Ngjarjet mund fare lehtë ta kthejnë koordinimin e përpjekjeve pandemike në një sprovë madhore për udhëheqjen globale të Bidenit. Por nëse përkushtimi i SHBA-së është qartazi i nevojshëm, atëherë veprimi i përbashkët larg më i gjerë është i domosdoshëm për parandalimin e një katastrofe morale, mjekësore dhe ekonomike
Shikuar nga Evropa, Azia apo madje Amerika Veriore, Manausi, kryeqyteti i shtetit brazilian të Amazonës, është po aq i largët sa mund të jetë.
Megjithëkëtë varianti 501Y.V3 i koronavirusit që është detektuar së fundi aty veçse është identifikuar si një kërcënim global, ngase shfaqja e tij në një qytet, ku dy e treta e popullsisë veçse është infektuar në pranverën e 2020-s, sugjeron se imuniteti i përfituar nuk ofron mbrojtje edhe prej tij.
Shkencëtarët spekulojnë nëse 501Y.V3 mund t’u bishtnojë edhe disa vaksinave ekzistuese. Edhe nëse vaksinat me bazë ARN-në mund të modifikohen shpejt, joefikasiteti atëherë kur vaksinimi masiv është në zhvillim e sipër përbën një rrezik skajshmërisht të frikshëm.
Viruset, natyrisht, pësojnë mutacione gjithë kohës. Derisa shumë mutacione janë të padëmshme, ato të rrezikshmet vazhdimisht shfaqen.
Sa më e madhe të jetë popullata që infektohet kurdoherë, aq më i lartë është probabiliteti që një variant i rrezikshëm, apo mbase një formë krejt e re, të shfaqet. Secili person potencialisht përbën një laborator për këto mutacione. Derisa rreth 600.000 infektime të reja me koronavirus identifikohen përditë, aktualisht janë disa milionë laboratorë të tillë operues në gjithë botën. Andaj, është e punë e sigurt se mutacione edhe të tjera do të paraqiten.
Ky kërcënim e konfronton komunitetin ndërkombëtar me një zgjidhje të hidhur: ose të përpilojë dhe të zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse globale, ose të rrethojë kufijtë dhe t’i lërë vendet që ta luftojnë vetë virusin, një nga një. Nuk ekziston ndonjë mënyrë efikase e ndërmjetme.
Kombinimi mbizotërues i nacionalizmit të vaksinave dhe kufijve gjysmë të hapur është strategjia e humbjes. Në një botë të hapur, ku vendet e kamura do të tentonin të mbronin popullatat e tyre derisa ato më të varfrat nuk do të mundeshin, kontaminimi vazhdimisht do të kalojë kufijtë dhe të mposhtë edhe politikat më të sofistikuara shëndetësore. Qysh tani variantet nga Afrika e Jugut dhe Manausi janë detektuar në Gjermani.
Në letër, zgjidhja midis veprimit globalisht dhe mbylljes së kufijve është e pamend. Totali i popullatës së vendeve, që Banka Botërore i ka kategorizuar si me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sillet rreth katërmiliardëshit. Nëse llogaritet një çmim prej 10 dollarësh për njësi orientimisht, atëherë vaksinimi i 75 për qind të kësaj popullate del se do të kushtonte 30 miliardë dollarë, mezi sa dy e njëqindta e humbjes fiskale, e ndërlidhur me krizën, që u është shkaktuar ekonomive të avancuara. Edhe shikuar nga një këndvështrim i ngushtë ekonomik dhe, madje edhe nëse çmimi është dhjetëfish më i lartë, investimi nga shtetet e pasura për frenimin e pandemisë në vendet më të varfra do të ishte skajshmërisht përfitues. Alternativa e mbylljes së kufijve bashkë me frenimin e kontaminimit do të dërgonte një sinjal të tmerrshëm dhe të dëmtonte prosperitetin në një shkallë masive.
Të vetëdijshme për sfidën, vendet e pasura aktualisht e mbështesin një program të këtij soji, ndonëse në një shkallë shumë më të vogël. Iniciativa COVAX, e lansuar në prillin e 2020-s nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Komisioni Evropian dhe Franca, synon që t’i ndihmojë shtetet pjesëmarrëse për të negociuar bashkërisht me prodhuesit e vaksinave, dhe që vendeve të varfra t’u jepen donacion doza të mjaftueshme të vaksinave për vaksinimin e 20-përqindëshit të popullatave të tyre. Ndonëse është i pamjaftueshëm për vënien nën kontroll të përhapjes së virusit, veprimi do të ishte i mjaftueshëm për t’i mbrojtur të moshuarit dhe punëtorët e sektorit të shëndetësisë, si dhe do të paraqiste një hap domethënës drejt veprimit të mëtutjeshëm.
