Lufta e Izraelit në Gazë do të formësojë rrjedhën e marrëdhënieve të saja të ardhshme me komunitetin palestinez. Sulmi i tmerrshëm i Hamasit dhe vala pasuese e dhunës që shpërtheu zbuluan se status-quoja e mëparshme ishte e paqëndrueshme. Pasur parasysh se jetojnë fytafyt njëri-tjetrit, izraelitët kurrë nuk do të jenë të sigurt përderisa nuk do të jenë edhe palestinezët, dhe anasjelltas. Të dy popujt në fund duhet të bashkëpunojnë për të siguruar që zgjidhja me dy shtete të sjellë paqe të qëndrueshme. Mbase tragjedia e konfliktit aktual mund t’i japë shtysë këtij realiteti si për izraelitët ashtu edhe palestinezët
Në valën e krimeve të kryera nga Hamasi më 7 tetor, Izraeli ka çdo të drejtë dhe arsye për ta ushtruar fushatën e pandërprerë ushtarake që e synon shpartallimin e grupit terrorist. Dhe izraelitët duken të vendosur ta bëjnë këtë.
Megjithëkëtë, u duhet edhe që t’i marrin parasysh vërejtjet e presidentit amerikan, Joe Biden. Gjatë vizitës së tij në Tel-Aviv, më 18 tetor, Bideni shprehu ndjeshmëri për zemërimin që izraelitët e ndiejnë.
“E kuptoj, dhe shumë amerikanë e kuptojnë”, tha ai. Por Bideni i këshilloi izraelitët njashtu që të mos konsumohen nga zemërimi i tyre. “Pas 11 shtatorit, ne ishim të zemëruar në Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi ai, “dhe përderisa kërkuam dhe gjetëm drejtësi, bëmë edhe gabime”.
Dy ditë më vonë, në një adresim televiziv Bideni e përsëriti thirrjen e tij që qeveria izraelite “të mos verbërohet nga zemërimi”.
Si do të dukej në praktikë ndjekja e këshillës së Bidenit për Izraelin? Cilat mësime do të duhej t’i nxirrte Qeveria izraelite nga gabimet strategjike që SHBA-ja i bëri pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-tës?
Pikësëpari, përderisa Izraeli duhet të përdorë kapacitetet e saja ushtarake për t’i goditur caqet ushtarake përpikshmërisht të definuara – liderët e Hamasit, qendrat e komandës, depot e armëve dhe tunelet – zyrtarët nuk duhet të jenë nën iluzionin se forca brutale mund ta arrijë rezultatin e dëshiruar politik. Si në Afganistan ashtu edhe në Irak, SHBA-ja e mësoi në mënyrën më të ashpër të mundshme se fuqia superiore ushtarake, ndonëse e dobishme për eliminimin e armiqve, rrallëherë i prodhon synimet e planifikuara politike.
Me gjithë angazhimin e kushtueshëm dydekadësh të SHBA-së, Afganistani është kthyer në duart e talebanëve, ndërsa Iraku është i ngujuar në mosfunksionim politik dhe ndasi të brendshme. Teksa Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta përdorë forcën për ta gjunjëzuar Hamasin, ai duhet të përdorë instrumente të tjera – diplomacinë, asistencën humanitare, mundësitë ekonomike – për ta formësuar atë që do të pasojë.
Si pikë e dytë, ani se fushata ushtarake e Izraelit mund ende të jetë në fazat e hershme, politikëbërësit duhet ta nisin planifikimin për qeverisjen e Gazës së pas Hamasit. SHBA-ja u pati zënë ngushtë pas rrënimit të rendeve të vjetra në Irak e Libi; duke qenë e papërgatitur për të ndërtuar diçka të re, vetëm sa solli potere.
Izraeli duhet të përgatitet tani për ditën pas ndaljes së luftimeve. A do të kthejë sytë kah Autoriteti Palestinez për qeverisjen e Gazës? Çfarë roli do të luajnë Kombet e Bashkuara? A do të ishte më e kuptueshme ta mblidhte një koalicion të të vullnetshmëve – siç janë SHBA-ja, BE-ja, Egjipti dhe Katari – për të mbikëqyrur rindërtimin dhe qeverisjen, të paktën në fillim?
