Ligji i lë gratë në një gjendje të komprometuar, të varur, madje më pak të lira se më parë, krahasuar me burrat, të jetojnë pa mbikëqyrje të shtuar dhe të nënshtrohen në mënyrë sistematike e unike tekat e palëve të tjera private. Ajo që Jacqueline Rose e Institutit Birkbeck të Universitetit të Londrës për Shkenca Humane ka thënë për ngacmimin seksual të grave, “është e vërtetë” edhe për SB 8: Nuk është vetëm çështje e kontrollimit të trupave të grave, por edhe e pushtimit të mendjeve të tyre
Në vitin 1984, gjyqtarja e ndjerë e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Ruth Bader Ginsburg, mbajti një leksion se pse “Roe vs. Wade”, vendimi i Gjykatës i vitit 1973 që njihte një të drejtë kushtetuese për abortin, ishte vendim i gabuar. Rasti, shpjegoi ajo, nuk duhej të ishte krijuar kurrë si çështje e privatësisë apo zgjedhjes riprodhuese: fundja, aborti ishte çështje e barazisë gjinore.
Tridhjetë e shtatë vjet më vonë, Teksasi po sprovon pikën e Ginsburgut me ligjin e tij drakonian dhe potencialisht transformues të abortit. Nëse Gjykata e Lartë mbështet ligjin – ajo porsa ka dëgjuar argumente gojore nëse do të lejohen të vazhdojnë dy sfida ligjore paralelisht – kjo do t'i kthejë marrëdhëniet gjinore në një epokë që i paraprin kujtesës së gjallë të shumicës së amerikanëve.
Ligji i Teksasit, Projektligji 8 i Senatit (SB 8) nuk ndalon vetëm abortin pas gjashtë javësh. Ai gjithashtu fuqizon qytetarët e zakonshëm të padisin këdo që ndihmon ose nxit abortimin: një punëdhënës, paga e të cilit përdoret për ta financuar atë, një shofer që i ofron dikujt një udhëtim, ose një prind ose partner që i bëhet prehje. Përgjegjësia nuk kërkon dëshmi të qëllimit. Shoferi i taksisë, i cili padashur e çon një person në gjysmë të rrugës për në një klinikë aborti, i nënshtrohet një gjobe minimale prej 10.000 dollarësh. Ligji i Teksasit ka të ngjarë të jetë një model për rregullimin e abortit nëse vendos Gjykata e Lartë. Florida dhe Ohio tashmë po përpiqen të miratojnë ligje që lejojnë "mjete juridike" analoge private për të kufizuar abortin.
Pritshëm, Ligji i Teksasit ka nxitur tashmë një mbikëqyrje intensive të ofruesve të abortit. Por, SB 8 ka të ngjarë të ketë pasojë më të gjerë dhe më të fshehtë nëse mbetet në fuqi. Ai do t'ua nënshtrojë grave një jetë cenueshmërie dhe frike kundrejt çdo paditësi të mundshëm të autorizuar për të paditur – të cilin e përcakton ligji.
Kjo ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në zgjedhjen riprodhuese. Gjithashtu krijon në tri mënyra të ndryshme, një marrëdhënie varësie dhe përfundimisht, nënshtrim për gratë. Kjo i lë ato në një gjendje të pabarabartë dhe degraduese – një rezultat që është kryesisht i pavarur nga efektet e ligjit mbi abortin.
Edhe
Raporti i OKB-së: Gratë gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjore që gëzojnë burrat
Si fillim, SB 8 do të nxisë mbikëqyrjen ndërhyrëse të grave nga punëdhënësit, tregtarët dhe shoferët e zakonshëm, nëpunësit e farmacive dhe punonjësit e bankës. Sipas SB 8, të gjithë këta njerëz papritmas kanë një interes financiar për të ditur nëse gratë janë shtatzëna përpara se t'i ndihmojnë. Të huajt, jo më pak se miqtë e ngushtë, do të kenë një interes material për të ditur për jetën seksuale të një personi. Kështu, ligji rrezikon privatësinë seksuale të fituar me vështirësi të grave, pavarësisht nëse janë shtatzënë apo jo. Kjo humbje e privatësisë në lidhje me vendimet intime seksuale dhe trupore ka të ngjarë të jetë veçanërisht e thellë për gratë më të varfra dhe të margjinalizuara shoqërore, të cilat varen në mënyrë disproporcionale nga ndërveprimet me të tjerët në jetën e tyre të përditshme.
