Këto zgjedhje përfundimisht duket se mund ta sjellin fuqizimin e qytetarit – e me të edhe ndryshimin në shoqërinë e Kosovës. Shoqërinë e cila është duke vuajtur për sundim të ligjit që tashmë është shndërruar në çelësin e ndryshimit. Qytetarët tashmë do të kenë vendosur se kë do ta votojnë. Tash krejt çka duhet është të shkojnë në vendvotimet e tyre dhe ta hedhin votën. Sepse ajo nuk i takon askujt, pos vetë atyre. Nga ajo do të varet e ardhmja e të gjithë neve
Fushata më në fund mbaroi – pas shumë fjalimeve; pas shkeljeve të rregullave zgjedhore, pas mbledhjes së palejuar të shënimeve personale nëpër tubime lokale – dhe me një porosi shumë të qartë nga shoqëria civile drejtuar votuesve: #AsUnë – pra se njerëzit e korruptuar nuk do të duhej të votoheshin.
Porse, megjithatë, ishte një lajm që u veçua fort në mesin e një milion premtimeve që i dëgjuam në këtë muajin e fundit. Ishte vazhdim i një informate që e kishte zbuluar gazeta para tri javësh dhe që kishte të bënte me implikimin e zyrtarëve policorë në ofrimin e shërbimit të shlyerjes së rasteve dhe të dëshmive në këmbim për para. Lajmi kishte përmbajtje të disafishtë dhe e vuloste një gjë të cilën jemi duke e vuajtur qe sa vjet: se sistemi i drejtësisë në Kosovë është jofunksional. Për më tepër, është i dëmshëm për ata që janë të pafajshëm e nuk kanë si ta dëshmojnë. Sepse nuk kanë kujt.
Hakerat e Policisë
Lajmi i përfshirjes së shefit të Departamentit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në një rast krimi kaloi në episodin e dytë. Sikur të ishte përnjëmend seri kriminalistike televizive.
Personat të cilët me OJQ-në e tyre kishin mashtruar shumë njerëz, dhe ishin pasuruar falë një skeme piramidale që e kishin krijuar, mbaruan në burg, pasi që nuk i paguan 100 mijë eurot e kërkuar nga sekseri i policisë, që rasti i tyre të mbyllej pa pasoja. Me rastin e arrestimit u ishin konfiskuar disa sende, përfshirë edhe një telefon në të cilin ishin incizuar bisedat dhe veprimet e sekserit dhe të, mbase, urdhërdhënësit të këtij të fundit. Pra, asgjë e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se kjo procedurë quhet sigurimi dhe administrimi i provave.
Por, çka ndodhi? Ndodhi që telefoni i konfiskuar përnjëherë i humbi të gjitha informatat që i kishte pasur brenda. Pra, në të më nuk kishte asnjë incizim, video e as audio, ku shiheshin dhe dëgjoheshin sekseri dhe shefi i Departamentit për Krime Ekonomike që udhëzonte se kë duhej dëgjuar për të kryer punë. Aparatit telefonik iu bë një kontroll nga ekspertët e lëmit dhe u konstatua se telefoni ishte intervenuar dhe se i ishin hequr përmbajtjet që i kishte pasur. Pra, pastrimi i aparatit ishte bërë nga policia, me gjasë në polici.
Mirëpo, ata që kishin intervenuar që të fshiheshin provat inkriminuese nuk kishin llogaritur se ato do të kishin mundur të publikoheshin diku – dhe kjo pikërisht kishte ndodhur: e përshkruar në gazetë e më pas e emetuar në KTV, ndodhia kishte marrë formën e një krimi të organizuar, ku ata që do të duhej të ndiqnin keqbërësit bëheshin vetë keqbërës.
Prokuroria në formë breshke
Pas shkrimit të fundit të botuar në KOHA Ditore, më në fund reagoi edhe Prokuroria e Shtetit. Nisi zyrtarisht hetimet kundër Emin Beqirit për rastin e lypjes së parave, për mbylljen e një rasti të mashtrimit me pasoja të rënda për të mashtruarit. Dhe çka bëri? Iu drejtua KTV-së dhe KOHËS Ditore me urdhër për t’i dorëzuar incizimet, të cilat tashmë ishin transmetuar në televizion dhe në portalin KOHA.net. Kur s’ke çka i bën gomarit i bie samarit.
Mbase kjo do të jetë hera e 100-të që detyrohemi t’ua shpjegojmë prokurorëve të shtetit se gjërat që i publikojmë janë ato që janë dhe se në to ka qasje gjithkush që në çastin kur të bëhen publike. Mediat e kryejnë punën e vet – po i zbulojnë rastet dhe po ia bëjnë me dije prokurorisë që ka baza për hetime. Është punë e prokurorisë me gjithë policinë që e ka në dispozicion t’i gjejë provat shtesë. Por jo edhe të pretendojë, me urdhëresa e kërcënime, që mediumet të shndërrohen në servis tyrin. Prokuroria ka pasur bazë të mjaftueshme të ndërmerrte masat ligjore që në çastin kur u publikua teksti i parë së bashku me videon. Se pse u desh të priste tri javë që të ndërmerrte veprime, mbase shefat e prokurorisë do të jenë në gjendje të na e shpjegojnë.
