BE-ja bën një gabim kur e krahason pozitën e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi me mandatin që mori Qeveria e re në Kosovë. Edhe pse fitoi mbi 50% të votave, afro 60% të votave shqiptare, Qeveria e Kosovës nuk ka hapësirë për të bërë lëshime ndaj Serbisë në dialog. Maksimumin që mund ta bëjë, dhe atë me shumë vështirësi, është zbatimi i obligimeve të cilat i kanë marrë në emër të Kosovës qeveritë e mëhershme. Dhe atë nëse një gjë e tillë është në përputhje me Kushtetutën
Liberalët në Holandë, të udhëhequr nga kryeministri Mark Rutte, kanë fituar në zgjedhjet e fundit 24% të votave. Kjo është quajtur si “fitore bindëse”, e cila do t’ia siguronte atij edhe një mandat katërvjeçar në krye të Qeverisë, duke e bërë kryeministrin më jetëgjatë në atë post në historinë e Holandës. Ai si fitues do të krijojë një koalicion qeveritar, ku do të përfshijë edhe tri, katër apo pesë parti të tjera.
Në Kosovë mbi 50% të votave nuk mjaftojnë për t’ia dhënë fituesit një mandat të pakontestuar për të qeverisur. Së pari, për shkak të 20 vendeve të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, dhe së dyti për shkak se edhe mënyra se si zgjidhet presidenti i shtetit është bërë kusht për mbijetesën e Qeverisë.
Humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve në Kosovë, nëse bëhen bashkë me ish-partnerët e tyre nga Lista Srpska, e kontrolluar dhe e dirigjuar nga Serbia, mund ta krijojnë atë që quhet “pakicë bllokuese” dhe, duke bojkotuar mbledhjen e Kuvendit apo procesin e votimit për president, ta çojnë Kosovën në zgjedhje të reja, dhe si pasojë ta rrënojnë edhe një herë Qeverinë Kurti, kësaj radhe Kurti II.
Nëse ndodh kjo, partitë të cilat do ta bojkotonin votimin do të përballeshin të parat me pasojat, sepse ato do të shiheshin si fajtore. E kanë gabim nëse mendojnë se qytetarët fajtore do ta konsiderojnë Vetëvendosjen, fituesen e zgjedhjeve. Kështu mendoi edhe LDK-ja kur besoi se qytetarët do ta konsiderojnë Vetëvendosjen fajtore për shkatërrimin e Qeverisë në pranverën e vitit 2020. Dhe u pa se si kaloi dhe si iu hakmor kjo.
Por gjithsesi inatet politike në Kosovë, interesat personale, ndikimi në gjyqësor, hetuesi, polici e diplomaci, janë aq të mëdha saqë nuk mund të përjashtohet që të krijohet përsëri një krizë institucionale dhe Kosova të shkojë në zgjedhje përsëri.
LDK, PDK dhe AAK do të përballen edhe me etiketën se janë “antiamerikane” dhe “antievropiane”, sepse kështu ato e quajtën Vetëvendosjen, e cila nuk deshi t’i bindet ish-ambasadorit amerikan. Por kjo është një temë tjetër.
Fituesi i zgjedhjeve tash është në një situatë në të cilën duhet të menaxhojë pritjet. Së pari pritjet e votuesve të tyre. E ato janë të mëdha. Sepse edhe mbështetja për Vetëvendosjen ishte e madhe. Këto pritje, para së gjithash, kanë të bëjnë me pastrimin e administratës publike nga njerëzit e korruptuar, krijimin e një sistemi të duhur shëndetësor, sepse ajo që Kosova ka pasur deri tash nuk mund as të quhet sistem shëndetësor. Por duhet të menaxhojë edhe pritjet lidhur me dialogun me Serbinë. Dhe atë dy lloj pritjesh. Ato nga votuesit, të cilët nuk mbështesin kompromise të reja me Serbinë në dëm të Kosovës. Dhe së dyti, edhe ato të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për “sjellje konstruktive në dialog me Serbinë”.
