Letra e ish-kryeministres serbe drejtuar Bashkimit Evropian, me të cilën autoritetet e Beogradit deklaronin se nuk do ta pranonin asnjë marrëveshje që nënkupton njohje de facto të Kosovës, ashtu siç i kërkohet në Aneksin e Ohrit, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera, u kalua pothuajse në heshtje nga Brukseli. Fakti se BE-ja e pranoi deponimin e një letre të tillë tregon se puqej me pozicionin e Beogradit ose, thënë më drejtpërdrejt, BE-ja ia ka njohur kaherë Beogradit “ekuivalent gjerman”, ose të drejtën e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, ashtu siç provoi pala gjermano-perëndimore që përmes “letrës së unitetit gjerman” ta mbante të hapur çështjen gjermane, edhe pas nënshkrimit të Traktatit Bazë ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ
Pavarësisht këtyre pritjeve të mëdha, toni i gjuhës agresive të Beogradit ndaj Kosovës ishte i lartë dhe, nëse nisemi prej asaj se nga gjuha fillon edhe lufta e madje ndodh edhe gjenocidi, shenjat nuk dukeshin aq premtuese. Sidoqoftë, më optimistët shpresonin se nisma franko-gjermane mund ta shpëtonte dialogun, i cili prej disa vjetësh ka hyrë në një pat-pozicion dhe nuk po jep asnjë gjasë se në një të ardhme të afërt mund të arrihet një progres në drejtimin e duhur. Megjithëkëtë, predikuesit e kësaj nisme, natyrisht duke i përfshirë edhe ata të cilët e kishin për detyrë ta mbronin atë, thoshin se pala që do ta refuzojë marrëveshjen do të mund të ndëshkohej rëndë. Ndoshta i ndodhur në këtë atmosferë të pritjeve të mëdha, edhe kryeministri Albin Kurti i tha “po” Marrëveshjes së Ohrit, e cila, dorën në zemër, ka defekte të mëdha dhe si e tillë mund të jetë e dëmshme për Kosovën.
Por “traktati”, “Aneksi” apo “Marrëveshja e Ohrit” që në start kishte disa të meta: e para, ajo nuk krijon detyrime ligjore ndërkombëtare dhe njëkohësisht e shmang nevojën për ratifikim. Për më tepër, forma se si kjo marrëveshje u finalizua në Ohër dukej pak joserioze nga ana e ndërmjetësve evropianë dhe këtë e kishte kuptuar me kohë Beogradi, i cili e filloi lojën e tij mu në prag të takimit.
Edhe pse katër vjet më parë BE-ja dhe zyrtarët e saj flisnin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese apo se ka ardhur koha që tash dialogu të përmbyllet, Aneksi i Ohrit e dëshmoi të kundërtën. Ohri, edhe pse premtonte se do të kishte njohje de facto, shumë shpejt u kuptua se ky ishte vetëm një blof evropian vetëm sa për ta paketuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës. U tha edhe kjo - se kjo marrëveshje ishte një hap drejt marrëveshjes finale e të cilën askush nuk e shihte në horizont dhe deri aty nuk dihej edhe sa kompromise do t’i kërkoheshin Kosovës.
Siç ka deklaruar njëri nga pjesëmarrësit e takimit të Ohrit, këshilltari ndërkombëtar Marc Weller, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur e prishën marrëveshjen në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Kjo lëvizje e çuditshme e ndërmjetësit të BE-së bëri që palët të mos takoheshin në një konferencë, e cila ishte planifikuar të mbahej në Paris për nënshkrimin formal të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit. BE-ja, në vend se të kërkonte nga pala serbe dhe të bënte trysni për nënshkrimin e marrëveshjes, ajo në heshtje, mbase edhe me marrëveshje paraprake, i pranoi njërën pas tjetrës kërkesat e Serbisë. Ndërsa refuzimin serb për nënshkrimin e marrëveshjes BE-ja provoi ta “paketonte” si një veprim krejt të zakonshëm, duke përdorur gjithashtu gjimnastikë linguistike se për Bashkimin Evropian Marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, cilësohet ligjërisht e obligueshme.
“Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, kishte thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Rezultati ishte se Serbia jo vetëm që nuk ishte palë fajtore, por ajo mori hov për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e si për ironi, e mori përkrahjen edhe nga vendet kryesore të BE-së. Arsyetimi ishte i gatshëm: Kosova nuk ka bërë përparim drejt formimit të Asociacionit, një çështje që doli në krye të të gjitha marrëveshjeve. Edhe pse askush nuk e sqaron një gjë, si ka mundësi që pala serbe në modelin e “tryezës suedeze” të marrë gjithçka nga menyja e Planit të Ahtisarit, aranzhimet dhe favoret në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare, në çështjen e pushtetit lokal, formimit të 10 komunave të reja serbe, por të mos pranojë asnjë detyrim kushtetues përballë shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, nuk kemi dëgjuar një ndërmjetës të BE-së apo zyrtar ndërkombëtar të ketë shtruar vetëm një pyetje: Si duhet të sillet Kosova në rast se Asociacioni e sfidon rendin kushtetues të Kosovës dhe nuk pranon asnjë autoritet shtetëror kosovar? Çfarë duhet të bëjë Kosova nëse drejtuesit e këtij trupi politik, ashtu si kryetarët e komunave serbe, në qendra të ndryshme ndërkombëtare të vendosjes, lobojnë kundër shtetësisë së Kosovës dhe e kërkojnë restaurimin e okupimit serb?
Nëse gjatë dy vjetëve të fundit operacionet e Qeverisë së Kosovës për ta forcuar autoritetin e vet në veri të vendit janë cilësuar si veprime të njëanshme, madje edhe atëherë kur duhet mbyllur institucionet ilegale të shtetit të Serbisë, si do të reagonte në të ardhmen ndaj çdo përpjekjeje për ta disiplinuar Asociacionin, i cili shikimin do ta ketë kah Beogradi dhe jo nga Prishtina, të paktën për aq kohë sa BE-ja nxiton për t’i njohur dokumentet dhe pasaportat ilegale serbe, në të cilat territori i Republikës së Kosovës shënohet si territor i Serbisë.
Në këtë atmosferë nuk është e habitshme që pas veprimeve të armatosura të Serbisë kundër Kosovës, BE-ja ishte më unike për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi në këtë mënyrë pretendohet se Beogradi do të mbahet më larg Rusisë dhe Kinës. Dhe kur presidenti i Serbisë doli hapur në mbrojtje të agresionit të Banjskës (shtator 2023), BE-ja deklaroi se po i priste rezultatet e hetimeve. Një kthesë e madhe në BE nuk ndodhi as kur u bë publike aktakuza për rastin “Banjska”, sipas së cilës Prokuroria Speciale e Kosovës bëri përgjegjës 45 persona, të cilët ishin “të trajnuar në mënyrë profesionale” dhe kishin hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia “përmes rrugëve malore“ dhe me dhjetëra vetura, “disa prej tyre të blinduara dhe të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake”.
Duke e shfrytëzuar heshtjen e BE-së dhe nga dëshira për ta eklipsuar vëmendjen nga kjo aktakuzë e Prokurorisë Speciale ndaj grupit të Radoiçiqit dhe përfshirjes edhe të strukturave shtetërore të Serbisë në agresion ushtarak kundër Kosovës vetëm gjashtë muaj pas zotimit verbal për pranimin e Aneksit të Ohrit, Beogradi nxitoi, sa në stilin e vjetër pak kërcënues dhe pak vetëviktimizues, të vinte kushte për Kosovën dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Madje, shtatë kushtet e Serbisë kishin të bënim edhe me problemet që vetë Beogradi i kishte krijuar dhe inskenuar, si braktisja e institucioneve të Kosovës nga policët dhe prokurorët serbë, nxitja e bojkotit të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore.
Ndoshta, duke e hetuar se nuk funksionoi skenari i para dy vjetëve dhe nga frika se me kalimin e kohës po krijohej një situatë e faktit të kryer në terren, e cila do të përmbyste dominimin e strukturave kriminale dhe atyre ilegale nga Serbia, si dhe humbjes graduale të kontrollit të Listës Serbe, e cila ishte e përfshirë në aksionin ushtarak në Banjskë, por që asnjëherë nuk u distancua, Beogradi me pompozitet shpalli shtatë kushtet, përmes të cilave e kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.
