OpEd

Muaji i Edi Ramës

Shqipëria vuan nga një sërë problemesh, me të cilat qeveria e Ramës do të duhet të merret seriozisht në katërvjeçarin e ardhshëm. Përderisa Shqipëria ka shënuar progres të lakmueshëm në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet vetingut në drejtësi dhe krijimit të SPAK-ut, krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore dhe skllavëria moderne, migrimi ilegal si dhe trafikimi i drogës mbeten probleme reale me të cilat qeveria dhe shoqëria shqiptare duhet të ballafaqohen, po qe se dëshirojnë që vendi ta fitojë statusin e anëtarit të Bashkimit Evropian

Maji i këtij viti qe pa dyshim muaji i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, mandati i të cilit u rikonfirmua me një fitore bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Dhe jo vetëm kjo. Shqipëria e organizoi me sukses samitin e Komunitetit Politik Evropian, në të cilin mori mbështetje të fuqishme për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Madje, kjo mbështetje i tejkaloi të gjitha parashikimet. Përderisa pritjet janë se Shqipëria do të mund të anëtarësohet në BE në vitin 2030, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ajo do ta fitonte anëtarësinë në vitin 2027.

Kështu, Edi Ramës, me fitoren bindëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, i takon mandati që ta udhëheqë Shqipërinë në finishin e rrugës së saj të gjatë të integrimeve evropiane.

Rama është politikan karizmatik, për të cilin thuhet se ka prirje autoritare. Partia Demokratike e udhëhequr nga veterani i pluralizmit, Sali Berisha, në mes të akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 11 Majit, i humbi një pjesë të mandateve që i pati në legjislaturën e kaluar. Mirëpo, Edi Rama nuk është fajtor për këtë humbje të Partisë Demokratike. Kjo parti duhet të mendojë seriozisht për freskimin e kuadrit të saj udhëheqës, po qe se dëshiron të rikthehet në skenën politike shqiptare pas katër vjetësh. Katërvjetëshin e shkuar, kjo parti nuk e shfrytëzoi për t’u reformuar. Përkundrazi, ajo u ballafaqua me probleme të shumta, siç ishin përçarjet e brendshme dhe kriza e lidershipit.

Sali Berishës, i cili mbetet një figurë ikonike e politikës shqiptare, i ka kaluar koha. Partisë Demokratike i nevojitet një lider i ri karizmatik, i cili do të jetë në gjendje që ta sfidojë Edi Ramën, si lider i rikonfirmuar për të katërtën herë nga zgjedhësit shqiptarë.

Edi Rama është në krye të qeverisë shqiptare që prej vitit 2012 dhe e ka udhëhequr Partinë Socialiste në mënyrë të suksesshme, duke e fituar mandatin e katërt radhazi për ta qeverisur vendin. Megjithëkëtë, Shqipëria vuan nga një sërë problemesh, me të cilat qeveria e Ramës do të duhet të merret seriozisht në katërvjeçarin e ardhshëm. Përderisa Shqipëria ka shënuar progres të lakmueshëm në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet vetingut në drejtësi dhe krijimit të SPAK-ut, krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore dhe skllavëria moderne, migrimi ilegal si dhe trafikimi i drogës mbeten probleme reale me të cilat qeveria dhe shoqëria shqiptare duhet të ballafaqohen po qe se dëshirojnë që vendi ta fitojë statusin e anëtarit të Bashkimit Evropian.

SPAK-u duket se është duke kryer punë të mirë në luftimin e korrupsionit qeveritar. Në vitin e fundit, kjo prokurori arrestoi kundërshtarë dhe aleatë politikë të Edi Ramës. Në mesin e këtyre të arrestuarve janë edhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri, Ilir Meta dhe kryebashkiaku aktual i Tiranës dhe aleati i ngushtë i Edi Ramës, Erion Velijaj. Nga kjo shihet se SPAK-u është duke e kryer funksionin e vet në mënyrë të pavarur dhe se nuk është duke shërbyer si mashë në duart e Edi Ramës për t’i qëruar hesapet me kundërshtarët politikë. Natyrisht se lufta kundër korrupsionit është afatgjatë e që nuk përfundon kurrë. Prandaj, nevojiten themele të forta që kjo luftë të mbetet e pakompromis, e efektshme dhe e drejtuar nga institucione të pavarura ligjzbatuese.