Sidoqoftë – provat janë. Dëshmitarët janë. Faktet e shlyerjes së materialeve janë. As gazeta e as televizioni nuk mund të ndërmarrin masa që nuk u takojnë sipas ligjit. Topi është te prokuroria – dhe është shans i jashtëzakonshëm për zbulimin e skemës së krimit të organizuar brenda në Polici, e cila ka pësuar dy turpërime që s’kanë si të arsyetohen: kur i janë vjedhur dy herë dhomat e dëshmive, një herë në Pejë e një herë në Prishtinë. Kjo vetëm, nëse prokuroria e ka me gjithë mend se do që ta luftojë korrupsionin. Nëse nisjen e hetimeve e bën sa për sy e faqe, dhe do të përpiqet t’i gjejë 700 arsye, pse nuk duhet luftuar krimin, Kosova do të vazhdojë të vendnumërojë.
Formula e suksesit
Kosova pas 18 vjetësh lirie duket se ka ardhur te pika urgjente e kthesës – e cila do të duhej ta nxirrte nga situata të cilën po e jeton qe gati dy dekada.
Nesër do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, të gjashtat që nga çlirimi. Dhe sikur asnjëherë më parë nuk ka pasur situatë pak a shumë më të qartë në listat e votimeve – më nuk janë nga 100 subjekte politike në listë. Partitë politike janë grupuar sipas interesave të tyre politike dhe sipas kalkulimeve që i kanë bërë për t’u bërë me pushtetin. Se kush do të fitojë, kjo do të varet nga ne qytetarët që kemi për obligim të dalim të votojmë.
Përvoja e të gjitha zgjedhjeve deri tash dëshmon se sa më shumë njerëz që dalin për të votuar, aq më pak gjasa do të ketë për keqpërdorimin e votës – natyrisht nuk ka garanci të qindpërqindta se kjo do të jetë kështu. Porse vetë qytetarët janë ata që do të mundë të parandalojnë që dikush të votojë në vend të tyre.
Se pjesëmarrja e qytetarit është kyç, nuk ka dyshim. Dhe nëse qytetari vërtet do që ta sjellë ndryshimin në jetën e vet, do të dalë të votojë dhe do të shndërrohet në rojën e votës së vet dhe të të tjerëve, duke raportuar për çfarëdo parregullsie (votimi familjar; votimi në emër të dikujt tjetër; mospranimi i spërkatjes së gishtit tregues para votimit; fotografimi i votës; asistimi në votim aty ku nuk ka nevojë, etj.etj.) në numrin e “Voto e Vëzhgo” 50088. Një sms falas do të ndihmonte shumë që keqpërdorimet të ndalen me kohë. Pjesa e dytë u takon komisionarëve nëpër vendvotime.
Formula e dytë e suksesit
Pjesa e tretë do t’i takojë KQZ-së. Mbase më në fund do të përjetojmë që kësaj radhe t’i kemi rezultatet e votimeve më së voni në krye të dy ditëve – derisa të kalojnë procedurat e ankesave. Ato që kemi parë me vite të tëra është se KQZ-së sonë i janë dashur me javë të tëra për t’i numëruar 700-800 mijë vota. Sa për krahasim, Britania e Madhe me 47 milionë votues dhe 32 milionë vota të hedhura i nxori rezultatet në ditën e zgjedhjeve, të enjten. Edhe po të dilnim ata 1,8 milionë votues që thuhet se jemi – votat do të mundë të numëroheshin brenda natës, se nuk ka aty shumë filozofi. Pos nëse komisionarët vendosin t’i prishin fletëvotimet e të bëjnë dallavere të tjera me të cilat tashmë jemi mësuar.
Pjesa e katërt e procesit do t’i takojë Prokurorisë së Shtetit dhe gjyqeve. Mashtruesit dhe vjedhësit e votave duhet të shkojnë në burg – me vendime mandatore. Nëse nuk ndërmerren edhe këto masa, dhe nëse na përsëritet e kaluara ku keqbërësit në procesin zgjedhor kanë përfunduar të gjobitur me nga 300 euro – as rend e as drejtësi nuk do të ketë në këtë proces zgjedhor.
Dhe sërish këtu trysnia më e madhe do të duhej të ushtrohej nga qytetari. Nga sovrani, i cili, ka ardhur koha e fundit që ta kuptojë, është më i rëndësishëm sesa politikanët e korruptuar dhe të paaftë që e kanë katandisur Kosovën.
* * *
Këto zgjedhje përfundimisht duket se mund ta sjellin fuqizimin e qytetarit – e me të edhe ndryshimin në shoqërinë e Kosovës. Shoqërinë e cila është duke vuajtur për sundim të ligjit, që tashmë është shndërruar në çelësin e ndryshimit. Sepse sundimi i ligjit do të jetë ai që do të sigurojë që më mos të ketë zhdukje të provave si në rastin e përshkruar më lart; që të korruptuarit të mos e fitojnë votën me mashtrime e vjedhje; që të mos ketë më profesorë mashtrues; që të mos ketë vjedhje barnash, kontrata jotransparente autostradash, shitje pronash me dyshime; punësime nepotiste dhe mungesë investimesh të huaja... e plot e plot sende të këqija që na janë bërë përditshmëri.
Qytetarët tashmë do të kenë vendosur se kë do ta votojnë. Tash krejt çka duhet është të shkojnë në vendvotimet e tyre dhe ta hedhin votën.
Sepse ajo nuk i takon askujt, pos vetë atyre.
Nga ajo do të varet e ardhmja e të gjithë neve.