OpEd

Nëntë vjet të pashfrytëzuar

Pavarësia e njëmendtë e Kosovës do të ndodhë atëherë kur ky vend të çlirohet nga mentaliteti i grabitjes, i papërgjegjësisë, i zaptimit dhe mosndëshkimit. Atëherë kur në krye të këtij vendi të vijë një brez që Kosovën ta shohë si shtëpinë e vetme që ka dhe ta trajtojë të tillë

“Urime 9 vjet korrupsion, urime 9 vjet papunësi, urime 9 vjet hajni, urime 9 vjet varfëri, urime 9 vjet padrejtësi..., urime, shumë urime!” – ky ishte postimi i mikut Sam në FB, njëri nga shumë që më ra t’i lexoja gjatë ditës së djeshme.

17 shkurti i 2008-s për të gjithë ne që e jetuam do të mbetet përherë i paharrueshëm. As acari që mbretëroi atë ditë nuk mund ta ndalte gëzimin dhe euforinë që nxiste realizimi i një ëndrre aq të madhe për të cilën u deshën shumë përjetime të rënda e vuajtje. Atëherë gjithçka ishte optimizëm. Ishte një frymë e re – tash ishim të lirë dhe të pavarur të vendosnim për veten. E kishim rastin të cilin nuk e kishim pasur kurrë. E kishim rastin të dëshmonim se ishim të pjekur të ecnim përpara. Të bëheshim përnjëmend shtet.

Festimi i djeshëm i përvjetorit të radhës së Pavarësisë pak a shumë i ngjasoi një festeje të improvizuar ku ritmin e gëzimit e impononin tupanët dhe surlet, përcjellë nga shëtitja e qytetarëve të ardhur prej të gjitha viseve të Kosovës rrugës kryesore të Prishtinës. Edhe pse numri i tyre ishte më i vogël se rëndom.

Në ajër nuk ndihej ambienti i festës së madhe. Institucionet kishin vendosur t’i mbanin takimet festuese një ditë më herët – kur tashmë një pjesë e madhe e shërbyesve civilë e kishin marrë ditën e lirë, pa dhe me leje, sepse që nga e enjtja qyteti ishte pak a shumë i zbrazur. Dje u kryen ritet e përhershme të vizitave te varrezat e dëshmorëve, martirëve dhe personaliteteve politike dhe me kaq përfundoi.

Nuk pati parakalim të FSK-së – nuk e di pse. Nuk pati as koncert. Nuk pati fishekzjarrë që i shohim për çdo festim banke a sporti. Thuajse të gjithë përnjëherë u bëmë të vetëdijshëm se kishim shumë pak për çfarë të festonim. Sepse punët i kishim pak a shumë siç i kishte përshkruar miku im nga fillimi i kolumnes.

I pari për pension

Pavarësisht festimit që po afrohej, as java e shkuar nuk qe shumë më ndryshe sesa të tjerat, të cilat tashmë jemi mësuar t’i jetojmë. Po të mos ishte suksesi i Majlinda Kelmendit dhe i Distria Krasniqit në Grand Slamin e Parisit dhe fitorja e bashkëprodhimit kosovar-britanik të filmit “Home” në oskarët britanikë, s’kishim pasur shumë arsye ngazëllimi. Sepse gjithçka jashtë sukseseve të kohëpaskohshme individuale në sport e kulturë është rrëfim i përhershëm i ngufatjes së jetës që na e bën politika. E udhëhequr, tashmë dihet, nga një brez politikanësh që gjënë më të mirë që do të mund ta bënin do të ishte që të pensionoheshin nga politika sa më urgjentisht.

I pari ndër ta, natyrisht, do të duhej të ishte kryetari – përkatësisht, kryefajtori për krejt problemet me të cilat ballafaqohemi, në veçanti pas shpalljes së Pavarësisë. Para se të shkonte në Munih, në Konferencën e Sigurisë, e mbajti një mbledhje nga fillimi i javës, dhe e themeloi një komision. Për të vërtetën dhe pajtimin, e quajti. Në petkun e “njeriut të paqes” doli me propozimin që nëpërmjet komisionit të tij t’i pajtonte shqiptarët dhe serbët. Në kohën kur, edhe pse i përkufizuar si i vetmi kompetent sipas Kushtetutës, nuk është në gjendje t’i pajtojë shqiptarët që të merren vesh për vendimet fondamentale që do t’i bënin mirë shtetit. Sepse rolin unifikues që e ka në letër nuk di apo, më mirë thënë, nuk do që ta zbatojë në praktikë. Kjo, sepse të gjitha përçarjet që kanë ndodhur në Kosovën e pavarur i ka shkaktuar ky vetë, që nga koha kur ka qenë kryeministër.

