksinimi, sepse nuk po shohin se vaksinimi po vazhdon. Të gjitha vendet e tjera në rajon po vazhdojnë të presin.
Kështu, vaksinat janë bërë temë e propagandës politike, si nga BE-ja ashtu edhe nga liderët e vendeve të Ballkanit. Tash kur nuk ka ende vaksina, fajin e kanë “ata në BE që na mashtruan” dhe kur të vijnë ndonjë ditë vaksinat nga BE-ja, të njëjtët do të thonë “i siguruam ne”.
Në BE insistojnë se “askush nuk u ka kërkuar Kosovës dhe vendeve të tjera që vetë të mos i sigurojnë vaksinat në mënyrë individuale” dhe kanë shtuar se “në fund të vaksinimit do të jetë shumë e qartë se askush nuk i ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor më shumë se ne”.
Por nuk po e kuptojnë se shpejtësia është e rëndësishme. Njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovsih, duke kërcënuar prodhuesit e vaksinave se nuk do të tolerojnë vonesat në shpërndarjen e tyre për vendet e BE-së, tha se vaksinimi “është një garë me kohën e ne nuk kemi kohë për të humbur”.
Kosova le të presë. Kosova dhe vendet e tjera të rajonit janë të pavarura. Nuk ka faj BE-ja pse Kosova nuk ka akoma sistem të sigurimit publik shëndetësor. Nuk ka faj BE-ja se Kosova ka aq shumë mangësi në shëndetësi. BE-ja mund të ndihmojë, por nuk mund të bëhet zëvendësues i shtetit të Kosovës, apo i ndonjë shteti tjetër.
“Ne nuk duam të bëjmë diplomaci me vaksina. Po tentojmë që sa më parë të sigurojmë dozat e para për grupet më të rrezikuara në Ballkan, si dhe për punëtorët në shëndetësi. Ne si BE kemi paguar edhe shumicën e vaksinave përmes nismës ‘Covax’. Për vendet e rajonit kemi dhënë edhe 70 milionë euro, nga të cilat po ashtu do të paguhen vaksinat. Me rëndësi është se kur do të përfundojë procesi i vaksinimit e jo kur do të nisë. E kur të përfundojë vaksinimi do të shihet se askush nuk ka ndihmuar më shumë se ne. Por nuk duam të lavdërohemi shumë në publik, sepse interesi ynë është shëndeti i qytetarëve”, thonë në BE, për të ilustruar se sa e madhe është dhe do të jetë ndihma për vaksinim të qytetarëve për vendet e Ballkanit.
Në BE kështu i hedhin poshtë pohimet se “I kanë mashtruar vendet e Ballkanit duke u thënë se do t’ua sigurojnë vaksinat menjëherë”.
“Edhe po të donim ne nuk do të mund t’i detyronim vendet e Ballkanit që të na presin ne e të mos i sigurojnë vaksina për vete. Shëndetësia është kompetencë e secilës qeveri për qytetarët e saj. Ajo që ne kemi ofruar është ndihmë, e jo që t’ia ndalojmë për shembull Kosovës që për vete t’i sigurojë vaksinat”, kanë thënë në BE.
Bëjnë thirrje që të mos harrohet po ashtu se në masë të madhe kanë ndihmuar edhe vendet e rajonit që të përgatiten për vaksinim, përfshirë edhe me logjistikë, e cila ka munguar deri më tash në disa vende.
Pra, edhe në Ballkan duhet ta kuptojnë se BE-ja ka premtuar se “do të bëjë çmos” për të ndihmuar vendet e Ballkanit. Ajo “po bën çmos”, por vaksina nuk ka për këto vende. Sepse nganjëherë as “përpjekjet maksimale” nuk garantojnë suksesin. E premtimet nuk janë hiç më shumë se premtime.