Armët e dizajnuara për vrasjen masive të civilëve, për terrorizimin e botës dhe për ta mundësuar mosndëshkueshmërinë e krimeve të luftës nuk mund të llogariten më si mjete për të “parandaluar luftë”. Një tjetër trashëgimi e agresionit të Putinit në Ukrainë dhe gatishmëria e tij për të vringëlluar me kërcënime të armëve bërthamore do të jenë një përpjekje e përtërirë për ta liruar botën prej tyre
Ngjarjet e tre muajve të fundit në Ukrainë – si aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe sulmi në Ukrainën lindore gjatë vitit 2014, pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003 dhe lufta e gjatë me grupe besnike në Siri – e kanë shtruar terrenin për të pretenduar se armët bërthamore e ndalin luftën. Parandalimi bërthamor mund t’i ndalojë vendet e pajisura me armatë bërthamore që të përfshihen drejtpërsëdrejti në luftë me njëra-tjetrën, njësoj siç mund ta ndalojë përshkallëzimin dhe përhapjen e luftërave në Atlantikun Verior apo në Paqësor. Por është njashtu po aq e mundur që parandalimi bërthamor të shkaktojë luftë dhe t’u mundësojë udhëheqësve që të veprojnë pa u ndëshkuar.
Armët bërthamore qartazi nuk e kanë ndalur Rusinë që të zhvillojë luftë agresive kundër Ukrainës. Përkundrazi, presidenti Vladimir Putin është duke i përdorur kërcënimet bërthamore si një mburojë, prapa së cilës mund të kryejë krime flagrante, të rënda dhe sistematike të luftës – dhe mbase edhe krime kundër njerëzimit.
Shtetet që kanë armë bërthamore shpeshherë kanë hyrë në luftë me shtetet që nuk kanë armë të këtilla. Besimi i pasaktë se Iraku kishte zhvilluar armë bërthamore, kimike dhe biologjike ka bërë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ta pushtojnë vendin me gjithë kundërshtimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke nxitur një katastrofë humanitare dhe dy dekada të pasigurisë në rajon, por edhe më gjerë. Traktati i Mospërhapjes (NPT), me anë të sugjerimit se status quoja e vendeve që kanë dhe atyre që nuk kanë armë bërthamore duhet të ruhet me çdo kusht, ka siguruar një lloj mbulese për këto veprime, sikurse edhe për sulmet ndaj uzinave të dyshuara bërthamore në Irak, Iran dhe në Siri.
Disa argumentojnë se ekzistenca e armëve bërthamore ka parandaluar konfliktin midis fuqive të mëdha, duke shmangur kësisoj luftën e tretë botërore. Por kjo i anashkalon luftërat e panumërta të zhvilluara nëpër Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, si dhe më vonë kur Bashkimi Sovjetik (dhe më vonë Rusia) apo Kina e armatosën njërën palë, ndërsa SHBA-ja apo aleatët e saj tjetrën.
Laosi, ku bujqit tani jo vetëm se janë në gjendje që t’i punojnë sërish arat e tyre, pas dekadave të vuajtjes nga efektet vdekjeprurëse të municioneve të pashpërthyera nga epoka e luftës së Vietnamit, nuk ishte në gjendje që të shmangte konfliktin e fuqive të mëdha. Për guatemalasit, hondurasit, nikaraguasit dhe salvdorasit që kanë vështirësi për të krijuar një komunitet të liruar nga dhuna e tmerrshme, mungesa e luftës së fuqive të mëdha thjesht e nënkuptonte vdekjen dhe shkatërrimin e deleguar.
Për më tepër, përkufizimi i një fuqie të madhe është i paqartë. Ekspertët e shkencave politike dhe ata të politikave të jashtme kanë debatuar prej kohësh rreth masave më të mira të fuqisë kombëtare. Sipas “US News & World Report”, vendet më të fuqishme në botë “janë ato që i dominojnë vazhdimisht kryetitujt e lajmeve, që u preokupojnë politikëbërësit dhe që i formësojnë modelet ekonomike globale”. Duke e përdorur këtë matës, dhjetë fuqitë kryesore sipas këtij publikimi janë në këtë renditje: SHBA-ja, Kina, Rusia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Franca, Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vlen të përmendet se një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe (i mbështetur nga SHBA-ja) është aktualisht duke i luftuar në mënyrë aktive forcat e mbështetura prej Iranit në Jemen.
