OpEd

Një vrasje dhe shumë gjëegjëza orientale me bakllava, Ali Babën dhe Sheherezaden

Morali, biznesi dhe gazetari saudit: një vdekje e dyshimtë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll demaskon politikën perëndimore dhe Princin e Kurorës, Muhamad Bin Salman.

Jamal Khashoggi nuk jeton më. Së paku kjo është e sigurt, pasi regjimi i Arabisë Saudite gjatë fundjavës ka pranuar se gazetari opozitar vdiq në një kacafytje në Konsullatën e Mbretërisë Saudite në Stamboll. Pushtetarët në Riad do të përpiqen ta shesin në opinion versionin se Khashoggi vdiq në një përleshje me zyrtarët e Konsullatës. Ndodhin këto gjëra, vjen një shtetas arabo-saudit për të marrë një dokument në përfaqësinë diplomatike, humb nervat, acaron fjalët me zyrtarët dhe bën vaki më e keqja.

Kush beson në përralla të tilla? Përse duhet besuar në përralla të tilla? Askush me mend në kokë nuk mund të besojë në këto përralla nga seria e gjëegjëzave orientale me bakllava, Ali Babën dhe Sheherezaden. Vdekja e Jamal Khashoggit, sipas të gjitha gjasave, është vrasje me urdhër nga lart, nga regjimi në Riad, në mos nga vetë pallati mbretëror. Kjo vrasje demaskon krejt politikën perëndimore ndaj Arabisë Saudite. Bota perëndimore së fundi filloi të entuziazmohej me reformat e nisura nga Princi i Kurorës Muhamad Bin Salman. I gjithëpushtetshmi u lejoi grave të ngasin veturat dhe disa në Perëndim duartrokitën gjatë. Por, Bin Salman nuk e bëri këtë nga simpatia për të drejtat e grave, por prej zori: një ditë vendi i tij nuk do të mundë të jetojë vetëm nga nafta, andaj synimi është që edhe gratë të përfshihen në ekonomi – deri më tani kjo ka qenë pothuaj e pamundshme. Si mund të punojë një grua, e cila nuk guxon të braktisë shtëpinë e pashoqëruar nga burri, vëllai apo babai? Falë Princit të Kurorës, gratë mund të shkojnë edhe në kinema. Çfarë e arriture e madhe në vitin 2018!

Po ky Princ i Kurorës e mban në burg gazetarin Raif Badavi, i cili para se të futej në birucë ishte dënuar me 1000 goditje me kamxhik. Para një viti Muhamad Bin Salman e mbajti praktikisht në arrest në Riad kryeministrin e Libanit, Saad Hariri, dhe e detyroi të jepte dorëheqje. Hariri kishte shkuar për vizitë në Arabinë Saudite. Me gjasë Princi i Kurorës ishte i zemëruar për shkak të politikave tolerante të Haririt ndaj Hizbullahut, Partisë së Allahut, një grup politiko-paramilitar shiit në Liban. Pas intervenimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, Arabia Saudite e liroi Saad Haririn – dhe ky pas kthimit në Liban e tërhoqi dorëheqjen. Lojëra të ndyra të politikës orientale, pjesë e të cilave janë edhe vendet perëndimore. Vitin e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Mbretëria Saudite do të blejë nga Amerika armë në vlerë prej 110 miliardë dollarësh.

Sivjet Muhamad Bin Salman qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tri javë – një vizitë që të kujtonte autokratin jugosllav Josip Broz Tito, i cili në vitet ’70 udhëtonte me anijen e tij «Galeb» deri në tri javë nëpër vendet afrikane. Në fund të vizitës Bin Salman mori lajmin e gëzueshëm: Washingtoni miratoi shitjen e sistemeve të artilerisë në vlerë prej 1.31 miliardë dollarësh. Jo rastësisht administrata e Trumpit e quan «incident tragjik» vrasjen në Konsullatën saudite në Stamboll. Për aq kohë sa i zoti i Shtëpisë së Bardhë quhet Donald Trump, Arabia Saudite nuk duhet të ketë frikë nga sanksionet amerikane. Riadi është partner biznesi dhe partner në fushatën kundër Iranit. Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se edhe Qeveria gjermane ka miratuar eksportimin e armëve në Arabinë Saudite në vlerë prej 254 milionë eurosh. Në marrëveshjen e koalicionit një gjë e tillë ishte përjashtuar, por edhe në Gjermani mes moralit dhe biznesit në të shumtën e rasteve fiton biznesi.

Shumë firma perëndimore po bëhen gati të fitojnë tenderë në projektin gjigant të planifikuar nga Bin Salman: për 500 miliardë dollarë regjimi i Riadit synon të ndërtojë në shkretëtirë një qytet komplet të ri të quajtur «Neom City». Diçka të tillë dikur dëshironte Hitleri, Musolini ia arriti të realizonte shumë projekte gjigante arkitektonike, ndërsa në Brazilia arkitekti Oscar Niemeyer u përpoq të ndërtonte një qytet komplet të ri, një utopi të barazisë dhe të drejtësisë. Kjo ëndërr dështoi fund e krye. Nëse Bin Salman ka sukses, atëherë «Neom City» do të jetë tri herë më i madh se Berlini, një qytet i ardhmërisë, i ëndrrave, i modernizmit, një ëndërr e komercializmit.

Përballë këtyre rrethanave joshëse për biznes - vdekja, vrasja, masakrimi i një gazetari saudit reduktohet në «incident tragjik» dhe ekziston rreziku që të harrohet shumë shpejt. Kulmi i hipokrizisë këto ditë është sjellja e regjimit të Rexhep Taip Erdoanit. Në Turqi qindra gazetarë ndodhen në burg, ndërsa autoritetet në Ankara po bëjnë sikur janë të shqetësuara për fatin e gazetarit Jamal Khashoggi. Ky shqetësim ka një shpjegim: Khashoggi ishte i afërt me Vëllazërinë Myslimane, të cilën regjimi vahabist nuk e toleron në Arabinë Saudite. Erdogan ka përkrahur gjithkund në botën arabe Vëllazërinë Myslimane pasi filloi e ashtuquajtura «Pranverë arabe». Kur dështoi kjo lëvizje, shumë mbështetës të saj gjetën strehim në Turqi. Jamal Khashoggi ishte njëri prej tyre.