Filozofi grek ka pasur të drejtë kur zgjuarsinë e njeriut e ka matur me gatishmërinë për të pranuar se sa pak dije ka, e jo sa shumë është i ditur. Virusi Korona dhe pasojat e tij po na dëshmojnë se më mirë është “të dimë se asgjë nuk dimë” sesa të mendojmë se dimë gjithçka dhe t’u besojmë atyre që besojnë se dinë gjithçka. Sa më shumë që të mësojmë për këtë virus aq më herët do ta fitojmë betejën ndaj tij. Por, jemi ende larg sepse vazhdon të jetë virus me shumë të panjohura
Të dielën e Pashkëve, që ishin sikur asnjëherë më parë, pa mesha të Pashkëve jo vetëm nëpër kishat e vogla por as në Vatikan, nga spitali u lirua Boris Johnson, kryeministri Britanik i cili ishte nën kujdes intensiv për shkak të keqësimit serioz të shëndetit, si pasojë e infektimit me virusin Korona. Johnson ishte një prej politikanëve të cilët nuk e kishin kuptuar si tepër serioz rrezikun nga ky virus. Para kamerave ua kishte shtrënguar duart të infektuarave. Duke marrë shembuj nga viruset e mëhershëm shpesh sezonalë, mendohej se Britania e Madhe, për dallim nga shtetet tjera, do të zgjedhë një rrugë tradicionale, atë që ekspertët mjekësorë po e quajtkan “imuniteti i masës”. Kjo na qenka situata në të cilën virusi lihet lirisht të përhapet, njerëzit ndërkohë njihen me të dhe krijojnë imunitet, dhe kur një pjesë e madhe e masave krijon imunitet atëherë virusi largohet dhe nuk shkon as tek ata që nuk kanë imunitet. Por, kur u pa vdekshmëria nga ky virus, shpejt edhe Britania e Madhe nisi masat drastike të kufizimit të lëvizjes, distancimit social dhe përgatitjeve nëpër spitale për përballje me numër të madh të të infektuarve. Dhe Johnson, në shembullin e tij personal, u bind se ka qenë gabim, se ky ishte një virus i rrezikshëm dhe mbi të gjitha i panjohur ende, e kurrsesi sikur edhe “gripat sezonalë” që shkojnë e vijnë.
Nëse ekziston ndonjë garë mes viruseve se cili ka qenë më i tmerrshëm, ky Korona, virusi i sotëm, tashmë e ka fituar vendin e parë. Sepse jetojmë në një botë ku brenda ditës përhapet jo vetëm lajmi, por njerëzit vijnë nga një kontinent në tjetrin dhe me këtë edhe virusi. Tash po e kuptojmë se ka pasur logjikë edhe në frikën e disa fshatrave nëpër Evropë, që kur ishte zbuluar hekurudha kishin kundërshtuar që treni të kalonte përmes rrugëve të tyre, sepse mund të vijnë njerëz të ndryshëm dhe të sjellin viruse të ndryshme.
Natyrisht se nuk mund të kthehemi në Mesjetë për t’u përballur me viruset. Sepse zhvillimi i ditës, globalizmi, shpejtësia e lëvizjes dhe shkëmbimit të informatave, do të na shpëtojë nga virusi me shpejtësi më të madhe sesa që ai u përhap. Më shpejt do të zbulohet vaksina dhe shumë shpejt, pasi të zbulohet, do të shumëzohet dhe shpërndahet për ta krijuar imunitetin që do të na mbrojë më vonë. Sepse ka gjëra të mira edhe kur ndodhin gjërat e këqija. Globalizimi mund të ketë pasoja, por ka edhe përparësi. Po të mos ishte aq e lehtë dhe e shpejtë lëvizja e virusit nga Kina, nuk do të vinte në Evropë aq shpejt. Por, po të mos ishte globalizmi nuk do t’i kishim as pajisjet për komunikim siç i kemi sot dhe nuk do ta kishim aq lehtë ta kalojmë kohën e vetizolimit apo izolimit të imponuar.
