Ndjenja të përziera me një moskuptim të thellë kisha kur hapa pasaportën që ma lëshoi në dorë punonjësi i sigurimit, pa të drejtën për t’i bërë ndonjë pyetje. Viza më ishte refuzuar. Ndërkohë, ne të tallurit e të maltretuarit, duhet të vazhdojmë të përkushtohemi ende më shumë për ta përmbushur kriterin e vënë së fundi derisa të dalë një i radhës. Në kohën kur po flasim, 1.7 milionë banorët e Kosovës janë të fundit evropianë (përjashto Turqinë që refuzon të ndërrojë ca ligje, andaj nuk ka liberalizim) që kërkojnë viza, e mezi i marrin për të lëvizur të kufizuar në ca ditë nëpër Evropën e bukur
Në vitin 2015, në cilësinë e shefes së Deskut Informativ në televizionin ku punoj, mora një ftesë nga DW, transmetuesi publik gjerman, për një organizim me media nga rajoni ynë. Pasi mblodha një krah dokumentesh të kërkuara, me shumë qetësi dhe vetëbesim, mësyva Ambasadën e Gjermanisë për të kërkuar vizë. Meqë shumica prej nesh kemi kaluar nëpër përvojat e njëjta, nuk dua të ndalem tek bezdia që të shkakton pritja e gjatë në këmbë, zvarritja nën rreze të forta dielli, apo strukja nga shiu e bora tek strehët e shtëpive të “Dragodanit” të shndërruara në ambasada.
Por, ka momente në jetë që nuk harrohen kurrë. E ato janë momentet e poshtërimit. Momentet e fyerjes që përjetoni dhe talljes që ndjeni nga ata që janë në epërsi ndaj jush. Të tilla ndjenja të përziera me një moskuptim të thellë kisha kur hapa pasaportën që ma lëshoi në dorë punonjësi i sigurimit, pa të drejtën për t’i bërë ndonjë pyetje. Viza më ishte refuzuar! Me mosbesimin që po më ndodhte diçka e tillë, pas dhjetëra e dhjetëra vizave dhe shumë udhëtimeve në Evropë e përtej, u ktheva në redaksi me shpejtësi për të shkruar jo më pak se tri kërkesa e ankesa në drejtim të ambasadës, për të cilat nuk mora asnjë përgjigje. Arsyen e moslëshimit të vizës për mua, e kuptova në rrugë të tjera.
Në Ambasadën e Zvicrës, tek e cila u drejtova pas ca kohësh, me të drejtë më pyetën pse jeni refuzuar? Ju shpjegova që nuk e di dhe i luta ta kuptonin ata, nëse ishte e mundur dhe e nevojshme. Besoni apo jo, arsyeja ishte kjo: “Keni pasur vizë gjermane dhe nuk e keni dëshmuar se keni qëndruar në Gjermani, andaj jeni refuzuar”. Po si t’i tregoja unë Ambasadës gjermane, që nuk më kishin dhënë rastin fare të flisja, se në Gjermani kisha hyrë në rrugë tokësore, e nuk ishte aspak për fajin tim, që nuk e kisha një vulë në pasaportë?!
Evropa, ka kohë që pothuajse i ka eliminuar kufijtë dhe nuk qëndron ndonjë zyrtar tek kabinat kufitare, që tashmë zakonisht janë të mbyllura. Nga shteti në shtet kalohet pa asnjë ndalesë, e ndonjëherë nuk e vëren fare se ke kaluar kufirin. Sidoqoftë, arsyeja pse shkëputa këtë fragment poshtërimi, është për të ilustruar gjithë absurditetin të cilin e jetojmë ne, populli i fundit evropian që mbahet në izolim.
Ta refuzosh dikë që nuk ka abuzuar kurrë me vizat paraprake, që ka një vend pune stabil dhe është i ftuar zyrtarisht nga një gjigant mediatik siç është DW, është tërësisht e pakuptimtë për popujt e lirë perëndimorë dhe kulturën e tyre refuzuese ndaj segregimit. Nëse një kryeredaktor televizioni, nuk i mbushka mendjen një ambasade se duhet të udhëtojë për nevoja avancimi profesional, me të gjitha garancitë dhe vërtetimin e shpenzimeve të mbuluara nga vetë nikoqiri, çfarë të thuhet për peripecitë nëpër të cilat kanë kaluar qindra e mijëra kosovarë të tjerë? Gazetarët e shteteve të rajonit, madje derisa kishin regjim vizash, kishin lehtësi në të gjitha ambasadat evropiane si dhe ishin të liruar nga pagesat. Këtë lehtësi, gazetarët kosovarë nuk e kanë provuar. Përkundrazi, me dhjetëra herë, kolegët e mi kanë pranuar viza treditëshe apo me një hyrje të vetme në shtet, pavarësisht pritjeve me muaj të tërë. Kjo ka pamundësuar jo rrallëherë pjesëmarrjen në shumë mundësi trajnimi e zhvillimi, duke i dekurajuar të heqin dorë tërësisht nga kërkimi i një vize Schengen.
