Me largimin e Angela Merkelit nga politika, Bashkimi Evropian ka humbur një prej personave që është shquar në gjetjen e kompromisit edhe atëherë kur dukej e pamundur. Vështirë të ketë zëvendësim për Merkelin në këtë pozitë. Për Kosovën do të mbahet mend si kancelare, gjatë mandatit të së cilës Gjermania mbështeti pavarësinë e Kosovës, kundërshtoi fuqishëm ndarjen e Kosovës, për raporte të mira bilaterale, por edhe për dështimin që për Kosovën të sigurojë liberalizimin e vizave apo mbështetje më të fuqishme nga BE-ja
Si shumë politikanë të tjerë, e shumë njerëz të tjerë, edhe Angela Merkel nuk ka qenë e përsosur. Ka pasur edhe ajo gabime dhe të meta si politikane. Këto ditë po ia numërojnë disa shembuj se si ajo, për të mbrojtur ose interesat e Gjermanisë ose ato të Evropës, ka bërë lëshime ndaj diktatorëve, regjimeve që nuk respektojnë vlerat e demokracisë. Përmendin këtu takimet dhe bisedat me presidentin e Rusisë, Putin, dhe investimet e përbashkëta në gazsjellësin North Stream 2, që shkon kundër interesave të BE-së e në favor të Gjermanisë dhe Putinit. Sepse kjo shkon në kundërshtim të politikës dhe strategjisë së zvogëlimit të varësisë nga Rusia. Por përkundër gjithë mirësisë së saj, edhe nën udhëheqjen e kancelares Merkel interesi gjerman ka qenë mbi të gjitha parimet dhe vlerat. E interesi i Gjermanisë ishte edhe ruajtja e BE-së si një union i fortë. Këtu doli në pah, disa herë, aftësia dhe fuqia e tashmë ish-kancelares gjermane Merkel. Të gjithë liderët e tjerë evropianë, edhe ata që janë në familjet e tjera ideologjike, si liberali Emmanuel Macron apo socialisti Pedro Sanchez, ia pranojnë aftësinë për të balancuar dhe siguruar kompromiset në BE në momentet më të rëndësishme të historisë së saj. Merkel ishte aty për të mbështetur edhe zgjidhje të cilat jo doemos ishin të popullarizuara në opinionin gjerman. Me largimin e saj pak do të ketë liderë të tillë që do të kenë guxim të shkojnë kundër opinionit publik.
Me largimin e saj ajo lë një zbrazëtirë në BE, ku është shumë i vogël numri i liderëve të fuqishëm dhe të guximshëm. Janë larguar disa liderë të vjetër, por edhe shumë të rinj. Një prej yjeve të konservatorëve evropianë, të grumbulluar në grupin e Partive Popullore Evropiane, ishte pa dyshim Sebastian Kurz, deri vonë kancelar i Austrisë. Ai tashmë është larguar nga politika në mënyrë jo edhe aq të famshme - për shkak të dyshimeve për konflikt interesi. Para pak vitesh ishte larguar edhe veterani i politikës evropiane, Jean Claude Juncker, më herët edhe ish-paraardhësi i tij në krye të Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, ish-presidenti i Këshillit Evropian, Herman von Rompoy. Të gjithë këta nga grupi i partive konservatore, demokristiane nga qendra e djathtë.
Nuk ka më as politikanë nga qendra e majtë siç ishte ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Javier Solana. Apo si ish-kryeministri britanik Tony Blair. Nuk ka më as politikanë idealistë nga grupimi i qendrës së majtë siç ishte ish-presidenti i Komisionit Evropian dhe ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi.
Historikisht politika evropiane është dominuar pikërisht nga këto dy grupime, EPP e qendrës së djathtë dhe Social-Demokratët nga qendra e majtë. As njëra, as tjetra nuk qëndrojnë aq mirë si dikur. Socialistët në pak vende të BE-së kanë vota të mjaftueshme për të udhëhequr pa bërë koalicione, shpesh edhe jo të natyrshme.