Tani është koha që të nisë adresimi i këtyre çështjeve.
Së treti, edhe kur niset në një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Hamasit, Izraeli duhet që, për aq sa është e mundur, t’i kufizojë dëmet tek infrastruktura fizike dhe institucionale e Gazës; përndryshe, rrezikon ta dënojë popullsinë e mbetur me vuajtje të zgjatura apo madje edhe me rrënim shoqëror.
Shtetet e Bashkuara i shpërbënë jomençurisht institucionet qeveritare të Irakut, duke i hapur rrugën kaosit, kryengritjes këmbëngulëse të sunitëve dhe rritjes së ndikimit iranian. Me gjithë rezultatet e shëmtuara në Irak, NATO-ja vazhdoi t’i rrënojë themelet politike të Libisë, duke rezultuar në krijimin e një shteti të dështuar që u eksploatua nga grupet ekstremiste dhe që u bë cak i ndasive të vazhdueshme fisnore. Nëse Izraeli e rrafshon pjesën më të madhe të Gazës, radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm veç sa do të ngrihen nga rrënojat.
Së fundmi, Izraeli duhet të luajë një lojë të gjatë, duke pasur parasysh se SHBA-ja vazhdon të vuajë nga dëmi i vazhdueshëm që u prodhua nga gabimet e saja strategjike në Lindjen e Mesme. Rrëzimi i qeverisë në Irak e fuqizoi Iranin, i cili tani ka satelitë të fuqishëm – përfshirë Hamasin – nëpër të gjithë rajonin. Dhe Afganistani është katandisur në një makth humanitar pas tërheqjes amerikane.
Për më tepër, reputacioni i Amerikës nuk është rimëkëmbur që pas pamjeve nga abuzimi i të burgosurve në Abu Ghraib, nga raportet për teknikat e ashpra të intervistimit të CIA-s, mbajtja e pafundme e të burgosurve në Guantanamo Bay të Kubës dhe sulmeve të shumta me dronë që ua morën jetën civilëve të pafajshëm. Krejt këto dhe praktikat e tjera e njollosën pashlyeshëm imazhin e vendit në gjykimin e opinionit botëror.
Izraeli veçse po e zhvillon një betejë të vështirë me po këtë gjykim. Përderisa Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, ndërsa vrasjet dhe kidnapimet e ndërmarra nga Hamasi kërkojnë hakmarrje të vendosur, izraelitët duhet të mbështeten pak nga prapa për t’iu bindur së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kjo do të thotë të minimizojë humbjen e jetëve të civilëve teksa e siguron rrjedhjen e qëndrueshme të ilaçeve, ushqimit dhe karburanteve në Gaza.
Një vetëpërmbajtje e këtillë do ta zbuste zemërimin e kudondodhur politik që fushata e vazhdueshme e Izraelit kundër Hamasit pa dyshim se do ta gjenerojë. Do ta pakësonte njashtu edhe mundësinë e zgjerimit të konfliktit në një luftë rajonale; do ta lehtësonte ruajtjen e Marrëveshjeve Abraham, të cilat e mundësuan krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Marokut dhe Sudanit; dhe në fund të fundit u mundësuan Izraelit dhe Arabisë Saudite që t’i vazhdojnë bisedimet për normalizimin diplomatik.
Lufta e Izraelit në Gazë do të formësojë po ashtu rrjedhën e marrëdhënieve të saja të ardhshme me komunitetin palestinez. Sulmi i tmerrshëm i Hamasit dhe vala pasuese e dhunës që shpërtheu zbuluan se status-quoja e mëparshme ishte e paqëndrueshme. Pasur parasysh se jetojnë fytafyt njëri-tjetrit, izraelitët kurrë nuk do të jenë të sigurt, përderisa nuk do të jenë edhe palestinezët, dhe anasjelltas. Të dy popujt në fund duhet të bashkëpunojnë për të siguruar që zgjidhja me dy shtete të sjellë paqe të qëndrueshme. Mbase tragjedia e konfliktit aktual mund t’i japë shtysë këtij realiteti si për izraelitët ashtu edhe palestinezët.
(Charles A. Kupchan, anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Georgetownit dhe autor i librit: “Isolationism: A History of America’s Efforts të Shield Itself from the World”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).