OpEd

Mësimi i Leninit për Izraelin dhe Ukrainën

Ukraina duhet ta riorientojë veten, duke adoptuar teknologji të reja të përshtatshme për një luftë të tejzgjatur dhe duke pasur parasysh ngurrimin në rritje të shteteve perëndimore për të ofruar pafundësisht ndihmë. Ukraina, po ashtu, duhet ta vërë në rregull shtëpinë e saj, duke vepruar në mënyrë më të vendosur kundër korrupsionit dhe oligarkëve, si dhe duke e artikuluar qartë atë se për çfarë lufton. Mbi të gjitha, Ukrainës i duhet një vizion i përbashkët që nuk është ngushtësisht nacionalist apo i definuar nga dyshimi se e majta ukrainase është proruse. Për t’i përballuar ndikimet e rraskapitjes nga lufta, ukrainasit duhet të vihen në pozitën e atij personi të Leninit që e ngjet malin

Ka kaluar tashmë një shekull që nga vdekja e Vladimir Leninit dhe janë bërë më se tri dekada prejse projekti i tij bolshevik është rrënuar. Por përderisa pjesa më e madhe e jetës së tij politike ishte problematike nga perspektiva e së sotmes, pragmatizmi i tij i papenduar, siç mund ta quajë dikush, gëzon ende mbështetje.

Kijeni parasysh përkushtimin e mirënjohur të Leninit për një “analizë konkrete, një situatë konkrete”.

Duhen shmangur si besnikëria dogmatike për kauzën ashtu edhe oportunizmi joparimor. Në kushtet e botës reale që ndryshoi shpejt, mënyra e vetme për të mbetur përnjëmend besnik karshi një parimi – për të mbetur “dogmatikë” në aspektin pozitiv të këtij termi – është të ndryshohet vetë pozicioni i dikujt.

Andaj, më 1922, duke e fituar luftën civile me gjithë gjasat e pakta, bolshevikët e përqafuan “Politikën e Re Ekonomike”, për ta lejuar një fushëveprim shumë më të gjerë për pronën private dhe tregun.

Duke e shpjeguar këtë vendim, Lenini e përdori analogjinë e personit që ngjit malin e që duhet të zmbrapset “me qëllim që të avancojë më tej”. Pasi i numëroi të arriturat dhe dështimet e shtetit të ri sovjetik, ai konstatoi: “Komunistët që nuk kanë iluzione, që nuk i lënë vend dëshpërimit dhe që e ruajnë fuqinë dhe fleksibilitetin e tyre ‘për të filluar nga e para’ pa pushim në afrimin e një detyre jashtëzakonisht të vështirë, nuk kanë për të mbaruar keq (dhe, sipas të gjitha gjasave) nuk do të zhduken”.

Në këtë mund të dëgjohet jehona e Søren Kierkegaardit, teologut danez prej të cilit marksistët mund të mësojnë goxha shumë. Çdo proces revolucionar, besonte Lenini, nuk është gradual por përsëritës, një lëvizje e përsëritjes që fillon pa pushim.

Si mund që ta kapim më mirë vendin ku ndodhemi sot? Pas “katastrofës së errët” të 1989-s, që përfundimisht i dha fund epokës së nisur me Revolucionin e Tetorit të 1917-s, nuk mund t’i imponohet më asnjë vazhdimësi asaj që “e majta” e nënkuptoi gjatë dy shekujve të fundit.

Me gjithë momentet e pashlyeshme, sikurse ai i Revolucionit Francez dhe i Revolucionit të Tetorit që do të mbesin në kujtesën tonë, këto rrëfime kanë marrë fund. Çdo gjë duhet të rimendohet nga një pikënisje e re.

Një qasje e re është më e rëndësishme se kurrë më parë, tani që kapitalizmi global është bërë forca e vetme e njëmendtë revolucionare. Ajo që mbetet nga e majta është fiksimi në mbrojtjen e të arriturave të moçme të shtetit të mirëqenies, një projekt ky që e anashkalon në masë të madhe faktin se sa shumë e ka ndryshuar kapitalizmi strukturën e shoqërive tona gjatë disa dekadave të fundit.

Ekzistojnë përjashtime, s’do mend. Mes teoricienëve dhe politikanëve të rrallë që e pranojnë këtë proces ashtu siç ka qenë Yanis Varoufakisi. Kapitalizmi, argumenton ai, po pëson metamorfozë në një tekno-feudalizëm, për çka retorika tradicionale antikapitaliste po e humb tërheqjen e saj. Implikimi është se do të duhej të braktisnim demokracinë sociale dhe idenë e saj qendrore të një shteti të majtë-liberal të mirëqenies.

