Berisha, kur lunte një rol pozitiv, i kishte dyert e hapura dhe mbështetjen amerikane. Kur administrata amerikane vlerësoi se roli i Berishës nuk është më pozitiv, madje është edhe i dëmshëm, ia mbylli dyert. Një shtet i madh dhe serioz si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk funksionon në stilin “Unë e njoh George Bushin”, si arsyetim për të mos e futur në listën e atyre që u ndalohet hyrja në SHBA. Shembulli i Berishës do të duhej të shërbente si vërejtje për të gjithë politikanët se nuk mund të gjykojnë në bazë të ndonjë gjesti amerikan të momentit, apo të ndonjë mbështetjeje për ndonjë vendim, se Amerika do të jetë gjithmonë prapa tyre, pa marrë parasysh se çfarë bëjnë
Pyetja se “Çfarë mendon Amerika për mua” duket se vazhdon të mbetet obsesion i secilit politikan shqiptar në Shqipëri e Kosovë, apo edhe politikanëve në ndonjë shtet tjetër. Në kohën kur kishin nisur të dalin në publik kabllogramet diplomatike amerikane nga WikiLeaks, shumë politikanë donin të dinin se çfarë ishte shkruar për ta në komunikimet e diplomatëve amerikanë. Donin të dinin edhe çfarë ishte shkruar për bashkëpunëtorët e tyre, e sidomos për kundërshtarët e tyre politikë. Sepse në hapësirat ku jetojnë shqiptarët mendimi i Amerikës është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Dhe frustrimi më i madh ishte i atyre politikanëve shqiptarë, emrin e të cilëve nuk mund ta gjente askush në WikiLeaks. Pra, kjo merrej si porosi se ai për amerikanët “nuk ka peshë”, “pse nuk është fare relevant”.
Në fakt, e gjithë fushata e publikimit të kabllogrameve nga WikiLeaks dëshmoi se diplomatët amerikanë i shkruajnë me shumë kujdes raportet e tyre. Se ata janë të vetëdijshëm se raportet e tyre mund t’i shohin shumë sy, e ndoshta një ditë edhe të bëhen publike. E në ato “dokumente sekrete” nuk pati shumë gjëra që nuk ishin të ditura edhe para daljes së tyre. Së paku për rajonin e Ballkanit, pak a shumë ato vetëm konfirmuan atë që dihej. Por, kur lexonin se “edhe Amerika paska menduar ashtu”, merrej tamam si një konfirmim.
Shumë liderë nga Kosova e Shqipëria, në faza të ndryshme të karrierës së tyre, janë thirrur në afërsi të tyre me Amerikën, apo se Amerika nuk i do kundërshtarët e tyre.
Por, ata politikanë kanë bërë një gabim të madh – kanë menduar se atë që e thotë ndonjë diplomat apo politikan amerikan, qoftë edhe president i Amerikës, nuk është diçka që mbetet fakt përgjithmonë dhe se gjithmonë do të vlejë ai vlerësim i atij momenti. Edhe qëndrimi amerikan ndryshon kur ndryshohen rrethanat dhe realiteti. Ata që dikur ishin të papranueshëm bëhen partnerë, ndërsa ish-partnerët bëhen të padëshiruar.
kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një vendim që t’ia ndalojnë ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, hyrjen në territorin e SHBA-së, është rikthyer obsesioni i politikanëve shqiptarë rreth dilemës “Çka mendon Amerika për mua”. Sepse mendimi amerikan ka peshë më shumë se ndonjë verdikt i gjykatave vendore. Ajo që më së shumti habit në reagimet shqiptare është kërkesa që SHBA-ja të japë dëshmi për vendimin që ka marrë për Sali Berishën. Por, këtë nuk do ta bëjë dhe as që ka nevojë ta bëjë. Sepse administrata amerikane nuk ndien nevojë t’i arsyetohet askujt. E, fundi i fundit, hyrja e një të huaji në Amerikë është një mundësi, jo një e drejtë e garantuar.
