Që bashkësia ndërkombëtare ta shohë Kosovën si partnere, ajo duhet t’i shprehë qartë synimet e saj, të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për arritjen e këtyre synimeve, por rrugën e arritjes së këtyre synimeve duhet që ta ndryshojë, përndryshe, synimet e Kosovës do të konsiderohen problematike. Çdo arritje, siç është për shembull shtrirja e kontrollit policor në veri, do të jetë afatshkurtër, kurse në afat të gjatë, humbjet e Kosovës do të jenë më të mëdha, sepse ajo që është zgjidhje optimale sot, mund të duket e pamjaftueshme nesër
Opozita ngre probleme, Qeveria i zgjidh. Ky është rregulli dhe parimi bazë i funksionimit të politikës. Përderisa opozita e ka të drejtën e problematizimit të çështjeve të ndryshme në nivel retorik përmes mjeteve demokratike, duke përdorur diskurs negativ, puna e Qeverisë është shumë më e komplikuar, sepse ajo ka për detyrë që problemeve t’u qaset nga nivele të ndryshme, varësisht se për çfarë problemi bëhet fjalë. Pra, përderisa opozita problematizon çështje, Qeveria i zgjidh ato. Nëse qeveria nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit, atëherë ajo, me pahir apo nga mosdija, e merr rolin e opozitës.
Nivelet e zgjidhjes së problemeve dallojnë për nga kompleksiteti i tyre, varësisht se sa është i thjeshtë apo kompleks një problem. Qeveria e Kosovës, shpeshherë është pjesë e problemit e jo e zgjidhjes. Me këtë, partia në pushtet, e cila ishte në opozitë që prej themelimit të saj e deri në marrjen e plotë të pushtetit (hiq koalicionin jetëshkurtër me LDK-në) në vitin 2021, qeveris në stilin opozitar, duke i problematizuar çështjet, të cilat ishte dashur t’i zgjidhë. Në këtë aspekt, LVV-ja bën opozitë, sidomos në raport me organet e drejtësisë dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Për shkak të politikës së problematizimit, kjo e fundit po e konsideron Kosovën si pjesë e problemit e jo si pjesë e zgjidhjes.
Pasojat e kësaj politike të kryeministrit Kurti do të jenë afatgjata. Kosova e ka humbur një rast të mirë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe tani po e rrezikon edhe statusin e saj si anëtare e barabartë e CEFTA-s. Humbjet do të jenë edhe më të mëdha, në krahasim me arritjet afatshkurtra.
Për shembull, me rastin e ngritjes së aktakuzës kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë nga ana e Prokurorisë Speciale, deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe e kryeministrit Kurti se, po e parafrazoj, Prokuroria e ngriti aktakuzën me vonesë me rastin e Banjskës, është tipike opozitare.
Pra, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri shprehën apriori pakënaqësi me punën e Prokurorisë Speciale, së cilës, ç’është e vërteta, mund t’i ketë marrë kohë ngritja e aktakuzës, sepse kjo Prokurori ka dashur që të ndërtojë një rast të fortë, duke mbledhur prova të cilat nuk mund të kundërshtohen lehtë në gjykatë. Njëlloj, pakënaqësi me organet e drejtësisë, duke përfshirë edhe me gjykatën kushtetuese, kanë shprehur kryeministri Kurti dhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu. Që të dy i kanë problematizuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të organeve të tjera të drejtësisë, në vend që të përpiqen të gjejnë zgjidhje në mënyrë që vendimet e Qeverisë të jenë të pranueshme për nga aspekti juridiko-kushtetues. Ministrja e Drejtësisë madje i ka shpallur luftë të hapur Prokurorisë së Shtetit. Kjo luftë mund të quhet edhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në punën e shtyllës së tretë të pushtetit – asaj të drejtësisë – që sipas parimeve demokratike është degë e barabartë e pushtetit në raport me Ekzekutivin. Pra, me ndërhyrjet e tilla në punën e organeve të drejtësisë, eksponentët kryesorë të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ po e cenojnë barazinë e pushtetit gjyqësor, duke u shndërruar në opozitë të këtij pushteti.