Ani se NPT-ja ka hyrë në fuqi në vitin 1970, katër shtete të tjera – India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli – ia kanë dalë që të sigurojnë armë bërthamore, ndërsa të tjerat kanë vazhduar që të bëjnë përpjekje në këtë drejtim. Kjo është arsyeja përse në vitin 2007, ish-sekretarët amerikanë të Shtetit, Henry Kissinger dhe George Shultz, ish-sekretari i Mbrojtjes, William Perry, dhe ish-senatori amerikan, Sam Nunn, e shkruan një koment në “Wall Street Journal”, për të adresuar thirrje drejt “një bote pa armë bërthamore”. Gati dy dekada pas përfundimit të luftës së ftohtë ata kanë paralajmëruar për një botë prej 30 a më shumë fuqish bërthamore dhe kanë konstatuar se mbështetja në armët bërthamore për të shmangur luftë po bëhej “përherë e më e rrezikshme dhe më efektive”.
Më vitin 2013, Qeveria norvegjeze ishte nikoqire e një konference mbi pasojat humanitare të armëve bërthamore – takim ky i parë ndërqeveritar që e shqyrtoi atë që armët e këtilla u bëjnë njerëzve dhe planetit. Folësit i përshkruan efektet për gjeneratën e dytë dhe të tretë nga shpërthimet e armëve bërthamore, të cilat jo vetëm që i detyruan njerëzit ta përjetonin përvojën e njëmijë diejve shpërthyes, por edhe ua rrënoi përpjekjet për të krijuar familje, për të rindërtuar jetët dhe për të jetuar me dinjitet e me njëfarë ndjenje normaliteti, pas pësimit nga përdorimi apo testimi i armëve bërthamore.
Konferencat pasuese humanitare në Meksikë dhe në Austri i shtjelluan mënyrat se si parandalimi bërthamor mund gjithashtu të shkatërrojë jetë. (Një tubim i ngjashëm është caktuar që të mbahet në Vjenë gjatë muajit qershor). Parandalimi bërthamor kërkon demonstrime të kapaciteteve bërthamore, të cilat kanë pasur pasoja shkatërruese për njerëzit dhe për komunitetet e prekura në Australi, në Ishujt e Paqësorit, në stepën e Azisë Qendrore, në SHBA, në Afrikën Veriore dhe në shkretëtirën Taklamakan të Kinës.
Armët bërthamore, sikurse të gjitha armët për asgjësim në masë, kurrë nuk duhet të përdoren përbrenda kufijve të ligjeve të luftës. Fatmirësisht, të njëjtat përpjekje të vendosura që e ndalën pothuajse tërësisht vendosjen e minave tokësore dhe të municioneve thërrmuese rezultuan me hyrjen në fuqi të Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW) në janarin e 2021-s.
TPNW-ja, i vetmi traktat që e bën të jashtëligjshëm përdorimin apo kërcënimin për përdorim të armëve bërthamore, është përpiluar nga të gjitha ato vende, siguria e të cilave ishte rrënuar gjatë dekadave të tëra luftime midis fuqive të pajisura me armë bërthamore. I miratuar nga 122 shtete, ai përbën një lloj pranimi se ligjet e luftës zbatohen barazisht për të gjitha shtetet, pa marrë parasysh se çfarë kanë në arsenalet e tyre kombëtare.
Armët e dizajnuara për vrasjen masive të civilëve, për terrorizimin e botës dhe për ta mundësuar mosndëshkueshmërinë e krimeve të luftës nuk mund të llogariten më si mjete për të “parandaluar luftë”. Një tjetër trashëgimi e agresionit të Putinit në Ukrainë dhe gatishmëria e tij për të vringëlluar me kërcënime të armëve bërthamore do të jetë një përpjekje e përtërirë për ta liruar botën prej tyre.
(Anne-Marie Slaughter, ish-drejtoreshë e politikave të planifikimit në Departamentin amerikan të Shtetit, është udhëheqëse ekzekutive e grupit të mendimit “New America”, profesoreshë emeritus e Politikave dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, si dhe autore e librit “Renewal: From Crisis to Transformation in Our Lives, Work and Politics”. Susi Snyder është koordinatore e sektorit financiar në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).