Njeriu i cili i është nënshtruar procesit të dialogimit në Bruksel, pa e vënë kushtin kryesor që Serbia të kërkojë falje për të gjitha krimet e bëra në Kosovë dhe t’i kthejë mbetjet e të zhdukurve, tash manipulon me një temë e cila nuk përpihet lehtë. Nëse ai është i gatshëm të falë, këtë megjithatë nuk mund ta bëjë në emër të të gjitha viktimave të luftës që besojnë se hapi i parë i domosdoshëm është kërkimfalja nga Serbia. I dyti, që të kthehen të zhdukurit. Dhe i treti, që Serbia të detyrohet t’i paguajë dëmet që i ka shkaktuar në luftë.

Thaçi mund të vazhdojë të shkruajë statuse në FB; mund të shkojë në konferenca prej nga gjithmonë çon porosi për atë se “çfarë thonë të huajt” se duhet bërë Kosova për të ecur tutje dhe mund të vazhdojë të mendojë se është politikan i zoti. Por, gjënë më të mirë që mund ta bëjë për Kosovën është që ta lërë politikën fare.

I dyti për pension

Anëtari i dytë i këtij kori gazmor është kryeministri që është dëshmuar udhëheqës i keq i partisë së tij, e në veçanti i Qeverisë së shtetit. Njeriu që për shkak të pasigurisë së tij u rizgjodh kryetar partie me aklamacion, duke i eliminuar kundërshtarët politikë me manipulime administrative, erdhi në krye të Qeverisë pasi i hëngri fjalët e veta. Dhe krejt çka ka bërë deri tash është kryesisht punë argati për PDK-në. Suksesi më i madh i tij në qeverisje ka qenë vendimi që të mblidheshin kuponët fiskalë, për t’i detyruar njerëzit që t’i kërkojnë faturat fiskale e që në këtë formë të zihen ata që nuk i paguajnë tatimet. Ani që evazioni fiskal në Kosovë megjithatë e mbërrin në gjysmë miliardi eurosh në vit.

Në fushatë premtoi punësimin e 100 mijë vetave. Para tri-katër ditësh doli të thoshte se Kosova, gjatë qeverisjes së tij, i kishte punësuar 40 mijë njerëz. Nuk tha as ku, as si. Porse thënien e tij ia demantoi Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila me “mjeshtëri” matematikore e zvogëloi nivelin e papunësisë nga 34,3% në 2014-n në 26,2% në 2016-n. E me gjithë këtë “përmirësim” punësimi po e njëjta agjenci tregon se më 2014-n Kosova ka pasur 323.508 të punësuar, kurse në vitin 2016, ky numër ka mbërritur në 328.694 – pra, dallimi është pak më shumë se 5 mijë veta.

Me siguri dikush nga kabineti i tij do të dalë të na thotë sesi 35 mijë veta kanë dalë në pension, apo edhe se këta që janë punësuar kanë pasur kontrata afatshkurtra, apo edhe ndonjë gjë tjetër që do ta kenë të përgatitur paraprakisht. Por, fakti qëndron se kjo Qeveri nuk do t’i punësojë as 200 mijët e premtuar të Thaçit e as 100 mijët e premtuar të Mustafës. Ndërkohë që shteti do të vazhdojë të vuajë nga mungesa kronike e mjeteve në qarkullim që do t’i mbysin bizneset më shpejt seç e imagjinon.

Pra, ani pse pritej që profili i një ekonomisti do të sillte ndryshim në menaxhimin e shtetit, dhe do të sillte një ide më të kapshme të zhvillimit ekonomik, atë që kemi parë për dy vjet qeverisjeje të Mustafës është niveli i njëjtë i mungesës së zhvillimit; niveli i njëjtë i mungesës së investimeve të jashtme; nivel të njëjtë të korrupsionit; nivel më të lartë të ndotjes së ajrit për shkak se Kosova e ka hequr limitin e vjetërsisë së veturave që na vijnë si bërllok nga Perëndimi; nivel të njëjtë mosefikasiteti të gjyqësisë; nivel edhe më të keq arsimimi; nivel katastrofal shëndetësie. Natyrisht, se nuk mund të fajësohet vetëm Mustafa për të gjitha këto “rezultate”,sepse shumë syresh i kishte trashëguar nga partneri i tij Thaçi. Porse kurrë nuk doli ta kuptojë se me koalicionin në të cilin hyri vetëm u bë dorë e zgjatur e PDK-së dhe se në fund do të bjerë kurban, sepse do ta humbë pozitën e kryeministrit shumë më shpejt seç e imagjinon.