Pra, e kërkoi zhbërjen e skenarit të sajuar nga vetë presidenti serb dy vjet më parë, si pjesë e lojës për vetëviktimizimin e serbëve lokalë dhe të tërheqjes së vëmendjes ndërkombëtare, në çka, në disa momente, edhe ia doli.
Por, loja ende s’ka mbaruar. Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e vëmendshme që shtatë kushtet aktuale të Beogradit të mos shndërrohen në kushte të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht të mos shndërrohen një ditë në “6 pika të Ban Ki moonit” të Bashkimit Evropian. Rasti i KiE-së është shembulli më i mirë, kur pronësia e kontestimit serb për anëtarësimin e Kosovës u bë pjesë e kushtëzimit evropian. Prandaj, MPJD-ja dhe ministritë e linjave duhet t’i “bombardojnë” qendrat ndërkombëtare të vendosjes me informacione dhe shkresa diplomatike, përmes të cilave do të dokumentohej edhe një herë synimi i agresionit serb në Banjskë dhe përfshirja e Serbisë. Në këtë kontekst, është me rëndësi që shteti i Kosovës t’u dërgojë ftesa institucioneve relevante ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qëllim që ta shohin nga afër gjendjen në terren, e cila është e pakrahasueshme me pozitën e vështirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Pjesë e skenarit për dështimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit ishte edhe letra e ish-kryeministres serbe në dhjetor të vitit të kaluar drejtuar BE-së, përmes së cilës Beogradi i bënte me dije ndërmjetësit evropianë se pala serbe nuk do të zbatonte asgjë që do të nënkuptonte njohje de facto apo de jure të Republikës së Kosovës. Ama, në menynë e Ohrit ka gjëra që pala serbe i dëshiron, si çështja e Asociacionit, një projekt njëetnik, dhe koncesionet që parashikohen për Kishën Ortodokse Serbe (KOS), të cilat në fakt i luhatin themelet e Planit të Ahtisaarit, por ajo refuzon t’i marrë obligimet dhe detyrimet ndaj shtetit të Kosovës. Është e qartë, Beogradi dëshiron ta etablojë një “Kosovë serbe” si një levë kyç për ta luftuar nga brenda shtetësisë e Kosovës, dhe, ngjashëm si në Bosnjë, në fazën tjetër të dialogut për të kaluar në stadin e kërkesave të reja dhe të radhës.
Beogradi nuk po lufton për të drejta të serbëve, sepse ata i kanë të gjitha të sanksionuara me Kushtetutën e Kosovës, e cila i ka të inkorporuar obligimet dhe privilegjet për pakicën serbe, sipas Planit të Ahtisaarit, por, hap pas hapi, Beogradi dëshiron ta shkërmoqë pjesën “shqiptare” të dokumentit të Ahtisaarit, domethënë pjesën që ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës, me qëllim që ta paralizojë funksionalitetin e brendshëm, si në rastin e Bosnjës. Nëse në Bosnjë e etabluan me dhunë dhe me gjak entitetin e tyre “RS”, kjo nuk do të thotë se ata ndihen të përmbushur. Përkundrazi, sot ata janë problemi në emër të kërkesave të reja, siç do të jenë nesër edhe në Kosovë, pasi të kenë bërë Asociacionin, të cilin e shohin vetëm si fazë tranzitore për kalimin në kërkesat të reja. Prandaj, arritja e qëndrueshmërisë afatgjate në rajon ruhet vetëm përmes disiplinimit të këtyre kërkesave të shfrenuara, të cilat përgjatë shekullit të kaluar kanë qenë burim i konflikteve, luftërave dhe vuajtjeve të popujve të rajonit.
Letra e Beogradit, ekuivalenti gjerman
Pas një qasjeje asimetrike të BE-së në dialogun e Brukselit dhe rreth zhvillimeve në veri, dhe në përpjekje për ta minimizuar rëndësinë e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit, e cila ishte pritur se do ta prodhonte njohjen de facto për Kosovën, ish-kryeministrja serbe nëpërmjet një letre drejtuar BE-së në dhjetor të vitit 2023 kishte paraqitur “rezerva” ndaj Deklaratës së Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj për zbatim, konsiderohet e pranueshme vetëm nëse nuk i referohet asnjë de facto apo de jure njohjes së ‘të ashtuquajturës Kosovë’. Republika e Serbisë thekson se harmonizimi në asnjë mënyrë nuk e nënkupton njohjen e anëtarësimit të ‘të ashtuquajturës Kosovë’ në OKB, sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, as ‘i ashtuquajturi integritet territorial i të ashtuquajturës Kosovë’”, thuhej në letrën e ish-kryeministres serbe.
