Liderët e BE-së duhet t’i japin fund praktikës që një herë në vit ta kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe të dënojnë mohimin e tij, ndërsa tërë vitin të ledhatojnë pikërisht ata që e mohojnë këtë gjenocid. Mohuesit e gjenocidit kanë emër dhe ata janë përfaqësuesit e shtetit të Serbisë dhe udhëheqësit e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Duke toleruar mohimin e gjenocidit, BE-ja e inkurajon këtë mohim dhe kjo nuk i bën mirë as Serbisë
Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian u prononcuan edhe të dielën në përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, siç bënë edhe viteve të mëhershme. Edhe kësaj radhe ata u bënë thirrje liderëve politikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që me shembullin e tyre të udhëheqin rrugën drejt pajtimit dhe përballjes me rrënjët e urrejtjes nga e kaluara që çuan deri te gjenocidi, duke njohur atë që ka ndodhur ashtu siç ka ndodhur. Madje, përmes një deklarate të përbashkët, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, rikujtuan edhe përgjegjësinë e Evropës për atë gjenocid.
“Evropa, po ashtu, nuk ka harruar as përgjegjësinë e saj që të mos jetë në gjendje të parandalojë gjenocidin në Srebrenicë, një prej krimeve më të rënda në historinë bashkëkohore të Evropës. Srebrenica na rikujton në mënyrë të dhimbshme nevojën që fuqishëm të angazhohemi për paqe, dinjitet njerëzor dhe vlera mbi të cilat është ndërtuar unioni. T’i shërbejmë drejtësisë dhe të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, janë rrugët më të mira për t’i kujtuar ata që sistematikisht dhe qëllimisht u vranë. Ky është një hap i domosdoshëm për të punuar për një të ardhme më të mirë të përbashkët për të gjithë evropianët”, kanë shkruar në komunikatën e tyre këta dy përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Në mënyrë të ngjashme, me thirrje që të mos ndodhë më kurrë në territorin e Evropës një gjë e tillë, është prononcuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Chalers Michel.
Ajo që vërehet edhe në këto reagime është thirrja që të mos mohohet gjenocidi. Në fakt, mohimi i gjenocidit tashmë po bëhet edhe vepër penale, e dënueshme me ligj në disa vende evropiane.
“Nuk mund të ketë mosndëshkim. Gjenocidi është gjenocid, qoftë ai në Srebrenicë apo diku tjetër. Gjykatat ndërkombëtare, gjykatat vendore në Bosnjë-Hercegovinë dhe në shtetet fqinje duhet të vazhdojnë të sjellin drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, sikur edhe për anëtarët e familjeve të tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë. Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat fondamentale evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, kanë shkruar Borrell dhe Varheli.
Gjithsesi një deklaratë e duhur. Por në të shihet një hipokrizi. Askund nuk përmendet se kush ishin viktimat dhe kush ishin kryesit e gjenocidit.
Dikush do të thoshte se “nuk ka rëndësi”, por në këtë rast ka. Sepse rreth 8000 njerëz u vranë vetëm pse ishin mysliman boshnjakë. Prandaj edhe është gjenocid, sepse u dëshmua qëllimi që ata të vriten pikërisht për shkak të përkatësisë etnike. Dhe ky gjenocid u krye nga forcat serbe. Pra, gjenocidi u krye në emër të mbrojtjes së popullit serb. U krye ndaj pjesëtarëve të një populli tjetër. Prandaj nuk ka nevojë të ketë “korrektësi politike” e të mos përmendet se viktimat ishin myslimanët boshnjakë dhe kryesit ishin forcat serbe. Dhe fjala është për një masakër të përmasave aq të mëdha. Për një kohë aq të shkurtër, saqë të mos mund të thuhet se këtë “e kryen vetëm disa individë”. Sepse nuk ka mundësi, as fizike, që “disa individë” t’i grumbullojnë, t’i vrasin, hedhin në varreza masive dhe t’i mbulojnë me dhe 8000 njerëz për tri a katër ditë.
Nuk është mënyrë e duhur e përfaqësuesve të BE-së as t’u drejtohen “të gjithë liderëve në rajon” me thirrje që të mos mohohet gjenocidi, të mos relativizohet ai, të mos glorifikohen kriminelët e luftës dhe të mos bëhen përpjekje për rishkrimin e historisë.
Sepse kështu krijohet përshtypja sikur “shumë liderë anekënd Ballkanit” po e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. E këtë e bëjnë vetëm nacionalistët serbë e askush tjetër.
Liderët e BE-së duhet t’i japin fund praktikës që një herë në vit ta kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe të dënojnë mohimin e tij, ndërsa tërë vitin të ledhatojnë pikërisht ata që e mohojnë këtë gjenocid. Mohuesit e gjenocidit kanë emër dhe ata janë përfaqësuesit e shtetit të Serbisë dhe udhëheqësit e serbëve në Bosnjë- Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Duke toleruar mohimin e gjenocidit, BE-ja e inkurajon këtë mohim dhe kjo nuk i bën mirë as Serbisë.
Qendra e mohimit të gjenocidit është Beogradi. Pos Qeverisë së Serbisë, këto përpjekje ndihmohen edhe nga Kisha Ortodokse Serbe dhe nga mediat. Ndaj atyre në Serbi që bëjnë përpjekje për të treguar realitetin dhe të ndihmojnë që Serbia të përballet me të kaluarën e saj, bëhen linçime mediale, me nxitje të pushtetit. Edhe ndaj shteteve fqinje, si ndaj Malit të Zi dhe Kosovës, bëhen presione, e në disa momente edhe tallje, kur ato miratojnë rezoluta, sikur e gjithë Evropa normale, për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë.
Nëse BE-ja vërtet dëshiron të ndihmojë në ndaljen e mohimit të gjenocidit duhet të dërgojë sinjale tek ata që mohojnë, jo përmes deklaratave, por duke refuzuar t’i takojnë dhe t’ua shtrojnë tepihun e kuq. Besa edhe duke ua ndaluar hyrjen në territorin e BE-së. Vetëm atëherë ata do ta kuptojnë se nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. Sepse, tash për tash, në BE janë të mirëseardhur mohuesit e këtij gjenocidi.