Në lëmshin me një SHBA në krizë, një BE ku aversioni ndaj imigrantëve është shndërruar në “lingua franca” të anëtarëve, një Rusi të paparashikueshme, një Kinë faktor, një Turqi drejt një diktature, një Lindje të Mesme në rrëmujë, Kosova po mundohet ta ftillojë lëmshin... atë të numrave
Donald Trump mund të mos jetë votuar nga populli, por i pati numrat. Kjo shkaku i një sistemi të komplikuar zgjedhor në SHBA. Ishte numri 270, ai i votave në Kolegjin Zgjedhor të SHBA-së që atë e bëri president. Ani pse rivalja e tij, Hillary Clinton, kishte marrë tre milionë vota më shumë nga populli. Fitorja ishte e Trumpit.
Këta numra prodhuan një realitet të ri botëror, një sfidë jo vetëm për Amerikën, por mbase edhe për gjithë botën.
Skandalet dhe aferat nuk po i ndalen SHBA-së që nga zgjedhja e Trumpit. Me gjithë themelet e forta të demokracisë në SHBA, reputacioni i saj po pëson dëme. Trump ia ka dalë të armiqësojë aleatët e vet më të mëdhenj perëndimorë. Por jo edhe Rusinë. Ende pa u inauguruar, pati akuza se Rusia ka merita për fitoren e tij. Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet amerikane po hetohet edhe sot e kësaj dite.
As brenda SHBA-së, gjërat nuk janë më mirë. Grupet neo-naciste, supremaciste dhe nacionaliste kanë marrë hov me fitoren e tij. Si rrjedhojë, ka pasur shtim të sulmeve me motive raciste. Me to, SHBA-ja po hyn në një kthesë të rrezikshme. Teket e Trumpit janë duke e shndërruar SHBA-në në një peng të Rusisë dhe të neo-nacistëve.
Gjatë kësaj jave, presidenti Trump është dënuar ashpër nga tërë spektri politik në SHBA. Këtë herë jo për ndonjë deklaratë skandaloze, siç e ka zakon, por për heshtjen e tij.
Heshtjen për dhunën e shkaktuar nga neonacistët në një qytet në SHBA, që la një të vdekur. Po dëgjohen akuzat se atij i duhet përkrahja e të tilla grupeve kriminale. Se ato grupe e ndihmuan ngjitjen e tij në pushtet.
Ai mund ta ketë marrë pushtetin, por përkrahja e tij tek popullsia është në rënie të lirë. Aktualisht, atij i besojnë vetëm 34 për qind e amerikanëve.
***
Motoja e tij “Amerika në rend të parë”, ia zbehu SHBA-së rolin në skenën politike globale. Një inversion numrash. Fuqia numër një, për një çast humbet dominimin, duke e lënë në sipërfaqe rivalin kryesor- Rusinë, gjithnjë agresive dhe një Kinë, më shumë se sa faktor politik, një superfuqi ekonomike.
Këto zhvillime do ta ndryshonin raportin e forcave në skenën ndërkombëtare. Aleanca perëndimore do të vihej në pikëpyetje. E SHBA-ja do të shndërrohej në një partner, tek i cili nuk mund të mbështetesh. Edhe në botë, ka rënë numri i njerëzve që i besojnë SHBA-së dhe Trumpit.
Kohë më parë, një anketë e qendrës për hulumtime “Pew” ka bërë të ditur se Trump konsiderohet më i mirë se pararendësi i tij, Barack Obama në vetëm dy shtete të botës: Rusia dhe Izraeli. Pjesa dërrmuese e 40.000 të anketuarve nga 37 shtete të botës e kanë quajtur atë të rrezikshëm, derisa pothuajse e njohin për arrogant. Në të njëjtën kohë është numri i atyre që konsiderojnë se ai është i kualifikuar për të qenë president.
Ai këtë paaftësi e ka shprehur qartë në skenën globale. Vetëm gjatë javës së kaluar, bota ka qenë në ankth të një lufte të mundshme bërthamore midis SHBA-së dhe Koresë Veriore.
Alarmist është editoriali në gazetën britanike me ndikim “Financial Times”.
“Me Trumpin, Amerika është bërë një vend i rrezikshëm”, është titulli i tij. "Trumpi paraqet të kundërtën e lidershipit stabil, të parashikueshëm dhe të matur, të cilën aleatët amerikanë e kërkojnë nga Washingtoni”, konstaton gazeta.
Pasiguria në Amerikë e ka shtuar edhe pasigurinë në botë!
***
Se bota mbetet peng i numrave, e dëshmon edhe Kosova me krizën aktuale politike, e ku numrat janë më shumë sesa koncept apo pragmatizëm politik. Ramush Haradinaj është radhitur i katërti nga katër kandidatët për kryeministër në zgjedhjet e qershorit. Ai ka marrë vetëm 19.458 vota. E subjekti i tij, PAN, i përbërë nga tri parti të mëdha, mezi i ka siguruar 39 në 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj mund të mos jetë më i votuari, por po insiston që ta marrë pushtetin. Kësisoj, gara për pushtet më nuk po bëhet me program politik, por me numra. Sepse, ata do t’ia siguronin krijimin e një Qeverie, e cila në secilin rast sërish do të jetë rezultat i numrave dhe peng i tyre. Pushteti me çdo kusht, teksa numrat sikurse edhe vjet, prodhojnë gjendjen e apatisë politike. Vendqëndrim! Edhe po që se bëhen numrat, Kosova do të vazhdojë të mbetet peng i numrit të serbëve në Kuvend, të cilët do të reflektojnë haptazi qëndrimin e Beogradit për shumë çështje delikate që e presin këtë përbërje të legjislativit kosovar.
Kjo krijon një situatë, ku numrat shpërfillen. Pra, ata të shumicës, kjo thjesht shkaku i insistimit të PAN-it për pushtet, i cili përpos që e mbanë peng Kosovën në relacion me Beogradin, dëmton seriozisht përpjekjen për lëvizje të lirë në hapësirën evropiane.
Në lëmshin e madh global, zor të gjendet ndonjë metodë aritmetike për numrat kosovarë. Bota lëmsh, s`ka kohë kush të merret me numrat tanë. Ajo kërkon fijen e lëmshit që krijoi Trumpi, që prej se u bë president i Amerikës!
***
Brenda këtij lëmshi global, Kosova është duke u munduar ta ftillojë lëmshin e telasheve të veta. Në lëmshin me një SHBA në krizë, një BE ku aversioni ndaj imigrantëve është shndërruar në “lingua franca” të anëtarëve, një Rusi të paparashikueshme, një Kinë faktor, një Turqi drejt një diktature, një Lindje të Mesme në rrëmujë, Kosova po mundohet ta ftillojë lëmshin... atë të numrave.
“Shumë forma të qeverisjes janë provuar dhe do të provohen në këtë botë mëkatesh dhe telashesh. Askush nuk pretendon se demokracia është e përkryer. Në të vërtetë është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përpos të gjitha formave të tjera që janë provuar më parë”, pati thënë ish-kryeministri britanik, Winston Churchill. Shpesh kombinatorikat u japin pushtet politikanëve, që nuk e kanë votën e popullit. Kjo ka ndodhur shpesh në botë dhe do të vazhdojë të ndodhë edhe në të ardhmen. Në disa raste, implikimet shkojnë përtej shteteve dhe e luhatin balancën e forcave. Në Kosovë jo... ato vetëm ua zgjasin mjerimin kosovarëve!