OpEd

Orgji në fundin e botës

Duke i dhënë kredibilitet shtesë kërcënimit, zyrtarët rusë kanë urdhëruar evakuimin e qytetit të Khersonit, i cili tani është pothuajse i rrethuar nga forcat ukrainase. Mesazhi që synohet duket i qartë: nëse ukrainasit rimarrin qytetin, ata do të jenë objektiv i përsosur për bombë bërthamore. Në luftën kundër “satanizmit”, siç e ka thënë Putini së fundmi, gjithçka lejohet.

Me forcat ukrainase që po rimarrin territorin dhe po detyrojnë të tërhiqen pushtuesit e demoralizuar të Rusisë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka përshkallëzuar kërcënimin e tij për t’i përdorur armët bërthamore. Politikanët kanë publikuar paralajmërime të rrepta për Kremlinin dhe analistët e kanë krahasuar momentin aktual me krizën e raketave kubane të vitit 1962 dhe episode të tjera të tensionit të lartë që mund të kishin përfunduar në Armagedonin bërthamor. Mirëpo rreth 15 mijë ukrainas e kanë përballuar mundësinë e shfarosjes në mënyrë më pak abstrakte: ata thuhet se janë regjistruar për një festë të madhe seksi.

Pjesëmarrësit në “Orgy on Shchekavystsa: Official” jashtë Kievit pritet t’i “zbukurojnë duart e tyre me vija që tregojnë preferencën e tyre seksuale. Personave të interesuar për seksin anal u është kërkuar t’i vizatojnë tri vija; atyre që janë të interesuar për seksin oral u është kërkuar t’i bëjnë katër vija”. Grupe të ngjashme janë shfaqur gjithkund, duke përfshirë një që shpalli orgjinë në rrugën Derybasivska në Odessa.

Pse, pas tetë muajsh bombardimesh dhe luftimesh brutale ruse, dikush do të ishte i interesuar për ngjarje të tillë? Sipas një pjesëmarrësi të etur: “Është e kundërta e dëshpërimit. Edhe në rastin më të keq, njerëzit do të kërkojnë diçka të mirë. Ky është mega-optimizmi i ukrainasve”.

Njeriu duhet ta pranojë këtë dëshmi ashtu siç është. Në kohën e ankthit ekstrem, orgjia mund të jetë projekt që afirmon jetën. Nuk ka nevojë për shpjegim “më të thellë” pseudo-frojdian, në të cilin trauma kolektive përshpejton shpërbërjen e frenimeve individuale dhe normave konvencionale shoqërore. Aktet seksuale vërtet të pacivilizuara janë ato që kryhen nga ushtarët rusë dhe udhëheqësit e tyre. Sipas Pramila Patten, përfaqësuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për dhunën seksuale, komandantët rusë po shpërndajnë viagra për ushtarët e tyre. Sulmi seksual i grave ukrainase është një “taktikë e qëllimshme për t’i çnjerëzuar viktimat”, ka thënë ajo për Agence France-Presse.

Fatkeqësisht, vëzhgues të tjerë të jashtëm kanë ndjekur në mënyrë efektive linjën ruse. Për turp të madh të vendit tim, Matjaž Gams, anëtar i këshillit shtetëror slloven, reagoi ndaj historisë së orgjisë, duke thënë se kur një qytetërim hyn në periudhën e tij të kalbjes, shfaqen “ide të çuditshme dhe morbide”. Por, përsëri, çfarë është më e çuditshme dhe më morbide: festë seksuale (ku i gjithë aktiviteti është vullnetar dhe konsensual), apo sulmet pa dallim të Rusisë ndaj infrastrukturës civile dhe civilëve (duke përfshirë përdorimin e përdhunimit sistematik si taktikë ushtarake)?

