OpEd

Një plagë që ende kullon gjak

Ishte ditë e martë, 11 korrik 1995: 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë

“Gjendja sot në mëngjes ishte e pazakontë, por frikshëm e qetë. Breshëria e zakonshme e predhave, që gjithmonë na përshëndeste në mëngjes, sot nuk u dëgjua, për çudi. Ne e shohim këtë si një ndryshim pozitiv të rrethanave të tanishme, që padyshim është shkaktuar nga ultimatumi i NATO-s, edhe pse deri tani nuk është zbatuar”. Ishte ditë e martë, 11 korrik 1995, kur u shkrua ky njoftim.

Në orën 07:55 helmëtkaltrit e OKB-së e dërguan raportin e parë nga Srebrenica në komandën e tyre qendrore në Sarajevë. Ishte një raport optimist. Ishte ditë vere. Njerëzit në Evropë bëheshin gati të shkonin në plazhe, të shijonin pushtimet, kaltërsinë e detit, birrën e ftohtë. Ishte korrik 1995.

Sllobodan Millosheviqi dhe gjeneralët e tij, Ratko Mlladiqi e Radovan Karagjiqi me kasapët e tyre atë verë nuk patën plane për pushime. Kishin një plan tjetër të madh: do të kryenin gjenocidin e parë në Evropë pas vitit 1945. Të parin pas Adolf Hitlerit.

Dhjetëra-mijëra njerëz në Srebrenicë po prisnin intervenimin e NATO-s për të ndalur përparimin e forcave serbe drejt qytezës në lindje të Bosnjës. Për këtë arsye trupat e OKB-së të stacionuara në Srebrenicë ishin optimiste. Por avionët e NATO-s s’u dukën askund në qiell. Ratko Mlladiqi mund të vazhdonte me planin e tij për pushtimin e Srebrenicës.

Një major holandez, i stacionuar në Srebrenicë si pjesë e batalionit të helmetkaltërve të OKB-së, i njoftoi mbrojtësit boshnjakë se do të kërkonte intervenimin e NATO-s vetëm kur të shihte ushtarin e parë serb në Srebrenicë. Boshnjakët u përgjigjën: serbët kanë hyrë tashmë në pjesët periferike të Srebrenicës. Ndërsa mbi Adriatik avionët luftarakë të NATO-s, të nisur nga Italia, bënin gjiro dhe prisnin urdhrin për bombardime, mes oficerëve të OKB-së të stacionuar në Zagreb, Sarajevë, Tuzëll dhe Srebrenicë zhvillohej një kakofoni bizare komunikimi. Një oficer helmetkaltër i vendosur në Srebrenicë i telefonoi oficerit të UNPROFOR-it në Tuzëll për t’i kërkuar sulme nga ajri. Oficeri i UNPROFOR-it i tha se nuk mund ta bënte këtë nëpërmjet telefonit. Oficeri nga Srebrenica mbylli telefonin dhe e nisi kërkesën e tij me faks. Askush nuk reagoi. Zëvendëskomandanti i batalionit holandez telefonoi në Tuzëll dhe telefonin e hapi një kolonel-lejtënant i UNPROFOR-it nga Pakistani. Ai tha se holandezët kishin përdorur formularin e gabuar. Holandezët dërguan një kërkesë të re me faks. Pakistanezi u lajmërua prapë duke ua tërhequr vërejtjen holandezëve se në formular kishin plotësuar vetëm 10 nga 15 pikat e domosdoshme. Ndërsa oficerët shtyheshin nëpër labirintet e burokracisë së OKB-së, forcat serbe bëheshin gati të fillonin selektimin e njerëzve, në njërën anë gratë e vajzat, në anën tjetër djemtë dhe burrat – për pushkatim. 

Kaluan sekonda, minuta, orë - të gjitha të rënda si plumbi, dikur u bë e ditur se shtabet e OKB-së ishin njoftuar për rrezikun që kanosej nga serbët e armatosur. Por nga Zagrebi erdhi lajmi se nuk mund të autorizoheshin sulme ajrore për shkak se nuk ishte atakuar batalioni holandez i OKB-së në Srebrenicë. Drama burokratike vazhdoi, avionët u kthyen në bazat e tyre në Itali. Dikur pasdite avionët e NATO-s u kthyen dhe kryen disa sulme, jo aq efikase, madje disa nuk i gjetën fare caqet - ndoshta për shkak se Ratko Mlladiqi në fillim të ditës kishte urdhëruar t’i vihet flaka mullarëve me sanë. Tymi i tyre kishte “maskuar” caqet që duhej goditur.

Kur Mlladiqi kërcënoi se do të sulmojë trupat paqeruajtëse të OKB-së në Srebrenicë, operacioni për goditjen e forcave serbe nga avionët e NATO-s u ndërpre. Operacioni quhej “Shpata e kaltër”. Por shpata ishte e topitur. 

Kështu nisi gjenocidi.

Në ditët në vijim forcat serbe vranë rreth 8000 burra e djem boshnjakë. “Ka ardhur koha të marrim hak për serbët”, ishte kërcënuar Mlladiqi. “Për çdo serb të vrarë do të vrasim 100 myslimanë”, bërtiti nga foltorja e parlamentit serb deputeti i ri Aleksandar Vuçiq. I ri me moshë, por me përvojë të gjatë në botën e errët.

Vite më vonë, në një proces gjyqësor në Hagë kundër një krimineli serb të luftës, një dëshmitare kështu e përshkroi pasditen e 11 korrikut 1995: “Njerëzit qanin dhe bërtisnin. Gjatë gjithë kohës dëgjoheshin të shtëna. Dikush u përpoq të na ngushëllonte dhe tha: ‘Srebrenica nuk do të bie. Mos e merrni kaq tragjike. Vetëm mos bëni panik’. [...] Ata kishin radio të improvizuara. Me to përpiqeshin të dëgjonin radion. Njerëzit shpresonin se diçka do të ndodhte. Pastaj dëgjohej diçka si: ‘E kemi dëgjuar në radio. Ata do të dërgojnë avionë. Tani do të na shpëtojnë”.

Avionët nuk erdhën.

Njerëzit u vranë.

U hodhën në varreza masive.

Pastaj, për të fshehur gjurmët, viktimat u zhvarrosën, u hodhën në varreza të reja masive. Një këmbë aty, një dorë atje. Ende nuk janë gjetur të gjithë të vrarët.

Ratko Mlladiqi, ndërkohë i dënuar me burgim të përjetshëm si kriminel i luftës, atë ditë, më 11 korrik 1995, defiloi nëpër Srebrenicën e spastruar nga njerëzit. Një fashist muskuloz serb, me mitraloz në dorë, me mëngë të përveshura dhe i gatshëm t’u flasë mediave mbi triumfin e tij. Ai tha se e kishte marrë Srebrenicën dhe po ia dhuronte popullit serb tani që kishte ardhur koha për të “marrë hak ndaj turqve në këtë rajon”.

Dhe vazhdonte me urdhra e udhëzime. “Lëreni qendrën siç është! Avanco me njerëzit e tu, thuaju se unë jam këtu! Dua që ata të marshojnë deri në Bratunac! Shpejtoni! Shfrytëzoni panikun te turqit!”

Kështu nisi gjenocidi.