Ishin mu institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë që e përbënin problemin kryesor në funksionimin e shtetit shqiptar. Qeveria e drejtuar nga Edi Rama, megjithëqë me vonesë, ndërmori hapa për t’i pastruar këto institucione nga elementë kriminalë dhe të korruptuar. Për shembull, në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, u shkarkuan të gjithë drejtorët e policisë shqiptare, duke përfshirë edhe drejtuesit më të lartë, për ta rritur besueshmërinë publike karshi policisë së shtetit. Kjo ndodhi për shkak se një numër i madh i drejtuesve të policisë u zbuluan si bashkëpunëtorë aktivë të krimit të organizuar. Një numër jo i vogël i tyre madje ishte i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me krimin e organizuar, nëpërmjet aplikacionit “SKY ECC”. Policë shqiptarë merrnin pjesë në mënyrë aktive në operimet e grupeve të krimit të organizuar, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në eliminimin e bandave rivale.

Pa dyshim se këto veprime në drejtim të spastrimit dhe forcimit të institucioneve ligjzbatuese, reformat e brendshme, diplomacia aktive me të cilën Shqipëria po luan rol aktiv në marrëdhëniet rajonale, e përmirësojnë imazhin e Shqipërisë. Kjo ka ndikim në forcimin e degës më të fuqishme të ekonomisë shqiptare – turizmit. Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë investime të mëdha kapitale në infrastrukturën rrugore dhe në portet ajrore, që i bëjnë destinacionet e lakmuara të rivierës shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit, më të qasshme për vizitorët rajonalë dhe ata ndërkombëtarë. Shqipëria po bëhet destinacion i lakmuar për turistët e huaj dhe kjo do të ndikojnë për të mirë në rritjen e fuqisë edhe të degëve të tjera ekonomike, duke i përfshirë shërbimet dhe prodhimin.

Njëra ndër aspektet më interesante të Edi Ramës ka qenë diplomacia aktive e shtetit shqiptar, falë të cilit Shqipëria ka fituar rol udhëheqës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Qasja e tij karshi Serbisë, megjithëqë e kritikuar, i ka sjellë Shqipërisë dobi të shumta në pozicionin e saj ndërkombëtar, ngase po perceptohet si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajonin e trazuar të Ballkanit. Mirëpo, përpjekjet e Ramës për ta paqësuar Serbinë, si faktori numër një i kërcënimit të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, përmes përafrimit dhe politikës së hapjes së kufijve, nuk i kanë sjellë rezultatet që ai mbase i ka pritur. Kjo për arsyen se për Serbinë, projekti i Serbisë së Madhe ende nuk është përfunduar. Pretendimet e saj në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, politika e ngritjes së tensioneve me Kroacinë dhe afërsia e saj me Rusinë e bëjnë Serbinë një partner jo të besueshëm. Këtë, me gjasë, e ka kuptuar edhe Rama, kur e ka shpallur projektin e Ballkanit të Hapur, të vdekur.

Muaji i Edi Ramës është prelud në një periudhë interesante, në të cilën po hyn Shqipëria nën udhëheqjen e tij. Në katër vjetët e ardhshëm, ai do të vazhdojë të jetë lideri i pakontestueshëm i Shqipërisë, të cilit do t’i nevojitet që të merret me mundësi të arta, por edhe me probleme që vazhdojnë ta rëndojnë Shqipërinë. Edi Rama duhet që seriozisht të merret me reforma institucionale e ekonomike, me luftimin e krimit të organizuar, me trafikimit e prodhimit të drogës dhe të qenieve njerëzore, me rritjen e mundësive ekonomike edhe në zonat e prapambetura rurale, për ta atakuar migrimin ilegal të shtetasve shqiptarë në Evropën Perëndimore, i cili jo që nuk ka të ndaluar, por është në rritje e sipër.

Shqipëria po hyn në fazën kyç të tranzicionit të saj nga një vend ish-komunist me jostabilitet politik e institucional, në një vend i cili i prin Ballkanit Perëndimor në integrimet evropiane.

Në katërvjeçarin e ardhshëm, Edi Rama përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij politike – atë të shndërrimit të legjitimitetit elektoral dhe të kapitalit diplomatik, në reforma të thella e të qëndrueshme, që do ta forcojnë funksionalitetin e shtetit shqiptar dhe do ta afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Evropian.

Suksesi i tij nuk do të matet më me fitore të thella zgjedhore apo me duartrokitje në forume ndërkombëtare, por me aftësinë për të dhënë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit, frenimin e emigrimit, zhvillimin ekonomik të zonave të margjinalizuara dhe ndërtimin e institucioneve të forta e të pavarura. Nëse dështon në këto fronte, atëherë do të jetë përgjegjës jo vetëm për humbjen e një mundësie historike, por edhe për zbehjen e një shprese të madhe që shqiptarët e kanë lidhur me të dhe me të ardhmen evropiane të vendit.