Do të përmend një rast ekstrem, e që i pikëlloi të gjithë ata që dëgjuan për të. Në tetor të vitit të kaluar, një nëne kosovare, Ambasada e Austrisë nuk i lëshonte vizë që t’i qëndronte afër vajzës 5 vjeçe e sëmurë rëndë, e që duhej nënshtruar një operacioni në kokë. Madje as në refuzimin për të katërtën herë me radhë, ku dëshmonte me gjithçka nevojën e udhëtimit, nuk i kishin dhënë një shpjegim. E shkatërruar emocionalisht e financiarisht, tregoi në publik nëpër çfarë po kalonte. Reagimi i mijëra qytetarëve, kërkesat e shumta të gazetarëve e shoqërisë civile në drejtim të ambasadës, e zgjuan ndërgjegjen e zyrtarëve austriakë. Marrë parasysh këto, a mund të themi që nuk jemi segreguar, nuk jemi poshtëruar e nuk jemi trajtuar si mos më keq tërë këto vitet e fundit? A mund të themi që vërtet ne qenkemi kërcënimi për disa shtete që janë lodhur nga refugjatët, kryesisht joevropianë e paskan frikë se mos u biem në qafë? Dhe e tëra kjo, pasi kemi marrë konfirmimin në rrugë zyrtare nga institucionet qendrore të BE-së, se ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret sikurse fqinjët tanë për të lëvizur të lirë. Pse duhej që për ne të kishte kritere shtesë ndryshe nga të tjerët? Pse duhet të na vihet një kriter i radhës, të cilin as vetë shtetet anëtare të bllokut nuk e kanë përmbushur ende? E keqja më e madhe është se gati na kanë bindur që ne nuk e meritojmë liberalizimin. Jo rrallëherë, dëgjoj njerëz të thonë se ne nuk meritojmë më mirë. Ose po të liberalizoheshim do të iknim të gjithë, se ditën kur do të hiqen vizat askush nuk do të mbetet këtu. Jo, kjo nuk qëndron. Ata që kanë dashur të ikin nuk kanë pritur viza fare. Nëse është e mundur të kalohen dete të dallgëzuara e të arrihen brigjet evropiane me varka të stërmbushura nga matanë kontinentit, pse nuk paskemi mundësi ne që të ikim nga këtu, kur kufirin evropian e kemi 3 orë larg me veturë? Ironia e gjithë kësaj është, se çdo herë pasi marrim goditjen e radhës, dëgjojmë eurodeputetë që shprehin keqardhje e derdhin lot krokodili për ne, sesi e dinë se është padrejtësi e gabim të aplikohen standarde të dyfishta, por ja që këto qenkan vendimet. Ndërkohë që ne të tallurit e të maltretuarit, duhet të vazhdojmë të përkushtohemi ende më shumë për ta përmbushur kriterin e vënë së fundi derisa të dalë një i radhës. Në kohën kur po flasim, 1.7 milionë banorët e Kosovës janë të fundit evropianë (përjashto Turqinë që refuzon të ndërrojë ca ligje, andaj nuk ka liberalizim) që kërkojnë viza, e mezi i marrin për të lëvizur të kufizuar në ca ditë nëpër Evropën e bukur. Ndërsa Kontinenti i Vjetër, në 10 vjetët e fundit, ka numëruar mbi 12 milionë refugjatë të arritur nga Lindja e Mesme e së fundi edhe nga Ukraina shkaku i luftës. Këto politika e kritere të shteteve evropiane qartazi e shprehin përbuzjen ndaj kosovarëve, dinjiteti i të cilëve është shkelur përgjatë historisë. E përdorur me raste edhe si monedhë shkëmbimi për hesapet e tyre, Kosova vazhdon ta dëshmojë hipokrizinë e politikës evropiane!
© KOHA Ditore