OpEd

Në Bruksel nuk shkohet vetëm për dialog

Dialogu me Serbinë që po zgjat mbi dhjetë vjet, pos që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, duke e vënë në pikëpyetje shtetësinë e saj, ka krijuar edhe trauma. Në Kosovë mendohet se në Bruksel shkohet vetëm për dialog. Prandaj edhe vizita e parë e kryeministrit Kurti në Bruksel më së shumti u komentua në lidhje me dialogun, edhe pse ai pati shumë takime që për zhvillimin e Kosovës dhe bashkëpunimin me BE-në janë shumë më të rëndësishme sesa dialogu. Sepse dialogu mund të vazhdojë, apo edhe të mos vazhdojë, mund të prodhojë një marrëveshje, por mund edhe të dështojë. E Kosova nuk e ka luksin që fatin e qytetarëve të saj ta lidhë me një dialog i cili nuk e ka të qartë as të kaluarën, as të tashmen e as të ardhmen

Është pothuajse rregull e pashkruar që qeveritë e reja në shtete që synojnë anëtarësimin në BE, sapo të marrin mandatin, ta zgjedhin Brukselin si adresën e parë për vizitën e parë të jashtme. Në këtë mënyrë përçojnë mesazhin simbolikë për përkushtimin e tyre për integrime euroatlantike, për bashkëpunim me NATO -n, në aspektin e sigurisë dhe me BE-në në fushat e shumta. Bëri kështu edhe Albin Kurti, i cili së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Grvalla-Shwartz dhe Besnik Bislimin vizituan Brukselin. E nisën me kryeministrin e Belgjikës, shtetin e rëndësishëm të BE-së ku Kosova ka edhe Ambasadën e saj, e cila kryen punë edhe në raporte me BE-në, përkundër faktit se BE-ja dhe Kosova formalisht nuk kanë raporte diplomatike. Pastaj takon udhëheqësit e tri institucioneve kryesore të BE-së, përmes video-lidhjes, presidentin e Këshillit, Charle Michel, pastaj në takim të veçantë presidenten e Komisionit, Ursula von der Lyen, dhe më vonë edhe atë të Parlamentit Evropian, David Sasolli. Takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. NATO-ja siç ka bërë edhe herëve të mëparshme, njoftoi për këtë takim pa e përmendur se në çfarë cilësie e takonte shefi i kësaj organizate Kurtin. Mesazhi ishte se Stoltenberg takoi “njëfarë Albin Kurti të Kosovës”, si kishte takuar më parë edhe “Isa Mustafën e Kosovës” apo “Avdullah Hotin e Kosovës”. E dimë se katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën. E dimë se NATO-ja është organizatë e bazuar në vendime me konsensus. Por është qesharake, e madje edhe fyese të tallet ashtu shefi i një organizate e cila është aq thellë e futur në zemrat e kosovarëve. Stafi i shefit të NATO-s në këtë mënyrë po del edhe vetë qesharak, siç u pa edhe përmes një postimi të Misionin Amerikan në NATO ku ata u desh të sqaronin opinionin se Stoltenberg takoi “kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti”. Por edhe ai takim kishte rëndësinë e tij, sepse edhe Qeveria e re e ka bashkëpunimin me NATO-n dhe synimin për anëtarësim qëllim strategjik.

Por numrin më të madh të takimeve Kurti e pati në selinë e Komisionit Evropian. Me njerëz që pakkush ua ka dëgjuar emrin. E ata janë njerëzit kryesorë që vendosin për të ardhmen e BE-së, për rimëkëmbjen pas pandemisë, për fatin e financave. U takua me komisarin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Gati gjysma e buxhetit të BE-së shkon për këto politika. Pastaj me komisarin për Energji. Kjo është një prej politikave kryesore në BE tash e në të ardhmen. U takua edhe me zëvendëskryetarin ekzekutiv për Financa, Valdis Dombrovsis, i cili ka në dorë fatin e miliarda eurove që do t’u jepen në dispozicion vendeve anëtare. Pra, dy mega-paketa që në shtatë vjetët e ardhshëm shkojnë mbi 1800 miliardë euro. U takua edhe me komisarin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, i cili ka përsipër raportet me shtete që janë në procesin e zgjerimit, apo presin të jenë pjesë e tij në të ardhmen, si Kosova. Në të gjitha këto takime u diskutua edhe për betejën kundër pandemisë dhe ndihmën që Kosova pret nga BE-ja në këtë drejtim.

Këta komisarë përfaqësojnë politikat më të suksesshme të BE-së. Fushat ku BE-ja është më e mira në botë dhe për të cilat ka nevojë për ndihmë Kosova. Sepse edhe Kosova po përballet me sfidat në zhvillimin rural. Fshatrat po boshatisen dhe përvoja e ndihma e BE-së janë të domosdoshme. Jo vetëm duke dhënë para, por edhe shembuj. Sistemi energjetik në Kosovë nuk është as për së afërmi në përputhje me legjislaturën e BE-së. Në fakt, Kosova me termocentralet e saj më shumë i ndot dhe i helmon qytetarët sesa i furnizon me energji. Ideja e Komisionit Evropian që shtetet si Kosova të përshtaten sa më shumë që të jetë e mundur me politikat e BE-së, pa marrë parasysh se në cilën fazë janë në procesin e integrimit, është një prej ideve më të mira. Sepse për të përfituar nga politikat e BE-së nuk duhet pritur vetëm anëtarësimin.