Veprime të ngjashme po bëhen edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-në. Ç’është e vërteta, këto po e shohin Qeverinë e Kosovës si pjesë të problemit e jo si pjesë të zgjidhjes. Ankesat e pushtetarëve të Kosovës për qasje të padrejtë të bashkësisë ndërkombëtare, pra për diskriminim të Kosovës, nuk janë tjetër gjë, përveçse qasje opozitare ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk po kërkon rrugë partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, por është në pozicion konfrontues. Ky pozicion konfrontues është tipik për LVV-në dhe liderin e saj, kalitja politike e të cilit u bë përmes rrugës së konfrontimit. Niveli i problemeve, për të cilat Qeveria e Kosovës është në konfrontim të hapur me bashkësinë ndërkombëtare është kompleks. Kjo do të thotë se edhe qasja e Qeverisë për t’i zgjidhur këto probleme duhet të jetë më komplekse dhe më kreative.
Problemet, siç janë shtrirja e sovranitetit në veri dhe dialogu me Serbinë, janë komplekse e që nuk mund të zgjidhen përmes konfrontimit, por partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare. Kosova e ka humbur statusin e partnerit, ngase Qeveria e saj e ka zgjedhur rrugën e konfrontimit, gjë që e ka shndërruar atë në pjesë të problemit e jo në pjesë të zgjidhjes. Bashkësia ndërkombëtare kërkon partner për të zgjidhur probleme dhe këtu Kurti nuk ka arritur ta bindë askënd se politika e tij çon drejt zgjidhjes së problemeve. Kjo e vë Kosovën në një pozitë shumë të pafavorshme, nga e cila më shumë humb, se sa që fiton. Kryeministri Kurti ose nuk po e kupton kompleksitetin e problemeve, të cilat me mandat e ka për detyrë që t’i zgjidhë, ose ka nevojë që ta bëjë opozitarizmin konfrontues me dikë. Pasi që në raport me politikën e brendshme ai e gëzon pushtetin, i mbetet t’i bëjë opozitë bashkësisë ndërkombëtare, në vend që të kërkojë rrugë për t’u bërë partner i saj.
Partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova me Serbinë është i domosdoshëm, sepse problemet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë probleme të ndërkombëtarizuara dhe nuk mund të zgjidhen në mënyrë të mëvetësishme. Përpjekjet për t’i zgjidhur këto probleme në mënyrë të mëvetësishme e rrisin rrezikun e sigurisë rajonale, për çka bashkësia ndërkombëtare, duke i përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, kanë interesa vitale.
Prandaj, Kosova duhet të jetë partnere, duke i harmonizuar interesat e saj me interesat e SHBA-së dhe të BE-së, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i avancuar interesat e saj, kryesorja prej të cilave është shtrirja e sovranitetit të plotë në veri. Në të kundërtën, politika e konfrontimit, të cilën është duke e ndjekur Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, e bën Kosovën të jetë pjesë e problemit. Në këtë mënyrë edhe mund të interpretohen kritikat e bashkësisë ndërkombëtare, sanksionet e BE-së dhe vendimi për të mos e futur në agjendë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, majin e kaluar.
Në kontrast me politikën e Kosovës, që në sytë e bashkësisë ndërkombëtare është shndërruar në pjesë të problemit, Serbia po e luan rolin gjoja se është pjesë e zgjidhjes, edhe pse, ajo është vetë problemi i sigurisë rajonale. Nuk bën pa e përmendur se arrestimi i ditëmëparshëm në Mitrovicë i aktivistit politik serb Arsenijeviq, ngase i vërshëlleu kryeministrit Kurti, përveç që është shkelje e të drejtave të tij të njeriut, vetëm sa e ushqen narrativen e Beogradit për gjoja persekutim të serbëve në veri. Këto veprime të pamenduara, apo të menduara me logjikë të gabueshme, e dëmtojnë Kosovën, dhe atë në afat të gjatë, sepse kushtet dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare do të vijnë duke u ashpërsuar dhe duke u bërë më të pafavorshme për Kosovën, për sa kohë që Qeveria Kurti nuk kërkon partneritet me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve jetike për ekzistencën e Kosovës.
Në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare ta shohë Kosovën si partnere, ajo duhet t’i shprehë qartë synimet e saj, të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për arritjen e këtyre synimeve, por rrugën e arritjes së këtyre synimeve duhet që ta ndryshojë, përndryshe, synimet e Kosovës do të konsiderohen problematike. Çdo arritje, siç është për shembull shtrirja e kontrollit policor në veri, do të jetë afatshkurtër, kurse në afat të gjatë, humbjet e Kosovës do të jenë më të mëdha, sepse ajo që është zgjidhje optimale sot, mund të duket e pamjaftueshme nesër.