OpEd

Për Kosovën, Evropiani në futboll ëndërr që realizohet më lehtë sesa integrimi në BE

Ishte një ditë e ftohtë shtatori dhe pasi shiu ishte ndalur, e fusha e stadiumit Maksimir në Zagreb paksa e tharë, vazhdoi ndeshja e futbollit mes Kroacisë dhe Kosovës, e ndërprerë një ditë më herët për shkak të kushteve jo të duhura për lojë. Në minutën e 74-të të ndeshjes Luka Modriq nga një goditje e lirë nga krahu i majtë i fushës gjen në zonë mbrojtësin Domagoj Vida, i cili me goditje me kokë shënon golin e vetëm të ndeshjes dhe ia siguron fitoren Kroacisë për tri pikë. Doli që ky gol, këto tri pikë, të jenë ato që i siguruan Kroacisë pozitën e dytë dhe barazhin kundër Greqisë. Gjithçka që pasoi ishte histori për skuadrën kroate. Fitoi së pari 4:1 ndaj Greqisë dhe pastaj barazoi në Stinë për t’u kualifikuar në botëror, ku arriti në finale dhe fitoi medaljen e argjendtë.

Gjithçka ka mundur të ishte ndryshe. Kosova ka pasur raste për të shënuar. Ka qenë pothuajse e barabartë në atë ndeshje. Jo pse Kroacia ishte e dobët apo e pamotivuar, sepse pikët për të ishin të domosdoshëm. Por Kosova ishte forcuar. Vetëm një vit më herët në Shkodër, Kosova ishte mposhtur me 6:0 nga Kroacia. Dhe një vit më vonë shihej sa kishte avancuar në lojë. Lojtarët njiheshin më mirë me njëri-tjetrin. Topi qarkullonte më mirë, lojtarët e kuptonin pozicionin e vet dhe të njëri-tjetrit, dhe nuk kishte më anarki në lojë. Tash Kosova është edhe më e fortë. Liga e Kombeve ishte rast për të forcuar dhe stabilizuar edhe më skuadrën dhe për të fituar edhe një mundësi shtesë për kualifikime për Evropianin 2020. Me qasjen se duhet respektuar të gjithë kundërshtarët, por s’duhet të ketë frikë nga askush, Kosova ka mundësi edhe të kualifikohet direkt për evropianin në futboll. Anglia, gjysmëfinaliste e botërorit, është gjithsesi favorite e grupit, por me të gjitha skuadrat e tjera (Bullgarinë, Malin e Zi dhe Republikën Çeke) Kosova mund të matet si e barabartë.

Përparësia e Kosovës është se e ka skuadrën shumë të re në moshë për nga mesatarja, dhe ka një motiv shtesë për t’u dëshmuar në këto kualifikime dhe për të dhënë dëshmi se suksesi në Ligën e Kombeve nuk ishte i rastësishëm apo për shkak se kundërshtarët ishin të lehtë. Sot kundërshtarë të lehtë në futboll më nuk ka.

Nëse e merr veten edhe Shqipëria ka gjasa reale për t’u kualifikuar, sepse grupi është mjaft i barabartë, me përjashtim të kampionit botëror, Francës. Por as nga Franca nuk duhet pasur frikë. Le të kujtojmë se sa me fat Franca fitoi në evropianin e fundit ndaj Shqipërisë në Marseille, duke shënuar në minutat e fundit të lojës.

Gjithsesi prej marsit të vitit që vjen kosovarët do të kenë një temë për diskutim e të mos jetë politike. Do të kenë mundësi të kënaqen në futboll në një garë ku rregullat pak a shumë dihen, ku suksesi varet vërtet vetëm nga rezultati e ku dihet ku është porta që duhet shënuar e ajo nuk lëviz. Dihet se duhet të shënosh gola, të fitosh pikë, të jesh në pozitën e duhur në tabelë dhe integrimi në evropian do të jetë i garantuar. Kushtet shtesë nuk mund të vendosen.

