E vetmja shpresë se Lajçak mund të ketë sukses në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë “brenda muajsh” ka qenë angazhimi i madh i Gjermanisë dhe i Francës. Por duket se këto shtete e kanë mbështetur Lajçakun për të hequr qafe këtë temë nga përgjegjësia e tyre. Me këtë ritëm dialogu jo që nuk do të përmbyllet në vitin 2021, por vështirë se do të ketë sukses deri në vitin 2031. Prandaj edhe në BE tash e kanë ndryshuar fjalorin. Tash nuk thonë më se kërkojnë “marrëveshje të shpejtë”, por se “nuk do të ketë afate artificiale” dhe se dialogu është “rrugë e gjatë me shumë pengesa”
Kanë kaluar gati nëntë muaj prej kur ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, është emëruar në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Emërimi i tij ishte përcjellë me shumë entuziazëm. Thuhej se do të ketë “kthesë” në dialog, i cili deri në atë kohë ishte i bllokuar nga Serbia, me mbështetje të plotë të BE-së, duke e fajësuar Kosovën, e cila kishte vendosur taksat për importin e mallrave nga Serbia. BE-ja e kishte pranuar si të drejtë kushtëzimin që Serbia ia bënte dialogut me heqjen e kësaj takse. Thuhej se tash “BE-ja do ta ketë një person, i cili 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, dymbëdhjetë muaj në vit” do të merret vetëm me këtë temë. Dhe thuhej se tash do të insistohet që sa më shpejt të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse “brenda muajve e jo viteve”.
Para se të emërohej Lajçak në këtë post, në Kosovë shprehej një pakënaqësi, por jo në mënyrë konsistente. Sepse sikur shefi i tij, Josep Borrell nga Spanja, ashtu edhe Miroslav Lajçak vinte nga një vend i cili nuk e njeh Kosovën. Por Kosova nuk ka të drejtë të vendosë se kush do ta përfaqësojë BE-në. Kështu, kosovarët u pajtuan me realitetin, u pëlqeu apo jo. Madje kishte të atillë që mendonin, në mënyrë naive, se Lajçak do të jetë në anën e Kosovës pikërisht për t’u dëshmuar se nuk ka asgjë kundër, ani pse vjen nga një shtet i cili nuk e njeh Kosovën. Por që atëherë ishte e ditur se, pa marrë parasysh se kush në emër të BE-së e lehtëson dialogun, suksesi do të varet nga shtetet kryesore anëtare e jo nga ai person. Dhe mbështetja që Lajçakut i dhanë sidomos Gjermania dhe Franca ndihmoi që të rriten pritjet se dialogu mund të jetë ndoshta edhe i suksesshëm.
Për dallim nga shefi i tij Borrell, i cili në fillim të mandatit paralajmëroi se BE-ja nuk do ta kundërshtojë as shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë, nëse për këtë pajtohen palët, Lajçak nuk e shihte këtë ide si të mirë e as si të mundur. Disa burime diplomatike thonë se Lajçak ka mbajtur këtë qëndrim për të fituar dhe për të mbajtur mbështetjen e Gjermanisë, shtet i cili më së shumti ishte kundër kësaj ideje. Nuk ishte “keqinterpretuar” Borell, sepse ai ishte pyetur dy herë të sqarojë se a është apo jo kundër idesë, dhe të dy herët ishte përgjigjur se “BE-ja nuk mund të jetë më katolike se Papa” dhe nuk do të kundërshtojë asgjë që palët do të pajtoheshin.
Lajçak u emërua në atë post me mandat prej një viti. Pra, për tre muaj do t’i skadojë mandati. Nuk ka dyshim se do t’i vazhdohet. Por tash është e qartë se dialogu nuk shkoi me dinamikën e pritur dhe me këtë ritëm do të zgjasë me vite e jo vetëm disa muaj.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të pohojnë se kanë hyrë në dialog me dy qëllime të qarta: që dialogu të jetë “ i kufizuar në kohë” dhe të përmbyllet me “njohje të ndërsjellët”. BE-ja nuk e thotë se dialogu duhet të përmbyllet me njohje. Sepse ka edhe shtete të BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet, përfshirë edhe shtetet në krye të diplomacive të të cilave ishin pikërisht Lajçak dhe shefi i tij Borrell. E Serbia e përsërit se në dialog “njohja nuk është fare çështje e diskutimeve”. Nga këto qëndrime nuk ka lëvizur asnjëra palë.
