OpEd

Mblidhni mendtë

Ajo që duhet tash urgjentisht është që të mblidhen së paku tri koka të mençura (e besoj gjenden në këtë lëmsh) e të merren vesh se duhet një ekip; duhet një platformë; duhen vija të kuqe; duhen kushte dhe duhen afate që nuk i cakton Thaçi. Na nevojitet që t'i mbledhim mendtë e të bëhemi bashkë për ta ndalur procesin në këtë stad dhe ta orientojmë andej nga nuk do të dalim të lagur

Nisëm punën në KMDLNJ të njëjtën ditë.

Themeluesit e Këshillit e kishin menduar se nuk do të kishte njeri më të përshtatshëm për ta udhëhequr organizatën më të madhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, në kohën kur ato shkeleshin sistematikisht dhe në të gjitha sferat e mundshme.

Disa muaj më herët ishte liruar nga burgu pas 28 vjetësh të kaluar nëpër kazamatet e ish-Jugosllavisë. Më 1991 kishte po aq vite sa kam unë sot -- dhe kur e mendoj, në atë kohë, e kishte kaluar më se gjysmën e jetës i mbyllur, larg familjes e miqve. Në një koincidencë të çuditshme fati, në kohën kur u lirua nga burgu, e bija e tij Abetarja, të cilën e kam pasur shoqe klase në fillore, ishte bërë pothuajse 28 vjeçe.

Baca kishte energji të jashtëzakonshme dhe e kishte gjumin e çrregullt. Për të ishte normale që të të thërriste në telefon në 3 të mëngjesit kur i kishte shkuar nëpër mendje ndonjë gjë që duhej kryer urgjentisht. Ishte normale që të përpiqej t'i përfundonte mbledhjet sa më shpejt që të ishte e mundur, e mbase edhe për këtë shkak fliste shpejt. Kishte humbur shumë kohë nga jeta “normale” dhe kishte uri për të parë botë e takuar njerëz.

Kishte pasion për operën, që i kishte mbetur e ngulitur nga koha kur e kishte parë Carmenin e vënë në skenë diku në Austri, para se të arrestohej për herë të parë. Kishte pasion leximin, me gjithë problemet në të parë që i kishte e që i korrigjonte me syze me xhama të trashë cilindrikë. Porse mbi të gjitha, e kishte ambicien e një shkollari të mesëm, për të mësuar sa më shumë.

Pas një muaji qëndrimi në SHBA, nën përkujdesjen e diasporës, kishte nisur të fliste anglisht, pas vijimit të një kursi intensiv. I vetëdijshëm që dija e gjuhës tashmë universale qe e kufizuar, përherë e përsëriste: “My English, Tarzan English” (demek e flas anglishten si Tarzani). Porse me gjithë rrokjet tarzançe, Baca u aftësua aq sa për të mbajtur takime edhe pa përkthyes kur për këtë do të shfaqej nevoja.

Kemi pasur dallime në mendime e simpati politike. I shihnim gjërat pak më ndryshe, e ndonjëherë do të kishim pajtim të plotë për ndonjë ngjarje a fenomen. Rrugët na u ndanë në çastin kur unë u angazhova me punë në organizatat ndërkombëtare -- tashmë secili e kishte zgjedhur kahun e veprimit me qëllimin e njëjtë: çlirimin e Kosovës. Baca u bë zëdhënës i UÇK-së, e unë e kalova luftën në terren, duke luftuar në mënyrën time -- duke i ndihmuar popullatës civile për aq sa mundja me ekipin e reduktuar të UNICEF-it në bashkëpunim me SHHB “Nëna Tereze”.

Baca vazhdoi të jetë aktiv me gjithë moshën e shtyrë. Disa do të jenë pajtuar me idetë e tij, e disa besa edhe u zhgënjyen kur e pranoi publikisht se marksizëm-leninizmi tashmë ishte punë e tejkaluar. Dhe pavarësisht, mbeti simboli i rezistencës dhe i përpjekjeve tona për liri.

E quanin Mandela i Kosovës, por gabim e kishin. Mandela kishte pasur një organizatë që shpërthente bomba. Adem Demaçi nuk kishte bërë gjë më shumë sesa të shpërthente fjalë.

