Në këtë botë në zhvillim, qeverisja demokratike do të vazhdojë ta ruajë përparësinë e saj të brendshme: njerëzit e preferojnë lirinë. Por për herë të parë që nga shfaqja e saj si një fuqi globale në vitet katërdhjetë, SHBA-ja tani përballet me Kinën, konkurrente me spektër të plotë
Teksa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po e peshon mundësinë e ndërrimit të kursit të SHBA-së qysh në muajt e parë në post, një zgjidhje duket veçanërisht e denjë për t’u marrë në konsideratë: kalimi në një politikë të jashtme më pragmatike dhe më pak ideologjike.
Deri më tani, Biden e ka përqendruar shtetin e tij në përplasjen midis demokracisë dhe autokracisë. Në fjalimin e tij në Kongres në fund të muajit të kaluar, ai i quajti kundërshtarët e vendit “autokratë të botës”, duke u zotuar se ata “nuk do ta fitojnë të ardhmen. Ne do ta fitojmë. Amerika do ta fitojë”.
Duke parashikuar një “betejë të shekullit 21 midis dobisë së demokracive ... dhe autokracive”, Bideni ka bërë thirrje për një “Samit global për demokraci”, për t’i mobilizuar vendet e ngjashme me SHBA-në në mejdanin me sfiduesit joliberalë.
Kjo qasje mund t’i ndihmojë në mbledhjen e amerikanëve rreth flamurit, por paraqet gabim strategjik. Marrëdhëniet e Amerikës me Kinën dhe Rusinë janë çrregulluar qëkur Bideni mori detyrën. Kina e ka vënë në shënjestër Tajvanin. Zyrtarët kinezë dhe amerikanë bëjnë spektakël në publik. Rusia ka bërë kërcënime të reja ushtarake kundër Ukrainës. Shtetet e Bashkuara dhe Kremlini po shkëmbejnë sanksione dhe po i dëbojnë diplomatët e njëri-tjetrit.
Duke pasur parasysh interesat e ndryshme, tensioni i madh në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe SHBA - Rusi është i pashmangshëm. Por përshkallëzimi i fundit i armiqësisë ngre rrezikun e një çarjeje të keqe diplomatike, si dhe e bllokon bashkëpunimin e nevojshëm për sfidat e përbashkëta, si ndryshimet klimatike, shëndeti global, përhapja e armëve bërthamore dhe menaxhimi i një ekonomie botërore të ndërvarur.
Do të jetë shumë e vështirë për SHBA-në që të bashkëpunojë me Kinën dhe Rusinë pothuajse për çdo çështje, nëse strategjia madhore e saj përqendrohet në rrëzimin e pushteteve joliberale. Në vend që të fokusohet në sulme mbi baza ideologjike, administrata e Bidenit duhet të hartojë përgjigje të kalibruara ndaj kërcënimeve diskrete të paraqitura nga Kina dhe Rusia, duke ndjekur në të njëjtën kohë një qasje pragmatike në grup me dy shtetet e fuqishme.
Në lidhje me Kinën, SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të tërhiqen kundër praktikave të saj të padrejta tregtare, të riatdhesojnë zinxhirët kritikë të furnizimit dhe të mbajnë një avantazh në fushat kryesore teknologjike, si dhe t’i bëjnë ballë potencialeve ushtarake kineze në rritje. Për Rusinë, qëllimi duhet të jetë kontrolli dhe sanksionimi i ekspansionit ushtarak të Kremlinit, sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjeve në zgjedhjet e huaja. Dhe, më gjerë, të gjitha demokracitë duhet të denoncojnë shkeljet e të drejtave politike dhe të njeriut, kudo që ato ndodhin.
Por në një botë që është globalizuar në mënyrë të pakthyeshme dhe të ndërvarur, ballafaqimi me rreziqe të qarta dhe akute nuk duhet të sjellë mejdane mbi baza ideologjike. Ndonëse strategjia e vënies së kufijve kishte kryer punë kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, strategjia e llojit “ose je me ne, ose kundër”, nuk do të japë të njëjtat rezultate sot. Me një ekonomi që për kah madhësia më së shumti ishte e barasvlershme me tre të pestat e ekonomisë amerikane, Bashkimi Sovjetik kurrë nuk iu afrua zhvillimit të mundësive për t’i tejkaluar sfiduesit e tij demokratikë. Socializmi i tij sklerotik dhe aleancat shtrënguese dëmtuan ekonominë e saj dhe dobësuan mundësitë që ajo të fitonte mbështetje globale.