E vetmja shpresë se Lajçak mund të ketë sukses në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë “brenda muajsh” ka qenë angazhimi i madh i Gjermanisë dhe i Francës. Por duket se këto shtete e kanë mbështetur Lajçakun për të hequr qafe këtë temë nga përgjegjësia e tyre. Me këtë ritëm dialogu jo që nuk do të përmbyllet në vitin 2021, por vështirë se do të ketë sukses deri në vitin 2031. Prandaj edhe në BE tash e kanë ndryshuar fjalorin. Tash nuk thonë më se kërkojnë “marrëveshje të shpejtë”- por se “nuk do të ketë afate artificiale”- dhe se dialogu është “rrugë e gjatë me shumë pengesa”.
Asnjëra palë nuk është e gatshme për rezultat të shpejtë në dialog. Kosova ka humbur përqendrimin. Në fillim kryeministri Avdullah Hoti ishte pajtuar në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të diskutohej edhe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Se për këtë kishte pajtim e kanë thënë edhe në BE. Por prej atëherë nuk ka pasur më takime në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Kosova ka refuzuar që kjo temë të diskutohet. Me përjashtim të dy temave fillestare, përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve, të cilën Serbia e lidhi edhe me atë të të zhvendosurve, për asgjë tjetër nuk është arritur pajtim. As për temën e pretendimeve financiare dhe pronësore. Për këtë temë, e cila është diskutuar në tri runde, nuk ka as përafrim të qëndrimeve të palëve. E këto janë vetëm disa nga shumë çështje “të hapura” mes palëve të cilat do të duhej të zgjidheshin.
Pas shkuarjes në Hagë, me akuza për krime lufte, të ish- presidentit Thaçi dhe të shefit të PDK-së, Veseli, në Kosovë është thelluar edhe kriza politike. Në këto rrethana askush nga Kosova nuk mund të pretendojë se ka legjitimitet që në emër të Kosovës të marrë çfarëdo obligimi të ri nga dialogu. Serbisë nuk i shkon mendja ta njohë Kosovën e as nga BE-ja nuk kemi dëgjuar se po i kërkohet një gjë e tillë.
Prandaj jo gjatë muajve, por edhe gjatë viteve në vijim do të lexojmë porosi në Twiter të Lajçaku për takime të reja “të suksesshme”. Do të dëgjojmë nga Borelli se “dialogu po shkon mirë”. Do të dëgjojmë nga delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë se “mbrojnë interesat shtetërore”, nga BE-ja do të dëgjojmë se “mbështesin dialogun”, dhe se ai është “kusht për përparim në rrugëtimin përkatës evropian”. Se sa po avancon dialogu e shohim tash nga paraqitjet e pakta të Lajçakur në publik, kur ai si sukses më të madh e përmend faktin se dialogu “ka rifilluar”. Pra, në periudhën në të cilën pritej të arrihej marrëveshja “brenda muajsh” (kanë kaluar më shumë se tetë muaj), sukses duket fakti se ai ka “rifilluar”. BE-ja jo që nuk është në gjendje të shtyjë ndonjë zgjidhje të shpejtë, por as të mbajë premtimet e saj për avancim në atë që e quan “rrugëtim përkatës evropian”. Kosovës nuk iu hoqën vizat, me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë nuk po nisin negociatat, as Serbia nuk po hap kapituj të ri negociues. Dhe askush nuk po shqetësohet.
fjala “shpejt” në kërkim të dialogut, dhe ajo se nuk ka “afate artificiale” duken relative. Sepse fjala është për një proces i cili ka nisur para dhjetë vjetësh. Po ashtu, do të vazhdojë dhe dhjetë vjet të tjerë.