Dy grupime që kanë rritje të ndikimit janë liberalët dhe të gjelbërit. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmendet si personi që do ta ketë tash rolin kryesor, si lideri me ndikimin më të madh në Evropë pas largimit të Merkelit. Pas tij me fuqi të madhe është edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, që është njëri prej kryeministrave me mandatin më të gjatë në krye të një qeverie të një vendi anëtar të BE-së.
Të gjelbërit kanë shënuar rritje dhe do të kenë një rol të rëndësishëm edhe në qeverinë e re të Gjermanisë. Janë rritur edhe në numër, edhe me ndikim në nivel të BE-së, po ashtu. Pra, letrat janë përzier në shpërndarjen e fuqisë së partive politike në BE. Aq shumë sa tash as marrëveshjet e mëhershme nuk vlejnë si dikur. Për shembull, prej vitit që vjen presidentja e Parlamentit Evropian duhet të vijë nga radhët e EPP-së, pasi kjo ishte pjesë e marrëveshjes kur u zgjodh në mandat prej 2 vjet e gjysmë socialisti italian David Sasolli. Por tash socialistët thonë se nuk mund t’ia lëshojnë EPP-së të kenë edhe kryetaren e Komisionit Evropian edhe të Parlamentit Evropian, ani pse kishin pranuar një gjë të tillë në fund të vitit 2019, kur ishin ndarë postet.
Uniteti i BE-së kështu do të testohet shpesh. Dhe nuk dihet kush do të jetë aty për t’i pajtuar dhe për të arritur kompromiset siç bënte Merkel deri tash. Ajo ishte kyç kur u shpëtua BE-ja pas dështimit të ratifikimit të “Kushtetutës Evropiane”, një projekt ambicioz të cilin e refuzuan në referendume qytetarët e Francës dhe ata të Holandës. Shtyri kompromisin përmes Traktatit të Lisbonës. Ishte kyç edhe për miratimin e tri kornizave shtatëvjeçare financiare të BE-së, njërës për periudhën 2007-2014, pastaj për periudhën 2014-2021 dhe asaj që tash është në fuqi 2021-2027. Kushdo që ka përcjell vetëm pak politikat e BE-së, e di se asgjë nuk është më e vështirë të arrihet sesa pajtimi i të gjitha shteteve anëtare se si të financohet dhe si të shpenzohet buxheti i përbashkët. Ajo si kancelare gjermane ishte në krye të BE-së si kryesuese e radhës e Këshillit edhe kur u miratua paketa prej 750 miliardë eurosh për rimëkëmbje nga pasojat e pandemisë. Merkel kështu e lë së paku BE-në me dy paketa shumë të mëdha financiare për disa vjet me radhë.
Me largimin e Angela Merkelit nga politika, Bashkimi Evropian ka humbur një prej personave që është shquar në gjetjen e kompromisit edhe atëherë kur dukej e pamundur. Vështirë të ketë zëvendësim për Merkelin në këtë pozitë. Për Kosovën do të mbahet mend si kancelare, gjatë mandati të së cilës Gjermania mbështeti pavarësinë e Kosovës, kundërshtoi fuqishëm ndarjen e Kosovës, për raporte të mira bilaterale, por edhe për dështimin që për Kosovën të sigurojë liberalizimin e vizave apo mbështetje më të fuqishme nga BE-ja.
Duke pasur parasysh fuqinë dhe ndikimin që ka Gjermania, ka mundur të bëjë edhe më shumë për Kosovën. Por disi mbështetja e shprehur nga Gjermania, si në rastin e liberalizimit të vizave, nuk është shndërruar në veprime konkrete të përfaqësuesve të saj në Bruksel. Pritet që sa i përket rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, të ketë kontinuitet në politikën gjermane edhe me qeverinë e re. Dhe të shpresojmë se ajo do të bëjë një hap përpara edhe në raportet e Kosovës me BE-në, nga liberalizimi i vizave e deri te trajtimi i Kosovës me më shumë respekt nga strukturat e Bashkimit Evropian, që më shumë u përshtaten nevojave të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën sesa të atyre që e kanë njohur.