Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Nxitja e rritjes së qëndrueshme në Kosovë kërkon financim të qëndrueshëm

Ndihma për institucionet financiare të vendit për të zhvilluar klimën e biznesit në përputhje me udhëzimet globale dhe ato të BE-së do të ndihmojë edhe në tërheqjen e investimeve

Në Kosovë krahas sfidave të ndryshme ekonomike dhe gjeopolitike ka çështje të vazhdueshme që lidhen me ndotjen, degradimin e mjedisit dhe shëndetin publik. Këto rrjedhin nga zgjedhjet e investimeve më të vjetra dhe standardet e dobëta mjedisore. Ndotja nga burimet tradicionale të energjisë dhe menaxhimi joadekuat i mbeturinave kontribuojnë në risqet shëndetësore, si dhe kufizojnë potencialin ekonomik.

Rajoni po vuan gjithashtu nga kriza të tjera - duke përfshirë pasojat nga pandemia, pushtimi rus i Ukrainës dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit.

Për trajtimin e këtyre krizave të ndërlikuara është me rëndësi kritike të sigurohet një plan veprimi urgjent dhe i qëndrueshëm, i mbështetur me financim të qëndrueshëm. Kjo nënkupton se për t’u siguruar që financimet të kanalizohen me përgjegjësi, institucionet financiare duhet t’i përfshijnë konsideratat mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (MSQ) dhe menaxhimin e riskut në praktikat e tyre të huadhënies.

Që të realizohet kjo është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet bankave qendrore si rregullatorë dhe sektorit bankar. Forumi për Financim të Qëndrueshëm, i mbajtur në Prishtinë javën e kaluar, kishte për qëllim të promovonte pikërisht këtë.

Aty u mblodhën zyrtarë të lartë të bankave qendrore dhe shoqatave bankare nga rajoni dhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës. Qëllimi ishte t’u jepej ndihmë që të bashkëpunohet për zhvillimin e një kornize për financim të qëndrueshëm në Kosovë dhe të eksplorohen mundësitë për të promovuar financimin e qëndrueshëm në rajon.

Edhe OpEd Kosova: Drejt zhvillimit më të lartë, më të gjelbër e më të qëndrueshëm

Kosova nuk është nënshkruese e marrëveshjeve globale për klimën si Marrëveshja e Parisit dhe financimi i qëndrueshmërisë është ende në fillim në vend. Por evenimenti theksoi përkushtimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës për promovimin e agjendës së qëndrueshmërisë. Shoqata e Bankave të Kosovës iu bashkua Rrjetit për Bankim dhe Financim të Qëndrueshëm (SBFN), në prill 2022. SBFN është një rrjet i lehtësuar nga IFC që u krijua në vitin 2012 dhe tani përfaqëson 80 rregullatorë të sektorit financiar dhe shoqata të industrisë nga 63 tregje në zhvillim.

Këtë vit, Shoqata e Bankave të Kosovës nënshkroi gjithashtu një marrëveshje bashkëpunimi me IFC-në për promovimin e financimit të qëndrueshëm dhe praktikave të mira për MSQ.

Përveç nxitjes së një të ardhmeje të qëndrueshme, duke siguruar që sektori bankar i Kosovës të përqafojë financimin e qëndrueshëm dhe të jetë pjesë e kornizave raportuese globale dhe kombëtare, hidhen hapa esencialë për të mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). Ndihma për institucionet financiare të vendit për të zhvilluar klimën e biznesit në përputhje me udhëzimet globale dhe ato të BE-së do të ndihmojë edhe në tërheqjen e investimeve.

Si ofrues të kapitalit institucionet financiare janë të vendosura në mënyrë ideale për t’i ndihmuar sektorit privat të përshtatet me realitetet e reja ekonomike. IFC-ja ka punuar me institucionet financiare në tregjet në zhvillim për më shumë se dy dekada për të menaxhuar risqet dhe mundësitë e qëndrueshmërisë.

Kjo përfshin partneritetin tonë me 140 banka në 39 vende që kanë miratuar Parimet e Ekuatorit, bazuar në Standardet e Performancës të IFC-së, të konsideruara gjerësisht si pikë referimi global kur bëhet fjalë për menaxhimin e risqeve mjedisore dhe sociale për investimet private në tregjet në zhvillim.

Ne po punojmë gjithashtu me partnerë për të hapur mundësi për investime private të qëndrueshme në terma ekonomikë, socialë dhe mjedisorë. Për shembull, ne po ndihmojmë në krijimin e tregjeve lokale duke emetuar bono në monedhën vendase dhe duke u ndihmuar bankave të emetojnë bonot e tyre të gjelbra. Prej 30 qershorit IFC-ja ka emetuar 12.5 miliardë dollarë në 198 bono të gjelbra (dhe emetime tap) në 22 monedha.

Ndërkohë SBFN po ndihmon për nxitjen e partneriteteve inovative ndërmjet sektorëve privat dhe publik për avancimin e financimit të qëndrueshëm dhe për të çliruar mundësi të reja investimi - për të na ndihmuar të përmbushim si zotimet e Marrëveshjes së Parisit ashtu edhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Edhe Opinion Ndërtimi i së ardhmes së Kosovës, një vend pune pas tjetrit

Kosova ka hedhur një hap të madh drejt krijimit të një kornize për financim të qëndrueshëm dhe IFC-ja është e përkushtuar ta mbështesë vendin në çdo hap të rrugëtimit. Në botën tonë të globalizuar është e domosdoshme të punojmë së bashku për zbutjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike. Sigurimi që financimet të kanalizohen me përgjegjësi do të ndihmojë në nxitjen e një të ardhmeje më të gjelbër dhe më reziliente për të gjithë ne.

(Autori është menaxher rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. Korporata Financiare Ndërkombëtare, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh zhvillimor global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Për më shumë informata vizitoni www.ifc.org.)