Vdiq në Kosovën e çliruar nga Serbia, porse jo të çliruar nga e keqja. Porse vdiq në paqe.

Pushoftë i qetë.

E keqja 1

E keqja e cila e ka kapluar Kosovën janë udhëheqësit e këtij vendi dhe rrjetet e tyre klanore partiake. Dhe kjo që po na ndodh që nga zgjedhjet e vjetshme është një torturë e paparë. Sa herë që kam menduar se gjërat nuk mund të shkojnë më keq, dalin këta e më demantojnë.

I pari në listën e atyre që sistematikisht na e dhunojnë trurin është Hashim Thaçi. Është interesant qe për dy vjet mandat kishte pasur kontakte minimale me mediumet. Ia shkruanin statuset në Fejsbuk dhe e kalonte kohën duke shëtitur andej këndej e duke promovuar librin të cilin, me gjasë, e ka porositur që t'ia shkruanin dy britanikë, natyrisht me pare.

Kur nisi cikli i ri i bisedimeve, në të cilat i vetemëruar kryenegociator, dhe pas serisë së deklaratave shumë të rrezikshme kokë më vete, nisi të mbante konferenca shtypi. Për një kohë shumë të shkurtër i mbajti madje katër, dhe kjo në njëfarë stili shumë të çuditshëm: i ulur në një karrige. Në konferenca zakonisht mban monologë dhe nuk lejon pyetje të gazetarëve, pos kur ndonjëherë i teket. Dhe kur i shtrojnë pyetje që nuk ka qejf, nis edhe i akuzon mediat që nuk i shkojnë për shtat.

Esenca e këtyre konferencave është përfundimisht qorrsokaku në të cilin është futur. Duke qenë i bindur se i di të gjitha dhe se mund të disponojë me Kosovën si me nahijen e vet, është përplasur me një establishment politik e diplomatik, i cili e luan lojën qysh ia kë ënda, dhe e lërë këtë me copa letre në dorë. Si me Zajednicën.

Pra e ka kuptuar, me gjasë, se qasja që ia ka dhënë negociatave pa e pyetur kënd, mund të çojë në humbje të mëdha të Kosovës, për shkak të keqmenaxhimit të vet. Prandaj kërkon që tash t'i bashkohen krejt, e që krejt ta marrin fajin për dështimin eventual. Ama, gjithqysh ai me e mbajt postin e shefit të delegacionit, sepse duhet nënshkruar “marrëveshje historike”.

Do t'jua rekomandoja shkrimin e Darko Hudelistit që u botua në gazetë dje. Që të gjitha prapaskenat për të cilat kemi shkruar janë të përmbledhura në një vend. Dhe në gjithë atë muhabet, interesi i fundit që do të veçohej është ardhmëria e sigurt e një Kosove sovrane dhe me integritet territorial. Fizkulturat rreth këmbimit të territorit, autonomisë për serbët, luftës së brendshme për pushtet janë aty dhe janë krijuar nga palët negociuese. Prandaj e gjithë kjo përkufizohet me deklaratën e javës së shkuar se negociatat do të jenë të dhimbshme. Natyrisht, sepse koncesionet, mund të parafytyrojmë, janë shtruar në tavolinë në Bruksel apo gjetkë jashtë qasjes së opinionit dhe mediave.

Përfundimi: Thaçi nuk duhet të jetë i përfshirë në negociata në asnjë variant. Sepse Brukseli ka treguar se prej aty do të dalim humbës.

E keqja 2

E kemi një shtet jofunksional, një Qeveri jofunksionale dhe një Parlament jofunksional. Dhe në gjithë këtë jofunksionalitet, e vetmja gjë që funksionon deri në përkryerje është krimi i organizuar.

Përderisa shumicën e kohës jemi të përqendruar në përcjelljen e debateve dhe deklaratave të kota, ata që e sjellin paranë në këtë vend nuk ka kush t’i ndalë. Po qe se do t'i pyesnit bizneset, viti 2018 është më i keqi që e kanë pasur për afarizëm. Vazhdon mungesa kronike e parasë në treg, se krejt çka u intereson këtyre në Ekzekutiv është si t'i harxhojnë paratë e gatshme që na dalin jashtë shtetit. Në rastin më të mirë, paratë mbesin në Kosovë, por shkojnë në xhepa individualë.