Me këtë veprim të radhës, pas nxitjes së bojkotit të zgjedhjeve lokale dhe agresionit ushtarak në Banjskë, autoritetet serbe edhe zyrtarisht u deklaruan se janë tërhequr nga obligimet e ndërmarra në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së. Për të qenë edhe më shqetësuese, kjo letër e Beogradit u deponua në dosjen e Brukselit, gjë që linte të kuptohej se atje, për dallim nga Prishtina, njihej pretendimi serb për mbajtjen hapur të “çështjes” së Kosovës. Letra e ish-kryeministres serbe drejtuar BE-së, me të cilën autoritetet e Beogradit deklaronin se nuk do ta pranonin asnjë marrëveshje që nënkupton njohje de facto të Kosovës, ashtu siç i kërkohet në Aneksin e Ohrit, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera, u kalua pothuajse në heshtje nga Brukselit.
Fakti se BE-ja e pranoi deponimin e një letre të tillë, tregon se puqej me pozicionin e Beogradit ose, thënë më drejtpërdrejt, BE-ja ia ka njohur kaherë Beogradit “ekuivalentin gjerman”, apo të drejtën e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, ashtu siç provoi pala gjermano-perëndimore që përmes “letrës së unitetit gjerman” ta mbante të hapur çështjen gjermane edhe pas nënshkrimit të Traktatit Bazë ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ. Pra, nuk bëhet fjalë për veprim destruktiv të Serbisë, por për një lëvizje të bashkërenduar me Brukselin. Në të kundërtën, një letër e tillë nuk do të pranohej nga ana e ndërmjetësit. Se është kështu, e vërteton edhe fakti i njohjes së pasaportave ilegale serbe në të cilat Kosova figuron si territor i Serbisë!
Kjo nuk është një sjelle e re, por përbënte një lëvizje të menduar të Beogradit që po e shfrytëzonte dëshirën e papërmbajtur të BE-së për t’i bërë koncesione të pafundme Serbisë, vetëm që ajo të mos përfundojë në përqafimin rus dhe atë kinez, edhe pse, që nga krijimi i tij në fundshekullin e kaluar e deri më sot, ka operuar në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Shtrati i ortodoksisë serbe dhe koncepti i Serbisë të Madhe ndodhet në Rusi, prandaj është naive të besohet në atë që shpresojnë disa burokratë perëndimorë. Por, jo vetëm kjo. Ishte viti 2010 kur një diplomat evropian me përvojë të gjatë në çështjet e Ballkanit kishte propozuar që ekuivalente në marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të ishte “Letra e unitetit gjerman”, siç ishte përfshirë në Traktatin Bazë nga Qeveria e RF të Gjermanisë. Por, nëse e krahasojmë përmbajtjen e letrës gjermano-perëndimore me atë të ish-kryeministres serbe, duket qartë toni armiqësor dhe hegjemonist serb kundrejt pretendimit gjerman për ruajtjen e së drejtës për vetëvendosje në një rrethanë të re evropiane.
Kush e njeh mirë Traktatin Bazë ndërmjet RFGJ-së dhe RDGJ-së, e ka të qartë se letra serbe e ndjek shembullin e “letrës së unitetit gjerman” të Qeverisë Federale të Gjermanisë, përmes së cilës deklarohej se nuk hiqte dorë nga qëllimi për të ndihmuar në krijimin e një gjendjeje paqeje në Evropë, ku populli gjerman do ta rimerrte unitetin e tij në mënyrë të lirë.
