OpEd

Nekrologji për DOGE-in

Storia e dështimit të DOGE-it është tregues i bukur i mënyrës së funksionimit të botës së Trumpit. Sikur në plot tema të tjera nacionale, siç janë migrimi, inflacioni apo NATO-ja, edhe në çështjen e efikasitetit të administratës amerikane Trump ishte i shkëlqyer në kapjen e sentimentit publik dhe identifikimin e problematikës politike. Ajo ku ai është tepër i dobët, është në dizajnimin dhe zbatimin e një zgjidhjeje

Kohëve të fund një lajm nuk mori vëmendjen e duhur. DOGE apo Departamenti për Efiçiencë Qeveritare u mbyll. U mbyll shumë para kohe, në fakt. U mbyll në heshtje krejt ndryshe nga mënyra se si u lansua. DOGE u lansua me një fanfarë të jashtëzakonshëm. Ai u mbështet nga njeriu më i fuqishëm në botë (Trump) dhe njeriu më i pasur në botë (Musk). Ata prezantuan DOGE-in jo vetëm si një projekt politik apo institucion i ri i shtetit, por një “lëvizje” që do të shpëtojë popullin amerikan nga “pushteti i katërt”. DOGE ishte përgjigjja e cila më në fund do të “drain the swamp” dhe do revanshohet “deep state-it”. 

Kur DOGE u lansua Trump e prezantoj si lëvizje që “do të çmontojë burokracinë qeveritare, do të zvogëlojë shpenzimet e tepërta dhe do të ristrukturojë agjencitë federale”. DOGE, sipas tij, “do të jetë Projekti Manhattan i kohës moderne”. Po kaq megaloman ishte edhe Musk. Gjatë një konference në Washington Musk doli në skenë me një sharrë elektrike si mesazh për të ardhmen që e pret burokracinë amerikane. Ai premtonte se DOGE do të kursejë dy trilionë dollarë të buxhetit amerikan. Për të DOGE ishte “mundësia e vetme që populli amerikan të mposhtë burokracinë, sundimin e burokratëve dhe të shpëtojë demokracinë, sundimin e popullit. Kurrë më nuk do të kemi një mundësi sikur kjo. Është tani apo kurrë”. Siç duket në fund doli të ishte - kurrë. 

Storia e dështimit të DOGE-it është tregues i bukur i mënyrës së funksionimit të botës së Trumpit. Sikur në plot tema të tjera nacionale, siç janë migrimi, inflacioni apo NATO, edhe në çështjen e efikasitetit të administratës amerikane Trump ishte i shkëlqyer në kapjen e sentimentit publik dhe identifikimin e problematikës politike. Ajo ku ai është tepër i dobët është në dizajnimin dhe zbatimin e një zgjidhjeje. Kësisoj Trump (dhe Musk) kishin të drejtë kur flisnin për nevojën e reformimit të administratës amerikane. Administrata amerikane, sikur pothuaj çdo administratë shtetërore në botë, duhet të bëhet më efikase, më inovative dhe më llogaridhënëse. Sidoqoftë, problemi është që as Trump, as Musk nuk ishin sinqerisht të interesuar për zgjidhjen e kësaj problematike. Ata dëshironin spektakël sikur ai i llojit të mbylljes së USAID-it. Fakti që ata zgjodhën USAID-in si viktimë të tyre ishte tregues më i mirë që ata nuk janë seriozë. USAID përbënte vetëm 0.5% të shpenzimeve federale amerikane. Thënë ndryshe, USAID nuk ishte asnjë problem. Ndërsa, nga ana tjetër, skemat sociale amerikane të cilat janë problemi kryesor i efikasitetit të buxhetit amerikan dhe përbejnë 40% të shpenzimeve federale nuk guxuan të preken kurrë nga Trumpi dhe Musku. Thënë ndryshe, Trump dhe Musk dëshironin spektakël, jo reformë. “Nuk mund të garantoj sukses, por mund të garantoj spektakël”, thoshte Musk. Por problemi me spektaklin në sektorin publik është që sektori publik nuk është i dizajnuar për spektakël, por për konsistencë të politikave monotone publike. Brenda jetës së institucioneve publike tendenca për spektakël trazon sistemin dhe përkthehet në kaos. Dhe kjo është çfarë kemi parë me çdo iniciativë të Trumpit - me kalimin e kohës çdo iniciativë e tij kthehet në kaos. Së fundi këtë e shohim nëpër rrugët e Minesotes dhe samitet e Davosit. Dhe kjo nuk është risi e presidencës së dytë të Trumpit. Kështu ishte edhe në presidencën e parë të tij. Duke e analizuar presidencën e parë të Trumpit autori Peter Bergen konkludoi se titulli më i përshtatshëm për librin e tij do të ishte “Kostoja e Kaosit: Administrata e Trumpit dhe Bota”. 

Kur DOGE u lansua premtimi kryesor i tij ishte se do të kursejë 2 trilionë dollarë amerikanë. Me kalimin  kohës ky premtim u zvogëlua në 10% të kësaj shume, respektivisht 214 miliardë. Dhe në fakt edhe ky premtim i zvogëluar doli të ishte spektakël. Pas auditimit të punës së DOGE-it, Zyra  e Llogaridhënies Qeveritare konfirmoi se pretendimi i DOGE për kursimin e 214 miliardë dollarëve ishte matematikisht i pabazuar. Përfitimi neto real i kursimeve për taksapaguesin amerikan në vitin 2025 u vlerësua në afërsisht 18 miliardë dollarë. Pra 0.9% të synimit të deklaruar. 

Kur DOGE u mbyll Musk u pyet për përvojën e tij me administratën amerikane. Ai u përgjigj “Duke ditur atë që di tani, nuk mendoj se do ta bëja përsëri”. Ky pranim i Musk-ut të mposhtur vjen gati një vit nga ai momenti kur Musk i entuziazmuar doli në skenë me sharrë elektrike për të kërcënuar burokracinë amerikane. Është ironi e bukur që kësaj radhe sharra me të vërtetë hasi në gozhdë. 
Kur Trumpi filloi betejën e tij me “deep state-in” e kam shkruar një kolumnë me titullin “Shtëpia gjithmonë fiton”. Në të kam mbrojtur tezën që beteja e Trumpit kundër administratës amerikane është betejë e humbur. Një vit më vonë dështimi i DOGE-it është ilustrim më i bukur i kësaj beteje të humbur. 

Vendosa të shkruaja për storien e DOGE-it, sepse në storien e tij ka mësim edhe për neve. Edhe këtu tek ne politikanët shpesh vinë në pushtet me bindjet se duke krijuar DOGE-at tonë të llojit “Koordinatorët Nacionalë për Reforma” apo “Task Forcat” ata mund të ndryshojnë gjërat shpejt e shpejt. Sikur Trumpi dhe Musku, ata mendojnë se fjalimet e bukura, tweet-at viralë dhe spektakli mund të zëvendësojnë punën e mundimshme dhe monotone të reformimit inkremental të politikave në publik. Koha ka dëshmuar që kjo është e pamundur. Këtë tani e ka kuptuar edhe njeriu më i fuqishëm në botë dhe njeriu më i pasur në botë. Uroj ta kuptojnë edhe politikanët tanë.