Debati në Kuvendin e Serbisë me presidentin e këtij shteti, Vuçiq, la përshtypjen se Vuçiqi ndoshta vërtet është ndër politikanët më racionalë sot në Serbi. Por edhe ai shumë herë, duke akuzuar kritikët e tij të sotëm, me zë kërcënues i kritikoi ata që në të kaluarën i kishin “liruar Kurtin dhe 1800 terroristë shqiptarë“, duke treguar edhe letrën me të cilën ky grup i madh ishte liruar pas rënies së Milosheviqit nga pushteti. Kur në BE i “marrin mirë në dijeni“ fjalimet e tilla të Vuçiqit, shpresojmë të mos mendojnë edhe në deklaratat, sipas të cilave ka qenë gabim që të lirohen “Kurti dhe 1800 terroristë“. Në atë grup kishte dhe gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe shkrimtarë, në mesin e shumë njerëzve të kidnapuar nga regjimi i Milosheviqit. Një paraqitje e tillë mund t’i shërbejë Vuçiqit për të qëruar hesapet me kritikët e tij të sotëm në Serbi, por ajo e bën pothuajse të pamundur pajtimin
Për dy ditë me radhë në Kuvendin e Serbisë u zhvillua një debat për Kosovën mes deputetëve dhe presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Si zakonisht, ai i njoftoi për presionin e madh, të paparë në histori, i cili po bëhet mbi të dhe mbi Serbinë, por se ai nuk dorëzohet dhe nuk mund të shantazhohet.
Vuçiqi kishte përgatitur një taktikë të përballjes me kritikët. Ata të cilët e akuzonin për tradhti i fyente, duke ua rikujtuar se çfarë kanë bërë ata kur kanë qenë në pushtet. Ata të cilët e kritikonin pse nuk është sa duhet në anën e Perëndimit i kritikonte nga pozicioni i patriotit. Herë lavdërohej se “Serbia sot ka ndikim në Perëndim” e herë se ai është i vetmi politikan i Serbisë, pas mbretit Aleksander, që nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka marrë medaljen më të lartë për merita. Herë lavdërohej se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, e herë paralajmëronte se Serbia mund t’i vendosë këto sanksione një ditë nëse çmimi që paguan Serbia do të jetë tepër i lartë.
Ky debat i ngjante shumë retorikës, e cila në Serbi për Kosovën dëgjohej që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Përplot patetizëm, patriotizëm dhe viktimizim, akuza dhe fyerje për shqiptarët dhe vajtime për fatin e serbëve në këtë “tokë të shenjtë dhe të shtrenjtë“. Kishte politikanë të tillë që thoshin se “shumica e shqiptarëve në Kosovë mezi presin që Serbia të kthehet atje, sepse nuk kanë bukë për të ngrënë!“. I tërë debati dëshmoi se sa larg realitetit janë të gjitha partitë politike në Serbi, edhe ato që janë në favor, edhe ato që janë kundër Vuçiqit. Siç vërejti Zharko Koraç, një ish-deputet serb dhe një psikolog i njohur, askush në asnjë moment nuk foli për 2 milionë shqiptarë sa jetojnë në Kosovë.
Personi, emri i të cilit më së shumti u përmend në debat ishte kryeministri i sotëm i Kosovës, Albin Kurti. Ai, sipas folësve, “qëndron prapa të gjitha të zezave në Kosovë dhe më gjerë”. Përmendeshin “çizmet e Kurtit në veri”, “terrori i Kurtit ndaj serbëve”, “lojërat e fëlliqura të Kurtit”, “njësitë speciale të Kurtit”, “mediat e Kurtit”, të cilat i gëzohen faktit që në Kuvendin e “Serbisë pati përplasje”. U përmend një herë edhe ish-presidenti Thaçi. Një deputet, aleat i Vuçiqit, me nofkën “Palma”, u lavdërua se si “terroristin Thaçi në Hagë e ka dërguar Serbia“. Duke iu referuar shqiptarëve me emërtimin fyes “shqiptari” ai fyeu edhe ish-sekretaren amerikane të shtetit. “Thaçit nuk i ndihmoi as ajo vajza-gjyshe (babadevojka) Madeline Allbright“.
Mbi të gjitha, Kurti përmendej më së shumti për të shprehur keqardhje pse ai ishte liruar nga burgu, dhe për të kritikuar ata të cilët e kishin liruar atë e sot nënshkruajnë peticionin kundër “shitjes së Kosovës“.
Debati në Kuvendin e Serbisë me presidentin e këtij shteti, Vuçiq, la përshtypjen se Vuçiqi ndoshta vërtet është ndër politikanët më racionalë sot në Serbi. Por edhe ai shumë herë, duke akuzuar kritikët e tij të sotëm, me zë kërcënues i kritikoi ata që në të kaluarën i kishin “liruar Kurtin dhe 1800 terroristë shqiptarë“, duke treguar edhe letrën me të cilën ky grup i madh ishte liruar pas rënies së Milosheviqit nga pushteti. Kur në BE i “marrin mirë në dijeni“ fjalimet e tilla të Vuçiqit, shpresojmë të mos mendojnë edhe në deklaratat, sipas të cilave ka qenë gabim që të lirohen “Kurti dhe 1800 terroristë“. Në atë grup kishte dhe gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe shkrimtarë, në mesin e shumë njerëzve të kidnapuar nga regjimi i Milosheviqit. Një paraqitje e tillë mund t’i shërbejë Vuçiqit për t’i qëruar hesapet me kritikët e tij të sotëm në Serbi, por ajo e bën pothuajse të pamundur pajtimin.
Lirimi i të burgosurve politikë nga Kosova që ishin kidnapuar dhe dërguar nëpër burgjet e Serbisë ishte hapi i parë i madh, me të cilin Serbia nisi të jep shenja se është e interesuar për t’u larguar nga e kaluara e saj e errët dhe të shkojë kah një bashkëpunim dhe pajtim në të ardhmen. Nisën të zbulohen edhe varreza masive nëpër Serbi ku ishin rivarrosur kufomat e shqiptarëve nga Kosova në tentativë për të mbuluar gjurmët e krimeve.
Por tash në vitin 2023, nëse bazohemi në këtë debat në Kuvendin e Serbisë, shohim se në këtë vend nuk ka ndonjë dëshirë të qartë për pajtim. Sepse po të kishte, nuk do të dëgjohej një retorikë e tillë për shqiptarët dhe për Kosovën. Ky debat dëshmoi se në Serbi dominon një imazh i demonizuar për shqiptarët, shprehet keqardhje pse disa shqiptarë kanë shpëtuar pa u vrarë dhe pse janë liruar nga burgu, shprehet keqardhje pse Slobodan Milosheviqi kishte përfunduar në Hagë, madje dorëzimi i tij quhet tradhti edhe nga vetë Vuçiqi. Vetë presidenti i sotëm i Serbisë e quajti si fyerje për Serbinë pse Milosheviqi në Hagë ishte dorëzuar pikërisht në Vidovdan, festën më të madhe të serbëve.
Do të ishte mirë që jashtë Serbisë ta marrin parasysh edhe këtë debat.
Sepse 30 vjetët e fundit kanë dëshmuar se një retorikë që kinse përdoret për nevoja të brendshme politike ka ndikim edhe në raportet në tërësi në rajon. Dhe pa dyshim, ajo gjuhë që u dëgjua për shqiptarët dhe Kosovën në Kuvendin e Serbisë nuk është një gjuhë e cila do t’i ndihmojë krijimit të një atmosfere ku mund të ndodhë pajtimi, normalizimi i raporteve dhe rritja e bashkëpunimit e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.