Më 6 prill 2017, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut dënoi përfundimisht me 24 vite burg dhe gjobë 17 milionë euro ish-presidenten karizmatike 66-vjeçare, Park Geun Hye për 16 nga 18 akuza të rënda, që variojnë nga shpërdorimi i pushtetit, detyrimin me forcë për ryshfete, korrupsion, rrjedhje të informacionit sekret etj. Ishte presidentja e 11-të jug-koreane, një makinë e vërtetë elektorale e quajtur “Mbretëresha e Zgjedhjeve”. Mirëpo nga fundi i mandatit, niveli i popullaritetit të saj ra në 4 për qind, pas protestave masive që e detyruan të jepte dorëheqjen deri në dënimin e saj.
Në fakt, ky fund i turpshëm është në vazhdën e shumë disfatave të tjera të rënda liderë(ë) të shquar shteti, ndaj janë zhgënjime “emblematike”.
Një javë më parë u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare Winnie Mandela, bashkëshortja e dytë e legjendës së luftës kundër apartheidit, Nelson Mandela. Zonja e ndjerë nuk ishte vetëm mbështetësja më e vendosur gjatë 28 viteve të rënda të burgosjes së tij politike, por edhe luftëtare e madhe kundër shtypjes, dhunës dhe persekutimit dhe parlamentare e shquar. Ndonëse mesazhet ngushëlluese nuk munguan, ra në sy se nderimi për Zonjën e Parë të dikurshme të Afrikës së Jugut ishte larg formatit të saj të zakonshëm.
Kjo shpjegohet me zhgënjimet e shumta që ajo shkaktoi pas viteve ‘90, kur Nelson Mandela u zgjodh Presidenti legjendar i Afrikës së Jugut. “Prapësitë” filluan me divorcin më 1996, që vijuan me kritikat dhe akuzat e shumta ndaj saj për etje për pushtet, bashkëpunim në rrëmbime dhe dhunime të të rinjve, mashtrim dhe korrupsion. Vetëm statusi i mëparshëm e shpëtoi atë nga burgimi, duke u mjaftuar me gjoba të majme.
Po në Afrikë, Robert Mugabe njihet si luftëtar i rezistencës së majtë kundër shtypjes dhe diskriminimit dhe për 13 vjet ishte i burgosur politik. Gati 40 vite më parë, ngjiti shkallët e pushtetit si kryeministër dhe president me pritshmëri të mëdha publike. Por, nuk vonoi dhe ai u bë diktator i egër si Mobutu fqinj, dhunues i të drejtave të njeriut, mashtrimit dhe korrupsionit. Ndonëse në moshën 93 vjeç, nuk pranonte kurrsesi të “shkulej” nga pushteti, derisa dhjetorin e kaluar u detyrua pas një puçi të mençur ushtarak të tërhiqet, por pa i hyrë gjemb në këmbë.
Një shembull shumë më tronditës jep në Birmani ose Myamar emblematikja e dikurshme 73-vjeçare, Aung San Suu Kyi, liderja e partisë në pushtet “Liga Kombëtare për Demokraci” . Nga viti 2015, ajo është praktikisht kryeministre dhe ministre e Jashtme. Në fakt, do të ishte presidente, por Kushtetuta nuk e lejon për shkak të fëmijëve me shtetësi britanike.
Aung San Suu Kyi ka qenë 21 vite rresht e burgosura më e madhe politike e regjimit ushtarak birmanez, nga të cilat 15 vjet në arrest shtëpie.
Ndaj, “Zonja” siç e thërrasin, u kthye në simbol të rezistencës kundër dhunës dhe shtypjes politike të regjimit ushtarak dhe në ikonën e moralit.
Falë dhe mbështetjes masive të komunitetit ndërkombëtar, partia që ajo drejton erdhi bindshëm në pushtet në vitin 2015 me 86 për qind të votave, me shpresën e madhe të ndryshimit.
Ndaj, edhe këto tri vitet e fundit nuk mbeti kancelari dhe lider kalibri në botë pa e pritur San Suu Kyi me nderimet më të mëdha të mundshme. Pas “Nobel për Paqe” në vitin 1991, ajo është lauruar me çmimet dhe dekoratat më të larta nga shumë vende dhe organizata botërore.
Mirëpo, në vend të kthesës së shumëpritur, “Zonja” heshti, madje lejoi dhe legjitimoi dëbimet e dhunshme masive të qindra mijëra myslimanëve Rohingya për në Bangladeshin fqinj; një spastrim etnik i paparë në botën e sotme të qytetëruar! Zhgënjimi dhe indinjata ndërkombëtare ndaj saj vazhdon të jetë e jashtëzakonshme. Puna ka arritur deri aty sa të kërkohet revokimi i “Nobel për Paqe”, ndërkohë, këshillat bashkiake në Londër, Oksford, Dublin dhe gjetkë ia kanë hequr me konsensus mbarëpartiak titujt e nderit të akorduara më parë. Në janar të këtij viti, Muzeu i Kujtesës së Holokaustit në Nju Jork i hoqi asaj dekoratën e lartë “Elie Wiesel” etj.
Edhe në Amerikën Latine, sidomos në Brazil, Kili, Peru, Argjentinë dhe gjetkë ka disa liderë(e) të cilët kanë zhgënjyer zgjedhësit dhe popujt e tyre, kur në vend apo në emër të lulëzimit ekonomik dhe demokracisë kanë nxitur dhe prodhuar më shumë përçarje, krim, korrupsion dhe mashtrime gjigante financiare.
Për fat të keq, zhgënjime të tilla tronditëse politike janë ndeshur në shumë raste, ndonëse jo në përmasa të kësaj natyre edhe në Evropë, edhe në Ballkan.
