OpEd

Pllaka e grithur e gramafonit

Raporti i Progresit, sikurse thuajse çdo vit, po tregon se Kosova nuk shënon progres askund. E më së paku në gjyqësi, e cila që nga dje më nuk është e mbikëqyrur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të ngopur me komprometimin e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorëve të themeloreve, edhe amerikanët çuan duar nga ne, dhe praktikisht na thanë se është e kotë të merreshin me ne, sepse ne vetes nuk ia duam të mirën

Futbollistët kosovarë nuk ia dolën të shkonin tutje. Ishin të hendikepuar me mungesën e lojtarëve kryesorë që nuk u lejuan të luanin në Shkup. Nuk kaluan për shkak se edhe nuk u punoi fati, por nuk kaluan mbase edhe për shkak se ka ardhur koha që përgjegjësinë për ekipin ta marrë dikush më i ri, me ide më të freskëta futbollistike. Me gjithë zhgënjimin që e përjetuam, si lojtarët ashtu edhe publiku, me eliminimin, megjithatë duhet thënë se pas shumë kohësh futbollistët ishin ata që këtij vendi ia krijuan një ndjenjë që moti nuk e kishim përjetuar: se mund të bënim edhe gjëra të mira dhe se entuziazmin nuk kishte kush t'ua thyente.

Për sukses, dihet, nuk mjafton vetëm entuziazmi. Duhet edhe vetëkritikë e edhe më shumë përpjekje e dëshirë për të ecur para. Edhe nëse kjo do të thotë se duhet përshëndetur me njeriun që i dha shpirt këtij ekipi dhe nëse duhet angazhuar dikë më me nam e dije mbase, për ta nxjerrë maksimumin nga të gjithë këta të rinj që i kanë hapur vetes rrugë në Evropë.

* * *

Kësaj jave për herë të gjashtë dështoi miratimi i rimëkëmbjes ekonomike, që në çdo shtet normal do të nënkuptonte një votë mosbesimi të Qeverisë. Kjo, me gjithë trumbetimin se është stabile, dëshmon se nuk ka vota të mjaftueshme as për ta kaluar ligjin, të cilin e quan më të rëndësishmin, në kushtet kur gjendja ekonomike në Kosovë veç sa shkon e keqësohet skajshmërisht.

Se a është problemi i parave të Trustit ai që nuk e lejon kalimin e ligjit ose jo, nuk e di - interpretimet që vijnë nga të dyja anët tregojnë se moskalimi i këtij ligji është më parë punë inatesh, sesa punë qëllimesh për ta zbutur situatën e rënduar me të cilën ballafaqohemi. E nëse paratë e Trustit qenkan problemi, e ashtu po e thonë edhe Banka Botërore e edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, atëherë zgjidhja është e thjeshtë: hiqet paragrafi a neni që e parasheh këtë dispozitë 200-milionëshe, dhe shkohet me pikat e tjera, që të mos zvarritet më shumë kjo punë.

Nëse ligji mbetet pa këta 200 milionë, atëherë duhet gjetur burim tjetër për këta 200 milionë, e ata gjenden në buxhet, duke shkurtuar nga investimet kapitale. Gjithashtu mund të shkurtohen edhe shpenzimet e pagave, duke e marrë parasysh numrin e pafund të zëvendësministrave, koordinatorëve dhe të këshilltarëve që angazhohen e që nuk dihet se përse angazhohen. Sikurse ai i ministrit të Drejtësisë, i dyshuar për kontrabandën e 113 kilogramëve drogë. Sigurohen edhe duke i shkurtuar udhëtimet kot që i bëjnë zyrtarët tanë, sikurse Thaçi që shkon në Amerikë e nuk e di askush se përse dhe i ftuar nga kush, e edhe shpenzimet astronomike të veturave, karburanteve e telefonave, etj., etj., etj.

Pra, nuk mund të pretendosh se je duke e luftuar krizën përderisa nuk e ndal luksin, i cili është aq tipik për popujt e vegjël dhe të varfër gjithandej nëpër botë, pra edhe për neve këtu në Kosovë.

* * *

Një tjetër ligj që po insistohet që të kalohet është ai për Vlerat e Luftës. Tashmë është diskutuar rreziku i miratimit të një ligji që në fakt e nënkupton "deliktin verbal" dhe që në thelb e paraqet një pengesë ligjore drejt administrimit të drejtësisë në Gjykatën Speciale. Nuk kaloi kësaj radhe për shkak se nuk pati kuorum, e gjasat janë se nuk do të kalojë për shkak se nuk do ta ketë përkrahjen as të VV-së e as të LDK-së, e shto këtyre edhe të Lista Srpskas.

Do të rikujtojmë se një ligji të këtillë i duhen vetëm 31 vota për të kaluar, me kusht që kur të votohet të ketë kuorum. Në këtë konstelacion thuajse është e pamundur që ai të kalojë, ndërkohë që do të përdoret si mjet luftimi për të dëshmuar se kush është më patriot dhe se kush e do UÇK-në më shumë se tjetri.

Ndërkohë, Kosova jeton në pandemi. Prej shifrave zyrtare del se vetëm 5% e popullatës është testuar - e madje edhe kjo mund të mos jetë e saktë, ngase një pacient ka mundur të testohej dy a më shumë herë. Laboratorët privatë që janë autorizuar të bëjnë teste PCR dhe serologjike mbase edhe i dërgojnë raportet, porse as Ministria e as Instituti nuk kanë dalë me ndonjë analizë në bazë të tyre.

