Problemi më i madh me misionin e EULEX-it në Kosovë ka qenë se për më shumë se dhjetë vjet nuk e ka kuptuar se ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar në vendosjen e rendit dhe ligjit, për të mësuar kosovarët me shembujt më të mirë nga vendet më të zhvilluara dhe demokratike të botës. Nuk kanë ardhur për të bërë atë që “bëhet në Kosovë” e që nuk mund ta bëjnë në vendet e tyre
Me siguri se në pranverë bari përsëri do të dalë në atë pjesë ku një zyrtar i misionit të EULEX-it gabimisht e kishte parkuar veturën e tij. Nuk është as i pari e as i fundit që e ka bërë këtë. Sa herë kemi parë vetura të parkuara në atë mënyrë, nga “të huajt” por edhe nga kosovarët. Dhe këtu nuk ka pasur shumë dallime. A janë vetura të EULEX-it apo ndonjë misioni tjetër, të asaj apo kësaj ministrie të Kosovës, këtij apo atij politikani. Ka shumë njerëz në Kosovë që ndiejnë se u takon e drejta të shkelin ligjet e jo vetëm barin. Kësaj radhe zyrtari i EULEX-it me siguri se e ka shkelur barin. A e ka shkelur edhe ligjin apo jo, nuk dihet. Sepse nuk e dimë nëse në imunitetin që u takon sipas rregullave të angazhimit përfshihet edhe imuniteti nga përndjekja për shkeljen e barit me veturë. Për shkeljen e ligjeve të Kosovës kanë imunitet. Pra, është e kundërta e asaj që kishte thënë bashkëvendësi im Gaz Muhaxheri me thënien e famshme se “nëse është shkelur ligji, nuk është shkelur livadhi”.
Por ai zyrtar i EULEX-it, që u pyet nga qytetari se “a bën kështu në vendin tuaj” e u përgjigj se “kështu bëj në Kosovë”, e ka ilustruar më mirë karakterin e misionit të EULEX-it dhe dështimin e tij sesa çfarëdo analize e madhe. Madje ai me këtë përgjigje krejtësisht të sinqertë e ka shpjeguar këtë mision më mirë sesa analiza e Gjykatës Evropiane të Revizorëve kur kishte konstatuar para shumë vjetësh se ky mision kishte dështuar. Për dhjetë vjet EULEX-i sikur edhe shumë prani të tjera ndërkombëtare janë arsyetuar gjithmonë kur janë zënë ngushtë për të dëshmuar ndonjë rezultat konkret duke thënë se “kjo është Kosovë” dhe se “nuk mund të pritni një gjë të tillë këtu”.
Problemi më i madh me misionin e EULEX-it në Kosovë ka qenë se për më shumë se dhjetë vjet nuk e ka kuptuar se ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar në vendosjen e rendit dhe ligjit, për të mësuar kosovarët me shembujt më të mirë nga vendet më të zhvilluara dhe demokratike të botës. Nuk kanë ardhur për të bërë atë që “bëhet në Kosovë” e që nuk mund ta bëjnë në vendet e tyre.
Në punën e EULEX-it nuk ka pasur shumë dëshmi për suksese në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Sikur EULEX-i të përfaqësonte një shtet kandidat nuk do të kishte kurrfarë gjasash që të marrë notë pozitive në ndonjë Raport të Progresit të Komisionit Evropian. Me siguri se do të konstatohej se “janë bërë disa hetime”, se “ekziston korniza ligjore” dhe “mandati i qartë”, porse megjithatë “nuk ka dëshmi të mjaftueshme përmes një regjistri të rasteve të dënimeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelin e lartë”.
Pra, në rastin më të mirë, EULEX-i nuk ka qenë aspak më i mirë sesa Prokuroria dhe gjyqësori i Kosovës.
Kjo është për keqardhje për qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë dhe të vendeve tjera që janë shpenzuar për këtë prani. Përderisa nuk janë parë shumë rezultate në sukses të këtij misioni, së paku jo “rezultate të prekshme dhe të dukshme”, ka pasur shumë dyshime për manipulime në këtë mision, për emërime sipas lidhjeve miqësore, për lidhje të disa zyrtarëve me strukturat e kriminalizuara, për kontrabandë me alkool etj.
