Kam bërë një listë dëshirash, që në imagjinatën time do të duhej të ishin zhvillimet kryesore të vitit 2026, që prandaj në këtë kolumne po e quaj vit imagjinar, sepse kam frikë që realiteti mund të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ajo që imagjinoj për vitin që po vjen
Siç e kam thënë edhe në njërën nga kolumnat e mëparme, viti që po e lëmë pas ka qenë viti më i mbrapshtë prej çlirimit e këtej. Për dikë, në planin personal mund të ketë qenë vit i mirë, i begatë e me plot gëzime. Mirëpo në planin e përgjithshëm, mos pafshim kurrë atë që e kemi dëshmuar në vitin që shkoi. Të mos merrem më shumë me marrinat e vitit 2025, kam vendosur të shkruaj se si do të doja ta shoh vitin që po vjen. Për këtë kam bërë një listë dëshirash, që në imagjinatën time do të duhej të ishin zhvillimet kryesore të vitit 2026, që prandaj në këtë kolumne po e quaj vit imagjinar, sepse kam frikë që realiteti mund të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ajo që imagjinoj për vitin që po vjen.
Nuk e di se cili do të jetë rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit, sepse kolumna festive i dorëzohet redaksisë deri me datën 20 dhjetor. Ky rezultat mund të sjellë të pritura e të papritura për shumëkënd. Edhe pse në parim nuk parapëlqej të përqafoj njërën parti apo tjetrën pak para zgjedhjeve, shpresoj që në kohën e botimit të kësaj kolumneje, më 30 dhjetor, të kenë dalë rezultatet zgjedhore dhe se peshorja politike në Kosovë të ketë rënduar në favor të ish-opozitës. Kjo për faktin se pushteti absolut i LVV-së dhe qasja e saj absolutiste kur i kishte 42 për qind të votave pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit, treguan se nuk i sjellin Kosovës asgjë të mirë. Prandaj na nevojitet një rezultat zgjedhor i cili inkurajon bashkëpunimin dhe një koalicion qeverisës në mes të forcave që deri dje ishin në opozitë. Jo se jam kundër asaj që një parti politike të ketë shumicën në kuvend, por jam kundër që këtë shumicë ta ketë LVV-ja, për arsye se ajo nuk ka ditur se si ta përdorë këtë shumicë, ka qeverisur në mënyrë arrogante dhe ka hedhur para majtas e djathtas sa herë që i ka shkuar për shtati interesave të saj elektorale. Në zgjedhjet e fundit dhe në këto që do të mbahen më 28 dhjetor, po garon pa program qeverisës, me adutin kryesor karizmën populiste të liderit të saj, Albin Kurti. Për shembull, politikat e saj energjetike kanë sjellë një pasiguri të skajshme energjetike, për arsye se ajo refuzoi të ndërtonte kapacitete vendore për prodhimin e energjisë, refuzoi projektin e MCC-së për gazin amerikan hde e bëri Kosovën të varur nga tregtarët dubiozë me energji, me marrëveshje të dyshimta, nga të cilat nuk dijet saktësisht se kush do të përfitojë. Po të ishte në koalicion qeverisës me ndonjë parti tjetër politike, LVV-ja nuk do të mund t’i merrte të gjitha vendimet e dëmshme që i mori gjate pesë vjetëve sa e qeverisi Kosovën, nga të cilat, viti i fundit, kur e kishte mandatin si qeveri kujdestare, ishte përplot me vendime joligjore.
Një lajm i mirë i këtij fundvitit ishte heqja e sanksioneve të BE-së, nën të cilat Kosova ka qenë për afër tre vjet. Prandaj, balanca e re e forcave në kuvend që mundëson marrëveshje parimore që partia ish-opozitare me më së shumti vota ta udhëheqë qeverinë, dhe krijimi sa më i shpejtë i qeverisë së re, zhbllokon edhe qindra milionat nga plani i rritjes i BE-së. Me një LVV në opozitë, Kosova do të mund të orientohet në rrugën e integrimeve evropiane dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Nëse Serbia nuk e respekton zotimin e saj se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, le të merret me të BE-ja dhe SHBA-të. Në këtë pikë, nuk isha pajtuar me reciprocitetin si parim, sepse sistemi kushtetues i Kosovës i ka siguresat të cilat e mbrojnë sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit. Prandaj, dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën kushtetuese do t’i hapte shumë rrugë Kosovës dhe do të ndërpriste ciklin negativ të marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të dhe të kërkojë me ngulm, si akter konstruktiv i rajonit, anëtarësimin në NATO. Edhe pse ne flasim shumë për këtë anëtarësim, që domosdo do ta zgjidhte problemin kryesor që e ka Kosova dhe rajoni-atë të sigurisë, anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhet pa adresimin dhe përmbushjen e marrëveshjeve në kuadër të bisedimeve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Një dëshirë të veçantë e kam lidhur me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Procesit gjyqësor po i vjen fundi dhe në muajt në vijim mund të kemi një vendim nga gjykata speciale. Ish-Presidneti Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po mbahen të burgosur për më shumë se pesë vjet. Nuk ka nevojë të thuhet se sa e padrejtë është mbajtja e tyre në burg për një kohë aq të gjatë. Ata, sikur edhe shumë të akuzuar të tjerë nga Gjykatat ndërkombëtare e vendore kanë mundur të mbrohen edhe në liri. Kështu, një pjesë të gjykimit të tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka kaluar në liri pranë familjes së tij. Prandaj është e pakuptueshme përse Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit u është mohuar kjo e drejtë. Kujtoj se të drejtat e tyre janë shkelur në mënyrë serioze dhe se ata kanë të drejtë për shpagim, edhe pse jam i bindur se ata nuk do të kërkojnë shpagim material, sepse pas vendimit lirues të Gjykatës Speciale ata do të jenë fitues moral të një procesi, në të cilin përgjegjësia e tyre individuale nuk u dëshmua nga prokuroria. Nuk do të merrem me frazat siç janë “gjykimi i UÇK-së” dhe të ngjashme, sepse më duken të jenë paksa sloganeske. Me rëndësi është që në gjykatë u dëshmua se në postet të cilat Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, i mbanin në UÇK, nuk mund të kishin përgjegjësi komanduese, duke qenë se, siç dëshmuan shumë njohës të rrethanave në Hagë, UÇK-ja nuk e kishte mundësinë praktike të jetë një forcë guerile me linje strikte hierarikike, ku zinxhiri komandues funksiononte dhe respektohej. Të mos e zgjas më tepër, uroj lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit e të tjerëve dhe kthim në gjirin familjar e në jetën publike të Kosovës, sepse besoj se ata kanë ende çka t’i japin vendit.
Dëshirat për një vit imagjinar janë të shumta. Në këtë kolumne i përmblodha tri prej tyre që mendoj se janë të rëndësishme që Kosova të ecë përpara drejt vendit që i takon: anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Në këtë frymë, gëzuar 2026!