Deri në fund të 2020-s, COVAX-i ka siguruar 2.4 miliardë dollarë dhe ka paraporositur doza të mjaftueshme të vaksinave për një miliard persona në vitin 2021, por ka ende vështirësi për të siguruar edhe 5 miliardë dollarë shtesë sa nevojiten për financimin e programit, në fakt, joambicioz.
Nën presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar të ofrojnë ndihmë. Për më tepër, prodhuesit e vaksinave i parapëlqejnë tregjet profitabile të vendeve të kamura, ku qeveritë janë të gatshme që të paguajnë edhe premi për ta përshpejtuar furnizimin me dozat.
Nuk është për t’u befasuar se shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar kohë më parë se bota ndodhet “buzë një dështimi katastrofal moral”. Por, lënë anash dështimin moral, më i çuditshëm është dështimi i veprimit kolektiv që e ngërthen krejt kjo mënyrë e sjelljes.
Interesi vetjak, e jo vetëm ndjenja e obligimit, dikton se shtetet e pasura mund të bëjnë më shumë. Pse nuk po bëjnë?
Arsyeja e parë është shkurtpamësia. As përbrenda vendeve qeveritë nuk po bëjnë sa duhet. Në Evropë investimi për kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave ka qenë për 18 miliardë dollarë më i mangët sesa që SHBA-ja ka ndarë për “Operation Warp Speed”. Çuditërisht, 390 miliardë eurot e Bashkimit Evropian për resurse alla-grante të administruara nga Mekanizmi i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë i bllokut nuk përfshin financimin e përbashkët për kërkimet e vaksinave.
Arsyeja e dytë është joshja tradicionale e përfitimit prej përpjekjeve të të tjerëve. Qeveritë e vendeve të pasura kanë shtysa të forta për t’i mbrojtur qytetarët e tyre, por mbështetja për vendet e varfra është e cenueshme nga përfitimet në kurriz të të tjerëve, ngase interesi i akëcilit aktor është që ta lërë tjetrin të paguajë për një të mirë të përbashkët. Për shembull, Trumpi ka njoftuar se do ta tërheqë SHBA-në nga OBSH-ja pikërisht në momentin kur veprimi i përbashkët ishte urgjentisht i nevojshëm. Shtoja kësaj përbishtnimin e Kinës ndaj përgjegjësive të saja globale, dhe faktin se udhëheqja globale ka qenë dramatikisht e munguar qysh prej pranverës së shkuar.
Arsyeja e tretë është qeverisja e çrregullt. Fusha e shëndetësisë globale është komplekse, e shkapërderdhur dhe e karakterizuar nga mbivendosja institucionale. Për shkak se OBSH-ja konsiderohet gjerësisht si një organizatë joefikase dhe e politizuar, janë zhvilluar anash saj iniciativa, me donatorë privatë si “Fondacioni Bill” dhe “Melinda Gates”, qeveritë dhe agjencitë publike që bashkëpunojnë ad hoc për të zhvilluar një mori iniciativash. Harta rezultuese e financimit sfidon imagjinatën. Kjo ishte gjë e mirë për aq sa trajtimi i sfidave në shfaqje kërkoi mobilizim dhe resurse të kufizuara, por pandemia bën thirrje për veprim në një shkallë krejtësisht të ndryshme.
A mund bota të ndryshojë trajtën? Fatmirësisht, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, veçse ka shpallur synimin për t’iu bashkuar COVAX-it. Deri para pak kohësh supozohej se riparimi i tregut ndërkombëtar dhe riangazhimi në veprimin klimatik do të ishin prioritet i tij parësor i jashtëm.
Ngjarjet mund fare lehtë ta kthejnë koordinimin e përpjekjeve pandemike në një sprovë madhore për udhëheqjen globale të Bidenit. Por nëse përkushtimi i SHBA-së është qartazi i nevojshëm, atëherë veprimi i përbashkët larg më i gjerë është i domosdoshëm për parandalimin e një katastrofe morale, mjekësore dhe ekonomike.
(Jean Pisani-Ferry, një anëtar i lartë i organizatës së matjes së opinionit publik me seli në Bruksel, “Bruegel”, dhe anëtar i lartë jorezident i Institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, është udhëheqës i “Tommaso Padoa-Schioppa” në kuadër të Institutit të Universitetit Evropian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).