Për më tepër, stimujt financiarë të SB 8 ka të ngjarë të nxisin një mbikëqyrje më të madhe digjitale nga firmat që dëshirojnë të shmangin përgjegjësinë, si dhe shfrytëzimin më agresiv të “Big Data” për të dalluar statusin riprodhues të grave. Shumë firma tashmë kanë sisteme të gjera të mbikëqyrjes së vendit të punës (shpesh të zgjeruara gjatë pandemisë) që mund të mbledhin prova të shtatzënisë. Të tjerë kanë programe të mirëqenies që marrin të dhëna për lëvizjen, indeksin e masës trupore dhe tregues të tjerë biologjikë nga të cilët mund të konkludohet shtatzënia. Punëdhënësit që urrejnë rrezikun, mund t'i ripërpunojnë lehtësisht këto sisteme të monitorimit të vendit të punës me të dhëna të rënda për të zbuluar shtatzëninë.
Kështu, Ligji i Teksasit u jep aktorëve privatë licencën dhe nxitjen financiare për të ushtruar një shkallë kontrolli mbi trupin e grave dhe privatësinë seksuale që ata nuk mund ta ushtrojnë në lidhje me burrat. Kjo prek edhe personat transgjinorë, të cilët mund të kenë arsye të lidhura me sigurinë për të dashur të fshehin seksin e tyre në vendin e punës dhe që tani janë më pak në gjendje ta mbajnë identitetin e tyre privat.
Efekti i dytë është edhe më intim. Duke kaluar pragun e shtëpisë, SB 8 godet drejtpërdrejt mbështetjen emocionale dhe besimin që familja, martesa dhe partneriteti synojnë të ofrojnë. Një grua që i thotë një prindi ose partneri se mund të ketë një abort rrezikon ta bëjë atë person financiarisht përgjegjës. Përveç grabitjes së privatësisë seksuale të grave, SB 8 zbulon kështu lidhjet e dashurisë dhe kujdesit që mbajnë shumë prej nesh dhe i japin kuptim jetës sonë.
Miqësia do të komprometohet gjithashtu. Po sikur një grua t'i kërkojë një shoku të marrë hua para ose për një udhëtim në Oklahoma fqinje? A duhet tani shoku të pyesë nëse është për një abort? Ndryshe nga urdhri biblik, SB 8 i bën të gjithë rojtarë të motrës së tyre - por në një mënyrë të padrejtë dhe egoiste.
Së fundi, dhe më shqetësuesja, SB 8 nuk ka asnjë përjashtim për përdhunimin. Sipas ligjit, një nënë që e çon vajzën e saj me makinë në klinikë mund të paditet, por një përdhunues jo. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka thënë se përjashtimi i përdhunimit është i panevojshëm, sepse përdhunimet ndiqen gjithmonë penalisht. Kjo do të ishte absurde nëse nuk do të ishte kaq tmerrësisht e gabuar. Në nivel kombëtar, shumica e viktimave të sulmeve seksuale as që e raportojnë krimin te zyrtarët e zbatimit të ligjit. Teksasi nuk është ndryshe.
SB 8 do ta përkeqësojë krizën – ndoshta shumë më keq. Për shkak se ligji e bën të kushtueshme për gratë ndarjen e besimit, duke përfshirë familjen dhe miqtë e ngushtë, ai rrit presionin ndaj tyre për të heshtur pas përjetimit të dhunës seksuale, duke i bërë ato edhe më të pamundura për ta raportuar atë. Në mënyrë të çoroditur, ligji krijon kështu një nxitje për sulmuesit meshkuj që të nxisin rrezikun e shtatzënisë si një mënyrë për të heshtur viktimat e tyre.
Ligji i lë gratë në një gjendje të komprometuar, të varur, madje më pak të lira se më parë, krahasuar me burrat, të jetojnë pa mbikëqyrje të shtuar dhe të nënshtrohen në mënyrë sistematike dhe unike tekat e palëve të tjera private. Ajo që Jacqueline Rose e Institutit Birkbeck të Universitetit të Londrës për Shkenca Humane ka thënë për ngacmimin seksual të grave është e vërtetë edhe për SB 8: "Nuk është vetëm çështje e kontrollimit të trupave të grave, por edhe e pushtimit të mendjeve të tyre".
Edhe Dita Ndërkombëtare e Gruas: Tetë veprime për një botë më të barabartëNe besojmë se qëllimi i SB 8 shkon edhe më tej. Ai synon të kufizojë gratë në një pozicion inferior në shoqëri. Ginsburg kishte të drejtë: e drejta për liri riprodhuese është thelbësore për barazinë e grave.
(Chiaria Cordelli është profesoreshë e asocuar e shkencave politike në Universitetin e Çikagos dhe autore e “The Privatized State (Princeton University Press, 2020. Aziz Huq është profesor i së drejtës në Universitetin e Çikagos dhe autor i librit që pritet të botohet së shpejti, “The Collapse of Constitutional Remedies (Oxford University Press, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)