Hong-Kong – Prejse themeluesi i “Alibabas”, Jack Ma, kritikoi sistemin rregullativ financiar të Kinës në një fjalim në tetorin e kaluar, një stuhi rregullative ka pllakosur mbarë sektorin financiar të konsumit dhe atë online të vendit. Bursa e Shangait anuloi planet fillestare për mbështetje financiare për “Ant Group” – e lidhur me “Alibaban” – vetëm dy ditë pas lansimit dhe rregullatorët papritmas lansuan një fushatë goditjesh kundër “Chinese Big Tech”. Derisa fjalimi i Mas duket se rrodhi si ngjarje e paparashikuar, logjika e politikave burokratike kineze e ktheu në qëllim të pashmangshëm debaklin e “Antit”.
Sikurse e kam shtjelluar edhe në librin e ri, fuqia brenda burokracisë kineze është fragmentuar në mesin e ministrive qendrore dhe niveleve të qeverisë. Misioni dhe objektivat e departamentit përkatës përcaktojnë qëndrimin dhe qasjen kundrejt çështjeve rregullative.
Kina më parë kishte rregulluar sistemin e vet financiar duke përdorur strukturën: “një bankë dhe tri komisione”. Banka Popullore e Kinës (PBOC, apo Banka Qendrore) ishte përgjegjëse për politikën monetare dhe rregullimin e vlerësimit të rrezikut, derisa rregullatorët e sigurimit dhe Komisioni për rregullimin e sigurimeve mbikëqyrte sektorët respektivë. Por, këto institucione kanë kryer edhe funksione që nuk janë në kompetencë të tyre dhe kishin mungesë koordinimi për t’i lejuar firmat jofinanciare që të kërkonin arbitrazh rregullativ, si në rastin e skandaleve financiare, duke përfshirë grupin e sigurimeve “Anbang” dhe grupin “Tomorrow”.
Pas daljes në dritë të këtyre skandaleve, qeveria kineze zbatoi një mori dridhjesh organizative për t’i adresuar dështimet në rregullim. Më 2017, Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës e bëri prioritet të lartë ekonomik reduktimin e rrezikut financiar dhe theksoi “cilësinë e lartë” më shumë sesa ngritjen “e shpejtë” ekonomike. Këshilli Shtetëror gjithashtu themeloi Komitetin për stabilitet dhe zhvillim financiar, një super-rregullator të drejtuar nga zëvendëspresidenti Liu He, për të ushtruar kontroll të gjithmbarshëm, sidomos në mesin e aktiviteteve financiare që kishin pësuar nga çarjet e rregullimit tradicional.
Një ngritje masive e numrit të zyrtarëve që monitoronin gjendjen ndikuan edhe më shumë më 2018 në konsolidimin e fuqisë rregullative nëpërmjet Komisionit për rregullimin e sigurimeve bankare. Njëherësh, PBOC-i mori funksionet e mekanizmave të tjerë, duke fuqizuar edhe më shumë rolin kryesor të Bankës Qendrore për ruajtjen e stabilitetit financiar.
Edhe
Alibaba padit SHBA-në për akuzat mbi lidhje me ushtrinë kineze
Pos kësaj, shefi i CBIRC-it, Guo Shuqing, u emërua edhe sekretar i partisë i PBOC-it, një lëvizje që u pa si hap shtesë drejt koordinimit lehtësues ndërmjet dy rregullatorëve bankarë. Prej vitit 2018, baraspesha po anonte kah ashpërsimi i rregullimit të bizneseve jofinanciare.
“Ant” ishte një prej këtyre caqeve. Prej fillimit, grupi kishte tregtuar veten si firmë e teknologjisë së internetit që përdorte “Alipay”, aplikacionin e vet të njohur të pagesave nëpërmjet celularit, për të ofruar një mori të gjerë të shërbimeve financiare. Por, “Ant” përbën sfidë të madhe dhe të pashembullt për rregullatorët e Kinës për shkak se shërbimet e saj janë jashtë orbitës së rregullave financiare të Kinës.