Krejt ndryshe nga procesi abstrakt i “integrimeve evropiane”, në të cilin Kosova beson se është që nga periudha e pasluftës. Por siç po e shohim edhe nga procesi i liberalizimit të vizave, rregullat janë jo aq të precizuara, mund të ndryshohet edhe gjatë periudhës sa zgjat ndeshja, nuk ka një, por disa referë dhe secili i ka kriteret e veta. Dhe nuk ka as periudhë të saktë kohore se kur zhvillohen cilat ndeshje, dhe kur mund ta dish a je kualifikuar apo jo. Pra, është një proces politik pa rregulla të qarta edhe pse të gjithë do të betohen se edhe në procesin e integrimeve evropiane rregullat janë të qarta, dhe të gjithë do ta arrijnë qëllimin kur të përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme.

Dhe në këtë kojë të pabarabartë të procesit të zgjerimit të BE-së, Kosova është edhe më e pabarabartë. Nuk është madje fare pjesë formale e procesit. Nëse do të krahasonim me garat sportive mund të themi se Kosova bën pjesë vetëm në lojërat miqësore, apo ekzibicionale, e jo gara formale. Sepse për të qenë pjesë e garës formale, Kosova do të duhej të aplikonte për anëtarësim në BE, të marrë statusin e kandidatit, dhe të nisë negociatat e anëtarësimit për t’i përmbushur kushtet dhe për t’u bërë një ditë anëtare e BE-së. Kjo do të ishte rruga deri tek qëllimi, nëse me “rrugën evropiane” mendohet në anëtarësimin në BE, një ditë.

Dallimi tjetër, dhe jo më pak i rëndësishëm, është tek kualiteti i Kosovës në futboll krahasuar me kualitetin e udhëheqësve politikë. Këtu mendojmë më shumë në skuadrën e Kosovës në futboll, sesa në ligën shtetërore, e cila në të ardhmen duhet të dëshmohet duke u forcuar dhe stabilizuar për t’u bërë një logo serioze, nga e cila edhe do të prodhohen lojtarët e kalibrit botërorë. Përderisa lojtarët e Kosovës mund të përballen me secilin kolegë në Evropë, politikanët mbeten ende inferiorë ndaj kolegëve evropianë. Përderisa gabimet e lojtarëve ndëshkohen aty për aty, në fushë, ato të politikanëve nuk sanksionohen. Edhe rezultati në futboll dihet menjëherë dhe rreth tij nuk negociohet, rezultatet në politikë mund të bëhen temë e diskutimeve në të cilat shpesh humbja paraqitet si fitore.

Për shembull, pas aq shumë fitoresh historike të Kosovës në 10 vjetët e fundit Kosova mbetet shteti më i pazhvilluar në Evropë, me qytetarët më të izoluar në Evropë, sepse nuk ka liberalizim vizash, i fundit nga rajoni për nga fuqia ekonomike dhe Bruto prodhimi i brendshëm për kokë banori.

Përderisa futbollistët kosovarë që janë kalitur nëpër shtetet e tjera të Evropës sjellin në kombëtare standarde të larta, që i kanë arritur atje, politikanët e Kosovës që janë shkolluar në Evropë nuk sjellin shembuj të tillë, por bëhen qëllimisht pjesë e lojës ballkanike ku aftësi nuk është ajo që ke arritur në aspektin profesional, por shkathtësitë për t’u gjetur në kaosin e kombinimeve të politikës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe në një shtet ku nuk është arritur standardi i duhur i sundimit të ligjit, është përparësi të jesh pjesë e strukturave të korruptuara, sepse ashtu janë rregullat e lojës.

Prandaj, ëndrra që Kosova të shkojë në Evropianin 2020 të futbollit është më e realizueshme sesa ajo e integrimeve në BE. Nëse politika do të tentojë të përzihet në futboll, nëse futbolli do të nisë të marrë shembuj nga politika, atëherë do të jetë më e vështirë të arrihet suksesi.