Krejt përqendrimi është kthyer nga liberalizimi dhe si të nisë ikja masive, sidomos e të rinjve nga ky vend, ku kryeministri i tregon muskujt duke iu kërcënuar gjyqësisë. Shembull eklatant i mungesës së seriozitetit dhe të dijes -- sepse Kushtetuta shumë qartë e thotë se pushtetet janë të ndara. Më kot kërkon plan veprimi nga Prokuroria -- ajo e bën punën e vet, në fakt do të duhej ta bënte, e nuk e bën, sipas asaj që ia thonë Kushtetuta e ligji, e jo qejfi i Haradinajt.

Po të kishin qenë aq të brengosur me gjendjen në gjyqësor, kishin pasur shumë kujdes që të mos i impononin njerëzit e tyre për dekretim si gjyqtarë apo prokurorë. Kishin insistuar që të gjithë këta t'i nënshtroheshin një vetingu profesional, që po të bëhej nga njerëz të paanshëm, me gjasë do ta eliminonte gjysmën e atyre njerëzve që punojnë në gjyqësi e nuk e kanë vendin aty. Nuk do të kishte ndodhur që gjykimet të shtyheshin, për shkak se gjykatësit nuk i kuptojnë ligjet, e lërë më kontekstet e lëndëve që kërkojnë drejtësi.

Nuk kishin lejuar që forcat policore -- mbi të cilat kanë autorizim, të udhëhiqen nga njerëz që nuk janë duke e kryer punën e tyre si duhet dhe janë madje nën hetime, apo edhe kanë aktakuza. Është e qartë se zinxhiri i krimit është fort i lidhur, dhe se hallkat e tij dihen: doganë-polici-gjyqësi. Po të mos ishte kështu, tjetër rrëfim do të rrëfenim.

Për shllag, është Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga dy pakica që çojnë inat me njëra-tjetrën. Pakica sunduese varet nga Beogradi -- ajo tashmë është bërë edhe më evidente, meqë 10 votat e serbëve që mungojnë nuk e lejojnë kalimin e asnjë ligji të përgatitur nga Qeveria.

Pakica tjetër, opozita, rri e ngujuar në Kuvend dhe nuk voton, për të treguar fuqinë e bojkotit. Ndërkohë ka edhe rast që të bëjë luftë ndëropozitare, jo më tha, jo të thashë (nëse ende nuk e keni marrë vesh, na keni lodhë VV e PSD) dhe janë në kërkim të tri votave me të cilat mund ta rrëzojnë Qeverinë. Se a vërtetë i duan zgjedhjet, vështirë të dihet -- sepse në zgjedhjet e ardhshme më së miri do të kalojnë ata që kanë para, ngase reformë zgjedhore nuk do të ketë. E edhe sa do të zgjasë kjo torturë, është punë lotarie me gjasë -- porse e sigurt është se deri në shtator do të vazhdojmë të shikojmë seri, sepse Kuvendi shkon në pushim -- se fort janë lodhur duke marrë mëditje kot.

Përfundim: Shteti nuk mund të jetë ndryshe, kur ka kësi përfaqësues të popullit.

* * *

Atë që po dëshmojmë dita më ditë është që mendtë i kemi të shkapërderdhura dhe se interesi i parive politike është kryekëput i tyri dhe se Kosova është e fundit në agjendë.

Me kësi ritmi, pa fije uniteti për kauzën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, Thaçi do të vazhdojë të ankohet për kompromise të dhimbshme derisa të mos e kryejë punën e kompromiseve në favor të Serbisë. Ajo që duhet tash urgjentisht është që të mblidhen së paku tri koka të mençura (e besoj gjenden në këtë lëmsh) e të merren vesh se duhet një ekip; duhet një platformë; duhen vija të kuqe; duhen kushte dhe duhen afate që nuk i cakton Thaçi. Na nevojitet që t'i mbledhim mendtë e të bëhemi bashkë për ta ndalur procesin në këtë stad dhe ta orientojmë andej nga nuk do të dalim të lagur. Të bëhemi bashkë e t'i detyrojmë ata që nuk dinë, që t'ua lëshojnë rrugën atyre që nuk janë të shantazhuar dhe që Kosovën e duan përnjëmend,e jo vetëm me fjalë.

[email protected]