Por, duke e ditur fuqinë e fjalës së thënë nga ndonjë përfaqësues amerikan, sidomos sekretarit të Shtetit, që e vendosi Berishën në listën e zezë, efekti i një vendimi të tillë në mesin e shqiptarëve ka fuqinë ndoshta edhe më të madhe sesa të ndonjë verdikti të gjykatës.
Vendimi do të duhej të kuptohej si diçka shumë e rëndë për Shqipërinë. Dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej, as kundërshtarët e Berishës. Sepse ai ishte një figurë shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Shkrimi i historisë pa Berishën si pjesë e rëndësishme e saj do të ishte thjesht një falsifikim historik. Berisha ishte presidenti i parë që nxori Shqipërinë nga izolimi dhe ngriti lart raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte në krye të qeverisë kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.
Por, Berisha, kur lunte një rol pozitiv, i kishte dyert e hapura dhe mbështetjen amerikane. Kur administrata amerikane vlerësoi se roli i Berishës nuk është më pozitiv, madje është edhe i dëmshëm, ia mbylli dyert. Një shtet i madh dhe serioz si Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk funksionon në stilin “Unë e njoh George Bushin” si arsyetim për të mos e futur në listën e atyre që u ndalohet hyrja në SHBA. Shembulli i Berishës do të duhej të shërbente si vërejtje për të gjithë politikanët se nuk mund të gjykojnë në bazë të ndonjë gjesti amerikan të momentit, apo të ndonjë mbështetjeje për ndonjë vendim, se Amerika do të jetë gjithmonë prapa tyre, pa marrë parasysh se çfarë bëjnë.
Ka edhe shembuj të tjerë kur liderët për të cilët besohej se Amerika ka një adhurim të madh u harruan, në rastin më të mirë nga administrata amerikane. Ish-presidenti amerikan Geogre W. Bush kishte mbajtur një fjalim para popullit në sheshin historik në Zagreb, ku e kishte lavdëruar aq shumë kryeministrin e atëhershëm Ivo Sanader saqë kishte thënë se ai është “një prej liderëve kryesorë evropianë dhe rajonalë”. Kjo kishte ndodhur vetëm pak ditë para se Kroacia të merrte ftesën për t’u bërë anëtare e NATO-s. Por, më vonë, Sanader përfundoi në burg me disa akuza të rënda për korrupsion. Madje, edhe u arratis nga shteti për t’u dorëzuar nga Austria më vonë. Për Sanaderin fjalë të mëdha kishin dhënë edhe liderët e shumtë evropianë, nga Angela Merkel, Jose Manuel Barroso e deri te Jean Claude Juncker. Me përjashtim të ish-deputetes së Parlamentit Evropian, Doris Pack, e cila në cilësinë private e vizitoi Sanaderin në burg dhe porositi se “nuk duhen harruar as gjërat e mira që ka bërë Sanader për vendin e tij”, askush nuk tha asnjë fjalë të mirë më për Sanaderin. Sikur të kishin mundësi ndoshta do t’i kishin tërhequr lëvdatat që i kishin dhënë për të, por, fundi i fundit, ata kishin vepruar në bazë të asaj që shihej e jo në bazë të asaj që Sanader paska bërë në anën tjetër – atë të kundërtën me ligjin.
Sikurse shembujt me politikanët që dikur ishin të mirë për Amerikën e Evropën dhe më vonë u bënë të këqij janë mësim për politikanët shqiptarë, ashtu kjo do të duhej të shërbente si shembull edhe për politikanët perëndimorë se si duhet të përmbahen nganjëherë nga lëvdatat për ata politikanë, të cilët më vonë do t’i përdorin ato për të bërë gjëra të palejueshme në shtetin e tyre. Jo pak probleme sot në rajon ekzistojnë pikërisht për shkak të politikanëve që kanë futur vendet e tyre në korrupsion dhe kanë penguar forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, e të cilëve dikur ua kanë rrahur kraharorin politikanët dhe diplomatët e huaj.