Kjo nënkupton se gjendja do të jetë edhe më e keqe seç paraqitet, dhe se nuk është ogur i mirë para valës së dytë që pritet se do të paraqitet ndoshta në fund të vjeshtës. Ndërkohë, ne kufijtë i kemi të hapur, ndërkohë që te fqinjët tashmë numri i të infektuarve është në rritje, kurse në Evropë e ka mbërritur përafërsisht nivelin e valës së parë, ku dinin të regjistroheshin edhe nga 20 mijë raste në ditë.

* * *

Hoti dje e mbajti fjalimin për 100-ditëshin e qeverisjes së tij, dhe e kaloi fjalimin duke lavdëruar veten dhe qeverinë e tij. Kur erdhi koha që t'i dëgjonte kritikat, doli nga salla e Kuvendit.

E kritika ka shumë, si për mënyrën në të cilën u formua kjo qeveri, ashtu edhe për mënyrën se si i është qasur dialogut. Hoti ka dhënë shumë arsye për ta kritikuar për shkak të deklaratave të tij kundërthënëse në lidhje me temat që janë ngritur, duke nisur nga Zajednica, personat e pagjetur, e deri te dialogu për njohje reciproke e ulëse në OKB, që u shndërrua në një cirk në Washington, dhe që në fund u quajt "marrëveshje historike".

Mungesa e transparencës që e ka karakterizuar dialogun qe dhjetë vjet vazhdon, tash me fytyra të reja, por me gjasë me ide të vjetra, që e kanë sjellë Kosovën në situatë absolutisht të palakmueshme. Shto kësaj edhe procedurat para Speciales, që mbase do ta lënë edhe Kuvendin pa një numër deputetësh që po ftohen kohë pas kohe për t'u marrë në pyetje në cilësi të dyshimtësh - krejt këto e kanë vendosur Kosovën në njëfarë situate kur duhet të mbrohet, ani që ka qenë viktima e represionit dhe dhunës të Serbisë.

* * *

VV-ja insiston se zgjidhja e vetme për Kosovën tash janë zgjedhjet e parakohshme, porse esenca është se as LDK-së, as PDK-së e as AAK-së ato nuk i konvenojnë tash. Të tri partitë kanë shumë për të humbur. E para për shkak të mosparimësisë politike, dy të tjerat për shkak se mund t'i humbin përkohësisht liderët apo njerëzit e tyre të fortë.

Pra, edhe nuk është çudi që Isa Mustafa t'i ketë fshirë vijat e kuqe për gjithë e që tash të ketë hyrë në pazar me PDK-në për t'ia zgjatur kësaj Qeverie jetën. Burimet e KOHËS kanë marrë vesh se PDK-së ia kanë ofruar postin e kryetarit të shtetit dhe dy ministri, duke llogaritur se Thaçit do t'i konfirmohet aktakuza.

Edhe më pak e çuditshme erdhi kërkesa për kthim nga Washingtoni i Vlora Çitakut, e cila i kaloi pesë vjet në postin e ambasadores së Kosovës në SHBA. Thaçi e dekretoi kthimin e saj, i cili do të ndodhë posa të emërohet shefi apo shefja e re e misionit në Amerikë, që mund të ndodhë shumë shpejt. Kalkulimi është i thjeshtë. Pos episodit Pronto në të cilin është dëgjuar edhe zëri i saj, Çitaku është person që gëzon popullaritet, që i ka pasur paraqitjet shumë të mira në KS të OKB-së kur është folur për Kosovën, dhe do ta ketë kryer punën e saj mirë, pavarësisht se Haradinaj si kryeministër e kishte akuzuar se ishte ambasadore e Thaçit e jo e Kosovës në SHBA.

Plus, nuk duhet harruar se Çitaku është e re, por me përvojë të gjatë në politikë dhe se është grua - pra një zgjidhje shumë tërheqëse për ta zëvendësuar Thaçin në postin e kryetarit të shtetit. Dhe pavarësisht faktit se ajo është tërhequr nga PDK-ja, megjithatë në këtë parti krijoi përvojën politike, dhe nga kjo parti ishte zgjedhur deputete, zëvendësministre e më pas edhe ministre. Pra, kandidate ideale e PDK-së për postin të cilin thuhet se ia ka ofruar LDK-ja.

* * *

Raporti i Progresit, sikurse thuajse çdo vit, po tregon se Kosova nuk shënon progres thuajse askund. E më së paku në gjyqësi, e cila që nga dje më nuk është e mbikëqyrur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të ngopur me komprometimin e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorëve të themeloreve, edhe amerikanët çuan duart nga ne, dhe praktikisht na thanë se është e kotë të merreshin me ne, sepse ne vetes nuk ia duam të mirën.

E se nuk ia duam të mirën, jemi duke e dëshmuar qe 20 e kusur vjet pa u ndalur. Se po t'ia kishim dashur, bile njëherë na kishin thënë se diku bile e kemi shënuar një përparim. Kështu, jemi bërë si pllaka e grithur e gramafonit - kemi ngecur te pjesa ku vetes ia bëjmë qejfin se sa të mirë jemi.

[email protected]