OpEd

Perëndimi e la në baltë e pa mëshirë popullin afgan

Mënyra se si Amerika dhe aleatët e NATO-s vendosën të largoheshin nga Afganistani dëshmon se sa e dëmshme është për një popull kur jeton nën mëshirën e tjerëve. Me tërheqjen nga Afganistani, aleatët perëndimorë dëshmuan edhe një herë se si një sukses ushtarak dhe një punë e mirë shumëvjeçare zhbëhet me veprime të shpejta dhe të pamatura. Tërheqja është bërë, sepse kështu kanë dashur aleatët e jo pse situata në terren e lejon një gjë të tillë

Para disa vjetësh, kur në selinë e NATO-s diskutohej se me kë mund të bisedohet e bashkëpunohet e me kë jo, disa diplomatë disi me humor thoshin se “duhet biseduar me ekstremistët e moderuar”. Shpesh NATO-ja dhe shtetet perëndimore kanë pasur dilema gjatë ndërhyrjes për t’u dhënë fund konflikteve, se me kë mund të bisedohet e me kë jo nga palët në konflikt. E kanë pasur këtë dileme edhe gjatë ndërhyrjes në Irak, edhe në Afganistan, edhe në Libi e Siri, e po ashtu edhe në Kosovë. Sepse ka pasur shtete të NATO-s që nuk donin të kishin kontakte direkte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj në NATO në pyetjen se a ka kontakt me UÇK-në përgjigjeshin se “NATO si NATO nuk ka, por shtetet anëtare kanë”. Kjo, për arsye se në NATO, secili vendim merret me konsensus. Kështu kishte edhe shtete që bashkëpunonin direkt me UÇK-në, por edhe kishte ushtarakë që u jepnin informacione sekrete forcave serbe.

Në NATO kishte ndodhur një pakënaqësi e madhe, së paku në disa qarqe, kur kryeprokurorja e atëhershme e Tribunalit të Hagës, Luouse Arbour, kishte ngritur aktakuzë kundër diktatorit serb Slobodan Milosheviq. Prej atij momenti ishte e qartë se me Milosheviqin më askush nuk mund të ketë kontakt. Si pasojë, NATO-ja kishte vetëm një zgjidhje, të fitojë luftën kundër tij.

Shpeshherë kur është kërkuar ndërhyrja e Perëndimit për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të ndalur katastrofat humanitare apo për të ndihmuar forcat demokratike që donin rrëzimin e diktaturave, thuhej: “Ne nuk e dimë se a janë më të mirë të tjerët dhe cila palë është në anën e duhur”.

Shpesh edhe me të drejtë kishte dyshime nëse, për shembull, ata që donin rrëzimin e Assadit në Siri ishin vërtet demokratë. Sepse rrëzimin e tij e donin edhe forcat demokratike, por edhe i ashtuquajturi “Shteti Islamik”, një prej formacioneve terroriste më brutale që ka njohur njerëzimi. Në Siri Perëndimi nuk ka bërë asgjë. Ka lënë popullin e këtij vendi në mëshirën e palëve luftuese ndërsa rolin kryesor, në anët e kundërta shpesh, ua kanë lënë Rusisë dhe Turqisë e cila, ndonëse aleate në NATO, vepron sipas interesave të saja nacionale. E Perëndimi vazhdon të merret me pasojat në formën e strehimit të refugjatëve nga Siria apo të paguajë për strehimin e tyre në vendet fqinje, si Turqia dhe Jordania.

Afganistani është një tregim tjetër i një ndërhyrje të suksesshme ushtarake të Perëndimit që u dha fund vuajtjeve të papara të njerëzve që jetonin në atë shtet. Por ndërhyrja kishte motive të tjera e jo vetëm ndihmën popullit të atjeshëm. Ndërhyrja ndodhi për të shkatërruar Al-Qaidan, e cila kishte organizuar edhe sulme terroriste ndaj SHBA-së dhe aleatëve të tjerë perëndimorë. Ndërhyrja ndodhi për të mos lejuar më që territori i Afganistanit të përdoret si poligon për stërvitje të terroristëve që do të ndërmerrnin sulme ndaj vendeve perëndimore.

Por pas kësaj ndërhyrjeje, lirinë e fituan njerëzit që jetonin në Afganistan. Nuk duhet harruar se ky ishte një vend ku jo vetëm shkuarja e vajzave në shkolla, por edhe dëgjimi i muzikës dhe shikimi i TV-së ishin krime.

Perëndimi ka vendosur që të tërhiqet nga Afganistani, duke lënë në mëshirë popullin e këtij shteti. Për habi, arsye e largimit ishte një marrëveshje me Talibanët. Dhe tash Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo marrëveshje është e mjaftueshme për të tërhequr trupat nga ky shtet dhe në këtë veprim mbështetet nga aleatët e tjerë perëndimorë.

Mënyra se si Amerika dhe aleatët e NATO-s vendosën të largoheshin nga Afganistani dëshmon se sa e dëmshme është për një popull kur jeton në mëshirën e të tjerëve. Me tërheqjen nga Afganistani, aleatët perëndimorë dëshmuan edhe një herë se si një sukses ushtarak dhe një punë e mirë shumëvjeçare zhbëhet me veprime të shpejta dhe të pamatura. Tërheqja është bërë, sepse kështu kanë dashur aleatët perëndimorë e jo pse situata në terren e lejon një gjë të tillë.

Afganistanin e pret tash një luftë e ashpër e brendshme për pushtet. Shumë të rinj janë duke u larguar nga ky vend. Ata që kanë punuar për organizata ndërkombëtare dhe për ushtrinë e vendeve të NATO-s, tashmë janë duke u shpërngulur në masë të madhe dhe duke strehuar familjet e tyre në Amerikë, Britani, Gjermani e gjetiu. Në këtë mënyrë, nga Afganistani tashmë po largohen pikërisht njerëzit që i duhen më së shumti këtij shteti për të zhvilluar një demokraci të vërtetë.

Ata largohen, sepse thonë se “nga talibanët trajtohen si bashkëpunëtorë të okupatorit”. E talibanët duket se tash nga Perëndimi po trajtohen si “ekstremistë të moderuar”. Vendet perëndimore do të kënaqën nëse nga Afganistani nuk do të ketë sulme ndaj këtyre vendeve. Do t’u vinte mirë edhe sikur të mos ketë shumë refugjatë që do të largohen nga Afganistani. E sa për të drejtat e njeriut në Afganistan, pa dyshim se vendet perëndimore, BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-ja, do të “dënojnë ashpër” çdo shkelje të tyre, por nuk do të bëjnë asgjë. Një dështim i dhimbshëm do të jetë Afganistani, pikërisht për këtë, sepse në këtë shtet ishte krijuar një forcë përparimtare e cila do ta bënte gradualisht edhe këtë shtet funksional. Pothuajse gjysma e banorëve të Afganistanit kanë lindur në periudhën kur ky vend ishte me prani ushtarake perëndimore dhe kur sadopak kishte një jetë normale, me rrethana të këtij shteti. E tash ikja për Pakistan, e jo vetëm Perëndim, duket si shpëtim për shumë prej këtyre njerëzve.

Afganistani është edhe një dëshmi se Perëndimit nuk i intereson aq shumë zhvillimi demokracisë, e as sa të mirë janë ata që kanë pushtetin. Por, i kanë interesat e veta. Punojnë me ata që kryejnë punë e për demokraci duhet të kujdeset vetë populli i secilit shtet.