Putini gabon nëse mendon se eksodi i BP-së, Shellit dhe të tjerëve nuk do ta pengojë zhvillimin afatgjatë të sektorit rus të naftës dhe gazit. Gjatë 20 vjetëve të fundit, teknologjia e përparuar nga jashtë ka ndihmuar sektorin e vjetër të energjisë së kontrolluar nga shteti rus të identifikojë dhe të zhvillojë burime të reja, si dhe t’i përmirësojë efikasitetin e performancën e tij
Vendimi i shumë korporatave shumëkombëshe për t’u larguar nga Rusia, pas dekadash angazhimi midis biznesit global dhe ekonomisë ruse të dominuar nga shteti, tregon se investitorët nuk mund të mbështeten më te regjimi për të zbatuar sundimin e ligjit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dikur i konsideruar autokrat modernizues, tani drejtohet qartë nga obsesionet personale dhe jo nga ndonjë llogaritje racionale kosto-përfitim. Dhe, megjithëse Rusia ka qenë gjithmonë mjedis i rrezikshëm për biznesin, edhe kompanive ndërkombëtare më me përvojë u ka ardhur te hunda.
Në sektorin shumë të rëndësishëm të hidrokarbureve të Rusisë, BP dhe Shell kanë sinjalizuar synimin e tyre për të shitur asetet ekzistuese, duke përfshirë aksionet në projektin e madh të zhvillimit të energjisë në ishullin Sakhalin (jashtë brigjeve të Paqësorit të Rusisë), aksionet në gjigantin shtetëror të naftës, Rosneft, dhe aksionet në sipërmarrje të tjera të përbashkëta. Kompanitë globale të energjisë do të duhet të kërkojnë diku tjetër për gjeneratën e ardhshme të projekteve të zhvillimit të burimeve dhe ky kërkim do të ketë implikime të mëdha për transicionin më të gjerë larg hidrokarbureve.
Transicioni global i energjisë sapo ka filluar. Bota do të vazhdojë të ketë nevojë për rreth 100 milionë fuçi naftë në ditë për të paktën dy dekadat e ardhshme, së bashku me vëllimin në rritje të gazit natyror. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ende ofrojnë perspektivat më të mira për zbulime të reja, pavarësisht sfidave të vazhdueshme në vende si Iraku dhe Libia. Në përgjithësi, aktivet e naftës dhe gazit ka të ngjarë të rriten në vlerë dhe ka një shans të mirë për ripërtëritjen e aktivitetit të bashkimeve dhe blerjeve në industri.
Mirëpo brenda Rusisë, rreziqet e reja do të dekurajojnë investimet e ardhshme dhe do të shqetësojnë investitorët në sektorë të tjerë, më pak të dukshëm. Kaosi ekonomik, rritja e inflacionit dhe një Qeveri e prirë për t'u hakmarrë kundër sanksioneve perëndimore, do të përbëjnë sfida të mëdha. Aktivet ka të ngjarë të fshihen, duke ndikuar në fuqinë e disa bilanceve të korporatave. Tarifat e sigurimit për ata që punojnë në Rusi ka shumë gjasa të bëhen jashtëzakonisht të shtrenjta. Dhe më shumë rusë mund të kërkojnë të largohen nga vendi, duke marrë me vete çdo fond që kanë dhe duke rritur fluksin e parave në strehë të sigurta anembanë botës.
Putini gabon nëse mendon se eksodi i BP, Shell dhe të tjerëve nuk do të pengojë zhvillimin afatgjatë të sektorit rus të naftës dhe gazit. Gjatë 20 vjetëve të fundit, teknologjia e përparuar nga jashtë ka ndihmuar sektorin e vjetër të energjisë së kontrolluar nga shteti rus të identifikojë dhe të zhvillojë burime të reja dhe t’i përmirësojë efikasitetin dhe performancën e tij. Nëse sektori energjetik i Rusisë do të mbetet i qëndrueshëm, do të ketë nevojë për shumë më tepër investime në naftë dhe gaz, sisteme bartjeje dhe tubacione, në mënyrë që të ketë qasje në tregje të reja të Lindjes. Pa praninë e kompanive kryesore ndërkombëtare të energjisë në botë, do të jetë e vështirë, nëse jo e pamundur, për sektorin të tërheqë fondet që i nevojiten.
