OpEd

Neutraliteti ushtarak nuk ka më kuptim

Finlanda është bërë tashmë anëtarja e 31-të e NATO-s, ndërsa së shpejti do të bëhet edhe Suedia. Shembulli i këtyre dy vendeve dëshmon se më nuk ka kuptim parimi i neutralitetit ushtarak. Këtë luks mund ta kenë vetëm vendet si Zvicra e Austria, të cilat janë të rrethuara nga vendet e NATO-s, ndërsa nuk kanë as dalje në det, prandaj nëse nuk e sulmojnë njëra-tjetrën, askush nuk mund t’i sulmojë pa përdorur hapësirën tokësore apo ajrore të NATO-s

Një prej pasojave më të shpejta të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës ishte kërkesa e papritur e Suedisë dhe Finlandës për t’u bërë anëtare të NATO-s. Që në fillim të këtij agresioni, Helsinki dhe Stokholmi zyrtar aplikuan për t’u bërë anëtarë të Aleancës ushtarake duke e lënë anash një traditë shumëvjeçare të neutralitetit ushtarak. Për Rusinë kjo do të duhej të ishte një goditje e rëndë. Ajo bëri përpjekje përmes propagandës së saj të arsyetojë këtë agresion edhe me frikën se Ukraina do të hyjë në NATO dhe kështu NATO-ja do të jetë më afër kufirit me Rusinë. Dhe tash, me anëtarësimin e Finlandës në NATO, në kufijtë e Rusisë ka edhe më shumë NATO. Madje pikërisht kufiri i Finlandës me Rusinë tash është kufiri më i gjatë tokësor mes NATO-s dhe këtij shteti. Rusia, siç ka bërë gjithmonë, vetëm ka kërcënuar se “nuk do të rri duarkryq” pas këtij veprimi të Finlandës për të hyrë në NATO, por e vetmja gjë që ka bërë është forcimi i patrullave ushtarake në afërsi të kufirit me Finlandën. Finlanda dhe Suedia e kanë kuptuar se anëtarësimi në NATO është mbrojtja më e mirë e vendit nga çfarëdo mundësie që dikush papritur t’i sulmojë, siç e ka sulmuar Rusia Ukrainën. Dhe se akoma ka në botë, e edhe në Evropë, vende që pa asnjë arsye sulmojnë vendet fqinje duke mos pasur as një fije respekti për të drejtën ndërkombëtare.

Lufta në Ukrainë dhe kërkesa e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO kanë dëshmuar po ashtu se fundi i Luftës së Ftohtë nuk shënon edhe fundin e nevojës për ekzistimin e NATO-s. Para 24 vjetësh, këtë e dëshmoi dhe ndërhyrja në Kosovë.

Bota ka pasur, ka dhe do të ketë edhe më shumë nevojë për NATO-n. Ndërsa Aleanca duhet ta mbajë në fuqi politikën e saj të dyerve të hapura për të gjitha vendet të cilat me vullnetin e tyre të mirë dëshirojnë t’i bashkohen asaj dhe me të, të ndajnë vlerat dhe kapacitetet mbrojtëse. NATO ka gabuar rëndë kur ka hezituar t’ia hapë Ukrainës mundësinë e anëtarësimit. Kjo nuk ka ndodhur, sepse ka pasur frikë nga reagimi i Rusisë. Ndërsa Rusia e sulmoi edhe ashtu Ukrainën, madje në kohën kur bëhej e qartë se NATO nuk e ka ndërmend anëtarësimin e saj e as që do të përfshihet në mënyrë direkte në mbrojtjen e Ukrainës. Por u dëshmua se kjo nuk mjaftoi që të parandalohej sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë rast, NATO-ja veproi dhe kundër parimit të saj se askush jashtë NATO-s dhe jashtë shtetit i cili dëshiron të anëtarësohet nuk mund të vendosë në procesin e zgjerimit të Aleancës. Tash kur ka nisur lufta, NATO nuk mund ta ftojë Ukrainën që të bëhet anëtare. Sepse kjo do ta obligonte Aleancën që këtij shteti t’i dalë në mbrojtje dhe atë në tërë territorin e saj. Në këto kushte, në NATO vështirë se do të ndërtohej unanimiteti i nevojshëm. Madje edhe tash në NATO nuk ka unanimitet për t’i dërguar armë, apo disa lloje armësh Ukrainës për t’i ndihmuar që ajo të mbrojë veten. Prandaj edhe ndihma bëhet individualisht nga shtetet anëtare, ndërsa NATO shërben më shumë si një lloj klubi i debatit ku bisedohet për këtë ndihmë. Ironike është se si kolektiv, BE-ja ndihmon ushtarakisht më shumë Ukrainën sesa NATO-ja. Së fundi BE-ja ka krijuar një fond prej më shumë se 2 miliardë euro për të ndihmuar në furnizimin e ushtrisë së Ukrainës me armë dhe municion. Këto mjete financiare përdoren për të blerë municion, por edhe për të kompensuar vendet që i japin ndihmë Ukrainës.

i zgjerimit të NATO-s duhet të vazhdojë. Dhe gjasat janë që në një të ardhme, pasi të përmbyllet hapësira evropiane e kësaj Aleance euro-atlantike, ajo të zgjerohet edhe në pjesë të tjera të botës, ku tashmë ka partnerë që ndajnë të njëjtat vlera dhe kanë të njëjtat sfida të sigurisë si Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e re. Shembulli i Finlandës dhe Suedisë dëshmon mirë se nuk bën asnjëherë të thuhet “kurrë”, kur bëhen parashikime se nga do të shkojnë proceset e rritjes së sigurisë kolektive.

Finlanda është bërë tashmë anëtarja e 31-të e NATO-s, ndërsa së shpejti do të bëhet edhe Suedia. Shembulli i këtyre dy vendeve dëshmon se më nuk ka kuptim parimi i neutralitetit ushtarak. Këtë luks mund ta kenë vetëm vendet si Zvicra e Austria, të cilat janë të rrethuara nga vendet e NATO-s, ndërsa nuk kanë as dalje në det, prandaj nëse nuk e sulmojnë njëra-tjetrën, askush nuk mund t’i sulmojë pa përdorur hapësirën tokësore apo ajrore të NATO-s. Në këto rrethana, këto dy shtete mund të vazhdojnë të thirren në parimin e neutralitetit, sepse e kanë atë luks, por sikur të ishin afër ndonjë shteti agresiv do të mendonin ndryshe.