E pastaj Kurti pati takim edhe me përfaqësuesin e lartë Borrell. Ai përfaqëson politikën më të dështuar të BE-së. Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Politikë ku BE-ja jo vetëm nuk po i afrohet fuqisë së saj ekonomike në botë, por po dështon edhe të ketë qëndrime të qarta. E duke qenë e fortë në ekonomi dhe e dobët në polikë të jashtme, BE-ja në fund paguan më së shumti. Është edhe donator më i madh në botë për shtetet e pazhvilluara, për ndihmë humanitare, por këtë fuqi nuk e ka transferuar në ndikim global politik, për shkak se politika e jashtme e BE-së është hezituese, e paqartë. Kosova është shembull më i mirë për këtë.

E në këto takime u diskutua kryesisht për dialogun. Sepse ai është në dorë të Borrellit dhe të ekipit të tij, që është një prej elementeve i cili nuk jep shumë arsye për të pasur shpresë.

Borrell nuk hezitoi kësaj radhe edhe ta kërcënojë Kosovën, duke thënë se “rruga e saj do të jetë e bllokuar”. Më vonë sqaroi se nuk ka thënë se “Kosova do të jetë e bllokuar”, por se “procesi i integrimit në BE do të jetë i bllokuar, pasi Kosova ka nevojë për njohje ndërkombëtare”. Pra, ai edhe një herë e lidhi fatin e Kosovës me dialogun me Serbinë. Për habi, disa ditë më herët ndaj Serbisë nuk e dërgoi këtë kërcënim. Dhe po ta kishte dërguar nuk do ta kishte thënë të vërtetën. Sepse Serbia edhe pa marrëveshje me Kosovën që kur ka nisur dialogu ka bërë shumë avancim në procesin e integrimeve evropiane. Progres të pakrahasueshëm me Kosovën, Serbia ka liberalizim vizash, ka marrë statusin e kandidatit, ka nisur negociatat dhe ka hapur disa kapituj. Kosova nuk është ende as në fillim të rrugës. Kjo, për shkak se nuk është njohur nga pesë shtete anëtare. Dhe po të pyetet Borrelli, sikur edhe nëpunësit e tij që merren me dialogun, e rolin kryesor e kanë ata nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, njohja mund të vijë vetëm pasi këtë ta bëjë Serbia. Pra, nuk ka dallim shumë mes tyre dhe qëndrimit të Rusisë.

pa marrë parasysh këtë, Kosova nuk ka zgjidhje tjetër pos të vazhdojë të marrë pjesë në dialog. Do të ishte mirë këtë ta bënte me më shumë dinjitet sesa deri më tash, me më shumë qartësi sesa në dhjetë vjetët e kaluara. Dhe të bëhet gati të përballet edhe me dështimin e dialogut. Sepse deri më tash Kosova ishte më shumë në shërbim të dialogut sesa dialogu në shërbim të Kosovës. Dialogu vetëm i bëri dëme, ndihmoi në tërheqjen e njohjeve (Serbia me sukses përdori dialogun për të bindur disa shtete se statusi i Kosovës nuk është çështje e mbyllur dhe BE-ja nuk reagoi ndaj kësaj), inkurajoi Beogradin që të kërkojë ndryshime të mëdha në rregullimin e brendshëm të Kosovës, pa e njohur Kosovën, dhe nuk mori asgjë, as liberalizimin e vizave, i cili as që do të duhej të lidhej me dialogun.

Dialogu me Serbinë që po zgjat mbi dhjetë vjet, pos që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, duke e vënë në pikëpyetje shtetësinë e saj, ka krijuar edhe trauma. Në Kosovë mendohet se në Bruksel shkohet vetëm për dialog. Prandaj edhe vizita e parë e kryeministrit Kurti në Bruksel më së shumi u komentua në lidhje me dialogun, edhe pse ai pati shumë takime që për zhvillimin e Kosovës dhe për bashkëpunimin me BE-në janë shumë më të rëndësishme sesa dialogu. Sepse dialogu mund të vazhdojë, apo edhe të mos vazhdojë, mund të prodhojë një marrëveshje, por mund edhe të dështojë. E Kosova nuk e ka luksin që fatin e qytetarëve të saj ta lidhë me një dialog i cili nuk e ka të qartë as të kaluarën, as të tashmen e as të ardhmen.

Por problemi me Kosovën është se dialogu mund të përdoret për shantazh po ashtu, sepse, nëse nuk do të ketë dialog, na thonë në BE, nuk do të ketë bashkëpunim me BE-në as në fushat e tjera. Sepse edhe BE-ja e sheh Kosovën vetëm në prizmin e dialogut. Dialogu kështu ka vënë nën hije shumë gjëra konstruktive, të rëndësishme dhe vitale për qytetarët që mund të bëhen me BE-në e që vështirë depërtojnë në opinion. E ato janë politika në të cilat Kosova ka dështuar deri tash. Nuk i ka përfillur kërkesat dhe rekomandimet e BE-së. As ato për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, as për mbrojtjen e mjedisit, as për përmirësimin e administratës publike, as gjyqësorin e as ato për energjinë. Prandaj do të jetë e rëndësishme që Qeveria e re të fokusohet në bashkëpunim me BE-në në sa më shumë fusha, e jo vetëm ta ketë si opsesion dialogun, e besa edhe arsyetim për të mos bërë asgjë në fushat e tjera.