OpEd

Në ditëlindjen e 70-të, NATO-ja kërkon identitetin e ri

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, edhe ai i Francës, Emanuel Macron, janë të pakënaqur me NATO-n e sotme, por me motive të ndryshme. Ata thonë pak a shumë të njëjtën gjë, që NATO-ja është si “truri i vdekur”, siç shprehet Macron apo se “Amerika nuk do të paguajë për mbrojtjen e fëmijëve evropianë”, siç thotë Trump, dhe që të dy e vënë në dyshim themelin mbi të cilin deri sot ka ekzistuar dhe vepruar NATO-ja. Brexiti është një test i madh edhe për të ardhmen e NATO-s, prandaj edhe vetë fakti se samiti për të kremtuar ditëlindjen re 70-të të Aleancës po zhvillohet në Londër është domethënës. Me Brexit ndikimi i shteteve të BE-së në kapacitete ushtarake të Aleancës bëhet pothuajse simbolik.

E krijuar para plot 70 vjetësh, Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO-ja, kishte për qëllim kryesor mbrojtjen e vendeve perëndimore të Evropës nga ndonjë kërcënim nga blloku komunist i Bashkimit Sovjetik. Kur në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, pasi Lufta e Ftohtë besohej se kishte përfunduar, dhe shumë shtete të ish-bllokut komunist tashmë ishin në rrugë drejt integrimit në BE dhe në NATO, u parashtrua pyetja se a ka më nevojë bota për një NATO ndodhi lufta në Kosovë. NATO-ja përmes ndërhyrjes për ta shpëtuar popullin e Kosovës, në një mënyrë gjeti arsyen e ekzistimit të saj edhe pas Luftës së Ftohtë. Për herë të parë NATO-ja ndërhyri në një hapësirë jashtë hapësirës së shteteve anëtare. Pas kësaj u vendos në Kosovë për të ruajtur paqen, por pa u angazhuar shumë politikisht, ani pse Aleanca për vetveten dëshiron të krijojë përshtypjen se para së gjithash është Aleancë politike e pastaj ushtarake.

Ndërhyrja e kufizuar në Bosnjë-Hercegovinë, pastaj ajo në Kosovë dhe vendosja e trupave në të dyja këto shtete dëshmuam se bota e lirë ka nevojë ende për NATO-n. Por dëshmuan se, për t’u përballur me kërcënimet e reja për sigurinë kolektive nuk mjafton që NATO-ja vetëm të ekzistojë, duke mos bërë asgjë dhe të gjithë të tjerët nga frika që kanë nga madhësia e Aleancës, do të përmbahen dhe të mos guxojnë të kërcënojnë. NATO-ja nuk mjafton më të jetë një klub debati, i cili nuk bën asgjë dhe në këtë mënyrë siguron që askush të mos e sulmojë asnjë shtet anëtar. Sepse shtetet anëtare të NATO-s dhe qytetarët e tyre mbrohen tash, duke vepruar edhe jashtë kufijve të tyre. Sepse ata që kërcënojnë nuk njohin më kufi.

Sado që në NATO mendojnë se po u përshtaten ndryshimeve në botë dhe kërcënimeve të reja të sigurisë, kjo aleancë është shumë dembele, tejet e ngadalshme dhe shumë e parashikueshme. Nëse do që të merret më seriozisht, atëherë duhet të veprojë në mënyrë më të vendosur, të mos jetë aq hezituese. Por kjo nuk varet nga ata që veprojnë në selinë e Aleancës në Bruksel, sa nga qëndrimet e shteteve anëtare. E këtu janë dy apo tri shtete kryesore, që të tria fuqi bërthamore; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca.

Për shkaqe historike Gjermania ende në NATO nuk e ka ndikimin politik që do ta meritonte nga fuqia e saj ekonomike. Dhe Berlini as që do të donte të ketë më shumë ndikim, sepse kjo do të kërkonte edhe më shumë shpenzime financiare.