“Në lidhje me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes mbi themelimet e marrëdhënieve midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë ka nderin të konfirmojë se kjo marrëveshje nuk është në kundërshtim me objektivin politik të Republikës Federale të Gjermanisë për të ndihmuar në krijimin e një gjendjeje paqeje në Evropë, në të cilën populli gjerman do ta rimerrte unitetin e tij në mënyrë të lirë,” thuhej në letrën e Egon Bahr drejtuar autoriteteve të Gjermanisë Lindore. Dy vjet më pas, edhe me rastin e nënshkrimit të Traktatit midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, i cili i shpallte kufijtë ekzistues midis Republikës Federale dhe RDGJ-së, si dhe midis Polonisë dhe RDGJ-së, si të paprekshëm, Egon Bahr dorëzoi, si në “rastin e Berlinit Lindor”, një “Letër për unitetin gjerman” edhe palës sovjetike në Moskë, në të cilën theksohej se marrëveshja themelore nuk ishte në kundërshtim me qëllimin e ribashkimit të Republikës Federale.
Marrëveshja Bazë e vitit 1972 gjithashtu ishte një përgjigje në çështjet urgjente të Gjermanisë së ndarë në dy shtete: Krijimi i “marrëdhënieve normale fqinjësore” ishte në qendër, i shtyrë nga kuptimi se bashkëpunimi ishte urgjentisht i nevojshëm për të adresuar çështjet humanitare të hapura.
Republika Federale dhe RDGJ-ja u mjaftuan pa shkëmbimin e ambasadorëve; përfaqësitë e përhershme plotësonin të njëjtin qëllim dhe mund të imagjinoheshin në të ardhmen ashtu siç ishin dikur në Bonn dhe në Berlinin Lindor, në Beograd dhe Prishtinë ka mbi dhjetë vjet që janë të hapura zyrat ndërlidhëse, por që në fakt janë inekzistente.
Përdorimi i “ekuivalentit gjerman” nga viti 1972 synon ta mbajë Beogradin në procesin e dialogut, ndërsa e ndihmon që ta mbajë gjallë narracionin nacionalist për Kosovën për ta ringjallur pretendimin ndaj Kosovës si territor të vetin, duke e mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës përmes operimit të institucioneve ilegale të Serbisë dhe legalizimit të pasaportave të ashtuquajturës Qendër Koordinuese. Me këtë letër të dorëzuar në Bruksel, pala serbe dëshiron të tregojë se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit nuk bien ndesh me qëllimin politik të Serbisë për të punuar drejt një gjendjeje në rajon, në të cilën shteti serb do të mund t’i rifitojë territoret e humbura me luftë, përkatësisht se një ditë mund ta rikthejë Kosovën nën sovranitetin e saj.
Kjo qasje e BE-së ndaj letrës së autoriteteve të Beogradit konfirmon se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit nuk paraqesin asnjë detyrim ligjor dhe as që krijojnë ndonjë parakusht për njohje de facto të Kosovës nga ana e Serbisë, ani se ndërmjetësuesit evropianë një marrëveshje të tillë e kanë “paketuar” diplomatikisht si një hap drejt marrëveshjes finale. Në frymën e kësaj letre të autoriteteve të Beogradit duhet parë edhe thirrjet e përsëritura dhe kërcënuese për përdorimin e forcës ushtarake me pretendimin e stilit rus për “parandalimin e spastrimit të dhunshëm etnik” në veri të Kosovës. Me gjithë akuzat e pabaza dhe me prezencën e KFOR-it dhe të EULEX-it si dhe ambasadat e huaja në Prishtinë, asnjë ndërkombëtar nuk e dënoi një gjuhë të tillë agresive të Beogradit.
Në këtë kuptim, letra e Beogradit shkon përtej modelit të “ekuivalentit gjerman”. Pos që e paraqet një barrierë kapitale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për vazhdimin e bisedimeve të Brukselit, ajo dëshmon për konstruktin e dobët mbi të cilën është ndërtuar një marrëveshje e tillë, e cila, përkundër përpjekjeve për “paketim” diplomatik, as nuk është një dokument ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët, as nuk është finale. Prandaj, nuk duhet parë me befasi se përse retorika anti-Kosovë e Beogradit dhe krahas kësaj edhe agresioni ushtarak i Banjkës tregojnë që pala serbe nuk është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe as ta njohë kufirin shtetëror të Kosovës si dhe as të heqë dorë nga përdorimi i dhunës.
