OpEd

Njohjet dhe çnjohjet e Kosovës

Ndoshta ka shtete që e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por nëse kjo ka ndodhur, ato është dashur që notat për këtë t’ia dërgojnë Kosovës dhe ta njoftojnë për ndryshim në raporte, e jo Serbisë. Gjithsesi, çështja e njohjeve dhe çnjohjeve nuk është diçka për të cilën Kosova ka shumë arsye të mburret. Janë humbur mbi 10 vjet nga mendimi i GJND-së dhe dialogu në Bruksel ka qenë shkaku kryesor për pengimin e njohjeve dhe madje për disa çnjohje

Të dielën më 15 janar, Kroacia ka shënuar përvjetorin e njohjes së saj ndërkombëtare. Si datë për këtë njohje, Kroacia e merr 15 janarin e vitit 1992, ditën kur Bashkimi Evropian e kishte njohur Kroacinë si shtet. Kroacia e kishte shumë të vështirë që të siguronte njohjen e shtetësisë së saj. Sepse në vendet e Perëndimit, ndonëse dëshirohej rënia e komunizmit dhe tranzicioni drejt shoqërive të lira në tërë Evropën, ekzistonte një dëshirë e madhe për ruajtjen e Jugosllavisë së atëhershme. Kjo ndjenjë ishte e fuqishme, sidomos në Francë, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot nëpër arkiva gjenden edhe raporte diplomatike që dëshmojnë se as Gjermania në fillim nuk ishte aq e interesuar që ta njohë Kroacinë si shtet. Më vonë Gjermania u bë zëri kryesor i botës perëndimore në favor të njohjes së Kroacisë. Kjo nuk ishte parë mirë, sidomos në Londër dhe Paris, sepse ishte kuptuar si arrogancë e Gjermanisë tashmë të bashkuar. Se sa hezitues ishte Perëndimi për ta njohur Kroacinë, dëshmon edhe fakti se edhe Rusia e kishte kuptuar para tyre se Jugosllavia ishte e vdekur. Rusia e ka njohur Kroacinë si shtet dy muaj para se këtë ta bënin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hezitimi i Perëndimit mund të ketë qenë pa dyshim një gjë që ka inkurajuar ish-diktatorin e Serbisë, Slobodan Millosheviq, që të vazhdojë dhe intensifikojë projektin e tij për Serbinë e madhe, që donte ta bënte përmes një Jugosllavie sipas vullnetit të Serbisë.

Kur e krahasojmë rastin e Kosovës me atë të Kroacisë gjejmë shumë dallime. I pari është se BE-ja ka dështuar që të ketë qëndrim unik rreth pavarësisë së Kosovës, ani pse i tërë procesi i shpalljes së pavarësisë ishte zhvilluar sipas një plani dhe strategjia që do t’i konvenonte pikërisht BE-së. Së pari, shtetet e BE-së nuk ishin të njëzëshme për të mbështetur propozimin e Marti Ahtisaarit. Sot dyshohet se disa nga 5 shtetet që nuk e mbështeten këtë propozim në vitin 2007, pos disa arsyeve të tjera, kanë mundur të kenë qenë edhe nën ndikimin e Rusisë. Argumentet i kanë pasur të njëjta. Për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës gjithmonë përmendet se ajo ishte “e njëanshme”. Për nga natyra shpalljet e pavarësisë janë unilaterale. Por nuk ka pasur shpallje më pak unilaterakle sesa ajo e Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në fakt multilaterale, sepse ishte koordinuar secili hap, nga deklarata, Kushtetuta e deri te dizajni i flamurit, me shtetet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare. Kroacia nuk e kishte koordinuar me askënd shpalljen e pavarësisë së saj.

Por Kroacia për njohjen e pavarësisë së saj kishte lobuar vetë. Dhe në këtë asnjë politikan nga Kroacia nuk është munduar të marrë merita për vete. Në Kosovë politikanët kanë bërë gara se kush ka më shumë merita për cilat njohje, ndërkohë që shumica e madhe e njohjeve kanë ardhur si rezultat i angazhimit të disa shteteve mike të Kosovës, më së shumti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe e deri diku edhe Francës e Turqisë. Mjafton të shihet harta e botës e shtetet që kanë njohur Kosovën për të kuptuar se fjala është për vendet ku këto shtete kanë ndikim.

Por edhe vullneti i këtyre vendeve për të vazhduar lobimin për Kosovën është zvogëluar, e në anën tjetër mund të kenë menduar se Kosova nuk është falënderuese ndaj tyre sa duhet, por politikanët në Prishtinë duan meritat t’i marrin për vete.

Por edhe numri i shteteve ku vendet kryesore kanë mundur të kenë pasur ndikim ishte shterur në dy vjetët e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

kryesor dhe kthesa e madhe në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ndodhi kur më së paku pritej, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pasi shumë shtete si argument për të mos e njohur Kosovën kishin përdorur “respektimin e së drejtës ndërkombëtare” ishte e logjikshme të pritej kthesë e madhe pas mendimit të GJND-së se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Por ndodhi e kundërta. Nuk pati “cunami të njohjeve” që paralajmëronin politikanët në Kosovë e Serbia me sukses nisi fushatën e pengimit të njohjeve, duke e vendosur fokusin në dialogun e Brukselit dhe duke e lënë në hije mendimin e GJND-së.

Kosova hyri në dialog me Serbinë dhe këtu nisi degradimi i asaj shtetësie, e cila nuk ishte përmbyllur ende. Serbia arriti të paraqiste dialogun si dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e zgjidhur. Madje përfaqësuesit e Serbisë thoshin se po të ishte e mundur të zgjidhej “çështja” e Kosovës pa pajtimin e Serbisë “shqiptarët nuk do të vinin në dialog”. Me BE-në pa qëndrim rreth statusit apo me qëndrim “neutral”, që në praktikë është qëndrim negativ, Serbia nuk e kishte të vështirë ta shfrytëzojë këtë dialog edhe për të penguar njohjet e reja të Kosovës, e madje edhe për të bindur disa shtete që t’i tërheqin njohjet e tyre. Shumë shtete që tërhoqën njohjen e bënë këtë duke thënë se “duan t’i japin shans dialogut në Bruksel”.

Serbia edhe sot vazhdon ta përdorë me sukses dialogun për të penguar njohjen e Kosovës dhe për të penguar edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Argumentet se për secilin hap në dialog duhet pritur marrëveshjen e dialoguar po hasin në mirëkuptime dhe në disa qarqe në BE, e madje edhe te disa vende që e kanë njohur Kosovën.

Situata me njohjen dhe çnjohjen e Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë thonë liderët politikë në Serbi, nuk është aspak ideale, për të thënë në mënyrë të butë. Ndoshta ka shtete që e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por nëse kjo ka ndodhur, ato është dashur që notat për këtë t’ia dërgojnë Kosovës dhe ta njoftojnë për ndryshim në raporte, e jo Serbisë. Gjithsesi, çështja e njohjeve dhe çnjohjeve nuk është diçka për [të cilën Kosova ka shumë arsye të mburret.