Se çfarë vërtet pret administrata amerikane nga kjo qeveri në dialog mbetet të shohim. Mbase për këtë tashmë janë edhe duke u dakorduar personat e Qeverisë së re dhe administratës së re. As Kurti nuk ka më kredit t’u thotë jo amerikanëve, por as amerikanët nuk kanë më kredit për të rrëzuar një qeveri e cila ka marrë rreth 60% të votave të shqiptarëve të Kosovës.
Se çfarë pret BE-ja tashmë e dimë. Zbatimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë ndoshta edhe përmes ndryshimeve të Kushtetutës dhe dhënie e një lloj statusi eksterritorial Kishës Ortodokse Serbe, që pos që është organizatë fetare është edhe strukturë politiko-shtetërore e Serbisë.
Dhe BE-ja kur e kërkon këtë nuk ka asgjë për të ofruar. Së pari nuk i ka përmbushur premtimet e deritashme, dhe së dyti premtimet për “rrugëtim evropian” janë shumë abstrakte.
Por gjithsesi nga kjo qeveri edhe në BE janë krijuar pritje, sidomos duke pasur parasysh se ajo ka fituar mbi 50% të votave. Dhe në BE, ku edhe shumica relative siguron mandat stabil, mendojnë se Qeveria e cila ka një shumicë të tillë “nuk ka arsyetim për të mos i kryer detyrat”.
Por BE-ja bën një gabim kur e krahason pozitën e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi me mandatin që mori Qeveria e re në Kosovë. Vuçiqi udhëheq një shtet i cili në mënyrë nominale është demokraci, sepse pushteti del nga zgjedhjet, por praktikisht nuk ka sistem funksional pluralist demokratik. Dhe këtë e ka eksportuar edhe tek serbët e Kosovës duke sulmuar, frikësuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga pushteti. Në këtë mënyrë, pushteti i Aleksandar Vuçiqit në Serbi është i pak-kontestueshëm dhe ai është person i cili në Serbi vendos për gjithçka.
Në Kosovë, pa marrë parasysh situatën kaotike, që shpesh shihet edhe si politikisht jostabile, ekziston një jetë shumë dinamike politike, një skenë dinamike, e lirë dhe pluraliste mediale. Një shoqëri civile vitale dhe aktive. Dhe pa marrë parasysh se sa ka mbështetje ndonjë qeveri, askush nuk mund ta ketë bindjen se mund të bëjë gjithçka, pa hasur në kritikat dhe kundërshtimet e atyre që kanë për detyrë të jenë monitorues dhe korrektues të pushtetit. Dhe kjo gjendje, sado kaotike të duket, është shumë më mirë sesa ajo që është në Serbi, ku “gjithçka duhet” dhe “dihet se kush vendos”.
Edhe pse fitoi mbi 50% të votave, afro 60% të votave shqiptare, Qeveria e Kosovës nuk ka hapësirë për të bërë lëshime ndaj Serbisë në dialog. Maksimumin që mund ta bëjë, dhe atë me shumë vështirësi, është zbatimi i obligimeve të cilat i kanë marrë në emër të Kosovës qeveritë e mëhershme. Dhe atë nëse një gjë e tillë është në përputhje me Kushtetutën. Edhe pse gjatë veprimtarisë së saj, gjatë së cilës u rrit, saqë u bë partia më e madhe dhe me mbështetjen më të madhe në historinë e Kosovës, Vetëvendosje ishte kundër marrëveshjeve të arritura në dialog, Qeveria e tashme nuk ka si t’i evitojë obligimet që i ka marrë Kosova. Por edhe opozita e tashme, që ishte në pushtet në të kaluarën, nuk mund të kërkojë nga Qeveria që të mos e implementojë atë që ata e kanë miratuar dhe në një mënyrë të zhbëjë dëmin që ata e kanë bërë. Sepse në dialog janë bërë dëme që më nuk mund të zhbëhen.