E vërteta (“për subjektin”) në politikë është perceptimi që kanë qytetarët (votuesit) për atë subjekt dhe jo perceptimi që kanë strukturat për vetveten.
Sot në LDK nuk është koha për të ndenjur indiferentë, e për ta bërë të paanshmin e sehirxhiun, ngase LDK-ja është në një hendek.
Kuvendi i LDK-së, sado që në dukje të parë të dielën zgjedh vetëm kryetarin, në të vërtetë aty vendoset fati i viteve të ardhshme, jo vetëm i LDK-së…
Aktualisht, LDK-ja ka një betejë përpara, por nga më të vështirat, ngase është beteja me vetveten. Me vetveten dhe mangësitë organizative, strukturore, programore e të dialogut publik, me të zhgënjyerit për shkak të kthesave të saja të shpeshta e të shpejta, në të cilat s’arrinte ta përcillte as votuesi më besnik si dhe, veçanërisht, për shkak të politikave katastrofale kadrovike në degë e nëndegë, ku tarafe lagjesh ia filtronin e përcaktonin partisë edhe superstrukturën dhe elitën qendrore reprezentative!
Kjo sfidë e radhës, edhe pas 14 marsit, kërkon angazhimin e painteres personal të të gjithë elitave intelektuale, kulturore e politike të Lidhjes Demokratike (ato të sotmet dhe djeshmet e pardjeshmet) – në procesin e shoshitjes dhe zbardhjes së përgjigjeve sa më konkrete – karshi të gjitha sfidave që ka LDK-ja me vetveten, sikurse edhe të atyre që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe të ardhmen e vendit. Te angazhohen dhe flasin e debatojnë publikisht, edhe përkundër faktit se janë mënjanuar e lënë në periferi të strukturave. Dhe, pse jo, pa asnjë hezitim, të marrin edhe anë për kandidatët që i shënjojnë si më të duhurit për kohën dhe rrethanat.
Ndryshimi!
Perceptimi që kishte qytetari kosovar për LDK-në e shkurtit të vitit 2021 duhet parë drejt në sy, e jo t’i shmanget përballjes me idenë “se qytetarët e votuesit tanë janë vënë në lajthitje, ndërkohë që e vërteta qenka krejt tjetër.”
E vërteta (“për subjektin”) në politikë është perceptimi që kanë qytetarët (votuesit) për atë subjekt dhe jo perceptimi që kanë strukturat për vetveten.
LDK-ja e sotme duhet ta ndryshojë veten, në mënyrë që ta ndryshojë perceptimin e qytetarëve dhe ta rifitojë me të drejtë besimin e tyre.
Zaten, pa e ndryshuar vetveten dhe sjelljet e saj, LDK-ja s’mund të pretendojë që ta realizojë misionin e saj burimor – të ndryshojë dhe forcojë Kosovën, shtetin, drejtësinë dhe demokracinë në vend.
Andaj, ne s’guxojmë ta devijojmë debatin. S’bëhet më fjalë se detyra e kuvendit qenka që një kryetar të dorëhequr ta zëvendësojë me një tjetër.
Çështja – e reduktuar vetëm në aktin 10-sekondësh të rrumbullakimit të një emri për kryetar partie – s’përcaktohet nga interesi juaj personal se “cilin nga kandidatët e keni më shok dhe helbete ju ofron në ekip”, ndërkohë që LDK-ja edhe për shkak të këtij mentaliteti të etabluar (kryesisht) ka marrë rishtazi flakaresha tronditëse e ndëshkuese nga votuesit (me shumë gjasë edhe me mosvotim nga vetë anëtarë strukturash) e saj, si rezultat i pritshmërive të papërmbushura…
Strukturat e ngjizura partiake të tarafeve stërkeqe nga badihavxhinj të lagjeve s’e patën zgjedhur për delegat të nëndegës së Dragodanit as Dr. Prof. Fehmi Aganin, i cili atëbotë ishte nënkryetar partie dhe më i afërti i presidentit Rugova, por Rugova s’i thoshte as Aganit, as intelektualëve të tjerë, siç bën LDK-ja tash e sa vite, “shko anëtarësohu në nëndegën në Matiçan, merr pjesë në debatet e çajtores, pastaj rahmeti i tyre ndoshta të delegon dhe pastaj flasim...
Rrethana e sotme e LDK-së kërkon, në fakt, një debat të gjerë e të sinqertë në të gjitha nivelet, por ja që vendimi për kryetarin e ri duhet të merret shpejt, të dielën, dhe shumëkujt si vogëlsisë sime s’na mbetet tjetër përveçse të bëjmë apel:
“Ndrysho veten dhe moton tënde, që të ndryshojë LDK-ja”– ky është apeli i kohës, ngase pa e ndryshuar mentalitetin, kulturën politike dhe qasjen tuaj karshi Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elitave që duhet t’i prijnë asaj – LDK-ja dhe perceptimi (vota qytetare) për të – s’ka asnjë gjasë të ndryshojë!
Bardhyl Meta
12.01.2021