OpEd

“Më fal që po të hetoj, gjykoj dhe dënoj”

Këtë që e jetojmë është rezultat i humbjes së vlerave në shoqëri, humbjes së respektit për të tjerët, për të përbashkëtën, për të drejtat individuale dhe kolektive të njerëzve që e bëjnë këtë shtet. Është për fat të keq mohimi i gjithë asaj që me vite na kishin mohuar të tjerët, e që tash ia mohojmë vetes

"Janë të gjitha provat edhe për ju z. Enver (pos për z. Bashota, v.a.), prandaj më vjen shumë keq... ajo çka është vepruar është vepruar, ju keni të drejtë të bëni ankesë", qe arsyetimi i gjykatësit derisa ua shqiptonte dënimin prej gjashtë muajsh burgim me kusht ish-kryetarit dhe ish-nënkryetarit të Komunës së Klinës, për shkak se me vetëdije kishin refuzuar ta paraqisnin formularin për pasurinë, pronën dhe dhuratat te Agjencia Kundër Korrupsionit.

Po të njëjtën ditë kur gjykatësi kërkonte falje pse po i dënonte zyrtarët e PDK-së, në Lipjan një grua rome, për të cilën u hodh një lajm i rremë se po i rrëmbente fëmijët shqiptarë, u sulmua fizikisht, pavarësisht se policia doli për të thënë se kjo grua nuk ka kryer vepra penale dhe se në fakt është person nën përkujdesjen e organeve të mirëqenies sociale.

Fëmijë apo adoleshentë, krejt njësoj, si shembull më i shëmtuar i racizmit, e sulmuan një grua që, me gjasë, do t'i ketë hallet e veta personale, ngase ishte riatdhesuar nga Belgjika dhe ishte vendosur në strehimore. As fakti se bredh nga një qytet në tjetrin e as fakti që bart çantë, taka dhe grim, assesi nuk janë as shkaqe e as arsyetime për brutalitetin ndaj saj. Ajo ka zgjedhur ta jetojë jetën e vet ashtu siç bën, sepse arsyet e veta i ka, dhe përderisa nuk i bën dëm askujt dhe i këqyr punët e veta, pse do të duhej dikujt t'i pengonte kjo.

Ai që e sulmoi në Lipjan u mor nga policia dhe u la i lirë. Dhe nuk u deshën më shumë se dy ditë që të sulmohej sërish, tash në Ferizaj, njësoj nga një i ri, dhe për më keq, para një grumbulli të rinjsh që vetëm shikonin pa reaguar fare për ta ndalur dhunën. E sulmoi ngase mundi, ngase do ta ketë menduar se do të lirohej si "dosti" i tij në Lipjan . E sulmoi, ngase do të ketë pritur që organeve të rendit t'u vinte keq se përse e kanë prangosur.

Filozofia e mujsharit

Edhe po të ishte ngjarja me gruan një eksperiment shoqëror, një inskenim për të parë se çfarë reagimi do të mundë të ngjallte në popullatë (e i cili besoj se nuk është), ky është, për fat të keq, pasqyrimi i shoqërisë në të cilën jemi shndërruar.

Kjo është shoqëria ku sulmi, hajnia e mashtrimi janë të lejuara, se nuk ka kush i ndalë. Është shoqëri e cila udhëhiqet nga filozofia e të fortit: "kur mundet ai, pse nuk mundem unë"; dhe kur atij s'i bëjnë gjë, as mua nuk më bëjnë gjë". Është filozofi e mosndëshkimit, e shtetit që funksionon me krim, i cili thuajse çdoherë parashkruhet. Për shkak se krimi te ne nuk dënohet, apo dënohet për formë.

Është, për fat të keq, rezultat i humbjes së vlerave në shoqëri, humbjes së respektit për të tjerët, për të përbashkëtën, për të drejtat individuale dhe kolektive të njerëzve që e bëjnë këtë shtet. Është, për fat të keq, mohimi i gjithë asaj që me vite na e kishin mohuar të tjerët, e që tash ia mohojmë vetes. Është rezultat i një sistemi të rrënuar arsimor, që në vend se t'i ushqejë fëmijët me dije, mirësjellje e kulturë, prodhon analfabetë në masë, njerëz që mund të pajisen me diploma të pavlera, aq sa mund t'i përdorin për tapeta muri, se vlerë tjetër nuk kanë. Për shkak se shembullin që e kanë para vetes e kanë të tillë: vetëm shikojini politikanët me tituj akademikë, që nuk dinë as të flasin e as të shkruajnë shqip.