Ky zhvillim tregon se sa larg jemi madje edhe modelit të Traktatit Bazë mes dy shteteve gjermane. Në radhë të parë, se në Gjermani, 27 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një marrëveshje e cila hapi faqe të re në historinë e popullit gjerman, u nënshkrua nga kancelari socialdemokrat Willy Brandt, kundërshtari i njohur i regjimit të Hitlerit, ndërkaq në Serbi brenda një periudhe të tillë kemi të ricikluar një elitë neomilosheviqiane, e cila jo vetëm që nuk pranon të shkëputet nga trashëgimia e luftërave hegjemoniste të Milosheviqit, por e ndjek si synim afatgjatë realizimin e idesë së Serbisë së Madhe.
Pos kësaj, për dallim nga rasti Kosovë-Serbi, ishte në fakt presidenti amerikan John F. Kennedy ai që kërkoi që vetë gjermanët të përfshiheshin më shumë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, ndërkohë që tani është Perëndimi që e toleron sjelljen e dyzuar të Serbisë midis Rusisë së Putinit dhe Perëndimit.
Në këtë kuptim, nyja gordiane e procesit të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është kjo: BE-ja, SHBA-ja, Kosova gjithashtu duhet të kërkojnë një zgjidhje pragmatike, e cila e nënkupton njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe lëvizjen drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO, me çka do të bëhej e parëndësishme çështja e anëtarësimit në OKB. Vetëm atëherë Serbia do të ishte e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Lajçak në rolin e protektorit të letrës serbe
Po bëhet afro një vit që prej letrës së ish-kryeministres serbe dhe akoma ka paqartësi nëse Beogradi është tërhequr prej saj apo jo. Deklaratat e ndryshme në Prishtinë e Bruksel të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, rreth letrës së kryeministres së mëparshme serbe kundër Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë për përpjekjet e pashpresa të Lajçakut për ta luajtur rolin e protektorit serb. Është e pamjaftueshme të thuhet se ky blof diplomatik i ndërmjetësit evropian e pasqyron një mungesë serioziteti të BE-së. Një javë më parë, kur e vizitoi Prishtinën, diplomati sllovak tha se kjo letër është tërhequr nga Serbia, duke dashur ta paralajmërojë një kthesë pozitive në dialogun e Brukselit. Por, nuk ishte e vështirë të kuptojë se kjo deklaratë e Lajçakut ishte një shaka e pakripë, krejt pa mbulesë, pasi vetë pranimi i deponimit të letrës serbe në Bruksel ishte dëshmi se bëhej fjalë për një kompromis cenues të ndërmjetësit lidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Elementi tjetër, ndërmjetësi evropian nuk kishte përse të bënte një deklaratë verbale në Prishtinë kur dihet se komunikimet e tilla bëhen edhe përmes komunikimit të brendshëm diplomatik dhe këtë ka mundur ta bënte Brukseli. Të paktën ka mundur ta ndiqte shembullin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, pararendëse së tij, e cila më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit, përmes së cilës konfirmonte se “Asociacioni/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive”.
Pra, është e pazakonshme që një ndërmjetës i BE-së që për çështje kaq serioze të shpërfaqet me llafe kafenesh. Për më tepër, ky diskurs e shpërfaq edhe qëndrimin përçmues ndaj palës kosovare, së cilës, sipas tij, mund t’i hedhësh edhe llafe koti. Që më 8 shtator, në një deklaratë për A2 CNN në Tiranë kisha pohuar me bindje të plotë, duke njohur praktikat e komunikimit diplomatik, se tërheqja e një letre të tillë nuk ka ndodhur. Situata mori kahe të duhur më 17 shtator, kur zëvendëskryeministri kosovar Bislimi deklaroi se pas takimit me Lajçakun në Bruksel, ai ia konfirmoi se Serbia nuk e ka tërhequr letrën.
Me këtë pohim të fundit, duke e ruajtur letrën serbe në dosjen e Brukselit, e shpreh mirëkuptimin refuzues të palës serbe ndaj Marrëveshjes Bazë dhe Aneksin të Ohrit, dhe njëkohësisht e shpërfaqn diskursin asimetrik në Procesin e Brukselit. Thënë më së lehti, ky diskurs tregon mungesë konsistence dhe serioziteti të BE-së.