Kërcënimet e fundit bërthamore të Putinit u shoqëruan me aneksimin e tij të paligjshëm të katër territoreve të Ukrainës që ai nuk i kontrollon plotësisht, por që Kremlini këmbëngul se “janë pjesë të patjetërsueshme e Federatës Ruse... Siguria e tyre është në të njëjtin nivel me pjesën tjetër të territorit të Rusisë”. Implikimi, natyrisht, është se Ukraina tashmë meriton sulm bërthamor, sepse po avancon në territore që supozohet se bien nën ombrellën bërthamore të Rusisë. Nuk është çudi që faqet e basteve në internet po ofrojnë shanse që Rusia të kryejë sulm bërthamor këtë vit, me mijëra njerëz që vënë mijëra para në “po”.

Duke i dhënë kredibilitet shtesë kërcënimit, zyrtarët rusë kanë urdhëruar evakuimin e qytetit të Khersonit, i cili tani është pothuajse i rrethuar nga forcat ukrainase. Mesazhi që synohet duket i qartë: nëse ukrainasit rimarrin qytetin, ata do të jenë objektiv i përsosur për bombë bërthamore. Në luftën kundër “satanizmit”, siç e ka thënë Putini së fundmi, gjithçka lejohet.

Por po aq morbid është edhe argumenti i paqes perëndimore se Evropa duhet të dërgojë delegacion të madh në Rusi për të filluar negocimin e kushteve të paqes. Natyrisht, ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar një luftë të re botërore; por për ta arritur këtë, duhet të fillojmë me vlerësim real të asaj që është bërë Rusia. Kjo do të thotë të braktisësh idenë e unitetit euroaziatik dhe të refuzosh argumentin se Evropa duhet të formojë një bllok fuqie me Rusinë për të shmangur të bëhet partner i vogël i SHBA-së në konfliktin e saj me Kinën. Në këtë pikë, është Rusia, jo Kina, ajo që përbën kërcënimin më të madh për Evropën.

Për më tepër, që Evropa të vazhdojë negociatat me Rusinë do t'i duhet gjithashtu të ushtrojë presion ndaj Ukrainës që ta pranojë kompromisin. Kjo është pikërisht ajo që dëshiron Kremlini; do të përforconte vetë argumentin e Putinit se Ukraina është thjesht përfaqësuese perëndimore, sesa vend i vërtetë me agjencinë e vet.

Çfarë duhet bërë? Meqenëse Rusia padyshim nuk mund të injorohet, alternativa më e mirë është t'u afrohemi atyre në Rusi dhe satelitëve të saj që e kundërshtojnë luftën. Siç theksoi së fundmi Sławomir Sierakowski, administrata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka një aleat të natyrshëm në opozitën bjelloruse, e cila ka bërë në heshtje atë që mundet për t’i frustruar përpjekjet e luftës ruse. E megjithatë, asnjë aleancë nuk është shfaqur. Në vend të kësaj, zyrtarët ukrainas kanë treguar publikisht përbuzje për bjellorusët, duke i përshkruar ata si “të çoroditur dhe konformistë”. Siç thekson Sierakowski, kjo nuk është vetëm imorale, por edhe “marrëzi politike”.

Kundërshtarët rusë të luftës e gjejnë veten në të njëjtën gjendje të vështirë, të kritikuar nga pushteti i Putinit si tradhtarë dhe nga Ukraina si rusë. Në këtë mënyrë errësohet kuptimi i luftës së Ukrainës. Nuk është luftë midis “të vërtetës evropiane” dhe “të vërtetës ruse”, siç pretendojnë si ideologu i Putinit, Aleksandr Dugin, ashtu edhe disa ukrainas. Ukraina është front në luftën globale kundër fundamentalizmit të ri nacionalist që po forcohet kudo, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indi dhe Kinë.

Nëse ka diku që ukrainasit kanë hequr dorë nga një pjesë e nivelit të lartë moral, është këtu, në dështimin për ta universalizuar luftën e tyre, jo në ndonjë shpërndarje dioniziane jashtë Kievit.

(Slavoj Žižek, profesor i Filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane në Universitetin e Londrës dhe autor i librit të publikuar së fundmi “Heaven in Disorder” (OR Books, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)