Do të ketë gjithashtu pasoja për Evropën, ku pushtimi i Putinit e ka çuar sigurinë energjetike në krye të agjendës politike. Gjermania, dikur e lumtur për të toleruar varësinë e saj nga furnizuesit rusë, tani po kërkon t’i diversifikojë burimet e saj të energjisë, madje duke rishqyrtuar zgjatjen e jetës së tre stacioneve të mbetura të energjisë bërthamore. Ky është lajm i mirë për biznesin e gazit natyror të lëngshëm – i cili tashmë trajton më shumë se gjysmën e gazit të tregtuar ndërkombëtarisht – dhe, potencialisht, për sektorin bërthamor.
Për shkak se prodhimi i energjisë bërthamore ofron furnizime me energji elektrike të prodhuara në vend, që janë imune ndaj paqëndrueshmërisë së tregut ndërkombëtar, një gjë e tillë mund të shihet si çelës për të shmangur varësitë e rrezikshme të energjisë. Reaktorët e vegjël bërthamorë modularë, si ata që po zhvillohen nga Rolls-Royce, duhet të bëhen më tërheqës në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë të Evropës dhe në mbarë botën në zhvillim. Por industria do të përballet me një pengesë, nëse luftimet në Ukrainë shkaktojnë ndonjë dëm serioz në objektet bërthamore të vendit.
Megjithëse presioni për t'u larguar nga gazi me kalimin e kohës do të intensifikohet në Evropë, kërkesa do të vazhdojë të rritet në shumë pjesë të tjera të botës. Në një klimë pasigurie energjetike, transaksionet e drejtpërdrejta të mbështetura nga shteti në shtet ka të ngjarë të mbizotërojnë. Kina po udhëheq këtë proces, por nuk është e vetmja fuqi me një nxitje për të ndërtuar më shumë lidhje me prodhuesit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe gjetkë. Pas marrëveshjes së fundit të gazit me Rusinë, ngjarjet e javëve të fundit ka të ngjarë të shkaktojnë rivlerësim nga Kina të rritjes së varësisë së saj nga furnizimet ruse (nga Siberia dhe Sakhalini), siç ka ndodhur në Gjermani.
Në të njëjtën kohë, politikave për të luftuar ndryshimet klimatike ka të ngjarë t’u kushtohet prioritet dukshëm më i ulët. Ndërkohë që rritja e furnizimit me energji të rinovueshme avancon gjithashtu sigurinë energjetike, shpenzimet e mëdha publike të nevojshme për investime në projekte, mund të kenë nevojë të shtyhen. Me rritjen e çmimeve të energjisë, tashmë duke rritur faturat e shitjes me pakicë, qeveritë nuk do të duan të imponojnë kostot shtesë të agjendës së gjelbër për zgjedhësit e tyre.
Lufta e Rusisë në Ukrainë sjell mundësi dhe rreziqe. Investimi në burimet natyrore – ushqim, minerale, energji – mbetet më i nevojshëm se kurrë. Rindezja e një lufte të ftohtë mund të kufizojë tiparet e globalizimit që kanë përcaktuar 30 vjetët e fundit; por jeta ekonomike vazhdon. Asgjë në situatën aktuale nuk e ka ndryshuar dinamikën themelore të ekonomisë globale: rritja e nxitur nga një popullsi gjithnjë në rritje (pothuajse 10.000 në orë) dhe përhapja e vazhdueshme e prosperitetit, veçanërisht në Azi. Me gjithë ndërlikimet dhe humbjet e shkaktuara nga ajo që po ndodh në Ukrainë, këto do të vazhdojnë të jenë forcat themelore që drejtojnë sektorin e energjisë.
(Nick Butler, profesor në King's College në Londër, është kryetar themelues i Institutit “Kings” të Politikave dhe kryetar i “Promus Associates”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).