Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Moszbatimi i legjislacionit si epitomë e të metave në sundimin e ligjit

Gjetjet e Raportit të vlerësimit të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të Listës Kontrolluese të Komisionit të Venecias

Sundimi i ligjit në Kosovë përballet me sfida dhe probleme, të cilat barten vit pas viti. Gjetjet e vlerësimit të fundit të bërë në bazë të Listës Kontrolluese për Sundimin e Ligjit, të miratuar nga Komisioni i Venecias, tregojnë se Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres, madje ka shënuar regres me një rënie të lehtë të pikëve të grumbulluara nga kjo listë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) këtë vlerësim e bën në baza periodike që nga viti 2021, ku vlerësohet zbatimi i ligjit nga pikëpamja e dispozitave kushtetuese, ligjeve, si dhe akteve nënligjore bazuar në pesë kategoritë të cilat i përmban kjo listë, e që janë: Ligjshmëria, Siguria juridike, Parandalimi i abuzimit (keqpërdorimit) të pushtetit, Barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi dhe Qasja në drejtësi. Në këtë raport të fundit është gjetur se ka ngecje në performancën e institucioneve përgjegjëse në zbatimin e parimeve të Listës së Komisionit të Venecias.

Sa i përket kategorisë së parë, Ligjshmërisë, një nga sfidat është vonesa në miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore. Në programin legjislativ për vite me radhë shohim projektligjet e bartura nga njëri vit në tjetrin. Po ashtu edhe te aktet nënligjore, sidomos tek aktet që burojnë nga Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura (në vijim: LOFAShAP). Përveç katër ministrive, të cilat kanë hartuar rregulloret e tyre për organizim të brendshëm dhe sistematizim të vendeve të punës, të gjitha ministritë e tjera janë në vonesë për hartimin e këtyre rregulloreve, duke e tejkaluar afatin kohor të përcaktuar me rregulloren përkatëse. Përtej një obligimi ligjor, vonesa në miratimin e këtyre rregulloreve ka penguar procesin e ristrukturimit të Qeverisë, i cili në fillim është mirëpritur, por që ende nuk po ndodh në praktikë. Përveç tjerash, një sfidë tjetër paraqitet në procedurat ligjbërëse. Shpesh hartimit të legjislacionit nuk i paraprin një analizë e duhur ex-post apo ex-ante e legjislacionit (koncept-dokumentet), që paraqet efekt negativ në procesin e zbatimit të legjislacionit. Kjo dëshmohet më së miri me ndryshimet ad hoc dhe të shpeshta të legjislacionit në mungesë të analizave të mirëfillta. Për më tepër, sfida vazhdon të ketë edhe në zbatimin e ligjit për arsye se mungojnë mjetet efektive juridike që do të siguronin zbatimin efektiv të ligjit nga autoritetet publike dhe nuk ka masa specifike të përcaktuara në rast të moszbatimit të tij. Një rast i tillë, me të cilin qytetarët ballafaqohen çdo ditë është moszbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ku edhe pse ligji përcakton saktë se cilat janë autoritetet e obliguara për ta zbatuar këtë ligj, zbatimi i tij është gjithnjë e më i vogël.

Në kategorinë e dytë, Siguria juridike, vërehet se Kosova ende përballet me ndryshime të shpeshta ligjore. Gjatë periudhës së vlerësimit ka pasur ndryshime të ligjeve me shpejtësi të pajustifikueshme, gjë që ndikon në stabilitetin dhe konsistencën e ligjeve. Një shembull i tillë është ndryshimi i Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, i cili nuk është publikuar si tërësi në platformën e konsultimeve publike dhe ky Projektligj është miratuar me shpejtësi në Qeveri. Një rast tjetër, që ka ndikuar në stabilitetin dhe konsistencën e ligjeve është hartimi dhe miratimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë, i cili ligj ka ndryshuar në tërësi konceptin e ligjit paraprak, pa një analizë paraprake.

Gjithashtu në kategorinë e tretë, Abuzimi (keqpërdorimi) i pushtetit janë shfaqur disa sfida sidomos në zbatimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë (LZP). Në disa raste ky ligj nuk është përfillur nga autoritetet publike, të cilat kanë emëruar apo zhvilluar konkurse në kundërshtim me këtë ligj duke zbatuar ligje të veçanta. P. Sh. në rastin e emërimit të kryeinspektorit të Punës, Qeveria nuk e ka zbatuar LOFAShAP dhe LZP, ngjashëm edhe në rastin e zgjedhjes së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, ku procedura është zhvilluar në kundërshtim me LZP, e gjetur kjo edhe nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK). Po ashtu, KPMShCK ka gjetur se konkursi i 32 zyrtarëve të misionit diplomatik të shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme është shpallur në kundërshtim me LZP. Në këtë rast MPJD ka anuluar konkursin dhe ka vepruar sipas vendimit të KPMShCK.

Ndërsa në kategorinë e katërt, Barazia para ligjit dhe mosdiskriminimi, Kosova vazhdon të jetë mirë sa i përket legjislacionit, mirëpo në zbatim vazhdon të ketë probleme. Sidomos në aspektet e së drejtës së punës për gratë, ku shpesh vërejmë se ka diskriminim. Një rast të tillë ka trajtuar edhe GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, ku një punëtoreje të një institucioni publik i ishte mohuar e drejta në pushim të rregullt vjetor me arsyetimin se ajo kishte shfrytëzuar pushimin e lindjes.

Në kategorinë e fundit, Qasja në drejtësi, ka sfida të vazhdueshme. Legjislacioni në fuqi siguron që secili individ ka të drejtë të kundërshtojë ndonjë akt publik apo privat, por kjo shpesh është e vështirë duke pasur parasysh se zgjidhja e lëndëve në gjykata merr vite të tëra. Vlen të theksohet se në disa raste legjislacioni nuk zbatohet edhe sa i përket prezumimit të pafajësisë. Edhe pse Kodi Penal e përcakton shprehimisht, në realitet hasim shumë parregullsi, sidomos në raportimet e portaleve të lajmeve. Po ashtu, kryeministri më 13 tetor 2022 shkarkoi nga pozita drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin Emergjent për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale. Në këtë rast kryeministri nuk ka pritur për ndonjë vendim të organeve të drejtësisë, mirëpo vetë ka hetuar rastin dhe ka cilësuar se ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepër penale.

Sektori i Sundimit të Ligjit në Kosovë është duke kaluar nëpër një periudhë të reformave të shumta ligjore. Këto reforma mund të kenë qëllim të mirë, mirëpo duhet të sigurohet një analizë e mirëfilltë paraprake në mënyrë që të evitohen problemet dhe sfidat e mundshme në zbatim. Autoritetet publike duhet ta zbatojnë legjislacionin në fuqi në përpikëri dhe pa përjashtime duke mos pasur përsëritje të rasteve kur konkurset dhe emërimet zhvillohen në kundërshtim me LOFAShAP dhe LZP. Pra, fokusi duhet të jetë në zbatimin e ligjeve dhe gjetjen e mekanizmave për zbatim efikas të tyre në mënyrë që të ketë përmirësim të sundimit të ligjit në Kosovë dhe të ndikojë pozitivisht në ngritjen e besimit të qytetarëve.

(Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Autorja e shkrimit është hulumtuese ligjore në GLPS)

Artikuj të ngjashëm