Politikani i së djathtës ekstreme gjermane, Alexander Gauland, është përpjekur të minimizojë krimet naziste në një fjalim para përkrahësve të rinj të partisë Alternativa për Gjermaninë.
Alexander Gauland është 77-vjeçar dhe në këtë moshë ndoshta njeriu nuk e sheh botën aq qartë. Por, kjo nuk vlen për Gaulandin. Ai duket se qëndron mirë me shëndet, madje edhe me shëndetin mendor. Në Parlamentin gjerman Gauland është shef i Grupit parlamentar të Alternativës për Gjermani (Alternative für Deutschland, AfD), e cila është partia më e madhe opozitare.
Kur u themelua AfD-ja fillimisht kundërshtoi Bashkimin Evropian dhe politikat e tij monetare. Kritika, pak a shumë, tingëllonte kështu: të tjerët, sidomos italianët, spanjollët e portugezët, janë dembelë, ndërsa gjermanët e zellshëm duhet të paguajnë dhe t’i shpëtojnë ata nga falimentimi. Pastaj AfD-ja u shndërrua në parti kundër refugjatëve, veçanërisht pas vjeshtës së vitit 2015, kur kancelarja Angela Merkel vendosi të pranojë rreth një milion refugjatë, shumica sirianë. Ndërkohë AfD-ja, përveç retorikës pothuaj raciste ndaj të huajve, ka nisur të minimizojë edhe krimet naziste.
Të dielën Gauland mbajti një fjalim para forumit të të rinjve të partisë, me ç’rast ai tha: “Hitleri dhe nazistët janë vetëm një glasë në historinë e suksesshme gjermane mbi 1.000-vjeçare”. Edhe kësaj radhe Gauland bartte mbi këmishën e tij një kravatë të gjelbër me disa qenë të qëndisur me ngjyrë të artë. Këtë kravatë ai a bart shpesh, ndoshta për të ilustruar gjuhën e tij të ashpër që nganjëherë tingëllon si lehje e rrezikshme. Bash si të dielën.
Duke thënë se krimet naziste janë vetëm një glasë në krahasim me historinë e lavdishme gjermane, Gauland u përpoq të minimizojë krimet naziste. Hap pas hapi, provokim pas provokimi krerët e AfD-së po kalojnë të gjitha vijat e kuqe dhe po etablojnë në politikën gjermane një gjuhë që në këso përmasash ka qenë e panjohur në parlamentarizmin dhe politikën gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Holokausti dhe agresioni gjerman ndaj vendeve si Polonia, miliona viktima të çmendurisë racore dhe megalomane gjermane, zhdukja industriale e hebrenjve – vetëm “një glasë”, sipas Gaulandit? 50 milionë viktima, një shkatërrim i paparë i Evropës – sall një glasë?
Gauland dhe shokët e tij jetojnë nga provokimet. Dhe kur njeriu me kravatë me qenë bërtet, fyen viktimat dhe minimizon krimet, atëherë atij dëshirojnë t’ia kalojnë edhe zagarët e vegjël politikë. Njëri nga ta pas fjalimit të Gaulandit tha se “Bashkimi Evropian duhet të vdesë, në mënyrë që Evropa të jetojë”.
Tronditja në Gjermani pas deklaratës së Gaulandit është e madhe. Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate (SPD) Martin Schulz shkroi në Twitter: “Kush i minimizon krimet e nazistëve, ai ua shtron udhën nazistëve të rinj. Gaulandi është turp për Parlamentin gjerman. SPD-ja është digë kundër kësaj mendësie”. A është vërtet SPD-ja digë? Sipas anketave, partia dikur krenare socialdemokrate ka rënë nën 20 për qind dhe gjendet vetëm pak para AfD-së. Me vite të tëra SPD-ja ka injoruar shqetësimet e klasës punëtore dhe shtresave të paprivilegjuara, duke përkrahur politikat neoliberale në koalicion me konservatorët e CDU-së së Angela Merkelit.
Pas zgjedhjeve të fundit, në të cilat pësoi rënie dramatike, SPD-ja fillimisht tha se do të kalonte në opozitë për të marrë veten. Pasi dështuan negociatat mes konservatorëve të Merkelit, liberalëve dhe të gjelbërve, SPD-ja shkeli premtimin dhe hyri sërish në koalicion me CDU-në. Kështu në Parlament partia më e madhe opozitare mbeti Alternativa për Gjermaninë, një bandë politike e provokatorëve. Politikanë të saj i quajnë të gjithë të huajt “njerëz me thika”, ndërsa kundërshtojnë kulturën gjermane të kujtimit të krimeve, duke e quajtur përmendoren në kujtim të krimeve mbi hebrenj në Berlin si “përmendore të turpit”.
Politika gjermane ende nuk ka gjetur një recetë efikase për të luftuar AfD-në. Reagimi pas çdo provokimi të politikanëve të AfD-së po tregohet joefikas. Kjo vetëm sa po i siguron prani edhe më të madhe mediale AfD-së. Me të njëjtin problem po ballafaqohen edhe shumica e mediave. AfD-ja kritikon dhe provokon, mediat kundërgodasin me komente të ashpra, shpesh edhe me leksione moraliste. Efekti deri më tani nuk po shihet. Nëse në dy-tre vjetët e ardhshëm partitë deri më tani popullore, si CDU-ja dhe SPD-ja nuk e marrin veten dhe nëse njëra prej tyre nuk kalon në opozitë dhe, po ashtu, nëse Merkel nuk e prezanton një pasardhëse apo pasardhës në post, AfD-ja mund të forcohet edhe më shumë. Trendi në Evropë po çon ujë në mullirin e nacionalistëve, të cilët po marrin përkrahje edhe nga regjimi i Vladimir Putinit.
Jo rastësisht AfD-ja kërkon heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe deputetë të AfD-së vizitojnë Damaskun me ftesë të regjimit diktatorial të Bashar al-Asadit. Forcimi i AfD-së mund të ketë pasoja edhe për zgjerimin e BE-së. Në të vërtetë, disponimi për pranimin e shteteve të reja anëtare nga Ballkani ka rënë dukshëm. Presidenti i ri i Francës është kundër, Berlini e ka shpikur “Procesin e Berlinit” që është një lloj korridori i ri për t’i mbajtur vendet e Ballkanit me shpresën se do të anëtarësohen një ditë, por askush nuk e di se kur vjen ajo ditë.
© KOHA Ditore