Në mënyrën plotësisht leniniste, Varoufakisi sheh se subjekti i analizës sonë kritike (kapitalizmi) ka ndryshuar dhe se ne duhet të ndryshojmë bashkë me të. Në të kundërtën, vetëm sa do ta ndihmojmë kapitalizmin për t’u ringjallur në një formë të re.

Forma e pragmatizmit e Leninit nuk është e arritshme vetëm te e majta. Muajin e shkuar Ami Ayalon, ish-lider i Shin Betit (shërbim i sigurisë së brendshme i Izraelit) bëri thirrje për një ndryshim paradigme: “Ne izraelitët do të kemi siguri vetëm atëherë kur ata, palestinezët, do të kenë shpresë. Ky është ekuacioni”. Shkaku që Izraeli nuk do të jetë i sigurt derisa palestinezët ta kenë shtetin e tyre, autoritetet izraelite duhet ta lirojnë Marwan Barghoutin, liderin e burgosur të Intifadës së Dytë, për t’i udhëhequr negociatat për krijimin e këtij shteti.

“Shikojini sondazhet palestineze”, thotë Ayaloni. “Ai është i vetmi lider që mund t’i prijë palestinezët drejt një shteti përkrah Izraelit. Pikë së pari, ngase ai beson në konceptin e dy shteteve, dhe së dyti, ngase ai e fitoi legjitimitetin e tij duke qëndruar në burgjet tona”. Ç’është e vërteta, shumica e shohin Barghoutin (i cili është i burgosur prej më se dy dekadash) si një soj palestinez i Nelson Mandelas.

Apo kijeni parasysh edhe një shembull akoma më befasues. Javën e shkuar shefi i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhnyi, pas raporteve në media se ai së shpejti mund të shkarkohet nga detyra, e botoi një koment, në të cilin i shpalosi prioritetet e tij për Ukrainën dhe i identifikoi ato më të lartat për luftën.

“Sfida për forcat tona të armatosura nuk mund të nënvlerësohet”, shkroi ai. “Është që ta krijojmë një sistem krejtësisht të ri të riarmatimit teknologjik”.

Çfarë nënkupton kjo është dyfishimi i “sistemeve pa pilotë – si dronët – bashkë me llojet e tjera të armëve të avancuara, të cilat e ofrojnë mënyrën më të mirë për Ukrainën që ta shmang tërheqjen drejt një lufte pozicionale, ku ne nuk kemi avantazh”. “Gjenerali i Hekurt”, siç quhet ai nganjëherë, pastaj pranoi se, teksa aleatët kryesorë po përballen me tensionet e tyre politike, Ukraina duhet të përgatitet për reduktim në mbështetjen ushtarake.

Komentin e shkurtër të Zaluzhnyit e shoh si një intervenim leninist (që është pragmatizëm parimor). S’do mend, majtistët radikalë dhe vetë Zaluzhnyi do ta konsiderojnë këtë karakterizim si absurd, teksa unë nuk jam ekspert i betejave për pushtet që aktualisht po zhvillohet në Ukrainë, dhe as i rolit të Zaluzhnyit në to. Krejt çfarë po them është se Zaluzhnyi me shkathtësi e ka kombinuar besnikërinë për qëllimin (ruajtjen e pavarësisë dhe të integritetit territorial të Ukrainës, si një shtet demokratik) me një analizë konkrete për situatën në fushëbetejë.

Thënë troç, jemi larg fazës heroike të rezistencës popullore ndaj pushtuesit dhe afër luftës personale në vijë të frontit.

Ukraina duhet ta riorientojë veten, duke adoptuar teknologji të reja të përshtatshme për një luftë të tejzgjatur dhe duke e pasur parasysh ngurrimin në rritje të shteteve perëndimore për të ofruar pafundësisht ndihmë. Ukraina po ashtu duhet ta vërë në rregull shtëpinë e saj, duke vepruar në mënyrë më të vendosur kundër korrupsionit dhe oligarkëve, si dhe duke e artikuluar qartë atë se për çfarë lufton.

Mbi të gjitha, Ukrainës i duhet një vizion i përbashkët që nuk është ngushtësisht nacionalist apo i definuar nga dyshimi se e majta ukrainase është proruse. Për t’i përballuar ndikimet e rraskapitjes nga lufta, ukrainasit duhet të vihen në pozitën e atij personi të Leninit që e ngjet malin.

(Slavoj Zhizhek, profesor i filozofisë në European Graduate School, është drejt ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkencat Humane në Universitetin e Londrës dhe autor i librit “Heaven in Disorder”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).