Shpejtësia me të cilën sot mund të vijmë deri tek informatat është shumë e madhe dhe mundësitë po ashtu të mëdha. Prandaj, njerëzit kërkojnë përgjigje të shpejta në shumë pyetje. Kërkimet për informacione rreth virusit Korona janë aq të shumta dhe përgjigjet që gjenden nëpër rrjete sociale dhe internet aq të pasigurta, të pasakta, saqë lufta kundër të pavërtetave rreth virusit është bërë pothuajse aq e rëndësishme sa edhe vetë beteja për ndaljen e përhapjes së virusit. Njerëzit duan të dinë se kur do të përfundojë kjo, a do të vdesë virusi nga temperaturat e mëdha, a na mbron vërtet maska dhe shumë e shumë pyetje tjera. Por, përgjigje të sakta ende nuk ka. Përditë dalin mësime dhe kuptohet më shumë për virusin. Por, sapo të besohet se ekspertët kanë ardhur deri te një zbulim, del ndonjë ekspert tjetër që ka ardhur deri te një zbulim tjetër. Sepse virusi nuk qenka i njëjtë në secilën pjesë të botës, Edhe ai, si një i huaj i paftuar, paska veti të përshtatet me ambientin ku ka ardhur. Duke u përshtatur bëhet më pak i vërejtur dhe qëndron më shumë duke shkaktuar dëme më të mëdha në një afat më të gjatë.
Aq shumë të panjohura ekzistojnë ende rreth këtij virusi, saqë mënyra më e mirë të mbrohemi nga ai është parimi i Sokratit, kuptimi se nuk dimë asgjë dhe të presim që ata që dinë të zbulojnë edhe ilaçin edhe vaksinën për ta parandaluar.
Filozofi grek ka pasur të drejtë kur zgjuarsinë e njeriut e ka matur me gatishmërinë për të pranuar se sa pak dije ka, e jo sa shumë është i ditur. Virusi Korona dhe pasojat e tij po na dëshmojnë se më mirë është “të dimë se asgjë nuk dimë” sesa të mendojmë se dimë gjithçka dhe t’u besojmë atyre që besojnë se dinë gjithçka. Sa më shumë që të mësojmë për këtë virus aq më herët do ta fitojmë betejën ndaj tij. Por, jemi ende larg sepse vazhdon të jetë virus me shumë të panjohura.
Nuk ka asnjë vend i cili mund të mburret se ka mësuar me kohë shumë për virusin dhe e ka evituar më të keqen. Kur njerëzit vdisnin nëpër korridoret e spitaleve të Italisë, shumë vende të Evropës u alarmuan. Thanë se “nuk guxojnë ta lejojnë përsëritjen e skenarit italian”. Belgjika, Holanda, Franca dhe Britania e Madhe ndërmorën masa. Por sot, përqindja e vdekjes krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara të infektimeve në këto shtete është pothuajse e njëjtë sikur në Itali, mbi 10 për qind. Belgjika me pak më shumë se 10 milionë banorë ka në këtë moment 3600 të vdekur nga koronavirusi, nga gjithsej 28000 raste të të infektuarve. Italia është gjashtë herë më e madhe me numrin e banorëve. Ndoshta numri i viktimave do të ishte shumëfish më i madh sikur të mos ishin ndërmarrë masat dhe me siguri do të ishte. Por, as kjo situatë që është sot nuk mund të mos quhet tragjedi që po ndodh në Belgjikë, Holandë, Britani e Francë. Gjermania e ka përqindjen shumë më të vogël. Por, këtu edhe fati është faktor i rëndësishëm. Sepse në vendet që ka pasur më së shumti viktima, virusi ka goditur rëndë shtëpitë e pleqve. Në Belgjikë, vdekja nëpër këso shtëpi ka qenë mbi 40 për qind e totalit të të vdekurve nga koronavirusi. Virusi, kur hyn nëpër shtëpitë e pleqve, bën dëme sikur ndonjë sulm terrorist, vret nganjëherë edhe gjysmën e njerëzve që gjen aty.
Prandaj është herët dhe e panevojshme që ndonjë shtet të mburret me masat që ka ndërmarrë, duke besuar se e ka evituar tragjedinë. Duhet të pranojmë se nuk dimë asgjë, më mirë sesa të mendojmë se dimë gjithçka rreth koronavirusit dhe të vazhdojmë kujdesin maksimal, sidomos për kategoritë e njerëzve më të rrezikuar. Sepse, nëse diçka tashmë është konfirmuar është se edhe pse nga virusi pësojnë të gjitha moshat dhe gjinitë, pasojat janë shumë më të rënda tek ata me sëmundje kronike dhe te të moshuarit. Prandaj, nuk duhet injoruar thirrjet që të rinjtë duhet ta ruajnë veten, por edhe të tjerët. Nuk është turp të mos dish, madje është virtyt dhe urtësi e madhe, e të mendosh se di gjithçka është edhe rrezik dhe jo vetëm marrëzi.