Jo rrallë e kemi thënë se jemi në krizë. Fakti është se prej krize kurrë nuk ditëm me dalë, dhe se në fakt vetëm sa po zhytemi në krizë edhe më të thellë.

Zbatim ligji për të dalë nga kriza

E nga kjo krizë nuk mund të dilet, përderisa ky vend nuk ka sundim ligji. Nuk e di nëse veprimet e fundit, edhe pse parimisht të izoluara, të një prokurori dhe një drejtori policie, janë shenjat e para që ky vend do të mundë të kthjellet.

I pari inicioi hetimet ndaj një, duket të jetë, grupi i organizuar kriminal që merret me fajde, mashtrim, detyrim, e çka jo tjetër. I dyti ka dhënë urdhër që të vihen nën kontroll grupet e organizuara kriminale që veprojnë në veri, dhe që merren me kontrabandë e kush e di edhe çka tjetër. Te rasti i parë kemi dyshime dhe akuza për implikimin e personaliteteve politike me emër e mbiemër. Te rasti i dytë e kemi përfshirjen e zyrtarëve policorë, që kanë mundur të vepronin krye më vete, porse nuk është e thënë të mos jenë dirigjuar nga fytyrat politike. Dallimi mes rastit të parë dhe të dytit është që te rasti i veriut u dëshmua që "vëllazërim-bashkimi" nuk ka vdekur.

Rasti i fajdexhinjve të dyshuar, a çfarëdo që do të mundë t'i quaje, lidhet për prona, dhe më së shumti një objekt që ka qenë shumë problematik që nga fillimi, dhe te i cili dalin të jenë përfshirë disa pushtete dhe parti politike. Por çelësi i ndërtimit të klinikës së zemrës në oborr të spitalit del të jetë një vendim i nënshkruar nga Hashim Thaçi kur ka qenë kryeministër, më 2009. Me atë vendim ai kishte shfuqizuar vendimet paraprake që e ndalonin ndërtimin e këtij spitali, dhe e kishte autorizuar vazhdimin e ndërtimit në emër të partneritetit publiko-privat.

Dalja në skenë e parisë së PDK-së për t'ia hedhur fajin LDK-së për këtë spital (e LDK-ja gjithsesi ka përgjegjësi, si në nivelin komunal ashtu edhe qendror) është larje tipike duarsh, sepse sulmi është mbrojtja më e mirë. Nëse udhëheqja aktuale do që të largohet nga krejt vendimet e mbrapshta nga koha e Thaçit, do të duhej të niste me një pranim fajësie dhe ndryshim qasjeje. Por jo, me mbrojtjen e tij edhe ata bëhen bashkëfajtorë për gjendjen në të cilën na ka sjellë kryesisht kjo parti me rrjetin e vet të merimangës së përhapur gjithandej.

Nga ana tjetër, për çdo lëvdatë veprim i Policisë në veri, në njërën nga shenjat e rralla se disi mund të shtrihet sovraniteti edhe atje, i cili fatmirësisht kaloi pa pasoja tragjike, me gjithë të shtënat në shenjë rezistence nga veriorët. U tha se kishte qenë punë operative e përgatitur prej kohësh, porse qe indikative se përse ndodhi mu disa ditë pas shpërthimit të rastit të fajdexhinjve. Nëse koha është përputhur rastësisht, atëherë me të drejtë qytetarët do të presin se këso "desantësh" duhet pritur edhe në vendet e tjera dhe për krime të tjera. Nëse qëllimi ka qenë që të shmanget vëmendja nga fajdetë, si dhe nga fakti se këtë rast qëllimisht e kanë zvarritur zyrtarë të lartë policorë për t'i shpëtuar urdhërdhënësit e tyre, e besoj se nuk është arritur qëllimi.