Para disa ditësh BE-ja, kur u zu ngushtë pasi u pa se nuk ishin të vërteta pohimet se operacioni në veri i Policisë së Kosovës ishte “i njëanshëm dhe i pakoordinuar”, sepse NATO konfirmoi se “misioni i KFOR-it ka qenë në komunikim me të gjitha institucionet relevante”, konstatoi se “Misioni i EULEX-it nuk ka pasur një paralajmërim paraprak”. Por e vërteta e hidhur është se, sikur EULEX-i ta kishte kryer me nder dhe profesionalizëm misionin e tij në Kosovë, situata në veri të Kosovës nuk do të ishte ajo që është sot. Kjo pjesë e Kosovës nuk do të ishte “sfidë e veçantë” sa i përket krimit të organizuar, sikur e vlerëson vetë Komisioni Evropian.
Ka pasur shumë pritje nga EULEX-i, sidomos pasi e zëvendësoi atë Policinë e UNMIK-ut që kishte dështuar. Pa dashur të diskriminohen policët në misionin e OKB-së, pritej që ata të cilët vijnë nga vendet e BE-së kanë së paku më shumë përvojë dhe ndjenjë përgjegjësie profesionale, pasi vijnë vetëm nga shtetet me sistem demokratik. Por ky mision u shndërrua në dëshpërim. Dhe, sikur të mos ketë herë pas here bastisje dhe arrestime për Gjykatën Speciale, sikur të mos duhej vazhduar kohë pas kohe mandatin, e sikur të mos parkonin gabimisht, shumë qytetarë nuk do ta dinin se EULEX-i vazhdon të jetë ende në Kosovë.
Sjellja “kështu bëhet në Kosovë” është e pafalshme për këdo në BE. Por nuk është asgjë e re. Dhe zyrtari që ia tha këtë qytetarit se “kështu bëj në Kosovë” është përfaqësues i denjë i arrogancës ndërkombëtare në Kosovë.
Para se të vendosej në Kosovë misioni i EULEX-it, pak para se të shpallej pavarësia e Kosovës, një ekip planifikues i BE-së ishte dërguar në Kosovë. “Koha Ditore” atëherë kishte raportuar se ai ekip kishte marrë një zyrë me qira në një ndërtesë të ndërtuar pa leje. Punë e madhe në atë kohë për kosovarët, sepse të tilla ishin shumë ndërtesa në Kosovën e pasluftës dhe ka shumë të tilla edhe sot. Por një ekip i BE-së të vendosej në një ndërtesë të ndërtuar pa leje dhe të paguante qira për këtë, ky ishte lajm. Sepse ishte fjala për BE-në. Për një Union, emri i së cilit është sinonim për rregull, ligj, standarde, përgjegjësi e shembull. Kur pyetem në Bruksel se si është e mundur, hasëm në këtë përgjigje “jozyrtare” por të sinqertë: “Po kështu është në Kosovë” dhe se “shumica e ndërtesave në Prishtinë janë të tilla”.
U thamë atëherë se pritjet nga BE-ja janë aq të larta saqë duhet të jenë “më të bardha sesa bora” që thonë disa popuj apo “më katolik se Papa” që thonë disa popuj të tjerë. Ata pjesëtarë të atij ekipi planifikues të BE-së është dashur të vendoseshin qoftë edhe në një tendë në park, me kusht që të mos e prishin barin, nëse nuk kanë gjetur ndërtesë me leje.
Edhe kur ndodhi vjedhja e zgjedhjeve, atëherë kur në Skenderaj pjesëmarrja në votime ishte mbi 100 % e BE-ja u shpreh se “zgjedhjet ishin të mira”, hasëm në arsyetimin se “e po Kosova është ajo, nuk mund të priten zgjedhje perfekte!”. Për më tepër, zyrtarë të BE-së na thanë se kur kanë thënë se “zgjedhjet ishin të mira”, kanë menduar se “nuk ka pasur gjakderdhje!”. E ne e dinim se nuk kishte fare rëndësi se çfarë kanë qenë zgjedhjet, por BE-ja donte që sa më parë të formohej qeveria dhe të hyjë në dialog me Serbinë, sepse “BE-ja ishte gati për këtë”.
Kosova, si me misionin e EULEX-it ashtu edhe me dialogun, është bërë si shembull për eksperimente. Misionet janë bërë më shumë vende pune për ata që janë në to sesa misione që duan të bëjnë diçka të mirë për vendin ku kanë ardhur, duke sjellë shembuj prej vendeve nga vijnë e jo duke u arsyetuar se “kështu bëhet në Kosovë”, me çka na porosisin sikur ne nuk jemi të denjë të kërkojmë standarde më të larta sesa këto që i kemi pasur deri sot.
Aq kanë vlerësim për Kosovën kur na thonë gjëra të tilla. Por së paku janë të sinqertë dhe për këtë duhet falënderuar edhe atë shoferin e asaj veture të EULEX-it që e kishte parkuar gabimisht atë.