Diktatura e komunizmit ishte po aq radikale sa është sot islamizmi ekstrem.
Pashë një botë më të mirë, deklaroi Silvia Romano kur mbërriti në Itali, njëzetekatërvjeçarja italiane që u rrëmbye në Kenia në nëntor 2018 e që shërbimet sekrete italiane arritën ta lironin para tri ditësh nga burgjet e Al Shabaab në Somali.
Thuhet që terroristëve t’u jenë paguar 4 milionë për lirimin e saj. E veshur me burka islamike, me një buzëqeshje të çuditshme që nuk i ndahej nga fytyra, Silvia tha se tashmë quhej Aisha.
“Nuk më kanë rrahur; nuk më kanë detyruar të martohem; më kanë dhënë ushqim; tërë kohën kam qenë e mbyllur në një dhomë të errët, por ndonjëherë më kanë lënë ta shikoj dritën; një ditë kërkova një fletore, ma dhanë; pastaj kërkova një Kuran anglisht, ma dhanë; fillova ta lexoja; kur hoxha thërriste ezanin, fillova të lutesha”, kaq mjaftoi që Silvia të konvertohej, kaq mjaftoi që në Itali të shpërthente ferri.
Ky është debati më i madh në vend që prej fillimit të pandemisë. Italia është e ndarë në dy taborë, ata që mbrojnë lirinë e njeriut e veçmas të gruas për të besuar e për t’u veshur si të dojë, dhe ata që akuzojnë shtetin italian që ka paguar për lirimin e saj, lexo një islamike më shumë, dhe që në këtë mënyrë ka financuar terrorizmin, ndërkohë që vendi përballet me krizë të thellë ekonomike.
Tre italianë të tjerë të sekuestruar nga organizatat terroriste më parë, janë kthyer në atdhe të konvertuar në islamë, por askush nuk e kishte shtruar më parë këtë problem. Çfarë ndodhi tani? Çfarë e shpërtheu ferrin?
Të kthehemi mbrapa në kohë, në luftën e Koresë 1950-53. Koreanët e kinezët ishin të terrorizuar nga frika, kjo i shtyu të zhbironin mendjen e ushtarëve amerikanë që mbanin nëpër burgje.
Donin të kuptonin cila ishte frika më e madhe e tyre. Fillimisht i vunë ushtarët të shkruanin parulla të tipit “komunizmi është mrekulli”, “komunizmi është rruga drejt së ardhmes” etj. Ushtarët e pranuan me lehtësi kërkesën, e cila për ta qe mjaft triviale.
Pas disa muajsh kinezët u kërkuan të komentonin sjelljet e tyre e të shokëve në publik, ajo që quhet morali publik e që nënkupton kritikën dhe autokritikën publike. Për ta bërë këtë i nxitën ushtarët me shpërblime të tilla si një pjatë oriz apo një ëmbëlsirë. Pra, jo shpërblime të mëdha që do të nxitnin xhelozi mes tyre. Pas pak muajsh ushtarët amerikanë filluan t’i spiunonin shokët te gardianët e burgut.
Për ta parë më gjerësisht historinë, mund të shikoni filmin “The Ultimate Weapon” me narracion të Ronald Regan përpara se të bëhej president i Amerikës. Atë çfarë ndodhi në mendjen e të burgosurve, Festinger e quajti disonancë kognitive, që është një nga arritjet më të mëdha në psikologjinë sociale. Sa herë që njeriu thotë diçka të cilën nuk e beson, në mendjen e tij krijohet një turbullirë, një shqetësim.
Sa më të vogla të jenë shpërblimet apo dënimet për të thënë gjëra të cilat njeriu nuk u beson, aq më e madhe është forca e disonancës kognitive, sipas Festinger. Në këto kushte njeriu përpiqet të zvogëlojë shqetësimin, kështu që fillon të modifikojë bindjet dhe sjelljet e veta që të jetë sa më afër asaj që thotë.
Qeveria amerikane, kur i dëgjonte ushtarët e saj të lexonin parulla prokomuniste në radio, e kuptoi që kishte diçka që nuk shkonte. Me përfundimin e luftës, ku një e treta e të burgosurve vdiqën nëpër kampe, amerikanët i trajtuan me profesionalizëm ushtarët e mbijetuar, të vetëdijshëm për rrezikun e madh që ata sillnin në vend. Ne që kemi jetuar në diktaturën e komunizmit e kemi të qartë çfarë ndodh. Kjo është teknika më e suksesshme e shpëlarjes së trurit, e cila vepron ngadalë, por me efekte të mëdha.
Diktatura e komunizmit ishte po aq radikale sa është sot islamizmi ekstrem. Të dyja kanë një bazë të përbashkët që buron nga konservatorizmi revolucionar e udhëhiqen nga ideja e shkatërrimit të identitetit apo hegjemonizimit, si i cilësoi historiani Ernst Nolte tri rrymat radikale të shekullit të kaluar; nazizmin, komunizmin dhe islamizmin radikal. Për këtë arsye gjëja e parë që bëjnë është shkatërrimi i lidhjeve mes njerëzve, që si pasojë sjell izolimin e njeriut. Në Shqipërinë e diktaturës e para u sulmua familja. Si fëmijë më kujtohet kur fqinji im, katërmbëdhjetëvjeçar, një mbrëmje shkoi të raportonte të atin për sjellje antikomuniste te komiteti i lagjes. Ishte nxënësi më i mirë i shkollës. Sot duhet të jetë një nga profesionistët më të mirë në Shqipëri.
Të kthehemi te Silvia apo Aisha. Ajo u kthye në shtëpi triumfuese. Ndoshta nuk e kishte menduar kurrë se do t’ia arrinte kësaj dite. Ndoshta nuk kishte besuar se shteti i saj do të bënte gjithë atë punë për jetën e saj. Burka që mbante veshur nën buzëqeshjen e saj na befasoi të gjithëve. Ndoshta e prisnim Silvian me një fjalim ku do të na tregonte gjithë ferrin që kishte përjetuar. Ku do të dëshmonte gjithë poshtërsinë me të cilën terroristët e kishin keq trajtuar derisa ajo kishte qenë e detyruar të vishte uniformën e tyre për gratë. Secili prej nesh do ta bënte në ato kushte. Por jo. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Silvia deklaroi gati të kundërtën.
Si mund të ishim të përgatitur përballë kësaj? Një shtet që paguan miliona për jetën e një vajze, e cila tani na tregon se terroristët nuk qenkan kaq terroristë? Si mund ta justifikojmë tani jetën e atyre që nuk mundëm t’i shpëtonim? Festinger thotë se shpërblimet apo dënimet e mëdha prodhojnë disonancë kognitive të dobët, pra shqetësime të vogla në mendjen e njeriut. Shqetësimet e vogla nuk prodhojnë modifikime të besimeve dhe sjelljeve, ndaj nuk janë teknika të suksesshme. Ata që u shpëtuan burgjeve të komunizmit në Shqipëri na dhanë dëshmi të forta të mbijetesës së tyre në kushte terrori. Por gjithë ne të tjerët që ishim jashtë heshtëm. Shqipëria është një vend që nuk e dënoi asnjëherë të kaluarën e vet diktatoriale. Disa thonë se ishim të gjithë bashkëpunëtorë, ndërsa unë mendoj se ishim të gjithë trushpëlarë, dhe kjo si shkak i dënimeve e shpërblimeve të vogla. Ndonjëherë na shisnin edhe çokollata në shitoret tona bosh, duke na bërë të ndiheshim të lumtur.