Fizkulturat parapërgatitore për zgjedhje

Ndryshimi në qeverisjen e Kosovës do të mund të ndodhë hiç më larg se në pranverë. Ajo që po ndodh ditëve të fundit është krijimi i aleancave politike para se të shpallen zgjedhjet. Nuk është pra çudi që ditëve të fundit Haradinaj të vizitohet edhe nga VV-ja dhe Nisma në Francë, e që njëkohësisht të marrë urime të veçanta për pavarësi nga LDK-ja. Është edhe forcimi i subjekteve politike me fytyra populiste, që do t’i sjellin përqindje më të madhe votash AKR-së së Pacollit ta zëmë, dhe përfundimisht loja me demarkacionin që mund ta rrëzojë këtë Qeveri në çastin kur këtë ta vendosë Veseli. Ky i fundit, në përpjekjen për t’u treguar lider, madje prodhon spot publicistik në të cilin na e uron pavarësinë së bashku me nëntë fëmijë nëntëvjeçar, duke e shkelur Rregulloren e KPM-së, që e ndalon shfaqjen e fëmijëve në spote politike. Sepse, ky filmim nuk mund të kategorizohet ndryshe pikërisht për shkak se ai është kryetar i PDK-së në kohën kur mban kolltukun e kryetarit të Parlamentit.

Momenti kyç që do ta përcaktojë çështjen e zgjedhjeve do të jetë Gjykata Speciale. Varësisht se si do të vijnë informacionet për ngritjen e aktakuzave, ashtu do të veprohet edhe me zgjedhjet – që ato të ndodhin mundësisht para arrestimeve të para. Por, problemi me këto zgjedhje është se do të na i sjellin fytyrat e njëjta në politikë. Atë që mund të na sjellin është një kombinim më ndryshe të partive qeverisëse, në të cilën me gjasë xhokeri i përhershëm do të jetë AAK-ja e Haradinajt, që nuk e ka përjashtuar kurrë koalicionin me asnjë parti politike. Pra, si me zgjedhje, si pa to, sërish do t’i shohim fytyrat e njëjta – të atyre që tashmë e kanë treguar paaftësinë e tyre për të punuar për të mirën e këtij vendi, për shkak se prioritetet i kanë personale.

* * *

Kosova e pavarur në këta 9 vjet ka humbur shumë duke iu falënderuar partive të veta politike dhe apatisë qytetare që e kanë fundosur këtu ku është sot. Shtet i korrupsionit, i padrejtësisë, i hajnave, i papunësisë, i moszhvillimit ekonomik, i paperspektivës.

Pavarësia e njëmendtë e Kosovës do të ndodhë atëherë kur ky vend të çlirohet nga mentaliteti i grabitjes, i papërgjegjësisë, i zaptimit dhe mosndëshkimit. Atëherë kur në krye të këtij vendi të vijë një brez që Kosovën ta shohë si shtëpinë e vetme që ka dhe ta trajtojë të tillë. Atëherë kur ta kuptojmë të gjithë se ndryshimet në të gjitha sferat janë të mundshme me jo shumë mund, dhe vetëm me vendosmërinë për t’i shkatërruar krejt rrjetet e merimangave të krimit që e kanë mbështjellë.

Kjo nuk është e pamundur nëse populli do të kishte vullnet. E deri atëherë, do të vazhdojmë të kënaqemi me ndonjë tupan a surle që do të na e kujtojë se para nëntë vjetësh kishte qenë një ditë plot gëzimi e euforie. Çast kur për një ditë të vetme na bëri të besonim se për Kosovën nuk kishte asnjë kufi që nuk do të mund të kalohej dhe asnjë pengesë që nuk do të mund të kapërcehej.

Kufijtë e pengesat na i kanë krijuar dhe vazhdojnë t’i krijojnë udhëheqësit tanë. Sa më lehtë do të ishte pa ta. Shpresoj ajo ditë do të vijë më shpejt seç e parafytyrojmë.

[email protected]