OpEd

Për matematikanin që s’dinte të këndonte

Rrëfimi i matematikanit tonë mund të jetë atipik për fenomenin vrastar të kohëve tona, atij të ikjes së trurit. Importojmë gjithçka, ama tru e rini po eksportojmë me bollëk. Bile, jemi kthyer në mjeshtër të humbjes së edhe atij pak truri që po na mbetet. Ky vrasës i heshtur, mund të mos zaptojë vëmendjen sa dialogu, korrupsioni e temat e tjera që dikush do të mund t’i konsideronte madhore, por rrezikon të na zhbëjë si shtet

Nuk e mban në mend çastin kur i qe mbushur mendja të bëhej matematikan.

Vendimi mund të ketë qenë i natyrshëm, rrjedhojë e atij mishërimi me numrat. Në numra e gjente veten, kuptimin e vetë një bote që dukej armiqësore, botë me të cilën ishte në mejdan në çdo hap e etapë jetësore. Këtë dhunti të tijën mbase e kishte vërejtur edhe mësuesja, ani që ishte numri 27 i një klase me plot 40 nxënës.

Të qenët thjesht numër, pa e pasur mundësinë që t’i kushtohej luksi i quajtur kohë, mund të ketë qenë trauma e parë në atë që ne sot e quajmë sistem arsimor në Kosovë. Truri i tij do t’i ekspozohej një sistemi që të bombardon me informata, e nuk të mëson asgjë, shumësisë së mësimdhënësve që profesionin s’e konsiderojnë thirrje, por vend për rrogë. Lirisht mund ta quaje viktimë të atij rrethi kaotik, që zor t’i bije në fije. Djaloshi flokëbardhë, i zoti me numrat, me potencial të jashtëzakonshëm në një fushë, rrezikonte ta humbiste veten në labirintin e kurrikulës sonë mësimore. Vitet po kalonin, por jo edhe telashet e tij. Talenti i tij në matematikë ishte përhumbur aty në mungesën e një muzikaliteti, që po i kushtonte me notë të dobët në lëndën e muzikës. Sa më shumë që rritej, hija e demotivimit dhe mospotencimit të anës së tij të fortë e rëndonte edhe më shumë. Me të i zbehej edhe ajo dëshirë e bërjes së një matematikani me të cilin do të krenohej vendi i tij. Ishte kthyer në viktimën e një sistemi që eksporton tru, e pjesën tjetër e ka luksin ta humbasë. Një sistemi që ka humbur shumë mjekë, inxhinierë e që në këtë rast po e humbiste një potencial matematikor. Ka humbur matematikanë shkaku që ata nuk kanë ditur të këndojnë, por edhe muzikantë apo artistë që kanë pësuar pasi që nuk qenë të zotët me numrat.

*******

Rrëfimi i matematikanit tonë mund të jetë atipik për fenomenin vrastar të kohëve tona. Importojmë gjithçka, ama tru e rini po eksportojmë me bollëk. Bile, jemi kthyer në mjeshtër të humbjes së edhe atij pak truri që po na mbetet. Ky vrasës i heshtur, mund të mos zaptojë vëmendjen sa dialogu, korrupsioni e temat e tjera që dikush do të mund t’i konsideronte madhore, ama rrezikon të na zhbëjë si shtet.

Ngushëllim do të mund të gjendej në refrenin se fundja, këto dallgë largimesh kanë qenë të vazhdueshme përgjatë historisë në Kosovë. Kjo e fundit, e ikjes së mjekëve, inxhinierëve e të tjerëve që i edukojmë me mund, është e shkapërderdhur nëpër rajon. Asaj nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia, Rumania apo edhe Bullgaria. Ama, tragjikja në këtë mes është se në rrugën e mërgimit veten e gjetën edhe ata që ikjen nuk e patën opsion, por që veten e ndien të padëshiruar dhe të përjashtuar. Ka edhe të tjerë, si ky i rrëfimit tonë.

E përbashkëta e të gjithëve është se vitet mund të kishin kaluar, por problemet me të cilat u përballën ata qenë të njëjta. Të gjithë qenë palë në mejdanin arsimor apo shëndetësor, në formën e një përbindëshi frankenshtajnian që e krijuam në mbi 20 vjetët e fundit.

Por, ashtu si për çdo vjet, sa herë përmendej arsimi, në spikamë viheshin grevat për rroga, por jo edhe një debat për rritjen e cilësisë. Këtë sistem të tipit “asgjë apo të gjitha” me mbi 20 lëndë në të cilat duhesh ta mbash në mend secilin detaj, sistem që të penalizon nëse nuk i “reciton” mësimet, e kemi njohur të gjithë. Tani atij po i ekspozohen edhe fëmijët tanë.

E “kurë” apo zgjidhje për këtë problem të kahershëm vazhdon të jetë vijimësia e deklaratave sa për sy e faqe, të papërcjella me veprime konkrete.

****

Zakoni i rikapitulimit të ngjarjeve kryesore që shënuan vitin, është i lashtë po aq sa dimë për veten. Në mendje u kthehemi pikave kulmore të vitit, ashtu si edhe personaliteteve që e shënuan atë. Pikërisht në këtë mes do të mund të gjendej një rrëfim pozitiv, anë e ndritur, për të mos parë gjithçka zi. Është ky rrëfimi për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, të katërtin që u ndërrua sivjet. Latifi, i diplomuar në Mjekësi në Universitetin e Prishtinës, në këtë fundvit do ta përmendte borxhin që e ndiente karshi Kosovës.

“Kam ardhur këtu vetëm me një qëllim shumë të thjeshtë: Me ia kthyer borxhin Kosovës. Unë jam përgatitur këtu, këtu e kam kryer Fakultetin e Mjekësisë, këtu e kam mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë. Për arsye që tani po na ikin specializantët dhe mjekët tanë, edhe unë kam shkuar në Amerikë”, do të thoshte ai.

Mbase ky do të mund të ishte urimi për këtë vit: Që ata që ikën, të kthehen për të ndihmuar, për ta bërë Kosovën vend ku hovi i një matematikani s’do të ndalet nga notat muzikore.

*Falas