Për kohë të gjatë Kosova nuk ka pasur zgjidhje për problemet e saj. Tani jemi në një situatë të kundërt. Tani kemi problemet për zgjidhjet tona. Qeveria e Kosovës ka para vetes një rast të artë që të solidifikojë faktorizimin tonë rajonal. Dështimi për ta bërë këtë do të jetë shembull i miopisë strategjike
Kur ishte pyetur i riu Michael Jordan se përse mendon që do të bëhet lojtari më i mirë në botë, ai ishte përgjigjur sepse askush, asnjëherë nuk do të ushtrojë më shumë e më fort sesa ai. Dhe kjo e vërtetë në fushën e basketbollit është e vërtetë në çdo fushë të jetës. Shihni sot luftën në Ukrainë. Ndonëse janë më të vegjël në numër, motivimi dhe përgatitja e ushtarëve ukrainas janë faktor kyç në përballje të suksesshme me ariun rus. E shembullin e fundit të rëndësisë së përgatitjes në kuadër të çdo ballafaqimi e pamë javën e kaluar edhe në televizionet tona këtu në Kosovë.
Javën e kaluar gazetari Eraldin Fazliu i KOHËS e pati “ballafaqimin” me një nga diplomatët më të rëndësishëm perëndimorë, të angazhuar në rajonin tonë. Në çdo kuptim Eraldini ishte në pozitën më të pafavorshme se Sarrazini. Ishte një tjetër episod i Davidit kundër Goliatit. Eraldini është më i ri se Sarrazini dhe rrjedhimisht me më pak përvojë. Eraldini nuk ka qasje në informatat në të cilat ka Sarrazini. Eraldini nuk është pjesë e takimeve ku diskutohen çështjet komplekse, sikur Procesi i Berlinit dhe dialogu me Serbinë. Por, përkundër gjithë kësaj, Eraldini ka pasur një avantazh kyç – Eraldini është përgatitur më shumë e më fort se Sarrazini. Për 35 minuta Eraldini e dominoi diplomatin gjerman.
Ishte sikur të shohësh përsëri Alinë vs Foremanin. Çdo pyetje e Eraldinit ishte goditje tjetër që e hidhte nga balanca Sarazinin. Çdo revansh dhe “goditje” mbrapa e Sarazinit ishte goditje në ajër larg “kokës” së Eraldinit. Ishte spektakël i bukur i diskutimit publik dhe shembull i rëndësisë së përgatitjes në gazetari.
Por në gjithë ketë mes nuk duhet marrë fitoren e Eraldinit sikur fitoren e Kosovës. Fitorja ishte vetëm e Eraldinit. Në çdo sens tjetër, Kosova ishte humbëse. Intervista e Sarrazinit ishte një akt i rrallë në diplomaci. Shumë rrallë diplomatët e marrin vendimin që të godasin publikisht qeverinë e një vendi. Ky vendim nuk ka mundur të jetë i lehtë për Gjermaninë. Një vendim i tillë vjen vetëm kur të gjitha opsionet e tjera kanë dështuar. Sarrazini nuk e kurseu zhgënjimin që kishte me Qeverinë e Kosovës. Ai e akuzoi Qeverinë si joserioze dhe të paaftë. Joserioze, sepse nuk e njihte rëndësinë e koordinimit me aleatët, ndërsa të paaftë, sepse “ndryshonte çdo javë” arsyetimet e saj. Kritika e Sarrazinit ishte në veçanti e rëndësishme, për shkak se vinte nga një vend mik, sikurse Gjermania. Çdo herë kur Kosova ishte në udhëkryqe të rëndësishme politike, Gjermania ishte në krahun e drejt të historisë – edhe kur ajo e nënkuptonte prishjen e raporteve me aleatët e saj për shkakun tonë.
Por sot Qeveria e Kosovës e ka vendosur veten në një pozitë të pambrojtshme. Qëllimi strategjik i Kosovës është faktorizimi i subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Në këtë kuadër, një nga prioritetet tona është anëtarësimi në CEFTA dhe heqja e UNMIK-ut nga aty. Gjermania ka punuar gjatë dhe fort që ta bëjë këtë realitet. Kur çdo gjë është finalizuar, Gjermania i ka kërkuar Kosovës që ta heqë masën e bllokimit të mallrave serbe. Masë kjo për të cilën edhe ashtu nuk pajtohet asnjë aleat i yni. Deri më sot Qeveria e Kosovës ka dështuar që ta komunikojë privatisht dhe publikisht domosdoshmërinë e kësaj mase.
Kësisoj, Kosova është duke e bllokuar avancimin e vet në kuadër të CEFTA-s, por edhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Thënë ndryshe, në sytë e aleatëve tanë Kosova po bëhet dele e zezë e rajonit. E izoluar në argumentimin e saj, i cili “po ndryshon çdo javë”, Kosova po bëhet pengesë e bashkëpunimit rajonal. E vetmja gjë më keq se kjo është t’i kthehemi refrenit “nga CEFTA në SEFTA”.
Për kohë të gjatë Kosova nuk ka pasur zgjidhje për problemet e saj. Tani jemi në një situatë të kundërt. Tani i kemi problemet për zgjidhjet tona. Qeveria e Kosovës ka para vetes një rast të artë. Të solidifikojë faktorizimin tonë rajonal duke e bërë Kosovën anëtar të CEFTA-s. Dështimi për ta bërë këtë do të jetë shembull i miopisë strategjike.
“Mos e dhini punën” e ambasadores Tracey Ann Jacobson, përveçqë ishte akt i shkëlqyer diplomatik, ai hyri edhe në historiografinë tonë moderne si moment që kapi bukur karakterin e skenës sonë politike. Nga tryezat politike, studiot televizive e deri te këngët e Bim Bimmes, “mos e dhini punën” u bë sinonim i rëndësisë së marrjes së vendimeve të duhura politike. Dhe kësisoj, ndonëse intervista e fundit e Sarrazinit zgjati 35 minuta, ajo në thelb e pati po të njëjtin mesazh të thjeshtë sikurse ambasadorja Jacobson: nicht arbeiten scheiße.