Kot gjithë ato intervista dhe konferenca

Përderisa lajmi kaloi me duartrokitje, më nuk u fol për të më shumë se një ditë. Vëmendja sërish u kthye nga skandali i fajdeve, të cilën nuk e qitën në hije as fizkulturat e reja të Hashim Thaçit, "atij që e paskësh krisur pushkën e parë" në luftën e Kosovës (kështu diçka e kishte thënë parmbrëmë në një intervistë). Njeriu i cili ka gënjyer aq shumë herë deri tash, si për luftën ashtu edhe për paqen, duket se ka filluar t'u besojë rrenave të veta, të cilat nuk përton t'i përshtatë dhe t'i zbukurojë sa herë për këtë i shfaqet nevoja. Për më tepër, këtë e bën me arrogancën që tashmë e ka "trademark" dhe në bashkëbisedime me gazetarë, ku nuk u përgjigjet pyetjeve por flet çfarë t'ia ka ënda.

Nejse, sa për adet, duhet shënuar tash dy margaritarët e tij të rinj. Njëri nga ta është në esencë shkelje e Kushtetutës, ngase nga kolltuku i kryetarit po bën fushatë për ndryshimin e kufijve, pavarësisht se tash flet për bashkimin me Shqipërinë. Me këtë rast harron se duhet pyetur popullin se a do bashkim, dhe nëse do, si e do atë bashkim. Se fundja, sovrani duhet të vendosë për këtë punë, e sovrani në këtë rast nuk është Thaçi, sado që aspiratat perandorake nuk i fsheh.

Puna tjetër ka të bëjë me deklaratën e tij plot "vendosmëri": "Qëndrimi im, as nuk do të ketë autonomi dhe nuk do të ketë Asociacion, sepse ajo do të nënkuptonte një Republikë Serbe brenda Kosovës. Po unë vetë jam pajtuar më herët që të ndodhë diçka e tillë, por kanë ndryshuar rrethanat. Për hir të liberalizimit të vizave nuk mund t’i japim Asociacion, edhe taksa duhet të mbetet në fuqi".

ENXHIO-ja e tij tash u bë ajo që kishte qenë nga fillimi: autonomi politike e territoriale për serbët në veri, për të cilën kishte qejf ta fitonte edhe Çmimin Nobel për Paqe. Për herë të parë e pranon se ai është pajtuar (me shkrim) që ajo të ndodhte, por shumë po më intereson si do t'ia bëjë për ta zhvlerësuar një marrëveshje ndërkombëtare që ia ratifikuan deputetët e vet bashkë me disa të tjerë, nën trysninë e tij. Dhe sinqerisht, nuk është se po i besoj shumë kësaj deklarate, se nesër do të dalë me një të re, e në të, nuk do të ishte çudi, që ta përfshijë edhe këmbimin e territoreve me Greqinë.

* * *

Se përse Kosova është shtet jofunksional dhe i zhytur në krizë e dëshmon më së miri deklarata e gjykatësit në Pejë. Sepse organet e rendit dhe të gjyqësisë duket se nuk janë krijuar për t'i ndjekur ata që janë duke e shkatërruar këtë vend, por janë aty për t'i parashkruar lëndët dhe për t'i ndjekur tashmë të famshmit "hajna të pulave".

Fakti se politikanët e gjejnë veten të përfshirë, në një formë a tjetër në këto situata, i sjell gjykatësit ose "të ndihen të nderuar" me prezencën e tyre në gjykatore, ose të detyrohen t'u kërkojnë falje se “duhen hetuar, gjykuar dhe dënuar" ngase nuk gjendej mënyrë për t'i fshehur provat.

Përderisa keqardhja të jetë baza mbi të cilën ndërtohet sundimi i ligjit në Kosovë, ky vend nuk do të dalë nga kriza, dhe jo, nuk do të bëhet vend i vlerave i një shoqërie të shëndoshë. Do të jetë vendi ku gjithçka e keqe dikur do të shndërrohet në standardin që të gjithë do ta synojnë për të qenë "normalë".

[email protected]