Pas humbjes së Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet në Mal të Zi dhe fitores së kandidatit proserb, do të ndodhin disa paradokse në rajon. Mali i Zi do të forcojë edhe më shumë raportet me Serbinë e Shqipërinë, ndërsa do të ketë raporte shumë të rezervuara me Kosovën dhe Kroacinë. Sa i përket NATO-s, forcat proserbe nuk do të shkojnë aq larg sa ta largojnë Malin e Zi nga NATO-ja dhe të tërheqin njohjen e Kosovës. Por kujdesi që Mali i Zi të mos shndërrohet në një “Serbi me dalje në det“ dhe si pasojë një satelit i Rusisë në Ballkan mbetet i lartë
Lideri shumëvjeçar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë sundimit të të cilit Mali i Zi u bë shtet, hyri në NATO dhe nisën negociatat e anëtarësimit në BE, të dielën humbi zgjedhjet presidenciale. Në rrethana normale, një humbje pas aq shumë vjetësh nuk do të shihej si ndonjë dramë. Do të konsiderohej jo vetëm si normale, por edhe i dëshirueshëm largimi nga pushteti pas një kohe aq të gjatë. Por në Mal të Zi rrethanat nuk janë të zakonshme. Në atë shtet jo të madh, por të rëndësishëm, po testohen shumë politika. Njëra prej tyre është zgjerimi i interesave të Serbisë dhe Rusisë përmes një luftës hibride, pasi për konflikt të armatosur nuk ka mundësi. Mali i Zi si anëtar i NATO-s gëzon mbrojtjen e ombrellës kolektive të Aleancës sipas Artikullit 5. Prandaj as Serbia e as Rusia nuk mund të kenë pasur as ide që të rrezikojnë integritetin territorial të këtij shteti anëtar të NATO-s. Por kanë gjetur një rrugë tjetër. Atë hibride, përmes përdorimit të Kishës Ortodokse Serbe, përmes ndikimit në skenën mediale dhe të partive politike.
Por ajo që duhet pranuar, sado paradoksale që duket, është se Gjukanoviq u rrëzua nga pushteti me mjete demokratike. Dhe forcat proserbe, së paku në zgjedhjet presidenciale, sepse ato parlamentare do të jenë më vonë, kanë fituar në mënyrë demokratike. Në mënyrë po aq paradoksale ky fakt është në kundërshtim të plotë me akuzat se Gjukanoviq po largohet si “diktatori i fundit në Evropë”. Sepse diktatorët nuk largohen nga pushteti përmes procesit zgjedhor duke humbur në votime të lira të qytetarëve. Dhe akuzat ndaj Gjukanoviqit se është “diktator” nuk shkojnë me mbështetjen për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, e shembull i mirë i demokracisë nuk mund të jetë as Serbia. Edhe më paradoksale është se Gjukanoviq humbi në zgjedhje jo nga kandidati i opozitës, por i pushtetit, sepse të gjitha partitë që janë aktualisht në pushtet, përfshirë edhe “Urën” e kryeministrit në detyrë, Dritan Abazoviq, ishin kundër tij.
Për Malin e Zi ndoshta ka qenë një fatkeqësi që i tërë korpusi i quajtur sovranist ka qenë i lidhur tërësisht me figurën e Milo Gjukanoviqit. Dhe Gjukanoviq ka pasur episode të ndryshme në karrierën e tij politike. Prej mbështetjes së nacionalizimit serbomadh, agresionit dhe krimeve në Dubrovnik, e deri te konvertimi në nacionalist malazias dhe lider që e çoi Malin e Zi në NATO, mori edhe guximin e madh personal për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur. Pushteti i tij u identifikua edhe më afera të shumta të korrupsionit, dhe këtë e kanë thënë gjithmonë edhe aleatët e Malit të Zi. Injorimi dhe relativizimi i korrupsionit në Mal të Zi kanë një meritë të madhe për humbjen e forcave që janë kundër ndikimit të Serbisë dhe Rusisë në këtë shtet. Në anën tjetër është ironike që ata të cilët donin rrëzimin e Gjukanoviqit nga pushteti për shkak të korrupsionit kishin si shembull të mirë Rusinë dhe Serbinë.
Pas humbjes së Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet në Mal të Zi dhe fitores së kandidatit proserb, do të ndodhin disa paradokse në rajon. Mali i Zi do të forcojë edhe më shumë raportet me Serbinë e Shqipërinë, ndërsa do të ketë raporte shumë të rezervuara me Kosovën dhe Kroacinë.
Nëse edhe në zgjedhjet parlamentare humb partia e zotit Gjukanoviq, Mali i Zi do të hyjë në procesin e “Ballkanit të Hapur”, një nismë që me fanatizëm e avancojnë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë mënyrë, Shqipërisë dhe Serbisë do t’iu hapet edhe një rrugë për lidhje pa kufij përmes Malit të Zi, siç është edhe përmes Maqedonisë së Veriut. Sepse Shqipëria dhe Serbia nuk kanë kufij mes vete, as formalisht e as praktikisht pasi në mes është Kosova, të cilën Shqipëria e njeh si shtet të pavarur.
i Zi do të jetë në një test të madh, sepse nuk do ta ketë lehtë të kënaqë pritjet e shumicës së madhe të atyre që votuan për presidentin e ri Jakov Milatoviq e në të njëjtën kohë ta mbajë kursin politik, proevropian dhe properëndimor që ka pasur deri tash ky shtet. Ky orientim kishte bërë që Mali i Zi edhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Sa i përket NATO-s, forcat proserbe nuk do të shkojnë aq larg sa ta largojnë Malin e Zi nga NATO-ja dhe të tërheqin njohjen e Kosovës. Por kujdesi që Mali i Zi të mos shndërrohet në një “Serbi me dalje në det“ dhe si pasojë një satelit i Rusisë në Ballkan mbetet i lartë.
As NATO-ja nuk do të donte që të ketë një anëtar satelit të Rusisë në gjirin e saj. Por edhe NATO-ja është në një fazë të ledhatimit të Serbisë, me bindjen që në këtë mënyrë do ta largojë nga pak nga Rusia. Këtë ledhatim po e udhëheqin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa është e zgjuar një qasje e tillë është një çështje tjetër. Në këtë fazë kur as Serbia e as forcat proserbe në Mal të Zi nuk besojnë se Rusia do të fitojë, nuk do të nxitojnë që ta kthejnë Malin e Zi në një vend, i cili do të marrë hapa kundër orientimit të saj të deritashëm.
Ka mundësi që në mesin e atyre që votuan kundër Milo Gjukaniviqit të ketë edhe qytetarë që nuk janë pro Serbisë dhe Rusisë. Ata ndoshta kanë votuar kundër Gjukanoviqit, sepse me të drejtë kanë dashur ndryshime. Prandaj do të jetë një test i madh në zgjedhjet parlamentare, nëse edhe në to fitojnë forcat proserbe, të diktuara nga Beogradi dhe të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe. Në afat të gjatë mund ta bëjnë Malin e Zi si një “Serbi me dalje në det”. Në këtë mënyrë, me mjete joluftarake, do të zbatohej ideja e “botës serbe”.