Rast tipik për paaftësi, mungesë të theksuar vizioni dhe guxim politik është ai i ish-presidentit francez François Hollande. Në vitin 2012, falë lëvizjes së gjerë “Tani” dhe fitores plebishitare, Hollande dhe socialistët francezë u ribënë si 3 dekada më parë, pikë e madhe referimi dhe shprese, përballë përshkallëzimit të ethshëm të forcave të ekstremit të djathtë. Mirëpo, pesë vitet e tij në pushtet rezultuan dështim fatal për atë vetë, Francën dhe PS-në e saj. Hollande është i vetmi president francez në detyrë, që nuk guxoi të hynte për një mandat të ri as në garën primare të PS-së nga frika e një katastrofe të vërtetë zgjedhore brenda saj! Për pasojë, PS-ja franceze sot ka vetëm 6 për qind të votave, aq sa detyrohet të shesë dhe selinë e vet, për të shmangur falimentin financiar.
Ka edhe raste kur ky zhgënjim VIP ka ndodhur pas largimit nga pushteti. Në vitin 1998, Gerhard Schroder mposhti në zgjedhjet gjermane legjendarin Kohl. Bashkë me Blair krijuan “Rrugën e Tretë ose të Mesme” për rilindjen e gjithë social-demokracisë evropiane; më 2005 humbi fare ngushtë ndaj Merkel në zgjedhjet e parakohshme.
Mirëpo, pikërisht atëherë kur pritej të vazhdonte shërbimin e tij ndaj SPD-së në ato vite të vështira, Schroder u kthye në një problem të madh për politikën dhe imazhin e Gjermanisë. Fill pas largimit nga pushteti, ish-edhe pse financiarisht trajtohet pothuajse si Kancelar në detyrë, Schroder pranoi të emërohej President i Këshillit Mbikëqyrës të “Nord Stream” të Gazprom, falë miqësisë politike personale me presidentin Putin dhe së fundi edhe i kompanisë më të madhe të naftës “Rosneft”, e cila është objekt i sanksioneve të BE-së. Schroder justifikohet se këto funksione të larta janë “punë me kohë të pjesshme”, edhe pse me një shpërblim vjetor marramendës prej 350.000 dollarë. Por, më shqetësues është se veç biznesit, Schroder ka kundërshtuar disa herë perëndimin lidhur me mbështetjen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, dënimin e aneksimit të Ukrainës Lindore nga Rusia etj.
Ndërsa në Ukrainë në vitin 2004, ish-presidenti Viktor Yushchenko udhëhoqi në fitore “Revolucionin Portokalli”. Mirëpo, edhe lidershipi i tij shumë shpejt pësoi një dështim “ulëritës”. Pas përfundimit me shumë vështirësi të mandatit të parë, ai dështoi në garën për një mandat të dytë dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, ku fitoi vetëm 1 për qind të votave, pa mundur kësisoj të hyjë as në parlament!
Ky dështak i madh, në vend që të bashkonte forcat evropianiste, u përfshi me zell në sherre dhe grindje të vazhdueshme politike me partneren më të ngushtë, ish-kryeministren dhe ikonën e revolucionit “Portokalli”, Jylia Tymoshenko. Vijoi me kryeneçësi dhe iu bashkua “korit” të akuzave që e çuan këtë të fundit në burgosjen politike në favor të sfidantit të saj pro-rus, Yanukovych. Gjithsesi, Tymoshenko u shpall e pafajshme nga Gjykata e Strasburgut dhe udhëheq partinë e dytë më të madhe në vend.
Më sipër përmendëm disa nga shembujt pikantë negativë, pa harruar se ka edhe më shumë modele të suksesit emblematik. Prej tyre vazhdojnë të nxirren mësime të dobishme sidomos mbi lidershipin. Më kryesori është se asnjë lider/drejtues, sado popullor dhe karizmatik, nuk është i imunizuar nga rreziku i kthimit në autokrat dhe diktator. Madje, as ndonjë që mund të ketë qenë ose dhe mund të jetë i burgosur politik, i shtypur apo persekutuar.
Garanci absolute ndaj këtyre dukurive të dëmshme për demokracinë e vërtetë nuk jep as integrimi dhe anëtarësimi në BE, NATO etj., ca më pak në vendet ish-lindore, ku siç dhe po ndodh në vende të caktuara, trashëgimia komuniste po kthehet në prirje drejt regjimeve populiste dhe autoritariste.
Mësimi tjetër jetik është se këto zhgënjime “emblematike” shmangen kur forcat dhe liderët politikë nuk e kufizojnë apo identifikojnë demokracinë pluraliste vetëm me votën dhe zgjedhjet e lira, sado të drejta dhe plebishitare qofshin, le më pastaj kur janë me probleme!
Ca më keq akoma kur verdiktin e elektoratit mundohen ta përdorin si “grep” për të kapur pushtetin dhe si “gjethe fiku” për të mbuluar mungesat dhe deficitet në zbatimin e “dekalogut” të Helsinkit – toleranca, konsensusi, lëshimet, kompromisi, respektimi i opozitës, ndarja dhe pavarësia reale e pushteteve, shtypi i lirë, shoqëria civile, OJQ-ve, informimi dhe ndërgjegjësimi publik. Ndryshe dhe alternimi politik, kthehet thjesht në “ndërrim portash”!
Këto dhe të tjera mësime nga pësimet e lartpërmendura nuk ka si të mos vlejnë edhe për drejtuesit e forcave politike në vendin tonë, për ata në pushtet dhe në opozitë, të majtë dhe të djathtë, me përvojë dhe të rinj, të sotëm dhe të nesërm (marrë nga “Gazeta Shqiptare”).