Sikur të mos mjaftonte konflikti politik në mes maxhorancës dhe opozitës së vërtetë dhe rrethit të tyre përkatës oligarkik, është vënë në skenë një tjetër përplasje ndërmjet ishave- komunistë dhe të përndjekurve. Të parët i kanë dhënë edhe dekor krahinor, ne fakt i njohur – të qytetëruarit kundrejt malokëve.
Në fakt, nuk është gjë e re si aspekt i jetës shqiptare; e veçanta është kur kërkohet ‘ndihma’ e saj. Ne debatin Tufa- Xhufi dalin “shall-varegjerët” e Dibrës, progonatasi i Kurveleshit i tiranizuar e të tjera ofendime fshatar- malok- qytetar.
Njerëz si mosha ime e mbajnë mend këtë fenomen social të Shqipërisë komuniste- supremacinë e jugut partizan ndaj veriut anti- komunist.
Ishte si një ‘fletë- hyrje’ në shkollë e punë një komunist në familje. Falë një statusi të tillë nga babai i ndjerë arrita të ndjek universitetin në degën anglisht. Ishte privilegj për mua, por e kisha një ‘hije’ të prejardhjes nga Shkodra, për të cilën kam qenë gjithmonë shumë krenar.
Kësisoj, më jepet rasti të tregoj një ngjarje. Në kurs më 1966 ishim diku tek 22 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve jetonin në Tiranë, një pakicë si unë në konvikt. Kisha një plus se me mësime isha mirë, por nga ana tjetër e kuptoja pozitën time- nuk i përkisja nomenklaturës. Ishin vitet 1966-1970 e ajo kohë ka nxjerrë edhe tipat.
I kësaj kategorie mbetet një bashkëstudent nga Fieri, që nuk ia thekte në anglisht. I kapërceu vitet madje as duke mos ditur të kopjonte në provime. Pasi ia hodhi deri në vit të katërt, në momente ekstaze i dukesha malok Shkodre. Ai ishte me origjine nga Corrushi, një fshat në Mallakastër, e krenohej për lidhjen familjare me të ndjerin M. Shehu. Më dukej e tepërt t’i shpjegoja çfarë ishte Shkodra përkundrejt Corrushit. Për të ai fshat ishte kërthiza e këtij vendi. Përse t’ia prishja ëndrrën një corrushiani 22- vjeçar kur u diplomua.
Ai bëri karrierë e i mori madje edhe koka erë kur në MPJ rastiste t’më thoshte se një ish – profesor i yni, funksionar i lartë në diplomaci në atë kohë- ‘nuk merr vesh nga anglishtja’!!! E vërteta është se profesori i nderuar ishte përkryerje e zotërimit të anglishtes. (E mësoi këtë vlerësim të ish- studentit e reagimi: Gabimi im që shkela rregullat, e kalova në provime)
Ky është një episod i së kaluarës. Sa do te kisha dashur të mbetej në të kaluarën, por kur dëgjon debatet e zeherosura fshatar / qytetar, i pari nga veriu, ndërsa i dyti nga jugu, fatkeqësisht më përforcohet mendimi se ndarja veri- jug vazhdon t’i nevojitet taktikës së klasës aktuale politike të të dy krahëve. E kotë, infantile tingëllon tu thuash shkodranëve, bëhuni si vlonjatët që të gjeni ‘parajsën’. Nuk kam dëgjuar kënd tu bëjë thirrje vlonjatëve të bëhen si shkodranët. Di që njerëzit e thjeshtë të dy qyteteve kanë patur marrëdhënie shumë miqësore, madje edhe lidhje familjare.
Mendimi im modest është se shqiptarët do ta gjejnë mirësinë duke qenë veriorë, jugorë, lindorë, çam, minoritarë e çdo komunitet në këtë shtëpi të përbashkët të drejtuar mirë pa dallime krahinore dhe, mbi të gjitha, kur të ketë një pushtet që mos ta sundojnë oligarkët/Shekulli.