NATO-ja pikërisht gjatë luftës së Kosovës kremtoi 50-vjetorin e ekzistimit të saj. Tash kur shënon 70-vjetorin përsëri përballet me pyetjen rreth identitetit dhe së ardhmes së saj. Janë dy presidentë të shteteve më të fuqishme të Aleancës ata që sulmojnë dhe kritikojnë NATO-n çfarë është sot. Presidenti i Francës, Emanuel Macron, e ka quajtur Aleancën si një organizëm në gjendje të “vdekjes mentale”, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tash e sa vite kritikon aleatët evropianë pse nuk duan “të paguajë më shumë për NATO-n” dhe ka vënë në dyshim gatishmërinë amerikane për t’i mbrojtur aleatët sipas artikullit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që thotë se sulmi ndaj një shteti anëtar është sulm ndaj të gjithëve. A e sulmon Aleancën me evropianët Trump në interes të Rusisë për ta dëmtuar Aleancën, apo për shkak se ai e kupton atë si një firmë për siguri që duhet ta paguash nëse do që të të mbrojë, është një çështje tjetër. Por sa i përket kërkesës që vendet e BE-së të shpenzojnë më shumë për mbrojtje, kjo është kërkesë e të gjithë presidentëve amerikanë, që nga Clinton e deri tek Bush dhe Obama. Trumpi ndryshon në stil dhe në kuptimin tepër të thjeshtë të NATO-s, duke bërë edhe gabime faktike, sepse anëtarët e NATO-s nuk paguajnë, por investojnë në forcat e veta ushtarake që vendosen pastaj në shërbim të përbashkët në rast nevoje, por nuk është as i pari e as i fundit që thotë një të vërtetë, se vendet evropiane nuk e kuptojnë sa duhet seriozisht nevojën për të investuar në mbrojtje, sidomos kur kjo nuk është e popullarizuar tek qytetarët, të cilët më me dëshirë do të shihnin rritjen e investimeve në shkollim, shëndetësi dhe digjitalizim.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, edhe ai i Francës, Emanuel Macron, janë të pakënaqur me NATO-n e sotme, por me motive të ndryshme. Ata thonë pak a shumë të njëjtën gjë, që NATO-ja është si “truri i vdekur”, siç shprehet Macron, apo se “Amerika nuk do të paguajë për mbrojtjen e fëmijëve evropianë”, siç thotë Trumpi, dhe që të dy e vënë në dyshim themelin mbi të cilin deri sot ka ekzistuar dhe vepruar NATO-ja. Me këto kritika, të dy presidentët kanë siguruar që të kenë interesin më të madh të mediave drejtuar nga ta gjatë samitit të Londrës të martën dhe të mërkurën. Brexiti është një test i madh edhe për të ardhmen e NATO-s, prandaj edhe vetë fakti se samiti për të kremtuar ditëlindjen e 70-të të Aleancës, po zhvillohet në Londër është domethënës. Me Brexit ndikimi i shteteve të BE-së në kapacitete ushtarake të Aleancës bëhet pothuajse simbolik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë barrën më të madhe në fuqinë e përgjithshme të NATO-s, ndërsa Britania e Madhe është e dyta. Me daljen e Britanisë nga BE-ja, Franca mbetet e vetmja fuqi bërthamore, e cila është edhe në BE, edhe në NATO. Franca mund të mendojë se mund të rriten kapacitetet e BE-së në fushën e mbrojtjes, me rolin e saj udhëheqës, e me këtë edhe me përfitime nga industria franceze në fushën e mbrojtjes. Por një qasje e tillë shqetëson jo vetëm shtetet e lindjes, si ato baltike dhe Polonia, që kanë frikë nga politika agresive e Rusisë, por edhe Gjermaninë, e cila është e vetëdijshme se Evropa e vetme pa SHBA-në nuk është në gjendje të njëjtë të sigurojë mbrojtjen e qëndrueshme.

Pos këtyre sfidave, NATO-ja përballet edhe me dallimet e mëdha në qëndrimet politike. Po shihet kjo edhe në trajtimin e Kosovës, të cilën NATO-ja e shpëtoi dhe e çliroi, por nuk e trajton si shtet dhe në sjellje politike ndaj Kosovës më shumë respekton qëndrimet e atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sesa të atyre që e kanë njohur.

Dallimet e mëdha politike kanë dalë edhe mes disa shteteve perëndimore dhe Turqisë, e cila deri vonë ishte një prej shteteve më të rëndësishme anëtare. Tash Turqia është tepër e afërt me Rusinë dhe është në shënjestër të kritikave të disa shteteve anëtare për shkak të luftimeve në Siri. Në anën tjetër, kuptimi i demokracisë nga ana e presidentit amerikan, Trump, është e tillë saqë ai nganjëherë edhe preferon që shtetet të jenë më shumë si Turqia, ku një person mund të vendosë, se atë kenë procedura të komplikuara për të vepruar. Pas samitit të fundit në Bruksel vitin e shkuar disa citonin presidentin amerikan t’u ketë thënë shefave të shteteve evropiane, kur këta arsyetoheshin se nuk mund të marrin vendim aq lehtë për të shpenzuar më shumë në mbrojtje, sepse duhet t’i ndjekin procedurat: “shikoni se si bën ky dhe merrni shembull”, duke drejtuar gishtin nga presidenti i Turqisë, Erdogan.

Për NATO-n dhe për sigurinë euro-atlantike është me rëndësi që të ndërtojë një strukturë dhe t’i ruajë parimet, të cilat nuk do të mund të lëkunden sa herë që në një shtet të rëndësishëm të vijë ndonjë president i caktuar, qoftë ai në Paris, Ankara apo Washington. Në të kundërtën, gjithmonë do të përballet me dilemat se a është Aleanca e duhur apo jo, dhe a ka nevojë apo jo bota më për një NATO.