Për më tepër, ngritja e madhe dhe zgjerimi agresiv i “Antit” në linjat e reja biznesore kanë alarmuar autoritetet rregullative. Një prej politikave monetare më të rëndësishme të Bankës Qendrore është bashkëngjitja e kërkesave për kapital rezervë të bankave, por “Ant” nuk e pa të nevojshme t’i përmbushte këto kërkesa, sepse nuk është bankë.
Rregullatorët u alarmuan edhe më shumë kur “Ant” shpalosi hollësi të tjera për përmasat dhe modelin e rrezikut të bizneseve të veta huadhënëse. Kishte frikë të madhe se gjithçka mund të kthehej në një flluskë të madhe.
Megjithëse shkalla e huave të “Ant” është relativisht e ulët, historia e shkurtër e grupit (prej gjashtë vjetësh) dhe përmasat e rreziqeve të paparashikuara do të mund të përbënin rrezik sistematik. Si huadhënës i dorës së fundit, Banka Qendrore natyrshëm merret me vlerësimin e rrezikut; nëse “Ant” dështon, banka do të duhej të ndërhynte me pako mbështetëse.
Edhe Rënia e trishtë e debatit ekonomik të KinësRregullatorët e tjerë financiarë kinezë mund të kenë një profil krejt të ndryshëm rreziku. Autoritetet kanë aprovuar aplikimit e “Antit” brenda vetëm dy muajsh, krahasuar me shtatë muaj ose më shumë që zakonisht duhen për entitetet e tjera financiare, me qëllim që të nxisin besimin në tregun kinez të shkëmbimit dhe të mos acarojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy përfaqësitë e “Ant” në Shangai dhe Hong-Kong po mundohen të ruhen në gjendje stabile jo vetëm që të mos rrezikojnë firmat e brendshme, por edhe t’u kundërvihen kërcënimeve amerikane ndaj kompanive kineze në tregun e shkëmbimeve.
Këta politikëbërës shumë shpejt zbuluan pakënaqësinë e tyre me Man dhe “Antin”. Pak ditë pas fjalimit të tij, gazeta e lidhur me mekanizmat shtetërorë të financave, “Financial News”, botoi tri komente me radhë me kritika të ashpra kundër modelit të bizneseve të “Antit”.
Kur Banka e fuqishme Qendrore ia ktheu publikisht shpinën “Antit”, burokratët të cilët mbështetën grupin heshtën dhe departamentet e tjera nisën të suleshin në sulme. Ta zëmë, autoriteti anti-trust gjithnjë kishte interes të qartë për rregullimin e firmave të mëdha të vendit me qëllim që të zgjeronte domenin e vet publik, por po mbante qasje të padrejtë për shkak se nuk dinte nëse duhej ta vinte në rend të parë inovacionin apo rregullimin. Reagimi i ndryshuar skajshmërisht ndaj fjalimit të Mas ia dha autoritetit dritën jeshile për të vepruar kundër gjigantëve teknologjikë si “Alibaba”.
Dhe dalja dhe shpërthimi i shpejtë i titanit financiar të internetit reflektuan jo vetëm vonesën rregullative, por edhe përshtatjen e firmës me ndryshimet e rregullave. “Ne gjithnjë jemi një hap para rregullatorëve – na duhet patjetër”, deklaronte Ma më 2017. “Përndryshe, shkojmë drejt askund”. Megjithatë, kësaj here duket se rregullatorët më në fund e kanë zënë hapin.
Edhe
Si e spiunon Kina Mbretërinë e Bashkuar
(Autorja është drejtoreshë e Qendrës për Ligjin Kinez dhe profesoreshë në Universitetin e Hong-Kongut. Është autore e “Chinese Antitrust Exceptionalism: How the Rise of China Challenges Global Regulation”.
Shkrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)