I njëjti skenar nuk është me Kinën, Produkti i Brendshëm Bruto i së cilës së shpejti do të tejkalojë dhe pastaj do ta lërë prapa atë të SHBA-së. Me qeverisjen e saj të prerë politike, aftësinë teknologjike, investimet e huaja të konsiderueshme dhe shtrirjen ambicioze diplomatike (përfshirë eksportet në shkallë të gjerë të vaksinës së saj COVID-19), Kina tashmë gëzon një ndikim të konsiderueshëm global. Nuk ka kthim prapa.
Në këtë botë në zhvillim, qeverisja demokratike do të vazhdojë ta ruajë përparësinë e saj të brendshme: njerëzit preferojnë lirinë. Por për herë të parë që nga shfaqja e saj si një fuqi globale në vitet katërdhjetë, SHBA-ja tani përballet me Kinën, konkurrente me spektër të plotë. Dhe për shkak se SHBA-ja ka nevojë për ndihmën e Kinës për ta frenuar Korenë e Veriut, ndalur ngrohjen globale dhe për të trajtuar çështje të tjera transnacionale, më mirë të fillonte të hartonte një strategji që nuk ka të bëjë vetëm me “ne kundrejt tyre”.
Politika e mëparshme e SHBA-së mbi një përplasje midis demokracisë dhe autokracisë nuk do të dështonte vetëm në frenimin e Kinës. Më keq, në të vërtetë do ta inkurajonte moskokëçarjen e Kinës dhe konsolidimin e aleancës së shenjtë kineze me Rusinë e Vladimir Putinit. Kina dhe Rusia kanë qenë rivale historikisht, dhe ngritja e Kinës duhet ta alarmojë natyrshëm Kremlinin. Por dy autokracitë në vend të kësaj kanë nisur një lidhje, për t’iu kundërvënë asaj që e shohin si ambicie shtypëse të Perëndimit.
Në vend se t’i nxisë Rusinë dhe Kinën të bëhen bashkë, SHBA-ja duhet ta largojë Rusinë nga rreshtimi me shtetin kinez. Njëjtë si ndodhi në vitet shtatëdhjetë, kur SHBA-ja iu qas Kinës për ta dobësuar bllokun komunist, Bideni dhe aleatët e tij evropianë duhet të përpiqen ta joshin Rusinë për t’iu afruar Perëndimit. Plani i shprehur i Bidenit për një takim gjatë verës me Putinin përbën hap në drejtimin e duhur. Megjithëse gjetja e gjuhës së përbashkët nuk do të jetë e lehtë, SHBA-ja ka një të kaluar mbresëlënëse të bashkëpunimit me regjime jo edhe aq në nam të mirë, kur zgjedh ta bëjë këtë.
Nëse Bideni vazhdon me aktualizimin e përplasjes mbi baza ideologjike, ai gjithashtu rrezikon ta dobësojë, në vend se ta forcojë solidaritetin midis demokracive të botës. Mbi të gjitha, nuk është sikur partnerët evropianë dhe aziatikë të Amerikës po prishen mes vete për një luftë me Kinën. Në dhjetorin e shkuar, Bashkimi Evropian përfundoi një traktat investimesh me Kinën, me gjithë kundërshtimet e administratës së Bidenit (megjithëse ratifikimi nga Parlamenti Evropian mbetet i pasigurt). Në mënyrë të ngjashme, Koreja e Jugut, Japonia dhe demokracitë e tjera aziatike në fqinjësi të Kinës, nuk janë të interesuara për një konfrontim të paqartë. Bideni do të duhej të mos i detyronte aleatët e SHBA-së të bëjnë zgjidhje të prera.
Vetë themeluesit e Amerikës këshilluan durim dhe përmbajtje në politikën e jashtme. SHBA-ja ka qenë prej kohësh në gjendje të mbështetet në fuqinë e shembullit të saj, për të sjellë vendet e tjera në vijën demokratike. Tani duhet të kthehet në këtë lojë të kamotshme. Mënyra më e mirë për demokracitë për të përhapur vlerat e tyre është të rregullojnë shtëpitë e tyre, në mënyrë që ato të mund të mbizotërojnë kundër pushteteve joliberale. SHBA-ja dhe aleatët e saj demokratikë duhet të vazhdojnë të përballen me kërcënimet e paraqitura nga autokracitë; por ato gjithashtu duhet t’ua rezervojnë një vend për bashkëpunim në sfidat globale.
(Autori, anëtar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Georgetownit. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)